Pavarësisht presioneve të BE-së, Serbia në bllokun tregtar euroaziatik

Periskopi.com Lajme

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç pritet të nënshkruajë sot një marrëveshje ku Serbia të bashkohet me një bllok tregtar euroaziatik të udhëhequr nga Rusia, pavarësisht presionit të Bashkimit Europian.

Në këtë mënyrë, Serbia do të bëhet shteti i parë jo ish-sovjetik që hyn në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, që përfshin Bjellorusinë dhe Armeninë në Europë dhe Kazakistanin dhe Kirgistanin në Azinë Qendrore.

Pakti që do të nënshkruhet në Moskë, do të vendosë hapin e fundit të Serbisë midis pranimit të ardhshëm në BE dhe besnikërisë me Rusinë.

Marrëveshja tregtare Euroaziatike nuk mbështetet gjerësisht nga opinioni publik në Serbi.

Sipas një studimi, rezultatet e të cilit u bënë publike këtë javë nga Byroja për Kërkime Sociale me bazë në Beograd, vetëm rreth 17% e të anketuarve e mbështetën këtë lëvizje.

Pothuajse gjysma e popullsisë, 45%, shihnin anëtarësimin në BE si rrugën më të mirë për vendin.

Një e treta e tyre deklaroi se do të ishte më mirë që Serbia të mbetet jashtë të dy blloqeve.

Bërnabiq: Pa kompromis, s`ka zgjidhje për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha se një zgjidhje kompromisi është e vetmja zgjidhje e mundshme për çështjen e Kosovës.

Sipas saj, kjo zgjidhje do t’iu jepte të dy palëve një të ardhme më të qëndrueshme, më të lumtur, paqe dhe prosperitet afatgjatë, transmeton Klan Kosova.

Bërnabiq tha për Blicin serb se zgjidhja për problemin e Kosovës duhet të jetë pikërisht ajo që siç tha kryeministrja serbe thekson gjithmonë presidenti Aleksandar Vuçiq, që është se të dyja palët humbasin diçka, por edhe fitojnë diçka.

Penisi i Ana Bërnabiqit

Jetlir Buja Op-Ed

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi dje para disa zyrtarëve të BE-së se “shqiptarët e Kosovës bukfalisht janë njerëz të zbritur nga mali” duke dashur të arsyetonte se si shoqëria serbe ishte paqedashëse dhe racionale ndërsa ajo e shqiptarëve të Kosovës ishte joracionale dhe luftëdashëse. “Atyre s’iu bën se a ka luftë apo jo dhe kjo më frikëson!” – kishte përfunduar racizmin kryeministrja lezbike e Serbisë.

E përmenda orientimin e saj seksual sepse presupozohet që pjesëtarët e komunitetit LGBT+ janë njerëzit më progresivë brenda një shoqërie. Presupozohet që për të mbërritur atë pikë emancipimi sa të dalësh hapur si gej, sa të dalësh hapur me partnerin e seksit të njëjtë, nënkupton se paraprakisht i ke hequr prej vetes një varg vlerash shtypëse ndaj grupeve tjera të margjinalizuara. Ksenofobinë të parën.

Kjo sepse ksenofobia ka rrënjë të përbashkëta si homofobia. Tjetri që të bën të ndihesh parehatshëm, i neveritur e i frikësuar nuk është veç pjesëtar i një grupi tjetër etnik, racor, religjioz a politik, por mbi të gjitha vleror e më specifikisht edhe seksual.

Por, zonja Bërnabiq duket se vlerat liberale i ka përbrendësuar veç deri në atë masë sa të çlironte pidhin e saj. Ajo në këtë rast e përdori të njëjtin diskurs fallogocentrik [phallus –penisi] si burrat e tmerrshëm që ishin liderë të vendeve ballkanike, e që e terrorizuan e vranë, persekutuan e linçuan miliona njerëz të grupeve të margjinalizuara. Kryeministrja serbe mund të mos ketë penis, por i dha realizim fjalës së popullit serb “Isti kurac, drugo pakovanje” që në shqip bën pak-a-shumë “i njëjti penis, por me paketim/pamje tjetër”.

Veçse, deri këtu shpjegimi është i mangët apo krejtësisht mungues. Si ka mundësi që brenda një trupi të bashkë-ekzistojnë vlera kaq të përkundërta, në njërën anë nacionalizmi i egër e përjashtues dhe në tjetrën idetë progresive që mësyjnë pranimin e gejëve, transgjinorëve e orientimeve tjera seksuale?

Mund të vërejmë pak dromca ngjashmërie në liderët komunistë të viteve ’80. Përfshirë edhe Enver Hoxhën dhe komunizmin e egër shqiptar pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Liderët komunistë ishin njëherësh internacionalistë dhe nacionalistë e fashistë.

Por, pse ekziston ky lëmsh ideologjik e vleror brenda këtyre trupave? Në një anë kemi funksionimin strukturor të vlerave tradicionale shtypëse që gjallojnë kryesisht e përpunohet plotësisht në shtresën e varfër fshatare [me fjalë të Bërnabiqit, te njerëzit e zbritur nga mali] ndërsa në tjetrën kemi injektimin e vrazhdë e jostrategjik të vlerave liberale që mbesin pa strukturë e pa përmbajtje në manifestimin e tyre publik.

Këto vlera qarkullohen brenda elitës kulturore e politike por nuk përkthehen në një ndryshim të gjithanshëm shoqëror. Përkundrazi, përdorimi jostrategjik i këtyre vlerave i shërben qëllimshëm përjashtimit të mëtejmë shoqëror ndaj njerëzve të varfër ose me prapavijë të varfër.

