Zeka: Qeveria duhet të krijojë një fond urgjent për sektorin privat

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një fond urgjent për tu dalë në ndihmë bizneseve private, pas mbylljes së shumicës së tyre si masë parandaluese në luftën ndaj koronavirusit.

Ky propozim për Qeverinë vjen nga odat ekonomike në vend.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës,  Arian Zeka  në një intervistë për Ekonomia, ka thënë se pas vendimit të qeverisë për tu mbyllur disa ndërmarrje, si pasojë e masave parandaluese për përhapjen e Coronavirusit, më të goditurat mund të jenë bizneset e sektorit privat.

“Ne në  fazën fillestare e kemi propozuar një fond emergjent. Po i afrohemi fundit të muajit Mars, një pjesë e ndërmarrjeve aktivitet ekonomike të cilat janë ndërprerë dhe nuk do të jenë në gjendje të shtyjnë detyrimet e tyre operacionale dhe ndaj punonjësve të tyre. I kemi propozuar qeverisë një fond emergjent,  pas krijimit të kësaj situate. Zgjidhja në sektorin privat është ta ketë mbështetjen nga qeveria, sepse,  është sektori që kontribon më së shumti në të hyrat në buxhetin e vendit. Natyrisht është fare e drejt të ketë mbështjen direkte nga shteti” shtoi Zeka.

Ai ka thënë se pas shpërthimit të pandemisë së Coronavirusit, Oda Ekonomike Amerikane, me disa asociacione biznesi kanë propozuar një dokument me masa konkrete për të minimizuar ndikimin negativ që pandemia do të ketë mbi sektorin privat. Zeka tha se kanë propozuar që 5%  të bruto produktit të jenë planifikuar për buxhetin e vitin 2020, në mbështetje të sektorit privat.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë mund të shpëtohen shumë ndërmarrje.

“Tashmë kemi informata që janë duke i konsideruar një pjesë të propozimeve që ne i kemi dorëzuar. Dokumenti i është dërguar kryeministrit Albin Kurti,  javën e kaluar. Gjatë diskutimit që kemi pasur me ministrat, na është bërë me dije që tashmë kanë filluar  t’i analizojnë propozimet tona. Ne kemi propozuar që 5 % e bruto produktit të vihet në sektorin financiar. Po flasim për qindra miliona të cilat po që se riorientohen nga shpenzimet kapitale që janë planifikuar për buxhetin e vitin 2020 në mbështetje të sektorit privat,  mund të na ndihmojnë që pasojat të jenë minimale dhe në këtë mënyrë t’ia dalim të shpëtojmë sa më shumë ndërmarrje. Kosova ka një buxhet të kufizuar dhe duhet të ruhet likuiditeti në ekonomi” shtoi më tej Zeka.

Oda Ekonomike Amerikane në bashkëpunim me disa asociacione të tjera të biznesit tashmë kanë propozuar një dokument me masa konkrete.

“Këto masa besojmë se duhet të merren edhe në këtë fazë emergjente në të cilën po kalojmë pas shpërthimit të pandemisë së Coronavirusit, por edhe më vonë si masa rikuperuese për të minimizuar ndikimin negativ që pandemia do të ketë mbi sektorin privat dhe mbi ekonominë në përgjithësi. Kur po flasim për ndërmarrjet më të goditura natyrisht edhe për të ndihmuar punonjësit e atyre ndërmarrjeve që do të ndikohen si pasojë e masave parandaluese për përhapjen e Coronavirusit. Një pjesë e madhe e aktiviteteve ekonomike tashmë janë reduktuar. Ka disa ndërmarrje puna e të cilave është ndërprerë në tërësi,  si pasojë e vendimit të qeverisë të cilat janë marrë me qëllim të kufizimit të përhapjes së pandemisë. Në njërën anë sa i përket ruajtjes së sigurisë kanë qenë veprime të dobishme,  por do të kenë ndikim në ekonominë e vendit dhe atë globale në tërësi” deklaroi Zeka.

