Përdhosja e Anton Çettës: Çka fshihet prapa turpërimit disa-vjeçar?

Periskopi.com Lajme

Anton Çetta vazhdon të gëzojë respekt e simpati të madhe në shoqërinë kosovare, që ende nuk ka harruar kontributin e tij të pashoq në ndaljen e gjakmarrjeve të tmerrshme. Por, ky respekt e kjo simpati nuk është materializuar asnjëherë në ndonjë statujë, apo edhe vepër tjetër memoriale. Çka ndodhi në prapavijë?

Çetta me aksionin e tij të pajtimit të gjaqeve mund të ketë shpëtuar dhjetëra-mijëra kosovarë nga vrasja dhe hasmëria – dukuri tmerruese që e pengonin seriozisht zhvillimin e vetëdijes politike, kulturore e sociale në vend.

Po ashtu, pajtimet masive mes familjeve të hasmëruara mund të kenë luajtur rol vendimtar edhe në rezistencën paqësore e të armatosur ndaj regjimit shtypës jugosllav.

Por, vepra e tij duket se qëllimshëm po kërkohet të lihet në harresë.

Statuja e tij ka mbetur e përdhosur për kohë të gjatë në rrugën Qamil Hoxha në Prishtinë, në një vend të shkretë.

Instituti Albanologjik kishte refuzuar që statujën e të ndjerit Anton Çetta ta vendoste para hyrjes së saj. Kjo kishte skandalizuar mbarë vendin, por siç ndodh rëndom, skandali kishte zgjatur tri ditë dhe ishte harruar.

Prapa vendimit të çuditshëm të Institutit Albanologjik – ku dikur kishte punuar vetë Çetta – besohej se qëndronte një figurë tjetër e rëndësishme, ajo e Rexhep Qosjes.

Kundërshtimi ndaj Çettës asnjëherë nuk është bërë publik nga ana e Rexhep Qosjes apo ndonjë figure tjetër deri tash. Por, meqë çështja e vendosjes së statujës së tij u zgjat për aq shumë vjet, mund të konsiderohet se pushteti i këtyre njerëzve është shumë i madh.

Dhe, së fundi është vendosur për përdhosjen përfundimtare të figurës së Çettës me vendosjen e statujës së tij në oborrin e Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë. Çka do të thotë kjo? Figurës kombëtare të Çettës kësisoj i reduktohet roli dhe përmasa duke i dhënë një dimension fetar.

Prandaj edhe ndodhi reagimi i familjes Çetta, më saktë vajzave të tij, të cilat e konsideruan vendosjen e shtatores te Katedralja si thyerje të parimeve dhe qëllimeve të Çettës.

Vendosja e shtatores brenda mureve të oborrit të Katedrales, do të binte ndesh me parimet dhe qëllimet e tij, prandaj ne si familje nuk e miratojmë një vendim të tillë dhe shpresojmë shumë në mbështetjen Tuaj dhe mirëkuptimin e vendosjes së shtatores përballë Fakultetit Filologjik aty ku e ka miratuar Kuvendi Komunal.” – kanë shkruar ato.

Ajo që publiku duhet ta dijë është kush qëndron prapa përpjekjes për përdhosjen e Anton Çettës.

Shpëtoi dhjetëra-mijëra shqiptarë nga vrasja: Ja se ku është përdhosur statuja e Anton Çettës

Periskopi.com Lajme

Sot në Kosovë është përkujtuar jeta dhe vepra e shkrimtarit dhe patriotit të famshëm, Anton Çettës në ditën e lindjes së tij. Por, vendi se ku po lihet statuja e tij, tregon për përdhosjen dhe shpirtin kolektiv mos-mirënjohës të shqiptarëve të Kosovës.

Parvjet, Instituti Albanologjik kishte refuzuar që statujën e veprimtarit Anton Çetta ta vendoste para hyrjes së saj.

