​Shpërthejnë përplasjet Trump – Obama para zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

Përderisa kanë mbetur edhe disa orë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të së martës për Kongres dhe Senat, të cilat mbahen në gjysmë të mandatit në SHBA, gara po kthehet në një luftë mes dy presidentëve. Udhëheqësi aktual i Shtëpisë së Bardhë po lufton që ta ruajë kontrollin në Kongres. Ai gjithashtu është në luftë me paraardhësin e tij, Obama, i cili po përpiqet që ta mbajë të paprekshme trashëgiminë e tij politike.

Donald Trump, president i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe Barack Obama, presidenti i 44-të, vendosën të dalin në skenë të dielën. Tubimet e tyre të para të kësaj dite ishin 750 milje larg njëra tjetrës, por sa i përket përmbajtjes dhe vizionit ato dallonin me mijëra vjet drite nga njëra-tjetra. Trumpi iu drejtua përkrahësve në Georgia.

Ai e sulmoi kandidaten demokrate, Stacey Abrams, e cila po synon të bëhet guvernatorja e parë me ngjyrë në ndonjë shtet të SHBA-së. “Po e sollët Stacey-n në pushtet, ju do ta shndërroni shtetin tuaj në Venezuelë. Ajo dëshiron ta shndërrojë shtetin tuaj të mrekullueshëm në vendstrehim për kriminelët, duke i lënë familjet e pafajshme në mëshirën e kriminelëve dhe plaçkitësve”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, Obama vizitoi shtetin e Indianas. Ai tha se kërcënimi thelbësor vjen nga pasardhësi i tij. Ndonëse nuk e përmendi Trumpin me emër, ai tha se politikat e sotme të vendit janë distopike dhe po udhëheqen nga një njeri që nuk ndihet i penguar nga gënjeshtra dhe nga loja me frikën e njerëzve. “Çfarë lloji të politikës dëshirojmë ne? Ajo që kemi parë deri tash janë politikanët që gënjejnë në mënyrë të hapur dhe të paturpshme. Thjesht shpikin gjëra”, tha ai.

Obama e përqeshi përqëndrimin e kampanjës së Trumpit në karvanin e azilkërkuesve të Amerikës Qendrore të cilët janë nisur drejt kufirit të SHBA-së. “Dy javë para zgjedhjeve, ata po na thonë se kërcënimi i vetëm dhe më i madh për ne është një grusht refugjatës të varfër e të uritur që janë një mijë milje larg nesh”, deklaroi Obama. “Sidoqoftë, duhet bërë kujdes sepse këto taktika të frikësimit të njerëzve dhe trillimeve nganjëherë funksionojnë”, shtoi ai.

Kur qendrat e votimit të hapen të martën në orën 6 të mëngjesit, të dy partitë do të kenë shumë për të fituar dhe për të humbur. Në dispozicion të kandidatëve do të jenë 435 ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve.

Demokratët synojnë t’i marrin 23 ulëse më tepër që ta rikthejnë kontrollin dhe në këtë mënyrë t’i frenojnë ambiciet e Trumpit. Në anën tjetër, Partia Demokratike do të përballet me një garë shumë më sfiduese në Senat, ku ata kanë aktualisht 26 ulëse, ndërsa Partia Republikane ka vetëm nëntë dhe kjo epërsi mund të ngushtohet, shkruan “The Guardian”.

 

Obama sulmon Trumpin, thotë se gënjen dhe shpik gjëra

Periskopi.com Lajme

Nuk ka qenë asnjëherë kaq i ashpër sulmi i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama. Ky i fundit bëri këto akuza gjatë një takimi elektoral për demokratët në Florida.

Obama akuzoi kreun e Shtëpisë së Bardhë se po përçan vendin me linjën e tij të ashpër për emigrantët. Tha se Trump po gënjen e shpik gjëra.

Ish-presidenti amerikan theksoi se pasardhësi i tij nuk ka mëshirë dhe se kjo nuk është Amerika që populli do.