Sulmoi punëtorin me grushta, arrestohet pronari i restorantit në Prizren

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës ka arrestuar pronarin e restorantit “Koha”, Burim Sallauka, për rrahjen e punëtorit të tij, ka mësuar Gazeta Insajderi. Arrestimi i tij është kryer me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit.

Sallauka ka mohuar ta ketë kryer sulmin, ndonëse në videon e publikuar nga Insajderi shihej ai teksa grushton punëtorin e biznesit të tij.

“Nuk e kam sulmu unë askënd. Nuk e di se as për çfarë sulmi je duke fol”, ka thënë fillimisht Sallauka. “Për çfarë video bëhet fjalë?”, ka pyetur ai.

“Nuk është e vërtetë, unë qe një javë jam në Prevallë. Nuk ka asgjë [të vërtetë]”, ka thënë Sallauka. “Nuk është e vërtetë a është e vërtetë… ju mos më qitni. Emrin tim mos e qit, nuk është e vërtetë ajo”.

Ndërsa Inspektorati i Punës nuk është i informuar lidhur me sulmin fizik që i ka bërë pronari i një restoranti në Prizren njërit prej punëtorëve të tij në ambientet e restorantit para disa muajsh.