Kjo kishte shkaktuar bujë të madhe, por e cila ishte shuar me kalimin e kohës dhe kjo çështje ishte harruar. Statuja e Çettës mbeti pa vend zyrtar në Kosovë, dhe kësisoj u la në një vend të shkretë në një rrugë të Prishtinës, shkruan Periskopi

Ekzaktësisht ajo ndodhet në rrugën Qamil Hoxha, afër disa kafeneve në kryeqytet. Nuk dihet ende se në cilin vend do të vendoset ajo, pasi institucionet përkatëse, vazhdojnë ta zvarrisin duke e vazhduar kësisoj përdhosjen e figurës së tij.

Çetta në vitin 1990 ishte zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve, me të cilën ia kishte dalur të pajtonte shumë familje e fise që ishin në hasmëri dhe që rrezikonin njerëzit e njëra-tjetrës.

Nuk dihet saktë numri i familjeve të pajtuara, por mendohet të jetë me mijëra nga të cilat dhjetëra-mijëra kosovarë i shpëtuan gjakmarrjes.

Ai kishte qenë edhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para paralele që ishin organizuar në vitin 1992. /Periskopi

Ahmeti: Prishtina e meriton ta ketë shtatoren e Anton Çettës

Periskopi.com Lajme

Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se komuna në mbledhjen e radhës do të propozojë që në Prishtinë të vendoset shtatorja e Anton Çettës.

Ai ka thënë se në 100 vjetorin e lindjes së Anton Çettës do të punojnë që të ketë sa më pak hasmëri në mes të shqiptarëve.

Postimi i Ahmetit:

Sot, me 3 Janar 2020 shënojmë 100 vjetorin e lindjes së Anton Çettës. Ndër ekspertët më të mirë të Folklorit Shqiptar me mbi 15 libra, Anton Çetta arriti te fitojë zemrat e Shqiptarëve kur themeloi Komitetin për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë. Familjet pajtoheshin gjithandej nëpër Kosovë. Ndër lëvizjet dhe veprimet me të mira ndonjëherë ndër shqiptarë. Të gjithë sigurisht se keni dëgjuar për mospajtimet rreth lokacionit potencial të shtatores se Anton Çettës, por kjo nuk është temë sot. Ne si ekzekutiv në bashkëpunim me asamblistë të Kuvendit Komunal në mbledhjen e radhës do të propozojmë që shtatorja e Anton Çettes ta ketë vendin në parkun në mes të Fakultetit Filologjik dhe Katedrales. Pas përfundimit të Parkingut Nëntokësor, parku përmbi do të zgjerohet edhe më shumë dhe aty bashkë me shtatoren e Fehmi Aganit do ta kemi edhe shtatoren e Anton Çettes. Në këtë 100 vjetor të lindjes së Anton Çettës, të zotohemi, të punojmë e të shpresojmë për sa më pak hasmëri në mes të shqiptarëve, sa më pak hasmëri në mes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dua që të falënderoj asambleisten Vlora Dumoshi si dhe nënkryetarin Selim Pacolli për insistimin që si Komunë ta nderojmë Anton Çettën.

Presidenti Thaçi: Anton Çetta do të mbahet mend si kontribuues i shërimit të plagëve të gjakmarrjes

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka kujtuar 100 vjetorin e lindjes së albanologut dhe humanistit Anton Çetta.

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se Anton Çetta do të  mbahet mend si njeri i urtë, i mençur dhe kontribuues i shërimit të plagëve të gjakmarrjes.

Postimi i Thaçit në Facebook:

 

Para një shekulli u lind Anton Çetta, njeriu që do mbetet në historinë e kombit tonë për kontributin e jashtëzakonshëm në mbledhjen e folklorit shqiptar në Kosovë, duke e bërë të pavdekshëm këtë thesar të kulturës sonë shpirtërore. Ai do mbahet mend përjetë si njeri i urtë, i mençur, humanist dhe kontribues i shërimit të plagëve të gjakmarrjes në fillim të viteve të dekadës së fundit të shekullit njëzet. Kombi ynë do të mburret për jetë dhe mot me figurën e albanologut Anton Çetta. HTH

Haradinaj kujton Anton Çettën: Angazhimi i tij me peshë historike do të jetë frymëzues për brezat

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Anton Çettën në 24 vjetorin e vdekjes së tij duke thënë se përmes bashkimit e pajtimit të popullit shqiptar, ai ia doli që me lëvizjen e tij ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi, njofton Klan Kosova.