 

Kryetari i Odës ekonomike amerikane kërkon heqjen e taksës pa reciprocitet

Periskopi.com Lajme

Oda Ekonomike Amerikanë në Kosovë (OEAK) kërkon heqjen e taksës nga Qeveria e Kosovës në mënyrë të pakushtëzuar. Derisa thotë se mos vendosja e reciprocitetit do të mundësojë negociatat me Serbinë dhe rrugën drejt një  marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy shteteve.

Kryetari i OEAK-ut, Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se vendosja e reciprociteti është vendim politik dhe kjo do të sjell pasoja te ndërmarrjet private dhe konsumatorët.

Zeka potencoi se në qoftë se vendoset reciprociteti do të ndikojë në marrëdhëniet jo të mira fqinjësore.

“Ende nuk ka një vendim të qeverisë sa i përket heqjes së tarifës është vetëm një paralajmërim i kabinetit qeveritar. Ne nuk mbështesim kurrfarë barriere tarifore ose jo tarifore. Kemi shprehur shqetësimin tonë sa i përket vendimit të qeverisë së Kosovë për vendosjen e masave tarifore. Kjo nuk i kontribuon as marrëdhënieve jo të mirë fqinjësore. Pasojat e vendimeve të tilla bartën nga ana e ndërmarrjeve private dhe konsumatorëve të cilët do të paguajnë çmimin për çfarëdo mase tarifore”.

“Ne kemi rezervat tona sa i përket reciprocitetit, ne ndajmë qëndrimin me Administratën e SHBA-së dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë që tarifa duhet të hiqet në mënyrë të pakushtëzuar. Çfarë do barriere që vendoset nga shtetet tjera, qoftë nënshkruese të marrëveshjes CEFTA duhet të diskutohet përmes mekanizmave që janë paraparë me këto marrëveshje për trajtimin e konteksteve për eliminimin e çfarëdo barriere”, u shpreh Zeka.

Mes tjerash, Zeka theksoi se pas arritjes së marrëveshjes do të riktheheshin investitorët e huaj, të cilët janë larguar për shkak të konflikteve dhe mos stabilitetit.

“Ne do të ndajmë të njëjtën kërkesë dhe qëndrim që të dyja shtetet të lëviz drejt një marrëveshje përfundimtare. Efektet dhe përfitimet e të cilave do ti prekin vet bizneset, sektorin privat dhe të krijoheshin mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës. Tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i hiqet perceptimi negativ që investitorët e huaj e kanë për shkak të konflikteve të vazhdueshme ose mungesës së stabilitetit”, ka thënë Zeka.

ShBA-ja në vazhdimësi ka kërkuar që Kosova ta heqë taksën ndaj Serbisë, pa kushte, teksa tashmë kryeministri Kurti po vazhdon të këmbëngul në zëvendësimin e saj me reciprocitet.

 

Oda Amerikane për reciprocitetin e Kurtit: Nuk përkrahim barriera që pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave

Periskopi.com Lajme

Bashkëpunimi për mini-shengenin ballkanik, iniciativë e nisur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pritet të finalizohet më 21 dhjetor në takimin e Durrësit.

Por, një iniciativë e tillë po shihet e paarsyeshme nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

Kryetari i kësaj Ode, Arianit Zeka, thotë për EkonomiaOnline se shtetet e Ballkanit së pari duhet të zbatojnë marrëveshjen e CEFTA-së, dhe më pas të shikojnë mundësitë e tjera të bashkëpunimit.

Ai thotë se pa u implementuar në mënyrë të plotë marrëveshja e CEFTA-s nuk duhet të krijohet një platformë e tillë bashkëpunimi.

