Thaçi e Vuçiq bisedojnë me Ashtonin pas konferencës në Bratisllavë

Periskopi.com Lajme

Presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq pasi kanë përfunduar diskutimet në panelin e Forumit “GlobSec”, kanë vazhduar diskutimet edhe jashtë tij.

Në një fotografi nga Bratisllava shihet Thaçi dhe Vuçiq, duke biseduar, derisa ndërmjet tyre shihet edhe baronesha, Catherine Ashton, e cila ishte ndërmjetësuese e marrëveshjes në vitin 2013.

Ajo më herët kishte kërkuar nga dy presidentët që të bëjnë më shumë për të arritur një marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

Thaçi sot ishte në panel bashkë me Vuçiqin dhe me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ku diskutuan për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Catherine Ashton sot gjatë konferencës u ka thënë Thaçit dhe Vuçiqit se ia kanë thyer zemrën. Ajo e thotë këtë pasiqë thotë se në kohën kur ajo ka qenë e angazhuar për bisedimet Kosovë  – Serbi, të dyja vendet kanë arritur një marrëveshje mjaft të vështirë.

“Mund t’u them presidentëve të Kosovës dhe Serbisë që ka qenë privilegj jo vetëm t’u ndihmoj, jo vetëm juve, por edhe popujve që përfaqësoni. Në atë kohë këta të dy nuk ishin presidentë dhe dua të shprehë mirënjohjen time që keni punuar shumë dhe keni arritur dicka që dukej e pamundshme. Por kjo më thyen zemrën tani sepse kur kujtoj se arritja e marrëveshjes së parë ka qenë shumë  e vështirë dhe unë nuk kam besuar që nga ajo kohë ende keni probleme të tilla. Unë e kuptoj presidentin Gjukanoviq që me këtë process është më i frustruar sepse ju duhet të bëni më shumë. Në këtë dhomë ka shumë njerëz që mund t’iu ndihmojnë, çka mund të bëjmë më shumë që të keni mirëbesimin e njerëzve dhe t’u japë hapësirë që të bisedoni. Sinqerisht unë nuk besoj që në këto momente keni edhe mundësi të bëni diçka”, ka thënë Ashton./Periskopi/

 

 

 

 

Kush është më e mirë sipas Thaçit, Ashton apo Mogherini?

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, është i ftuari i sontëm në emisionin Oxygen me Besim Dinën në Klan Kosova.

Thaçi ishte përballë pyetjes ‘Kush është më e mirë, Baronesha Ashton apo Mogherini.

Presidenti u përgjigj kështu: ‘të dyjat janë të mira’.

Thaç u pyet edhe për takimin e tij me Donald Trumpin, të cilin e vlerësoi shumë .

‘Presidenti Trump më ka ftu zyrtarisht, ka qenë pritje mikpritëse dhe ndihem krenar që edhe Trump e njeh dhe e vlerëson Kosovën’’./Periskopi/

Hoxhaj takon Ashton: Kosova e palëkundur në orientimin e saj perëndimor

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim ish-Përfaqësuesen e Lartëpër Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton.

Periskopi.com Lajme

Ministri Hoxhaj e falënderoi Baroneshën Ashton për kontributin e saj për Kosovën në procesin e integrimit evropian, ndërsa konfirmoi se Kosova është e palëkundur në orientimin e saj perëndimor.

Në takim, Hoxhaj foli për situatën aktuale dhe marrëdhëniet e acaruara me Serbinë. Hoxhaj tha se Serbia intensifikuar provokimet dhe qasjen agresive ndaj Kosovës. Ai deklaroi se Kosova do ta mbrojë sovranitetin e saj.

“Serbia ka nisur gamë të gjerë dhe intensive të provokimeve dhe një politikë agresive kundër Kosovës. Një sjellje e tillë është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për paqen në tërë rajonin. Por, pavarësisht se çfarë kërcënime do të vijnë nga Serbia, Kosova do t’u përgjigjet duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, deklaroi ministri Hoxhaj.

Ashton: Vendet e Ballkanit duhet të vazhdojnë rrugën e integrimit

Shqetësimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimit që mund të ketë daja e Britanisë nga Bashkimi Evropian, mbi procesin e zgjerimit janë të kuptueshme, thotë ish shefja e B.E.-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton.

