Përmes protestës kërkohet drejtësi për Antigonën, e cila vdiq nga gjakderdhja tri ditë pas martesës

Periskopi.com Lajme

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizon nesër protestë paqësore para objektit të Gjykatës në Rahovec, për të kërkuar drejtësi për Antigonën.

“Pasi që institucionet e drejtësisë nuk po ndërmerrnin masat e duhura, pas reagimeve të shumta, RrGK angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësonte familjen e Antigonës”, thuhet në njoftimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Rrejti nëpërmes protestës kërkon  urgjentisht reagim adekuat nga Gjykata Themelore në Rahovec për rastin e të ndjerës Antigona Morina dhe dënim meritor për shkaktarin e vdekjes së saj, Hilmi Zenën.

I njëjti ishte shpallur i pafajshëm nga po kjo gjykatë, ndërsa ankesa e bërë nga Prokuroria pas atij vendimi ishte zhdukur nga zyrtarët në Gjykatën Themelore në Rahovec.

Andaj, RrGK kërkon nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtij rasti por edhe rasteve tjera të ngjashme, në përputhshmëri me Kodin Penal të Kosovës.

“Ju rikujtojmë që e ndjera kishte vdekur 6 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen e saj duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.