Bislimi i VV’së flet për herë të parë për raportet mes Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës

Periskopi.com Lajme

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka thënë se nuk ekziston asnjë lloj mosmarrëveshje mes Glauk Konjufcës dhe Albin Kurti.

Para disa ditëve, Periskopi ka raportuar se mes Glauk Konjufcës dhe Albin Kurtit ka një përçarje, por këto raportime të medieve Bislimit po iu duken si të ‘paskrupullta’, pavarësisht asaj që Konjufca nuk mori pjesë në mbledhjen e fundit të partisë së tij dhe se nuk ka mohuar këto raportime.

“Z. Konjufca nuk ka qenë në mbledhje, nuk janë kanë edhe 7 të tjerë, nuk i di se nuk raportojnë të unë pse nuk vijnë ose s’paku nuk më raportojnë mua, është kurth që po dojnë me ra disa media. Nuk kanë qenë kurrë më të ngushta dhe të mira”

“As pikë e parë e mosmarrëveshjes nuk ekziston, është pjesë e fushatës të paskrupullt  që po bëhet, por faktikisht po na ndihmon neve”, ka thënë me gjysmë zëri Bislimi në KTV, transmeton Periskopi.

Bislimi takon ish-ministrat për t’u konsultuar rreth pakos emergjente

Periskopi.com Lajme

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, pret në takim të gjithë ish-ministrat e Financave dhe Guvernatorin e BQK-së, për t’u konsultuar rreth pakos për rimëkëmbjen ekonomike pas COVID-19. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 10.00)

Bislimi i ka thirrur në një takim ish ministrat e financave të Bedri Hamza, Avdulla Hotin, Besim Beqaj, Haki Shatri, Ahmet Shala, Ali Sadriu si dhe Guvernatorin e Bankës Qëndrore. Fehmi Mehmetin.

Këtë takim e ka thirrur për t’u konsultuar rreth pakos emergjente.

“Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme që të ulemi bashkë, dhe si bartës të pozicionit të njejtë publik, por në periudha të ndryshme kohore, të diskutojmë për fokusin primar të pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë, kornizën monetare, organigramën implementuese dhe burimet e mundshme të financimit. E shoh si tejet të rëndësishme që në këtë fazë të dëshmojmë gatishmëri maksimale për bashkëpunim duke lënë anash cilindo mospajtim eventual politik a personal”, thuhet në këtë letër.

Ende nuk dihet nëse ndonjëri prej ish-ministrave do t’i përgjigjet ftesës së Bislimit.

Gashi: Besnik Bislimi e Avdullah Hoti kanë xhelozi personale mes vete

Periskopi.com Lajme

Arben Gashi i LDK’së ka komentuar deklaratën e ministrit në detyrë,  Besnik Bislimi se Avdullah Hoti ka qenë personi më destruktiv në koalicion, transmeton Periskopi.

Gashi thotë se këtë gjë e ka thënë me mllef pasi kanë xhelozi personale mes vete.

‘’Këtu ka një problem personal mes të dyve. Vijnë nga një fushë. Kanë xhelozi profesionale. Hoti  e ka njoftë më mirë procedurën dhe politikat. Plus Hoti ka qenë personi kyq në Qeveri. Kjo i ka shkaku irritim Bislimit. Po shihet’’

Gjatë emisionit Bislimi ia coi një porosi Gashit, duke i thënë se po rren për deklaratën se Kurti nuk ia pranoi LDK’së disa emra për ministra./PERISKOPI/

 

Ministri Bislimi flet për masa të reja, paralajmëron rënie të ndërmarrjeve publike

Periskopi.com Lajme

Ministria e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi përmes një komunikate për media, ka dhënë detaje në lidhje me shëndetin e ekonomisë, masave të ndërmarra dhe atyre që mendohet të ndërmerren.

Ministri Bislimi ka theksuar që në këtë gjendje në të cilën ndodhet Kosova në luftë ndaj pandemisë Covid-19, ndërmarrjet publike do të kenë rënie të inkasimit, duke parë masat e izolimit të cilat janë ndërmarrë nga qeveria.

