Mustafa pret në takim lamtumirës ambasadorin norvegjez Sjaastad

Periskopi.com Lajme

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka pritur sot në një takim lamtumirës Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, me të cilin bisedoi për situatën aktuale në vend, zgjedhjet e parakohshme dhe zgjedhjet e brendshme të LDK-së.

Mustafa me këtë rast falënderoi diplomatin norvegjez për përkushtimin dhe angazhimin e tij në zhvillimin e Kosovës dhe Norvegjinë për mbështetjen që i ka dhënë vendit.

Ndërsa, ambasadori Sjaastad falënderoi kryetarin Mustafa për pritjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për një shtet zhvillimor, thuhet në njoftimin e LDK-së.

 

​Franca mbështet dialogun dhe delegacionin shtetëror të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri, kanë pritur sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Në cilësinë e bashkëdrejtuesit dhe anëtarit të Delegacionit Shtetëror për Dialogun me Serbinë, Ahmeti dhe Ymeri, vlerësuan se Kosova po dëshmon kapacitete dhe përgjegjësi politike lidhur me procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke.

Drejtuesit e PSD-së shprehën përkushtimin e tyre për një proces transparent të dialogut, të mbikëqyrur nga Kuvendi i Republikës.

Duke e rikonfirmuar mbështetjen e shtetit francez për procesin e dialogut, diplomati Chabert përshëndeti themelimin e delegacionit shtetëror në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ambasadori francez: Mos i lironi kriminelët, bindeni BE’në se po luftoni korrupsionin

Periskopi.com Lajme

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të jenë të bindura se një dinamikë pozitive dhe e pakthyeshme është instaluar në Kosovë për të pasur një shtet funksional të së drejtës dhe një drejtësi të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu ka thënë ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, teksa ka komentuar pritjet rreth vlerësimit të Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave.

Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, me rastin e Ditës Kombëtare të Francës, Chabert ka theksuar se është e domosdoshme që të vazhdohet me shtyrjen përpara të rasteve në “Track record”. Ai, po ashtu, ka kërkuar të mos lirohen kriminelët e gjykuar dhe të dënuar nga EULEX-i, “por edhe të shtyhen përpara pa u zvarritur reformat e drejtësisë që synojnë ta bëjnë sistemin e drejtësisë më efikas, më transparent dhe më të pavarur nga pushteti politik”. Teksa ka folur për nivelin e lartë të korrupsionit, ambasadori francez ka përmendur pengesat në të cilat kanë hasur investitorët e huaj.

“….ne kemi pasur përvoja zhgënjyese të investitorëve të huaj, që janë përjashtuar nga tenderët që i kishin fituar”, ka thënë ambasadori francez.

Pengesa të tjera, sipas tij, janë ato që ndërlidhen me zgjidhjen e çështjes së falimentimit, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe qasjen në energji elektrike.

Megjithatë, ai ka siguruar se shteti që përfaqëson do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj evropiane, “ku Franca do të bëhet kontribuuesi i dytë neto pas Gjermanisë”.

Chabert ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se koha po mbaron dhe së është me rëndësi të shfrytëzohet momentumi. Sipas tij, pas pranverës së ardhshme, dritarja e mundësisë në BE ka të ngjarë të mbyllet për shkak të zgjedhjeve evropiane dhe periudhës që atëherë do të jetë e nevojshme për të formuar Komisionin e ri evropian.

Një marrëveshje përfundimtare në kuadër të dialogut duhet së pari të jetë ligjërisht e detyrueshme, ka thënë Chabert.