Më mirë se në Parajsë: Ja se çka do të përfitojë Kosova kur të futet në BE

Tytti Tupparainen Op-Ed

Ani që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian priren që t’i binden vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, kjo është vetëm një zgjidhje parciale për shkurtimin e kërcënimeve për rendin e ligjit. Për fat të mirë, BE-ja ka edhe alete tjera me të cilat mund të përkrah këtë shtyllë fondamentale të qeverisjes demokratike.

Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar së fundi vendosi që kryeministri Boris Johnson kishte vepruar jashtëligjshëm kur kërkoi të suspendonte parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar për pesë javë që të shmangte debatin për planet e tij për një Brexit “pa marrëveshje”. Ky vendim e nënvizon qendërsinë e rendit të ligjit në qeverisjen demokratike. Por, ndërsa rendi i ligjit mbizotëron në Mbretërinë e Bashkuar, ka shqetësime që po rriten tjetërkah në Bashkimin Evropian. Për BE-në, mbrojtja e rendit të ligjit është obligim – i atillë që liderët duhet të jenë të paepur për ta ruajtur.

Në librin e tij “Origjinat e Rendit Politik”, politologu Francis Fukuyama argumenton se rendi i ligjit është shtylla më e zorshme për ndërtimin e një shoqërie të suksesshme moderne. Organizimi i administratës qeverisëse dhe mbajtja e zgjedhjeve për një trup legjislativ janë relativisht të kollajshme, dhe veç një numër i vogël i shteteve të dështuara nuk kanë administratë funksionale publike apo legjislaturë. Por në shumicën e vendeve, mungesa e rendit të ligjit është burimi primar i jostabilitetit dhe zvetënimit politik.

Për BE-në, rendi i ligjit ka rëndësi qendrore, sepse BE-ja nuk është thjesht një ndërmarrje e përbashkët ekonomike [megjithëse, siç ka theksuar ekonomisti Hernando de Soto, rendi i ligjit është po ashtu një parakusht për një ekonomi të zhvilluar të tregut]. Qëllimi parësor [raison d’être] i BE-së, si ai i paraardhëses së saj, është garantimi i paqes mes shteteve Evropiane dhe ruajtja e të drejtave të njeriut në to. Dhe blloku është themeluar mbi vlera të përbashkëta të mishëruara në marrëveshjet e saj.

Angazhimi i BE-së për sundim të ligjit, i vendosur në Nenin 2 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, është i drejtpërdrejtë. Ai qëndron për ligjshmëri, siguri ligjore, ndalim të ushtrimit arbitrar të autoritetit, ndarje të pushteteve, dhe për një gjyqësor të pavarur dhe efektiv. Respektimi për sundimin e ligjit afekton shtresa të ndryshme të shoqërisë në forma shumë praktike: në nivel të Bashkimit, komb-shteteve, kompanive dhe qytetarëve.

Brenda BE-së, sundimi i ligjit nuk është një qëndrim politik apo një ideal i paarritshëm moral, por një princip për të cilin zyrtarët politikë dhe gjykatat janë përgjegjëse që ta ruajnë. Për më shumë, sistemi i përgjegjësive po ashtu funksionon në anën tjetër: BE-ja e ka për obligim që të sigurohet se të drejtat sipas marrëveshjeve respektohen nga shtetet anëtare.

Këto të drejta dhe detyrime u vunë në theks në qershor, kur Gjykata Evropiane për Drejtësinë vendosi që reforma kontroverse e Gjykatës Polake Supreme shkelte ligjin e BE-së, e po ashtu minonte principin e pandërrueshmërisë së gjykatësve. Në fund të fundit, gjykatat e ligjit në shtetet anëtare janë po ashtu gjykata të ligjit brenda Bashkimit Evropian. Pavarësia e gjykatave është fondamentale për të mbrojtur të drejtat fondamentale për të siguruar mbrojtje gjyqësore dhe gjykim korrekt. Sistemi legal dhe gjyqësori brenda çdo shteti anëtar të BE-së është kështu i detyruar t’i përmbush standardet Evropiane, dhe Gjykata Evropiane për Drejtësinë obligohet të intervenojë kur e sheh të nevojshme.

