Murati i VV’së: Ka ende shpresë për marrëveshje me LDK’në

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati u shpreh optimist në lidhje me marrëveshjen e koalicionit, duke thënë se kanë ende edhe 15 ditë, të cilat do t’i shfrytëzojnë për të shterur mundësitë që të bëjnë marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Murati, thotë se LVV-ja, ka vullnet për të bërë marrëveshje me LDK-në, dhe se këtë vullnet e kanë dëshmuar, në momentin që i kanë bërë ofertë LDK-së, që të jenë bartës të listës në zgjedhjet e 6 tetorit, e cila ofertë u refuzua nga kjo e fundit.

“Mundësitë nuk janë shterë, vet fakti që është edhe ky 15-ditëshi, tregon që mundësitë nuk janë shterrur. I kemi edhe 15 ditë që të arrijmë marrëveshje. Vullneti prej Lëvizjes Vetëvendosje ekziston për me pas një marrëveshje, ky vullnet ka ekzistu që prej fillimit të bashkëpunimit në opozitë, bashkë me LDK-në kur kemi qenë në opozitë, madje ku vullnet është dëshmu edhe ne negociatat për koalicion parazgjedhor që kemi pas me LDK-në, nëse ju kujtohet ka pasur oferta gjeneroze atëherë. Madje oferta përfundimtare, pak para se me u dorëzu listat në KQZ, ka qenë që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës. Si kandidat, e Albin Kurti numër dy, edhe atëherë u refuzu kjo ofertë”, u shpreh Murati në Debat Plus në RTV Dukagjini.

Sipas Muratit, të dy partitë edhe LVV-ja, edhe LDK-ja kanë dalur në fushatë me të njëjtin premtim, për ta dërguar PAN-in në opozitë, gjë që kjo tregon se ka ende shpresë për koalicion.

“Tash me e pyet elektoratin e LDK-së a e kishi pranu në retrospektivë, këtë ofertë, ndoshta e kishin pranu nëse i kishin ditë qysh ka me dal rezultati. Por, ja që kjo ofertë ka skadu, të gjitha ofertat po iu imponohet një afat skandence qoftë Kushtetues, qoftë prej KQZ-së. Edhe pasi dul rezultati, VV-ja e para ndërsa LDK-ja e dyta. Le të kujtojmë që dy partitë gjatë fushatës kanë garu me premtimin se do ta dërgojnë PAN-in në opozitë dhe vetëm LVV-ja dhe LDK-ja do të jenë partnerë të koalicionit. Tash, pas zgjedhjeve LVV-ja vazhdon me insistu që me pas marrëveshje, por e kemi edhe alternativën tjetër me mbet në opozitë, por që opozita nuk ka qenë e përmendur gjatë fushatës, kështu që ka shpresë marrëveshje”, tha Murati në RTV Dukagjini.

 

Anëtari i VV’së i zbulon ‘dhelpnakët’ e LDK’së

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Jusuf Ulaj i ka quajtur “dhelpnakë” disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që sipas tij, kanë përdorur fjalë të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Ulaj, në një shkrim në Facebook, ka pyetur se “çka fshehin tash dhelpnakët e LDK-së?”.

“Në Rubikon sonte, Profesor Avdullah Hoti, letrën e Albin Kurtit e quajti disa herë PAMFLET. Nuk pranojnë të ulën në tavolinë e të bisedojnë, ndërsa letrën zyrtare të LVV e quajnë pamflet”, ka thënë fillimisht ai.

“Eksponentët e LDK-së mbrëmë dhe sonte në emisione TV, negativizmi dhe nihilizmi i Agim Veliut, fjalët e rënda të Skënder Hysenit si dhe rrjedha e gjërëtanishme e kërkesave me rritje pazaresh e presione që nga fillimi i bisedimeve, tregon hapur së këta nuk duan koalicion me LVV”, ka deklaruar Ulaj.

Ulaj ka thënë se “për ata, LVV qenka ‘sharllatane dhe pa përvojë në politikë’, e çka mshefin dhelpnakët e LDK-së do të shohim në ditët në vijim”.

Dosti i Agim Veliut, Agim Bahtiri: O njerëz të devotshëm të LDK-së, bëni marrëveshje me VV-në

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, e kreu i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës që të merren vesh sot për koalicionin qeverisës. Në një përgjigje përveç apelit që të qohen proceset përpara, Bahtiri nuk ka dashur që t’i komentojë deklaratat e mbrëmshme të mikut të tij, Agim Veliut, nënkryetarit të parë të LDK-së.

Agim Bahtiri, që para zgjedhjeve të gjashtë tetorit, është bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje nuk po i ndal thirrjet për krijim sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Madje, ai personalisht është angazhuar në disa takime që ka pasur që t’ia ndërrojë mendjen njërit prej personave më të zëshëm të LDK-së, Agim Veliut, nënkryetarit të parë të partisë që udhëhiqet nga Isa Mustafa.