“Iluministi atdhetar, Anton Çetta, përmes bashkimit e pajtimit të popullit shqiptar ia doli që me lëvizjen e tij ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi.

Kujtimi për unifikuesin shqiptar, pajtimtarin e mijëra gjaqeve dhe humanistin e madh nuk është zbehur as pas 24 vjetësh nga vdekja e tij. Angazhimi i tij me peshë historike do të jetë frymëzues për brezat”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Matoshi për Anton Çetën: Të mos identifikohemi me emra të veçantë, por me ngjarje të rëndësishme

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka thënë se Anton Çeta meriton të gëzojë një vend meritor të tillë çfarë e ka pasur edhe në kohën kur ka jetuar.

Ai   ka thënë se vendi që ka kërkuar Këshilli Organizativ për ngritjen e shtatores për Anton Çetën është konsideruar i papërshtatshëm për shkak se është i vogël.

“Ne kemi hapur diskutimin nga viti 2005 për shtatoren e Anton Çetës. Kjo shtatore kemi kërkuar të vendoset në një shesh që do të quhej “Sheshi i Pajtimit – Anton Qeta”. Vendi që ka kërkuar Këshilli Organizativ është konsideruar i papërshtatshëm.”

“Kërkesa e Këshillit Organizativ do të kishte kuptim vetëm nëse edhe instituti do të mbante emrin e Anton Qetës, por një kërkesë e tillë nuk ka ardhur”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka thënë se respekti i Institutit Albanologjik është parë ndër vite.

“Instituti ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur për Anton Çetën, i ka bërë disa ‘përmendore’ atij. Ne i kemi botuar katër vepra të profesor Anton Çetës, asnjë punonjësi tjetër nuk i kemi bërë këtë nder, me përjashtim që i kemi botuar një vepër Bajram Krasniqit”, ka deklaruar ai, përcjell Telegrafi.

Drejtori i Institutit Albanologjik ka thënë se ka një vendim që para këtij institucioni të mos vendoset asnjë shtatore e ndonjë personi të veçantë.

“Qendrimi që të mos ketë shtatore para Institutit Albanologjik por vetëm një obelisk nuk e nënkupton vetëm Anton Çetën, nënkupton të gjitha personalitetet, sepse ne kemi pesë degë të këtij instituti, dhe në secilën degë kemi nga dy-tri personalitete të shquara”.

Ai ka thënë se ka pasur kërkesa të ndryshme për të identifikuar Institutin Albanologjik me emra të veçantë.

“Kemi pas një kërkesë që institucioni të emërohet me emrin e Idriz Ajetit, por kërkesa jonë është që Instituti Albanologjik të mos identifikohet me emra të veçantë por me ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar”, ka deklaruar më tej Hysen Matoshi.

Shkrimtari kosovar: Anton Çetta s’ka pasë lidhje me shkencë (Foto)

Periskopi.com Lajme

Shkrimtari Ag Apolloni ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook ku ka folur mbi debatin e fundit të bërë në lidhje me vendosjen/mosvendosjen e bustit të veprimtarit Anton Çetta pranë Institutit Albanologjik në Prishtinë, shkruan Periskopi.

Apolloni thotë se Çetta ka qenë një pleqnar i cili ka bërë mbledhjen e përrallave, dhe që ka punuar në Institutin në fjalë, por që nuk e meriton të konsiderohet shkencëtar. Për këtë arsye, vijon ai, busti nuk meriton të vendoset pranë Institutit Albanologjik por në ndonjë vend tjetër në Prishtinë.

“Anton Çetta ka marrë rrogë në Institut, por nuk është Vladimir Propp. Ai thjesht ka mbledhur (më shumë ka kompiluar) përralla e anekdota. Më tutje, dorën në zemër, lidhje me shkencë s’ka pasë. “ – shkruan ndër tjerash ai. /Periskopi