Por ani që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian priren që t’i binden vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, kjo është vetëm një zgjidhje parciale për shkurtimin e kërcënimeve për rendin e ligjit. Për fat të mirë, BE-ja ka edhe alete tjera me të cilat mund të përkrah këtë shtyllë fondamentale të qeverisjes demokratike.

E para, që nga viti 2014, shtetet anëtare të BE-së kanë kryer një dialog për të promovuar dhe ruajtur rendin e ligjit, përfshirë kontekstin e digjitalizimit, migrimit, dhe pluralizmit të medieve. Megjithëse këto diskutime tematike kanë qenë shumë të frytshme në prishjen e bazamentit për mirëkuptim të përbashkët, erdhi vakti për forcimin e dialogut për rend të ligjit. Ai duhet të jetë më sistematik dhe i bazuar në fakte, një inventarizim vjetor i shteteve për rendin e ligjit në BE. Qarku i rishikimit të ri të rendit të ligjit i sugjeruar nga Komisioni Evropian duhet të ofrojë të dhënat e nevojshme. Kjo përpjekje do t’i lejonte shtetet anëtare që të promovonin një diskutim më pozitiv, konstruktiv e unifikues.

E dyta, Parlamenti Evropian votoi në shtator të vitit 2018 që të niste një proces nën Nenin 7 të E-së për të adresuar shkeljet e rendit të ligjit në Hungari [një procedurë e ngjashme që u iniciua më herët ndaj Polonisë]. Ky proces kërkon që Këshilli Evropian të vlerësojë nëse rendi i ligjit po komprometohet nga ndonjë vend i BE-së. Nëse ka shkelje serioze e persistente të rendit të ligjit, Këshilli e ka fuqinë që të suspendojë të drejta të caktuara të anëtarësisë në BE për këto vende.

E fundit, mbrojtja e rendit të ligjit është e rëndësishme për mbrojtjen e buxhetit të BE-së. Për atë arsye, Komisioni ka propozuar përfshirjen e ruajtjes së rendit dhe ligjit në buxhetin e ardhshëm shtatë vjeçar, apo struktura financiare shumëvjeçare, që do të nisnin prej 2021 e deri më 2027. Në veçanti, BE-ja mund të bllokojë fondet e saj për vendet anëtare nëse vërehen mangësi në rend të ligjit. Ky kushtëzim i ri ka për qëllim të frenojë, e jo të detyrojë. Në fund të fundit detyra për mbrojtjen e buxhetit të BE-së kërkon zbatim strikt të vlerave të marrëveshjeve evropiane.

Historikisht, disa shoqëri jodemokratike përmes sundimit të ligjit gradualisht janë zhvilluar në shoqëri demokratike. Në të kundërt, shoqëritë pa sundim të ligjit përjetojnë prishje të demokracisë. Politologu Steven Levitsky dhe tjetri Daniel Ziblatt kanë përshkruar se si sundimtarët autoritarë kanë mbytur demokracinë duke rishkruar rregullat dhe duke kapur gjyqtarët. Me fjalë të tjera, ata i japin fund sundimit të ligjit duke e dredhuar legjislacionin dhe duke korruptuar sistemin gjyqësor. Demokraci prandaj vdes, edhe nëse fasada e pushtetit të shumicës mbetet.

Ndërsa ndërtimi i një sistemi të bazuar në sundimin e ligjit mund të jetë i zorshëm, prishja e tij është shumë më e lehtë, dhe mund t’i shëmbëllejë përshkrimit të Ernest Hemingwayt të dikujt që bankroton: “Në fillim gradualisht, pastaj papritmas.” Kjo është arsyeja pse sundimi i ligjit vyen kujdes konstant gjithkund, edhe në vendet me tradita të gjata demokratike.

Mbajtja e sundimit të ligjit kërkon vendosmëri dhe largpamësi. Mbrojtësve të tij iu duhet të veprojnë menjëherë dhe vendosmërisht. Dhe nëse një hap nuk del boll, duhet ta bëjnë edhe një tjetër.