I kontaktuar gjatë ditës nga Express, Bahtiri nuk ka dashur që të komentojë deklaratat e mbrëmshme të Veliut, përveç se ka bërë apel nga siç ka thënë ai njerëzit e devotshëm të LDK-së që të formojnë në emër të qytetarëve koalicionin.

“Unë vetëm e kisha bë një apel te Lidhja Demokratike e Kosovës, te njerëzit e devotshëm të LDK-së, që në emër të qytetarëve që i kanë votuar të lidhin koalicionin, ky është apeli im, nuk dua që t’i komentoj asnjë diskutim po apeli im është që në emër të gjithë qytetarëve, që sot të lidhet koalicioni, edhe Lidhja Demokratike që e ka takimin sot të marrin vendim për t’i bashkuar forcat për t’i çuar proceset përpara, të cilët qytetarët me zemërgjerësi e kanë votuar këtë koalicion të përbashkët”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, situata mes LV-së dhe LDK-së është komplikuar pasi që partia e Isa Mustafës ende nuk ka vendosur nëse do të pranojnë apo jo ofertën e re për rritje të numrit të ministrive në 14.

Sot ndërkaq, Mustafa ia ka kthyer kundër ofertën e LDK-së, Albin Kurtit edhe me shkrim.

Selimi: S’bashkëpunojmë me Listën Serbe, VV-ja nuk kërcënon askënd

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke komentuar rezultatin zgjedhor ku kjo parti doli e para, tha se qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshimin dhe kanë besuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai tha se ky besim i qytetarëve erdhi për dy arsye, e para sepse i kanë besuar projektit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe e dyta keqqeverisja në vazhdimësi  nga të gjitha qeveritë e deritashme.

“Qytetarët e Kosovës e kanë bërë ndryshimin jo pse nuk e kanë dashur edhe më herët, por tashmë e kanë bërë  shumë më të qartë se kush është adresa e ndryshimit dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbetet adresa e ndryshimit pozitiv në Kosovë, gjithsesi edhe adresë e besimit të tyre e shpresës se diçka në këtë vend të ndryshojë për të mirë në këtë vend”.

“Pra arsyeja kryesore pse ne kemi dalë fitues është për shkak se qytetarët i kanë besuar projektit tonë, ana tjetër e medaljes mund ta quaj edhe kushtimisht edhe keqqeverisja në vazhdimësi e të gjitha qeverive të mëhershme. Kjo tash ka treguar edhe një herë që fuqia më e madhe është në duart e qytetarëve dhe çfarë ata dinë të bëjnë nganjëherë as nuk mund të imagjinohet”, tha Selimi.

Por, pavarësisht që dolën të parët në garën për qeverinë e re, Lëvizja Vetëvendosje fitoi me rezultat të ngushtë e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 5 mijë vota dallim në rezultatet preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe për këtë do t’i duhet një partner për të qeverisur me vendin.

Selimi  thotë se me LDK-në asnjëherë nuk i kanë ndërprerë bisedimet për bashkëqeverisje.

“Me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk është që kemi diskutuar tash për herë të parë, ne kemi pasur bisedime në vazhdimësi edhe për para zgjedhjeve duke kërkuar që të kemi një mazhorancë të përcaktuar paraprakisht  me koalicion parazgjedhor, rrethanat ishin të tilla që ne shkuam veç e veç megjithatë ne prapë dolëm të parët, por asnjëherë nuk i kemi ndërprerë bisedimet madje e kemi thënë qysh para zgjedhjeve që ne pavarësisht që nuk po shkojmë  në koalicion parazgjedhorë kjo e nënkupton koalicionin paszgjedhor për shkak të qëndrimeve të dy palëve në këtë rast”.

Selimi u shpreh kundër çfarëdo bashkëpunimi me Listën Serbe sa i përket bashkëqeverisjes.

“Sa i përket bashkëpunimit me Listën Serbe ne i respektojmë komunitetin  serb në Kosovë. Lista Serbe vazhdon të mbetet institucion paralel i Serbisë në Kosovë dhe nuk shoh asnjë lloj bashkëpunimi me ta”.

Selimi i pyetur lidhur me rastin ku anëtari i kësaj partie, Sali Zyba e kërcënoi publikisht Shpend Ahmetin, tha se nuk është i njoftuar me rastin, por që Lëvizja Vetëvendosje nuk kërcënon askënd dhe tani duhet të punojnë.

“Nuk kam njohuri për këtë, mund të jem i mangët për njohuritë e mija sa i përket këtij problemi. Por asesi as nuk kërcënojmë e as s’ka arsye për kërcënim  askënd, në këtë rast ne duhet të punojmë”, tha ai.