Djali i zv/drejtorit të policisë në Gjakovë i dyshuar për bashkëpunim me kontrabanduesit

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës gjatë aksionit të gjërë të zhvilluar të martën në disa regjione të vendit ka kapur edhe katër doganierë në pikën kufitare në Vërmicë, nën dyshimin e ‘keqpërdorimit të detyrës zyrtare’. Periskopi ka mësuar se në mesin e tyre është edhe Besart Malaj, i biri i zv/drejtorit të Policisë Rajonale të Gjakovës, Azem Malajt.  Lajmin për Periskopin e ka konfirmuar vetë ai. Ndërsa nga Prokuroria Themelore e Prizrenit kanë dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti. Të dyshuarit janë në arrest shtëpiak.

Mëngjesi i së martës kishte nisur me një aksion të madh dhe mirë të planifikuar nga Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës. Aksioni u zhvillua edhe në rajonin e Drenicës dhe atë të Prizrenit. Në pikën kufitare në Vërmicë u arrestuan katër doganierë dhe katër zyrtarë civilë. Në mesin e tyre ishte edhe doganieri Besart Malaj, i dyshuar për ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’.

Periskopi sot ka kontaktuar me nënkolonelin Azem Malaj (babain e Besart Malajt) i cili konfirmon arrestimin e djalit të tij.

‘’Djali im nuk është kapur për kontrabandim për mallra, por ka qenë i dyshimtë për kontrabandim me mallra dhe nuk është liruar. Ai është ende në paraburgim.I dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare’’, ka thënë Malaj për Periskopin.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala për Periskopin ka dhënë më shumë detaje rreth rastit në fjalë. Sipas tij, arrestimi i katër doganierëve u bë nën dyshime për ‘keqpërdorim të  detyrës zyrtare’. Të dyshuarit tani janë në arrest shtëpiak.

‘’Janë arrestuar katër doganierë dhe katër civilë zyrtarë. Doganierët janë arrestuar për keqpërdorim të detyrëz zyrtare, nën dyshimin se ua kanë mundësuar kontrabandistëve me e kalu mallin pa kontroll, nëëpr pikëkalimin kufitar. Ata janë ndaluar 48 orë fillimisht pastaj është bërë këkresa për caktimin e masës së paraburgimit. Edhe seanca e paraburgimit është mbajtur dje në Ferizaj sepse është transferu lënda prej Prizrenit në Ferizaj ndërsa Prokuroria e Prizrenit e mban rastin. Sipas informative nga media, sepse zyrtarisht vendimi nuk na ka ardh, ndajz zyrtarëve doganorë është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Ndërsa ndaj qytetarëve është caktuar masa e paraburgimit’’, ka thënë Shala për Periskopin.

Tutje ai tregon se hetimet për këta doganierë të dyshuar kishin nisur para një viti dhe se kanë prova të mjaftueshme ndaj tyre.

‘’Doganierët janë arrestuar pas një afati një vjeçar hetimi duke i përdorur edhe masat e fshehta hetimore dhe pas provave të mjaftueshme, është vërtetuar dyshimi se ata i kanë kryer veprat. Prap se prap jemi në fazën hetimore dhe do të mblidhen akoma prova materiale’’, thekson kryeprokurori Shala.

Ai thotë se Prokuroria Themelore e Prizrenit do të bëjë ankesë që katër doganierët e dyshuar, nga arresti shtëpiak të kthehen në paraburgim.

‘’ Ne besoj do të bëjmë ankesë edhe ndaj arrestit shtëpiak edhe e shikojmë. Të kthehen në burgim’’, shton Shala.

Lajmin për arrestimin e katër punonjësve doganorë, në mëngjesin e së martës  e kishte konfirmuar edhe Dogana e Kosovës.

Sipas komunikatës pas një hetimi disa mujor, të hënën mbrëma kishte filluar aksioni për arrestimin e personave të dyshuar për ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’ dhe ‘kontrabandë’.

“Personat e arrestuar janë katër oficerë doganor dhe shtatë qytetarë’’, ishte thënë nga Dogana.