Autorja është ministre e Çështjeve Evropiane e Finlandës. Teksti është marrë nga Project Syndicate dhe është përkthyer e përshtatur në shqip nga Periskopi.  Titulli origjinal është Testimi i Rendit të Ligjit.

Fajon: Mosliberalizimi i vizave për Kosovën është padrejtësi e BE-së

Periskopi.com Lajme

Eurodeputetja Tanja Fajon ka thënë se është e papranueshme që Bashkimi Evropian të mos ia heqë vizat Kosovës, pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve të nevojshme. Megjithatë, ajo ka shtuar se përbërja e re e Parlamentit Evropian është në favor të zgjerimit.

Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë në raport me Kosovën, pasi pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve të nevojshme nuk po ua heq vizat qytetarëve të saj.

Fajon ka premtuar se do të vazhdojë me të bërit presion tek institucionet e BE-së deri në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ashtu siç u është premtuar atyre.

“Më vjen keq që konkluzionet e fundit të Këshillit ishin shumë më pak premtuese e konkrete sesa propozimet fillestare sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e papranueshme që pavarësisht kushteve të përmbushura Këshilli ende nuk ka arritur të japë dritën e gjelbër për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në rolin tim si raportuese e Parlamentit për liberalizimin e vizave do të vazhdoj të luftoj për Kosovën dhe do të vazhdoj të ushtroj presion ndaj shteteve anëtare për të ofruar atë që është premtuar”, ka deklaruar Fajon për “Zërin”.

Evropianët besojnë se BE-ja do të shkatërrohet: Francezët mendojnë se edhe do të ketë luftë

Periskopi.com Lajme

Më shumë se gjysma e evropianëve besojnë që BE-ja do të kolapsojë brenda një gjenerate, pavarësisht mbështetjes për bllokun që ka arritur majat.

Në Francë, Gjermani, Itali, Holandë, Austri, Sllovaki, Rumani, Greqi, Republikë Çeke dhe Poloni, një shumicë njerëzish të anketuar mendonin se dezintegrimi i BE-si ishte ‘mundësi reale’ në 10 deri në 20 vitet e ardhshme, raporton The Guardian, përkthen Periskopi.

Këta numra janë veçanërisht të lartë në Francë, ku partia e presidentit Emmanuel Macron ka rënë poshtë asaj të së djathtës ekstreme Marine Le Pen në sondazhet për zgjedhjet evropiane të javës së ardhshme.

Përqindja e atyre që mendojnë se kolapsimi i BE-së është shumë apo pak i mundshëm brenda 10-20 viteve (Grafikë e Guardian)

 

Sipas këtij hulumtimi, të ndërmarrë nga thinktanku Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, 58% e njerëzve në Francë mendonin se BE-ja ishte shumë e mundshme të ndahej brenda 20 vitesh. 66% mendonin njësoj në Sllovaki.

Nga katërmbëdhjetë shtete të anketuara – vetëm në Suedi (44%), Danimarkë (41%) dhe Spanjë (40%) – shumica ishte në anën e kundërt.

Më tej, një e treta e votuesve në Francë dhe Poloni thanë se besonin që edhe lufta ishte e mundshme. /Periskopi

BE-ja do të vendosë 10,000 roje kufitare deri më 2027

Periskopi.com Lajme

10,000 roje kufitare të BE-së do të vendosen në kufijtë evropian deri më 2027.

Parlamenti Evropian ka miratuar masa të reja për të siguruar kufijtë e jashtëm të Evropës.

Evropa ka më shumë se 13,000 km kufij të jashtëm dhe afërsisht 66,000 km në det.

Rritja e sigurisë po bëhet me qëllim që të ketë më shumë siguri në kufijtë e jashtëm të Evropës.

Agjentët e sigurisë do të kujdesen për sigurinë e kufijve, do të luftojnë krimin e organizuar dhe do të menaxhojnë migrimin.

 

Qysh të shpëtohet Evropa?

