Njihuni me njeriun më të fuqishëm në Turqi, Beratin – dhëndrin e Erdoganit

Periskopi.com Lajme

Këshilltar për më shumë se një dekadë, dhe tash është personi i dytë më i fuqishëm në Turqi. Ngritja e Berat Albayrakut është bërë një ndër temat më të diskutueshme të historisë së re të vendit, raporton Guardian.

Biznesmeni 40 vjeçar, që do t’iu drejtohet investitorëve të huaj lidhur me krizën e lirës të enjten, pra nesër, ia detyron ngritjen dhe postin e tij vjehrrit të tij, presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, që i ka dhënë pushtet të jashtëzakonshëm në jetën turke, veçanërisht në pesë vitet e fundit, transmeton Periskopi.

Besimi i palëkundur që i ka dhënë Erdogani burrit të vajzës së tij, Esra-s, kulminoi me emërtimin e tij si ministër i financave në qershor, një rol që e ka bërë Beratin kujdestar të krizës së rëndë kombëtare.

Derisa valuta turke lëviz drejt së panjohurës dhe tregjet globale nervozueshëm hamenden se a mundet Turqia të rikthejë ekonominë e saj në binarë, këta dy burra bartin një barrë që shumë besojnë se nuk janë në gjendje.

Albayraku ka mësuar shumë nga vjehrri i tij, që duket se ka mësuar se si përpiqet të sundojë Donald Trumpi, homologu i tij. Berati është për Erdoganin ashtu siç është Jared Kushner për Trumpin.

Të dy presidentët e shohin veten si të fuqishëm që besimin ua japin njerëzve të familjes. Erdogani, si Trumpi, e ka investuar trashëgiminë e tij te dhëndri. Që nga referendumi i vitit të shkuar që i dha Erdoganit fuqi të mëdha ekzekutive, dhe që nga zgjedhjet e qershorit që i dhanë një mandat tjetër si president, ai dhe Berati janë bërë edhe më të fuqishëm. Kjo dyshe efektivisht po e udhëheq vendin.

Edhe Albayraku ka shprehur përbuzjen e tij, njësoj si Erdogani për dallimet dhe mosbesimin e perëndimit. Aleatët e tij thonë që ai po diskuton riorientimin e ekonomisë së Turqisë larg nga ShBA-të dhe Evropa drejt Azisë dhe ekonomive në ngritje e sipër.

Ministri i tanishëm i financave ka shfaqur një dell të pamëshirshëm, duke eleminuar rivalët e tij brenda partisë AKP, siç ishte kryeministri i atëhershëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, dhe çdokush që dukej si jobesnik ndaj Erdoganit.

Në vitet që pasuan, Albayraku u bë edhe njeri i frikshëm, duke mbledhur fuqi që e bënë të paprekshëm – për aq gjatë sa lideri aktual i Turqisë do të mbetet në pushtet. Marrëdhënia e dyshes është bërë aq e afërt sa besimi i Erdoganit është përshkruar si i pakusht.

Para krizës ekonomike, nuk kishte asgjë në horizont që mund ta testonte një gjë të tillë. Tash që, me rritjen e borgjit të Turqisë, Albayraku do të përballet me një test si asnjë tjetër më parë.

Tash për tash, Erdogani mbetet mospërfillës, duke refuzuar të njohë shkallën e problemit që ka alarmuar tregjet rajonale dhe ekonomistët e tij dhe të vendeve tjera. Albayraku duket i përkushtuar ndaj ngulmimit joortodoks të Erdoganit për shkalla të ulta të interesit.

Të dy këta burra, ose do ta mbajnë anijen, ose do të fundosen bashkë me të. /Guardian/Periskopi