Periskopi.com Lajme

Gjatë një diskutimi dje në Qendrën Wodrow Wilson në Uashington, zonja Ashton tha megjithatë se vendimi i votuesve britanikë për dalje nga B.E. nuk ka ndryshuar qasjen afatgjatë të Brukselit ndaj zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton “Zëri i Amerikës” shqip.

Pas miratimit të referendumit për daljen nga Bashkimi Evropian, Britania po shqyrton tani mënyrat e shkëputjes. Analistët thonë se Britania ka dy rrugë për dalje nga Bashkimi Evropian, të ashtuqujtarat rruga e butë dhe ajo e fortë.

“Në thelb, rruga e fortë do të thotë dalje e menjëhershme nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje për të ardhmen e marrëdhënieve me të, dhe në sytë e atyre që e shohin këtë si dalje të fortë, ne bëhemi një vend plotësisht i pavarur, i cili e sheh Evropën në distancë. Dalja e butë do të thotë një qëndrim sa më afër Evropës, në një distancë fare të vogël nga B.E., ku mund të kemi përfitime nga tregu i përpashkët, mund të bëjmë marrëveshje për çështje të ndryshme si imigracioni, që ishte çështje e madhe e fushatës për dalje nga B.E., e kam fjalën për imigracionin brenda Evropës, dhe ku ne do të operonim pothuaj sikur të ishim një vend anëtar, që do të mund të përfshinte kontributet financiare për buxhetin e B.E.-së për gjëra të caktuara si mbrojtja, siguria etj”, thotë ish-shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Catherine Ashton.

Pavarësisht se cilën rrugë do të ndjekë, dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian ka ngritur shqetësime në Ballkan mbi aspiratat e anëtarësimit në strukturat euro-atlantike. Ish shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Catherine Ashton thotë se Britania ishte një vend pro-zgjerimit të Bashkimit Evropian, prandaj ajo i kupton shqetësimet e vendeve të Ballkanit në lidhje me ndikimin që kjo mund të ketë. Megjithatë, ajo thotë se kjo nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore qasjen e B.E.-së ndaj zgjerimit.

“Unë mendoj se ekziston një pritshmëri në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian se vendet e Ballkanit Perëndimor eventualisht do të bëhen anëtare të bllokut. Mendoj se kur njerëzit flasin për një lodhje nga zgjerimi dhe nëse Evropa duhet të vazhdojë procesin e zgjerimit, është zakonisht një vlerësim që e përjashton Ballkanin Perëndimor sepse ata supozojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor eventualisht do t’i bashkohen B.E.-së. Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh ndaj kësaja qasjeje”.

Prandaj, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë më shumë në përmbushjen e detyrimeve të tyre për të treguar se ato duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, thotë zonja Ashton.

“Ka shumë punë për të bërë, vendet e Ballkanit tani po ndeshen me shumë sfida. Ato duhet të sigurohen që po bëjnë gjithshka që është e mundur në ndjekjen e rrugës drejt kësaj të ardhme. Por, për mua kjo rrugë është absolutisht e sigurt.”

Në lidhje me përpjekjet e Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor përmes investimeve dhe metodave të tjera, zonja Ashton tha se këto vende duhet të jenë të kujdesshme ndaj këtyre veprimeve. Ajo shtoi se këto vende duhet të vendosin vetë se çfarë rruge duan të ndjekin.

“Investimet janë pozitive por ato nuk duhet të lidhen me disa përpjekje për të ndryshuar drejtimin që njerëzit kanë zgjedhur për vendin e tyre. Në bazë të prëvojës sime me vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me Kosovën dhe Serbinë, ato kanë bërë zgjedhjen e tyre mbi atë se cila është e ardhmja e tyre më e mirë nga pikëpamja ekonomike dhe ajo që duan banorët e tyre. Njerëzit e këtij rajoni kanë patur një kaluar të vështirë dhe ata meritojnë një të ardhme paqësore dhe të sigurt”.

Catherine Ashton, e cila ishte ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, kur këto dy vende nënshkruan Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve, tha se dialogu duhet të vazhdojë pasi përmes tij mund të punohet drejt përmirësimit të jetës së banorëve të dy vendeve.