Samiti në Londër: Kurti pranë Bërnabiq

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arritur në Londër ku do të marrë pjesë në Samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ai atje është fotografuar krahas homologes së tij serbe, Ana Brnabic.

Fotografinë e dyshes e ka publikuar gazetari i The Economist, Tim Judah, i cili është shprehur i entuziazmuar se çfarë do të ndodhë nga ky takim.

Në këtë takim do të marrin pjesë të gjithë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi është që të prezantohen sektorët me mundësi të mëdha investimi. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, apo shkurt BERZH, ka për qëllim përdorimin e investimeve si një mjet për të ndërtuar ekonomitë në vendet që janë në zhvillim.

Qeveria e Kosovës do të shkojë me kërkesa specifike për ndihmë në fonde nga donatorët, ashtu si edhe qeveritë e rajonit.

Brnabic nuk ka qenë e pranishme në Konferencën e Sigurisë në Munih, andaj ky pritet të jetë takimi i parë i saj me Kurtin.

 

Maliqi: Kurti e Thaçi të bëhen bashkë, Grenell tash do të merret me Kosovën edhe më shumë

Periskopi.com Lajme

Analisti Agon Maliqi, ka deklaruar se emërimi i ambasadorit amerikan Richard Grenell si shef i Agjencive të Inteligjencës Kombëtare, të mos mendohet se ai nuk do të merret me Kosovën.

Maliqi po thotë se emërimi i ri i Grenellit vetëm se është një shtytje për të për finalizuar marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe për ta cilësuar si projekt personal.

Kjo sipas tij mundet të ndodhë pasi ambiciet e Grenellit janë që ai të bëhet si Sekretar i Shteti amerikan në mandatin e dytë të Trump.

Postimi i plotë:

Gaboheni rëndë nëse mendoni se Grenell nuk ka me u marrë me neve tash që ka hyp atje lart. Madje, gjasat më të mëdha janë se ka për të ndodhur e kundërta – se ka me i dhanë shtysë kësaj pune prej pozitës ma të naltë të mundshme si projekt personal, meqë ambiciet me gjasë i ka për Sekretar të Shtetit në mandatin e dytë të Trump (nëse ky fiton, e për momentin gjasat realisht nuk i ka të këqija). Madje, sipas raportimeve të deritanishme të mediave, Grenell me gjasë do ta mbajë paralelisht edhe postin e Ambasadorit në Gjermani. Kjo nuk është një administratë tradicionale amerikane, operaton gati si qeveri ballkanike. Në këtë moment është jetik një konsensus kombëtar, veçanërisht mes Kurtit (si njeriu me legjitimitetin më të madh politik) dhe Thaçit (si njeri me peshë që e ka imponu veten në këtë proces), për hapat në vijim. Kjo qasje e deritashme e hezitimit të skajshëm (nga Kurti) dhe protagonizmit të tepërt (nga Thaçi) mundet me na marrë në qafë keq. Kosova, e madhe sa një lagje e Stambollit, është duke e mbivlerësuar peshën e vet në këtë periudhë shkundjesh tektonike.

 

PSD: Albin Kurti, vagon i negociatave të Hashim Thaçit

Periskopi.com Lajme

Partia Socialdemokrate përmes një shkrimi në “facëbook” ka thënë se kryeministri dhe Qeveria e sapozgjedhur po vazhdojnë me politikë struci.

Sipas PSD-së, halli i tyre nuk është marrëdhënia me Serbinë, por vetëm marrëdhënia me publikun.

Postimi i plotë:

Binarët e gabuar sjellin marrëveshje të dëmshme

Sot u nënshkrua marrëveshja për linjën hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë. Njëjtë sikur ajo për linjën ajrore, edhe kjo marrëveshje po nënshkruhet në një errësirë të plotë informative.

Krejt çfarë dimë është që për Kosovën nënshkroi Xhemë Veseli si Drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva si Drejtor i Infrastrukturës Rrugore, kurse për Serbinë Marko Gjuriq, udhëheqës i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën. Pjesëmarrës të ceremonisë i pamë që ishin edhe presidentët Thaçi e Vuçiq, sigurisht krejt kjo nën udhëheqjen e ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell.

Ne nuk e kemi parë tekstin e marrëveshjes, por e dimë me siguri të plotë që secila marrëveshje që tenton të zgjidhë punë në një fushë konkrete, pa u zgjidhur së pari mosmarrëveshja politike, përbën devijim nga interesat nacionale të Kosovës karshi dialogut, por edhe shtyrje e bishtnim të procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis dy popujve. Kjo sepse bazat politike e juridike të këtyre marrëveshjeve sillen midis rezolutes 1244 dhe formulimeve të natyrës “duke mos paragjykuar statusin politik të Kosovës”. Kështu flet edhe fakti që marrëveshjen e nënshkruajnë zyrtarët civilë dhe jo ata politikë.