Slavoj Zizek Op-Ed

Disa ditë më parë, një grup prej 30 shkrimtarësh, historianësh dhe fitues të çmimit Nobel – duke përfshirë Bernard-Henri Levin, Milan Kunderën, Salman Rushdi, Orhan Pamukun, Mario Vargas Llosan dhe Adam Miçnik – publikuan një manifest në disa gazeta në mbarë Evropën.

Ata pohuan se Evropa si një ide, është “duke u shpërbërë para syve tanë”. “Tani duhet të luftojmë për idenë e Evropës, ose do ta shohim atë të zhduket nën dallgët e populizmit. Ne duhet të rizbulojmë vullnetarizmin politik, ose të pranojmë që pakënaqësia, urrejtja dhe lidhja e këtyre pasioneve të trishtuara të na rrethojë dhe fundosë”.

Ky manifest, ka plot të meta: mjafton një lexim i vëmendshëm, dhe e kupton se përse po lulëzojnë populistët. Nënshkruesit e tij – ajka e inteligjencës evropiane liberale – e shpërfillin faktin e pakëndshëm, që edhe populistët e paraqesin veten si shpëtimtarë të Evropës.

Në korrikun e vitit të kaluar, pas pjesëmarrjes së një takimi të tensionuar me udhëheqësit e BE-së, Donald Trump foli për Bashkimin Evropian si i pari në rreshtin e “armiqve” të SHBA-së, përpara Rusisë dhe Kinës. Pasoi një nxitim për ta denoncuar këtë pretendim si të paarsyeshëm (“Trump po i trajton aleatët e SHBA-ve më keq se armiqtë e tij” etj).

Por në vend të kësaj, ne duhet të shtrojmë disa pyetje të thjeshta. Çfarë e mërzit aq shumë Trumpin me BE-në? Për çfarë Evrope është duke folur ai? Kur u pyet nga gazetarët rreth emigrantëve që vijnë në Evropë, Trump u përgjigj si një populist anti-emigrantëve që ai është: emigrantët po e rrënojnë strukturën e mënyrës evropiane të jetesës; ata përbëjnë një rrezik për identitetin shpirtëror evropian.

Shkurt, ishin njerëz si Orban i Hungarisë apo Salvini i Italisë, që po flisnin përmes tij. Askush s’duhet ta harrojë që edhe ata duan të mbrojnë Evropën. Pra, cila është ajo Evropë, që e mërzit aq shumë Trumpin dhe populistët evropianë? Është Evropa e njësisë transnacionale, Evropa pak e vetëdijshme që për të përballuar sfidat e kohës tonë, ne duhet të lëvizim përtej kufizimeve të shteteve-kombe.

Është Evropa, që përpiqet me dëshpërim t’i qëndrojë besnike motos së vjetër të Iluminizmit për solidaritet me viktimat, Evropa që është në dijeni të faktit se njerëzimi është sot Një, dhe se të gjithë gjendemi në të njëjtën barkë (ose siç themi, në të njëjtën ‘anije kozmike; që quhet Tokë).

Evropa që beson se mjerimi i tjetrit, është gjithashtu edhe mjerimi ynë. Këtu duhet të përmendim Peter Sloterdijk, i cili vuri në dukje se sfida sot është, si të sigurojmë mbijetesën e arritjeve më të mëdha ekonomiko-politike të Evropës moderne, dhe shtetin socialdemokratik të mirëqenies sociale.

Sipas Sloterdijk, realiteti ynë është – së paku në Evropë – një “demokraci sociale objektive”, që i kundërvihet demokracisë sociale “subjektive”: duhet të dallojmë demokracinë sociale si një mburojë e e partive politike, dhe demokracinë sociale si “formulë e një sistemi”.

Në një artikull të vitit 2009, Sloterdijk shkruante se formula social-demokratike “përshkruan pikërisht rendin politiko-ekonomik të gjërave, që përcaktohet nga shteti modern si shteti i taksave, si shteti i infrastrukturës, si shteti i sundimit të ligjit dhe jo e fundit për nga rëndësia, si shteti social dhe shteti si terapi”.