“Ajo çfarë duhet të thuhet është që ekzistojnë barriera të shumta për sa i përket zbatimit të duhur edhe të plotë të marrëveshjes së CEFTA-s, shpeshherë shtetet e Ballkanit që janë nënshkruese dhe pjesëmarrëse të marrëveshjes së CEFTA-s i kanë vënë barriera të ndryshme tarifore dhe jo tarifore njëra tjetrës. Pa u eliminuar të gjitha këto barriera pa u implementuar në mënyrë të plotë marrëveshja CEFTA unë besoj që është herët të flitet për krijimin e ndonjë platforme të re të bashkëpunimit siç është edhe kjo për ‘Mini-shengen’ të ri.

Megjithatë, thotë se nuk mund të parashihet tani nëse Kosova do të fitonte në rast përfshirjes në këtë platformë.

“Pa përfshirjen e Kosovës brenda një iniciative të tillë ndoshta është vështirë të komentoheshin cilat do të ishin përfitimet e mundshme për Kosovën. Sidomos në aspektin ekonomik”, thotë ai.

Zeka ka folur edhe për idenë e kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurtit, i cili po shprehet se do të vendosë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

Thotë se nuk përkrahin asnjë barrierë tarifore që pengon qarkullimin e lirë të mallrave që garantohet edhe me marrëveshjen e CEFTA-s.

“Nuk do ta komentoja meqenëse është ende në nivel të premtimit politik i cili është bërë gjatë kohës së fushatës dhe rrjedhimisht ne në Odën Amerikane nuk komentojmë premtimet e tilla. Ajo çfarë mund të them është që ne si Odë Amerikane nuk përkrahim kurrfarë barriere tarifore ose jo tarifore e cila pengon qarkullimin e lirë të mallrave dhe kapitalit brenda shteteve anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, përfshirë këtu edhe Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.

Ideja e Shengenit Ballkanik nuk është parë me sy të mirë as në Bruksel, ku thuhet se nismat rajonale janë të mirëpritura, por nuk duhet të jenë përjashtuese, duke iu referuar Kosovës.

Kundër kësaj nisme ka qenë edhe i dërguari Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matheë Palmer.

 

Kërkohet mbështetje ndaj sektorit privat në aftësimin e të rinjve

Periskopi.com Lajme

Zvogëlimi i boshllëkut të shkathtësive në fuqinë punëtore përmes iniciativave të bizneseve në aftësimin e të rinjve mbetet një praktikë mjaft e nevojshme për zhvillim të mëtutjeshëm, por gjithsesi nevojitet mbështetje në nxitjen e praktikave të tilla në tërë vendin.

Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku u diskutua rreth iniciativave të ndërmarra nga sektori privat në zvogëlimin e hendekut të shkathtësive në Kosovë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se ndër sfidat më të shpeshta që bizneset vendore hasin në operimet e tyre është boshllëku i shkathtësive tek fuqia punëtore. Ai tha se pavarësisht ndërmarrjes së iniciativave të ndryshme nga sektori privat, bizneset vazhdojnë ende të ballafaqohen me këtë çështje e cila ndikon mjaft në operimet e tyre.

Drejtori Ekzekutiv i Cacttus Education, Besim Ilazi, tha se aftësimi i të rinjve nga ana e bizneseve edhe pse po rezulton në përfitime në aftësimin profesional të tyre, prap kjo mbetet një barrë mjaft e madhe për sektorin privat.

Ilazi tha se edhe pse sektori privat ka marrë rolin e udhëheqësit në zvogëlimin e boshllëkut të shkathtësive, nuk po ka mbështetje në këtë aspekt, duke bërë thirrje që të ofrohen lehtësira për bizneset në këtë drejtim.

Udhëheqësi i Qendrës së Kompetencës dhe Iniciativave Strategjike në Raiffeisen Bank Kosova, Kreshnik Halili, tha se iniciativat e ndërmarra nga kjo kompani në përgatitjen e punëtorëve kanë rezultuar në punësim të një numri të madh të tyre në këtë ndërmarrje.

Ai tha se përfshirja e të rinjve në projekte me ndikim të madh në fazat e hershme të aftësimit të tyre ndikon në ngritjen e tyre profesionale, duke shtuar se përgjegjësi e tyre si biznes mbetet dhënia e një baze praktike në profesionin e të rinjve si dhe ekspozimin e tyre ndaj teknologjive të reja në sektorin bankar.

