Kurdisje në ndeshjen Trepça 89 – Llapi? Prokurori konfirmon për Periskopin se është duke verifikuar informatat fillestare

Periskopi.com Sporti

Shumë e diskutuar ishte ndeshja mes Trepçës 89 dhe Llapit të shtunën, në kuadër të javës së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Takimi përfundoi me rezultat 5-4 në të mirë të mitrovicasve, të cilët morën tre pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë

Dyshimet u ngritën menjëherë pas vërshëllimës së fundit, duke u nënvizuar fakti se deri në minutën e 89-të rezultati ishte 4-4, kur nikoqirët arritën në fund golin e fitores përmes Milot Avdylit. , shkruan Periskopi.

Ish-futbollisti kosovar, Fidan Hasani shprehu bindjen e tij në kurdisje me anë të një postimi në Facebook, ku shkroi:

“Super ndeshja qe as DigitAlb nuk e dha direkt Trepça ’89 – Llapi që u luajt 100 minuta. Miqësore, vëllazërorë, që u kthy në hendboll, po u luajtën 100 minuta e në fund u kry 5:4”, ka shkruar Hasani.

“Por kujdes, ndeshja deri në minutën e 90-të ishte 4-3 për Llapi. 10 minuta shtesë, dy gola dhe fitore për Trepçen 89 Golat minutat 92 dhe 98”.

“Ai pretendenti për kryetar të FFK-së keq e ka leshu bajrakun sot. Keq se krejt Kosova e din cka din ti me ba në këso lojë…!! A keni ftyr me fol maa marreee !!!!!”.

Hasani nuk ishte i vetmi që reagoi, teksa pati edhe të tjerë që ngritën shqetësime.

Periskopi, të dielën, ka kontaktuar me Prokurorin Besim Kelmendi dhe e ka pyetur nëse është në dijeni të akuzave si dhe mbarëvajtjes së kampionatit.

“Ne si Këshill për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në sport, jemi duke përcjellur secilën informatë nga cdo ndeshje, dhe jemi duke i përcjellur për verifikim dhe hetime në Prokuroritë kompetente,” u shpreh Kelmendi për Redaksinë e Sportit të Periskopit.

I pyetur nëse ka informata kredibile për një kurdisje të mundshme në ndeshjen në fjalë, Kelmendi shtoi:

“Jemi në fazën fillestare dhe Prokurori do të verifikojë informatat fillestare për të shikuar mundësinë e fillimit të hetimeve për kurdisje.”

Kujtojmë se me tri pikët e fituara në ndeshjen kundër Llapit, Trepça 89 i ka mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë dhe tash është vetëm tri pikë larg zonës së shpëtimit. /Periskopi.com/