“Ne kemi kudo një demokraci sociale fenomenale dhe strukturore, një manifest publik dhe një tjetër të fshehur, njëra që shfaqet si një parti dhe një tjetër që pak a shumë është ndërtuar në mënyrë të pakthyeshme në definicionet, funksionet dhe procedurat e shtetësisë moderne si të tilla”.

Ideja që bazohet tek Evropa e bashkuar, u korruptua, gjysmë u harrua, dhe është vetëm në një moment rreziku, ne jemi të detyruar të rikthehemi tek ky dimension thelbësor i Evropës, në potencialin e saj të fshehur. Evropa qëndron si nën kudhër mes Amerikës nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër, të cilat duan ta copëtojnë: si Trump ashtu edhe Vladimir Putin mbështesin Brexitin, por edhe mbështesin euroskeptikët në çdo cep, nga Polonia në Itali.

Çfarë problem kanë ata me Europën, kur ne të gjithë e dimë mjerimin ku zhytet vazhdimisht BE-ja pas çdo prove: nga pamundësia e saj për të zbatuar një politikë të qëndrueshme rreth emigrantëve, tek reagimi i saj mjeran ndaj luftës së tarifave tregtare që ka nisur Trump?

Sigurisht që nuk është Evropa ekzistuese, por ideja e Evropës që ringrihet mbi të gjitha mosmarrëveshjet, dhe bëhet e dukshme në momente rreziku. Problemi me Evropën, është se si të mbetet besnike ndaj trashëgimisë së saj emancipuese, kur kërcënohet nga sulmi konservatoro-populist. Pra, si duhet të bëhet kjo?

Në “Shënimet e tij mbi Përkufizimit e Kulturës, shkrimtari Tomas Eliot, një konservator i madh, vë në dukje se nuk ka asnjë moment kur zgjedhja e vetme është ajo midis herezisë dhe mosbesimit, kur e vetmja mënyrë për të mbajtur të gjallë një fe, është që ajo të kryejë një ndarje sektare nga kufoma kryesore.

Kjo është ajo që duhet të bëhet sot: mënyra e vetme për të mposhtur realisht populistët, dhe për të shpëtuar atë që është e vlefshme, për të shpëtuar demokracinë liberale, është të bëhet një ndarje sektare nga kufoma kryesore e demokracisë liberale. Ndonjëherë, me fjalë të tjera, mënyra e vetme për të zgjidhur një konflikt, nuk është të kërkosh kompromis, por ta radikalizosh pozicionin tënd.

Duke u kthyer tek letra e 30 iluministëve liberalë: ajo që ata refuzojnë të pranojnë, është se Evropa, zhdukjen e të cilës ata i frikësohen, ka humbur tashmë në mënyrë të pakthyeshme. Kërcënimi nuk vjen nga populizmi: populizmi, është thjesht një reagim ndaj dështimit të establishmentit liberal të Evropës, për t’i qëndruar besnik potencialit emancipues të Evropës, duke ofruar rrugë të gënjeshtërta për zgjidhjen e problemeve të njerëzve të zakonshëm.

Pra, mënyra e vetme për të mposhtur vërtetë populizmin, është t’ia nënshtrosh vetë establishmentit liberal, politikës së tij aktuale, një kritike të pamëshirshme nga pikëpamja e asaj “formule socialdemokratike” që krijoi establishmenti në kthesën e tij neoliberale.

Kjo nuk do të thotë që ne thjesht mund të kthehemi në kohërat e vjetra të shtetit të mirëqenies sociale: e vetmja mënyrë për të ringjallur “formulën” për Evropën, është ta rishpikim atë në një formë shumë më radikale, në një formë që përshtatet me gjendjen e sotme dhe me sfidat e reja ekologjike dhe sociale. E vetmja mënyrë për të shpëtuar atë që ia vlen të shpëtohet nga e kaluara, është të ecet përpara.