Shefi i Operimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë në RIT Kosovo, Visar Jasiqi, tha se përmes qendrës së trajnimeve dhe zhvillimit nga ky institucion kanë synuar vazhdimisht aftësimin dhe përgatitjen e individëve për tregun e punës përmes trajnimeve profesionale dhe praktikave të ndryshme, duke bërë kështu edhe transferimin e tyre në tregun e punës.

Ai shtroi nevojën e një kordinimi më të madh mes bizneseve dhe institucioneve arsimore në ofrimin e mundësive të përfundimit të praktikave të ndryshme të cilat pastaj direkt reflektohen në aftësimin profesional të të rinjve duke shmangur kështu edhe largimin e tyre nga vendi.

‘Diskutimi për lëvizje të kufijve po i frikëson edhe investitorët’

Periskopi.com Lajme

Dialogu për ndryshim të kufijve dhe shkëmbim territoresh, do të ndikojë në tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Zeka pohon se përhapja e këtij diskursi do të lë përshtypjen tek investitorët se çështja e statusit të Kosovës është ende e pazgjidhur.

“Stabiliteti politik është faktori i rëndësishëm i të bërit biznes e sidomos në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja. Ne e kemi bërë me dije që diskutimet e tilla, përhapja e diskursit të tillë, natyrisht do të ketë ndikim tek investitorët, sepse jep përshtypjen se çështja e statusit të Kosovës është sërish e hapur dhe natyrisht investitorët, cilido të jetë ai, gjatë analizës së tyre të mjedisit për të bërë biznes do ta ketë parasysh edhe këtë fakt. Do të pres deri në përmbyllje të çfarëdo vendimi përfundimtar të statusit të cilit ata do ta konsiderojnë që tashmë është një çështje e hapur”, thekson Zeka.

Ai thekson se pasojat e këtij mos-stabiliteti politik do të vërehen më vonë në ekonominë e vendit.

“Ajo çfarë natyrisht presim tash e tutje, mund të bëjmë një vlerësim të tillë se sa ka pasur ndikim realisht tek investitorët potencial. Mirëpo po prishet diçka që ka nisë, diçka e mirë. Kemi pa përhapje, ardhje të rendeve ndërkombëtare në Kosovë edhe gjatë vitit të kaluar dhe gjatë fillimit të këtij viti dhe ky është një sinjal shumë i rëndësishëm se vendi ka qenë mjaft stabil në aspektin politik, dhe çfarëdo ndryshimi në këtë aspekt mund të ketë pasoja”, tha ai.

Ai ka shprehur shqetësim se deklaratat e tilla politike do të ulin dukshëm edhe eksportin, i cili, sipas Zekës, edhe ashtu ndodhet në gjendje problematike.

“Nëse ka ndonjë blerës jashtë vendit, pra, nëse marrim si shembull shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nëse dikush prej tyre percepton se mund të ketë ndonjë rrezik politik të asociuar me atë transaksion ose me atë tregti të cilin dëshiron ta zhvillon me biznesit vendor kosovar, atëherë, natyrisht, që kjo do të ketë ndikim edhe në eksportet, të cilat edhe ashtu janë të vogla dhe nga viti në vit raportohen si mjaft problematike dhe nëse i kemi parasysh të dhënat e deficitit tregtar që prezantohen nga institucionet e vendit”, thotë ai.

Zeka thotë se Amerika humb rreth 3.5 milionë vende punë me Trumpin në krye

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në këto zgjedhje presidenciale në Amerikë nuk mbështet asnjërin kandidat. Ajo nuk pajtohet me programin e asnjërit prej tyre.

Periskopi.com Lajme

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikanë në Kosovë ka thënë se pajtohen vetëm tek pjesa e infrastrukturës.

