Njëri vëlla në VV, tjetri në PDK: Si i ndau votat për kandidatë familja Xhemajli?

Periskopi.com Lajme

Bajrush dhe Emrush Xhemajli janë veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare që në këto zgjedhje garuan në dy polet e kundërta të politikës tonë. Njëri për PDK-në ndërsa tjetri për Vetëvendosjen. Mund të paramendohet se debatet brenda familjes së tyre mund të jenë shumë të nxehta. Por, si u ndanë votat mes tyre?

Bajrush Xhemajli i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK] i mori 11 mijë e 620 vota dhe do të jetë deputet në Legjislaturën e VII të Kuvendit të Kosovës. Me shumë gjasë, ai do të jetë deputet i opozitës që do të sulmojë Qeverinë e shefit të vëllait të tij.

Bajrush Xhemajli më herët kishte qenë edhe kryetar i komunës së Ferizajit, por ishte larguar nga kjo pozitë për shkak të një aksidenti rrugor që kishte përfunduar me fatalitet, shkruan Periskopi.

E megjithatë, Emrush Xhemajli i Vetëvendosjes del se ia doli t’i mblidhte vetëm 2 mijë e 140 vota në këto zgjedhje.

Sipas të dhënave preliminare, garën familjare apo ndër-vëllazërore e ka fituar Bajrush Xhemajli me dallim shumë të madh. Ai del se ka marrë 9480 vota më shumë se i vëllai. E përkthyer në përqindje, del se Bajrush Xhemajli i PDK-së i mori 81,59 për qind të votave, ndërsa Emrush Xhemajli i VV-së 18,41 për qind.

E vetmja mundësi që Emrush Xhemajli, i renditur i 99-i sipas votave në Vetëvendosje, të arrinte të futej në Kuvend del se është ndryshimi i politikave nga z.Kurti sa i përket madhësisë së Qeverisë.

Xhemajli është 67 vende më poshtë deputetit të 32-it. Kjo nënkupton se Kurti duhet t’iu gjejë punë në kabinetin qeveritar, si ministra e zëvendësministra, 67 kandidatëve për deputetë që morën vota më shumë se Emrush Xhemajli.

Një gjë e tillë është e pamundur pasi që tanimë është paralajmëruar një qeveri me vetëm 12 ministri. /Periskopi

Xhemajli: Qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë përballjen me PDK-në

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bajrush Xhemajli, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit janë më të mirat që janë mbajtur deri më tani në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se rinumërimi i qindra vendvotimeve nuk e cenon procesin zgjedhor.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Xhemajli ka paralajmëruar se PDK-ja do të bëjë opozitë të fuqishme.

Sipas tij, qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë përballjen me PDK-në.

Xhemajli ka thënë se propaganda e opozitës, koalicioni PAN dhe qëndrimi i gjatë në qeverisje kanë qenë faktorët që kanë penalizuar PDK-në në zgjedhjet e 6 tetorit.

Megjithatë, ai ka theksuar se nuk janë ndarë keq me vota, pasi që kanë më shumë se në dy palë zgjedhjet e fundit.