Haradinaj flet për zgjedhjet e 6 tetorit me ambasadorin amerikan Kosnett

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, është takuar sot me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, me të cilin kanë diskutuar rreth zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Haradinaj ka thënë se në këto zgjedhje të gjitha partitë duhet të përkushtohen që të jetë një proces zgjedhor demokratik, i cili do të fuqizojë institucionet e Republikës së Kosovës.

“Në takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, për të biseduar rreth zhvillimeve të fundit politike, me theks të veçantë zgjedhjet dhe maturinë politike që Kosova ka treguar deri më tani. Theksova se bashkërisht, të gjitha partitë duhet të jemi të përkushtuar për një proces zgjedhor fer dhe demokratik, si dhe të fuqizojmë besimin e qytetarëve në institucionet tona”, ka shkruar Haradinaj në njoftimin e tij për takimin.

Ramush Haradinaj në këto zgjedhje do të futet bashkë në koalicion me PSD’në e Shpend Ahmetit.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje në muajin korrik pas thirrjes që ka marrë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar si i dyshuar dhe pas problemeve që i kishin dalë me partnerin më të madh të koalicionit, PDK’në e Kadri Veselit.