Ai në “Rubikon” të KTV-së ka thënë se shqetësim i tyre mbetet te kandidatura e Trumpit pasi nëse ai vjen në krye të Amerikës vendi do të humb 3.5 milionë vende të punës dhe rrjedhimisht do të ketë ekonomi më të dobët.

“Çka e shqetëson Odën Ekonomike të Amerikës ata kanë qenë shumë më kritik ndaj Donald Trump pasi vjen nga bota e biznesit dhe besoj se Donald Trump do të duhej të ishte pjesë e Odës por siç thash ata janë shumë të shqetësuar më kandidaturën dhe deklaratat e tij. Nëse Donald Trump vjen në krye të SHBA-ve atëherë Amerika do të humb rreth 3.5 milionë vende të punës dhe rrjedhimisht do të ketë ekonomi më të dobët”, përfundoi ai.

 

Oda Ekonomike Amerikane: Për keqardhje mënyra si u bë Ligji për Trepçën

Qeveria e Kosovës gjatë javës së kaluar me procedurë të përshpejtuar e ka dërguar në Kuvend Ligjin për Trepçën.

Periskopi.com Lajme

Ky ligj pritet të miratohet gjatë ditës së nesërme nga ana e të zgjedhurve të popullit. Por procedimi i kësaj çështje me procedurë të shpejtë në Kuvend ka ngjallur edhe reagime nga deputetët, njohës të çështjeve ekonomike, por edhe të Odës Amerikane që vepron në Kosovë.

Në një prononcim për Gazetën Express, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se është shqetësuese që një ligj kaq i rëndësishëm si ky i Trepçës të vonohet për vite me radhë nga ana e Qeverisë, e në fund të procedohet në Kuvend në mënyrë të përshpejtuar.

Madje Zeka thotë se Ligji për Trepçën po trajtohet nga ekspertë të cilët nuk janë të trajnuar për të dhënë kontribut rreth çështjes së Trepçës.

Është për keqardhje që një ligj kaq i rëndësishëm si ky që pritet të rregullojë çështjen e një ndërmarrje strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit vonohet për vite të tëra dhe në fund trajtohet me procedurë të shpejtë, pa diskutim të mirëfilltë publik, posaçërisht me ekspertët e fushës të cilët do të mund të jepnin kontribut të vlefshëm në aspektet teknike të ligjit”, ka thënë Zeka.

E Oda Ekonomike Amerikane edhe më parë ia kishte bërë me dije Qeverisë së Kosovës se ndërrimi i statusit të Trepçës nga ndërmarrja shoqërore në atë publike nuk do t’i zgjidhte problemet e saja.

“Secili iluzion se Trepçës do të mund t’i kthehej nami i dikurshëm me investime të shtetit, do të ishte jo vetëm i pamundur, por edhe i dëmshëm në aspekt të trajtimit të ardhshëm të kësaj ndërmarrje”, ka thënë Zeka për Express.

Ndër të tjerash, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se Ligji për Trepçën duhet të hap mundësinë e përfshirjes së kapitalit privat e sidomos atij të huaj, që do të përkthehej në investime të reja teknologjike dhe rritje te kapaciteteve te prodhimit në këtë ndërmarrje.

Ndërkohë kreu i Kuvendit Kadri Veseli, dje u ka dërguar draftin e projektligjit për Trepçën i cili do të votohet nesër në Kuvend.

E dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ia kishte zgjatur afatin Qeverisë së Kosovës deri më 2 nëntor të këtij viti, për përgatitjen e planit të riorganizimit për të parandaluar futjen e “Trepçës” në likuidim.

Nga kompleksi i dikurshëm i “Trepçës”, aktualisht në gjendje pune janë vetëm minierat e Stantërgut, Novobërdës dhe ajo që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës. Mineralet bruto që nxirren prej tyre shkojnë për eksport, por kostoja nuk arrin të mbulojë as pagat e 2.400 punonjësve, ndaj prej vitesh ato subvencionohen nga qeveria.