Për Bërnabiqin këto vlera kanë rëndësi për aq sa e çlirojnë seksualitetin e saj dhe për aq sa i shërbejnë përveçimit të statusit të saj social. Në këtë rast, përveçimit të kulturës serbe nga ajo e shqiptarëve të Kosovës. Por njësoj ndodh edhe me njerëz tjerë brenda kulturës sonë. Mbështetja ndaj grupeve të margjinalizuara, qoftë edhe nëse je pjesë e tyre, bën një mbivendosje kulturore.

Fjalët e Bërnabiqit e pasqyrojnë pikërisht tendencën për superioritet kulturor më shumë se kombëtar a racor.

Përdorimi hipokrit i vlerave nga elita ka një ekonomi të veten. Konsistenca në vlera do t’i lejonte edhe njerëzve të shtresave të margjinalizuara që të kuptonin skemën e tyre duke e bërë irelevante përkatësinë e tyre sociale. Për serbët, nuk ka kurrfarë rëndësie se në çka beson një shqiptar, se çfarë vlerash performon – ai do ta ketë gabim gjithnjë, duke qenë i zbritur nga ‘mali’.

Është e njëjta përdorueshmëri hipokrite e vlerave edhe në shoqërinë tonë. Elita jonë kulturore, politike e ekonomike mban diktatin në përdorimin e vlerave, në përcaktimin e anti-vlerave, në peshimin e tyre, në skematizimin e tyre, e kështu me radhë. Ajo i jep vetes një superioritet kulturor e moral bazuar në pozicionimin e vet social dhe jo në vlerat që i performon. Nëse i zbrituri nga mali është seksist e racist, keq. Nëse është feminist e kozmopolit, edhe më keq.

Mogherini flet si Serbia, nga konferenca me Brnabiq kërkon heqjen e taksës nga Kosova

Periskopi.com Lajme

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ka përsëritur sot kërkesën e BE-së për heqjen e masës 100 për qind ndaj mallrave serbe, të cilën Kosova e ka vendosur kohë më parë.

Ajo gjatë një konference për media me kryeministren e Serbisë Ana Brnabiq në Bruksel, deklaroi se angazhimi i Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është një nga elementët kryesorë të progresit në negociatat e anëtarësimit në BE.

Kryediplomatja evropiane gjithashtu përmendi taksat shtesë të vëna nga Prishtina për mallrat nga Serbia dhe BeH, duke thënë se qëndrimi i Komisioni Evropian ishte i qartë që nga fillimi – se këto masa shkelin CEFTA dhe se Prishtina duhet t’i tërheqë këto masa.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur se nuk do të ketë heqje të taksës ndaj mallrave serbe derisa Serbia të mos e pranojë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Pacolli: Kryeministrja serbe e kërcënoi Sulejman Uglaninin

Periskopi.com Lajme

Zëvendës kryeministri i Kosovës dhe ministri Jashtëm, Behgjet Pacolli për mes një letre e ka falënderuar kryetarin e Këshilli Kombëtar Boshnjak, Sulejman Uglanin, për ftesën që ia ka bërë për ta vizituar Novi Pazarin dhe Peshterin, duke i shprehur po ashtu keqardhje për kërcënimin që ia ka bërë Uglaninit kryeministrja e Serbisë përmes një shkrese zyrtare.

“Fatkeqësisht, në momentin e fundit, vetëm 4 orë para nisjes sime për Novi Pazar mora refuzimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë për të kaluar kufirin. Kjo është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen mes qeverive tona të nënshkruar 4 vite më parë në Bruksel, për çka ne veç kemi bërë një notë proteste zyrtare”, ka shkruar Pacolli.

Letar e Pacollit:

I nderuar kryetar Dr.Uglanin

I dashur Sulejman,

Të falënderoj vëllazërisht për ftesën vëllazërore që më bëtë për të vizituar Novi Pazarin dhe Peshterin dhe për të marrë pjesë në Tribunën me titull: Procesi i vendosjes së  bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal në Ballkan së bashku me shkëlqësinë tuaj dhe profesorin e nderuar,  Prof.Dr. Nexhmedin Spahiu.  Kishte me qenë një privilegj i madh për mua.

Fatkeqësisht, në momentin e fundit, vetëm 4 orë para nisjes sime për Novi Pazar mora refuzimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë për të kaluar kufirin. Kjo është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen mes qeverive tona të nënshkruar 4 vite më parë në Bruksel, për çka ne veç kemi bërë një notë proteste zyrtare.

Më lejo  të lutem të shprehë keqardhjen dhe protestën time për lajmin që mora se për shkak të ftesës që  më keni bërë,  Kryeministrja e Republikës së Serbisë u paska kërcënuar përmes një shkrese zyrtare,  e ndodhur në vizitë në SHBA, vend ky që i pari e ka njohur Republikën e Kosovës si dhe më shumë se gjysma e kombeve të botës.

Pavarësisht nga refuzimi që më është bërë mua, dhe kërcënimi që i është bërë shkëlqesisë suaj, unë ju siguroj se përpjekjet e mia nuk do të ndalen për një Ballkan dhe një Evropë ku nuk do të ketë ndalesa në kufi dhe  ku komunitetet nuk do të privohen nga të drejtat elementare për të komunikuar me personalitete dhe dëgjuar të vërtetat e anës tjetër.