Favorizimi i një kompanie në tenderë, ja si arsyetohet Komuna e Drenasit

Periskopi.com Lajme

FLOSSK dhe Qendra Kosovare Kundër Korrupsion, të cilët po realizojnë një projekt me mbështetjen e  Ambasadës së SHBAve në Kosovë,  sot kanë ngritur shqetësimin se Komuna e Drenasit po bashkëpunon kogja ngushtë me një kompani të vetme.

Sipas të dhënave të tyre, është kompania ‘N.N.T. Milazim Shala’, ajo që ka fituar 100.00%, të tenderëve. Konkretisht 9 nga 9, të tenderëve në këtë komunë me vlerë mbi 400 mijë euro.

Megjithatë Periskopi ka marrë një përgjigje nga Komuna e Drenasit të cilët arsyetohen se çmimi i volitshëm është arsyeja pse kompania në fjalë ka fituar të gjithë tenderët e shpallur.

Zëdhënësi i Komunës, Bekim Dobra ka thënë për Periskopin se përzgjedhja e kompanive bëhet në mënyrë transparente, edhe përmes Prokurimit online si  dhe KRPP’së.

”Zgjedhja  e kompanive për tender është transparente çdoherë, edhe përmes Prokuorimit online dhe KRPP’së. Asnjëherë nuk është favorizuar, jo vetëm kjo kompani në fjalë. Por si e tillë është e njohur në krejt Kosovë për çmimin më të favorshëm, më i liri në treg. Kjo ka qenë edhe arsyeja. Nuk ekzistojnë ato pretendime asnjëherë që komuna favorizon kompani për kryerjen e shërbimeve. Ligji i Prokurimit favorizon operatorin ekonomik i cili oferton me çmimin më të ulët. Kjo ka qenë krejt çka ka mujt  me ndodh’’, është përgjigjur Dobra./Periskopi/