Protestuesit ngujohen në Teatrin Kombëtar, policia largon barrikadat

Periskopi.com Lajme

Aktivistët për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kanë vendosur që të vijojnë protestën brenda godinës, si përpjekje për të mos lejuar avancimin e planit të Qeverisë për shembjen e saj. Një barrikadë u ngrit në derën kryesore të godinës për të penguar hyrjen e efektivëve, por këta të fundit reaguan duke larguar dërrasat e vendosura aty.

Ky veprim i policisë u shoqërua me thirrje të protestuesve që kërkojnë largimin e uniformave blu.

Ndërkohë godinës i është ndërprerë edhe energjia elektrike. Aktivistët e konsiderojnë të qëllimshëm këtë veprim.

Aktivistët për Mbrojtjen e Teatrit kanë marrë edhe mbështetjen e opozitës, me kryetarin Lulzim Basha që ishte i pranishëm gjatë paradites në ambientet e godinës. Por kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e kanë konsideruar protestën e sotme si të organizuar nga një minorancë që nuk mund të mbajë dot peng planin për teatër të ri.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta reagoi gjithashtu duke depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për godinën e teatrit.