Ngacmoi modelen përmes Instagramit, përjashtohet nga Kombëtarja e Egjiptit

Periskopi.com Sporti

Federata Egjiptiane e Futbollit (EFA) ka bërë të ditur të mërkurën se futbollisti i kombëtares, Amr Warda, është përjashtuar nga ekipi që po merr pjesë në Kupën e Afrikës, për arsye disiplinore.

Në një komunikatë për shtyp EFA sqaron se Warda është përjashtuar për shkak të sjelljes së tij dhe akuzave për ngacmim seksual, transmeton Periskopi.

Ditët e fundit dolën në qarkullim lajme se disa femra janë ankuar për shkak se Warda i ka ngacmuar në rrjetet sociale, me modelen Merhan Keller që akuzon se Warda i ka dërguar mesazhe të papërshtatshme dhe agresive.

Keller më vonë publikoi edhe akuzat e disa femrave të tjera, që pretendojnë se kanë marrë mesazhe nga mesfushori egjiptian, i cili fillimisht kërkon të krijojë raporte romantike, por kur refuzohet bëhet agresiv dhe i dhunshëm.

Aktualisht 25-vjeçari është pjesë e PAOK-ut në Greqi dhe ditët e fundit në Egjipt emri i tij është përfolur më shumë se Mohamed Salah, por për arsye të gabuara, ndaj federata është detyruar të marrë masa urgjente.

Warda luajti si zëvendësues në ndeshjen hapëse të Kupës së Afrikës, që Egjipti fitoi 1-0 ndaj Zimbabves. /Periskopi.com/