Në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria e sapozgjedhur po vazhdojnë me politikë struci. Siç duket halli i tyre nuk është marrëdhënia me Serbinë, por vetëm marrëdhënia me publikun. Prandaj po fshihen. Me këtë çasje, Kryeministri e Qeveria do të mbeten vagon i negociatave të Hashim Thaçit.

Dialogu me Serbinë kërkon guxim dhe vizion. Kosovës i duhet një marrëveshje ku ka njohje reciproke midis dy shteteve. Por, kjo nuk është e mjaftueshme për normalizim marrëdhëniesh. Kjo marrëveshje duhet të jetë me të vërtetë përfundimtare, e tillë që nuk lë asnjë çështje të hapur, që mbyll çdo llogari.

 

Kurti e fton Thaçin në takim

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me anë të letrës zyrtare ka ftuar sot në takim Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë.

Kurti e ka ftuar Thaçin sot për në orën 12:00, 16:00 ose 17:30.

Fillimisht, Kurti ekskluzivisht mbrëmë në Rubikon të KTV-së e ftoi Thaçin për takim.

“Të jetë një takim kur ne i shtrojmë këto gjëra, sepse nuk mund të lejojmë që shteti i Kosovës që sulmohet aq shumë, të ketë zëra të ndryshëm. Meqenëse nuk u takuam deri tash i bëj ftesë presidentit që të takohemi për t’u dakorduar për të gjitha proceset ndërkombëtare. Fundja edhe një letër e Trumpit drejtuar presidentit Thaçi kërkon zë të unifikuar”, tha mbrëmë Kurti.

Haradinaj për pagat: Kurti mashtrues në rrugë, mashtrues në institucione

Periskopi.com Lajme

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se Albin Kurti po e sjell narrativën mashtruese të rrugës edhe në institucione. Ai thotë se vendimi për pagat, është votuar në Parlament dhe është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Kështu shkruan Haradinaj:

Narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste të panevojshme, që në realitet nuk sjellin asnjë ndryshim efektiv.

I tillë është edhe vendimi për pagat, i cili i subordinohet në plotni Ligjit për Pagat e Sektorit Publik, tashmë të votuar nga Parlamenti i Kosovës, dhe i cili aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ulja e pagave të Kabinetit të sotëm është veprim politik tërësisht i pakuptimtë kur dihet tanimë që brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit që rregullon jo vetëm pagat e këtij kabineti, por edhe atyre të ardhshëmëve, dhe se pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëvë ashtu siç ishin. Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca poena të shpejtë politik, në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit.

Kështu, brenda vetëm një javë qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Qeveria normale do pezullonte të gjitha veprimet (përfshi edhe ato politike) rreth temës, dhe do priste me respekt deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Kurti shfuqizon edhe një vendim të ish-kryeministrit Isa Mustafa  

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Albin Kurtit ka shfuqizuar edhe vendimin për përfitimet e ministrave dhe të zëvendësministrave një vit dhe gjashtë muaj pasi ta përfundojnë mandatin.

Kabineti qeveritar i kaluar, do të përfitonte paga sipas një vendimi të marrë nga qeveria e Isa Mustafës në nëntor të vitit 2015.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njofton se përveç shfuqizimit të vendimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për dyfishim të pagave të kabinetit qeveritar, në mbledhjen e sotme të Qeverisë u shfuqizua edhe vendimi për përfitime pas mandatit.

“Dy vendime të padrejta u shfuqizuan në mbledhjen e Qeverisë. Së pari, vendimi i kundërligjshëm i ish Qeverisë për ngritjen e pagave për vete. Ky vendim nuk do të ketë efekt juridik për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Haxhiu.

“Vendimi i dytë që u shfuqizua, ishte ai për pagat që përfitonin kabinetet e ish Qeverive, pas mandatit”, ka treguar Haxhiu.

 

Njeriu i afërt i Kurtit nuk arrin të rizgjidhet deputet

Periskopi.com Lajme

Bashkëpunëtori i ngushtë i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, si dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhelal Sveçla, nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme pët t’u bërë përsëri deputet.

Sveçla ka marrë 6 mijë e 733 vota, duke mbetur jashtë legjislaturës së shtatë të Kuvendit, shkruan Sinjali.

6 mijë e 747 votat që i kishte marrë në zgjedhjet e kaluara të vitit 2017, i kishin mjaftuar Sveçlës që të bëhej deputet.

Sveçla njihet për afërsinë e tij me liderin e LVV-së, Albin Kurtin, i cili pritet të bëhet kryeministër i vendit.

Bashkë me Sveçlën, edhe ish-deputetët Ismail Kurteshi, Sami Kurteshi dhe Drita Millaku nuk kanë arritur që të rizgjedhen për ta përfaqësuar popullin në organin ligjvënës të shtetit.

Image result for kurti sveçla