Shqiptari arratiset në mënyrë spektakolare nga një burg në Itali

Periskopi.com Lajme

Një shqiptar 23 vjeçar, i kapur duke vjedhur në një apartament, ka arritur të arratisej në mënyrë spektakolare nga dhoma e paraburgimit në Itali, një ndërtesë e re e përuruar në prill.

Mediet italiane shkruajnë se bëhet fjalë për shqiptarin Elidon Gegaj, i cili është shpallur në kërkim.

Atë policia e vuri në pranga në mëngjes, teksa ishte bllokuar në ballkonin e një apartamenti në Monza, të cilin e kishte plaçkitur.

Por në orën 11.30 të mëngjesit, ora e fillimit të procesit gjyqësor, Elidon Gegaj mundi të arratisej.

Ai ishte futur në një qeli që nuk i kishte hekurat e lartë deri në pjesën e tavanit dhe nuk e la pa shfrytëzuar këtë mundësi duke u arratisur, shkruan Top Channel.

Shqiptari ka mundur të ngjitet mes pjesës boshe dhe ka dalë në korridor, e mandej ka ikur pa u vënë re nga askush, si të ishte një “fantazmë”.

Gegaj akuzohet për vjedhje dhe në kohën e arrestimit iu bllokuan edhe mallrat që kishte vjedhur në banesën ku të zotët duket se ishin me pushime.

Gjësendet kishte tentuar t’i fshihte në një kazan plehrash: katër ora, katër unaza dhe medalje ari, vathë dhe një gjerdan metalik të çmuar etj.