“The Indipendent” – Bota.al

Kancelarja në ardhje e Gjermanisë: Evropa s’do ta dëgjojë as ShBA-në e as Kinën, do të bëhemi fuqi globale vetë

Periskopi.com Lajme

Evropa duhet të ndryshojë që të prosperojë në një “luftë mes sistemesh” me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, ka thënë Annegret Kramp-Karrenbauer, liderja e re e partisë gjermane në pushtet, CDU, përkthen Periskopi.

Në një intervistë për Politicon, Kramp-Karrenbauer ka bërë të ditur vizionin e saj për Bashkimin Evropian.

“Ajo çka shoh dhe ndjej është se bota po e vendos një rend të ri, gjërat e sigurta të përparshme po bien poshtë. E shoh sfidën për Evropën në vendosjen e standardeve në këtë proces,” tha ndër tjerash ajo.

Duke folur për zgjedhjet e Parlamentit Evropian që do të mbahen në maj të këtij viti, Kramp-Karrenbauer deklaroi se CDU-ja synon të kontribuojë në një shumicë konstruktive të forcave evropiane në legjislaturën e BE-së. Ajo ka deklaruar se mund të bashkojnë forcat me socialistët, liberalët, centristët e Macronit dhe ndoshta të gjelbrit – por jo me populistët e të majtës a të djathtës.

“Evropa nuk mund të jetë vetëm pranuese e vendimeve strategjike të të tjerëve, të Kinës apo ShBA-ve. Ne duhet të jemi të fortë vetë, dhe t’i formësojmë rregullat globale. Kjo përfshin vendime për politikat industriale dhe për teknologjitë e së ardhmes.” – ka shtuar AKK, siç njihet shkurtimisht. /Periskopi

Haliti: Nuk ka faj BE-ja për vizat, ata kanë dhënë shumë pare për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka qenë i ftuar në emisionin Argument Plus në RTV 21 ku ka folur për zhvillimet e fundit politike, shkruan Periskopi.

Haliti ka theksuar që faji për mosliberalizimin e vizave nuk duhet t’i lihet Bashkimit Evropian duke qenë se ky vend ka investuar shumë në Kosovë gjë që e bën të pavlefshme kritikën e përnjëhershme ndaj tyre.

Më herët, vetë kryetari i partisë së Halitit, Kadri Veseli e kishte akuzuar BE-në madje edhe për racizëm ndaj kosovarëve./Periskopi

Beogradi kërkon nga BE-ja t’i japë ultimatum Prishtinës

Marko Gjuriq ka kërkuar që Bashkimi Evropian të vërë ultimatum edhe për Prishtinën për formimin e Asociacionit të Komunave serbe, transmeton Koha.net.

Periskopi.com Lajme

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Marko Gjuriq ka hedhur poshtë vlerësimet e BE-së se në dialogun e Beogradit e të Prishtinës “nuk bëhet fjalë për ultimatum por për zbatim marrëveshjesh”.

Gjuriq ka thënë se është “mahnitur” me deklaratën e Maja Kocijançiqit dhe e pyeti ku ishte komenti i saj kur “Serbia u quajt grusht mjerimi”.

“Nëse ajo që BE ia bën Serbisë nuk është ultimatum, atëherë çfarë është ajo kur keni një detyrim të imponuar që duhet ta zbatoni , e për të keni afat për ta zbatuar dhe sanksione nëse nuk zbatoni?”, ka pyetur Gjuriq, njofton b92 .

Gjuriq po ashtu e ka” pyetur” Kocijançiqin nëse deklarata e saj do të thotë se Prishtina ka afat që deri të dielën të formojë Asociacionin e Komunave serbe, se nëse nuk e formon do të ketë trajtim dhe raport krejtësisht tjetër nga Bashkimi Evropian? 
Ai ka theksuar se nuk është e vërtetë të jetë harmonizuar në tërësi marrëveshja për telekomunikacionin dhe plani veprues për zbatimin e tij, sepse, siç ka thënë ai, po të ishte e harmonizuar çdo gjë, nuk do të kishte më nevojë për bisedime.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq ka deklaruar dje se në dialogun Beograd – Prishtinë nuk bëhet fjalë për ultimatume, por për zbatim marrëveshjesh.