“Zyrtarët doganor me inicialet H.D., B.M., D.H., dhe A.Z., dyshohen se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Ndërsa, katër të dyshuarit tjerë, dy prej tyre shtetas të Republikës së Shqipërisë, me inicialet M.A., V.S., V.S. dhe L.Rr., dyshohen se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 317 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, “Tregtia e ndaluar” nga neni 305, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” nga neni 318 paragrafi 2, lidhur me nenin 31, të KPRK-së”, thuhej në njoftimin për media nga Prokuroria.

Të martën e kësaj jave u arrestuan 19 zyrtarë policorë në veri të Kosovës nën dyshimin për “Kontrabandim të mallrave”, për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, për “Marrje të ryshfetit” dhe për “Tregti të ndaluar”.

Pos pjesëtarëve të Policisë, në aksionin e realizuar para dy ditësh të arrestuar përfunduan edhe 11 qytetarë. Grupi i të arrestuarve dyshohet se ka kontrabanduar mallra të ndryshme, duke nisur nga ushqimet, pijet alkoolike, joalkoolike e deri te kafshët.

Prokuroria e Kosovës bashkë me Inspekoratin dhe Policinë, në një konferencë për media, të martën kishin bërë me dije të gjitha detajet e aksionit në veri të vendit.

Prokurori Sylë Hoxha kishte thënë se hetimi i këtij rasti kishte filluar para një viti.

“Ju njoftoj se Prokuroria ka filluar hetimin qysh në vitin e kaluar  kanë fillu procedurat për krim të orgaznizuar, kontrbandim, marrje e ryshfetit  dhënie e ryshfetit. Gjatë kësaj periudhe Prokuroria ka bashkëpunuar me hetusit e Inspektoriat të Policisë se Kosovës  dhe me policinë duke kryer shumë veprime”, tha Syla.

Gjatë një viti hetimi, Hoxha  ka treguar se kanë mbledhur fakte për këta persona që janë, eprorë e zyrtarë të Policisë.

“Prokuroria ka dëgjuar edhe dëshmitra gjatë këtij investimi  një vjeçar dhe në fund ka parashtruar kërkesën në Gjykaten Themelore në Prishtine. Në mesin e këtyre të dyshuarve ka epror dhe zyrtar të policisë si serb, shqiptar, boshnjak si dhe qyetar të cilët i kanë kryer veprimet e tyre për kontrabandim”, tha Hoxha.

“Inspektorati Policor i Kosovës pas rreth një viti të hetimeve të autorizuara nga Prokurori në bashkëpunim me Policinë ka realizuar këtë urdhëresë për arrestim. Punonjësit e Policisë të arrestuar, dyshohen për kontrabandim me mallra, dhënia e ryshfetit, etj. Janë bastisur 12 lokacione, Janë arrestuar 19 punonjës të Policisë së Kosovës, 11 të nacionalitetit serbë, 4 të nacionalitetit shqiptarë dhe 4 të nacionalitetit boshnjak. Janë konfiskuar armë, pajisje teknologjike dhe një sasi parash. Hetimet do të vazhdojnë edhe më tutje, janë ndaluar për 48 orë, si pjesë e procedurës administrative janë suspenduar nga detyra”, ka thënë ajo, përcjell Periskopi.

Ndërkohë, Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës, kishte thënë se ky ka qenë një operacion mjaft i sukseshëm, përkundër vështirësive që janë hasur gjatë zbatimit të tij.

Operacioni është kryer pa probleme, përvec pjesës së komunës së Zubin Potokut, pasi Policia ka hasur në një pritë me gjuajtje me armë. Kemi dhënë urdhër për angazhimin e njësive elite të policisë që kemi. Kemi dhënë urdhër për eliminin e barrikadave dhe të depërtojmë në Zubin Potok për të arritur në lokacionet që kemi pasë sipas urdhër arrestit. Tri lëndime kanë qenë në përpjekje për të hequr barrikadat në rrugë. Mund të them si një konkludim i përgjithshëm se operacioni ka qenë mjaft i suksesshëm. Operacioni është zhvilluar me mjaft sukses, nuk kemi pasë të lënduar rëndë”, kishte thënë Qalaj./Periskopi/