“…ka ndikuar në uljen e të hyrave të ndërmarrësve dhe rrjedhimisht ka vështirësuar edhe aftësinë e tyre për të mbuluar shpenzimet e zakonshme. Ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbime bazë publike si uji, mbledhja e bërllogut, ngrohja e të ngjashme poashtu po ballafaqohen më rënie të inkasimit si pasoje e kufizimeve në lëvizje të qytetarëve.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të vendit,

Qeveria e Kosovës ka vërë në dispozicion të gjitha potencialet e saj në përballjen me pandeminë COVID 19. Duke qenë se njohuria kolektive për virusin Corona është në krijim e sipër, edhe qeveria e Kosovës po detyrohet që në masë të madhe të ndjek veprimet e vendeve tjera, me të vetmin synim, që të mbajë nën kontroll përhapjen e infeksionit. Si rezultat, ne kemi mbyllur çerdhet, shkollat e universitetet ende pa u paraqitur as edhe një rast i vetëm me infeksion. Poashtu në vazhdimësi janë marrë masa të kufizimit të veprimit në mënyrë që të mund të respektohet nevoja e mbajtjes së distancës fizike, dhe poashtu qytetarët janë lutur në vazhdimësi që të qëndrojnë brenda shtëpive e banesave të tyre. Falë këtyre vendimeve dhe respektimit të tyre, ne kemi arritur në masë të madhe të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, e parasë gjithash të të moshuarve brenda nesh.

Por natyrisht se gjithë kufizimet e vendosura nga ana e qeverisë e kanë lënduar shëndetin e ekonomisë. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për këtë. Mbajtja e prindërve nëpër shtëpi; kërkesa që ndërmarrjet private të lejojnë qëndrimin në shtëpi të personave të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike; kufizimet në transportin urban dhe ndër-urban; kërkesat për mbyllje të shumë aktiviteteve ekonomike; ndalesat për organizim të çfarëdo ceremonie apo grumbullimi tjetër të individëve; ka goditur një sërë sektorësh të ekonomisë, e pastaj brenda sektorëve, ndërmarrësit janë dëmtuar me intensitet të ndryshëm.

Rënia e vëllimit të prodhimit apo ofrimit të shërbimeve qoftë për shkak të kërkesave për zvogëlim të numrit të punëtorëve që shkojnë në punë, qoftë për shkak të kufizimeve në ushtrimin e aktivitetit ekonomik, ka ndikuar në uljen e të hyrave të ndërmarrësve dhe rrjedhimisht ka vështirësuar edhe aftësinë e tyre për të mbuluar shpenzimet e zakonshme. Ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbime bazë publike si uji, mbledhja e bërllogut, ngrohja e të ngjashme poashtu po ballafaqohen më rënie të inkasimit si pasoje e kufizimeve në lëvizje të qytetarëve. Dhe krejt në fund edhe përfituesit e skemave sociale me shumë vështirësi po përballojnë koston e shtuar në kontekst të limitimeve si rezultat edhe i lëvizjes manipulative të çmimeve nga ana e një numri të vogël të bizneseve të pandërgjegjshme.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave e Transfereve ka përcjelle në detaje të gjitha këto ndikime si në shëndetin e ekonomisë, ashtu edhe në atë të mirëqenies së qytetarëve, por edhe qëndrueshmërinë e vetë buxhetit të shtetit. Ngjashëm edhe me vendet tjera, reagimi i qeverisë i ndjekë tri faza:

1. Në fazën fillestare, qeveria, përmes Ministrisë së Financave dhe Transfereve, është kujdesur që të vihen në dispozicion mjete të mjaftueshme buxhetore për përballjen me koston direkte të luftimit të infeksionit. Në këtë kontekst është ndarë një shumë prej 10 milionë euro për mbulimin e kostos emergjente. Me Bankën Botërore është duke u negociuar edhe një financim shtesë në masën e 7 milionë eurove në rast të pamjaftueshmërisë së fondeve, dhe poashtu është bërë kërkesa për zgjatjen e kontratës së një projekti ekzistues të shëndetësisë, me të cilën do mundësohej ri-alokimi drejt nevojave emergjente e një shumë prej 3.2 milionë ende të pa-disbursuar të kredisë. Nisur nga konstatimi se shtresat më të varfëra të shoqërisë do përballen me shpenzime shtesë, është vendosur që ndihma sociale dhe pensionet të alokohen dukshëm para afatit të rregullt kohor, dhe njëkohësisht është transferuar edhe një ndihmë mujore shtesë. Për t’i ardhur në ndihmë bizneseve që kalojnë nëpër vështirësi me likuiditet, është marrë vendimi për shtyrjen deri në fund të muajit prill e të gjitha obligimeve tatimore. Në marrëveshje me sistemin bankar është dakorduar që bizneseve dhe qytetarëve të goditur nga situate e tanishme dhe masat e qeverisë t’i mundësohet shtyrja e shlyerjes së kësteve mujore të kredisë pa aplikim të kamatë-vonesave dhe pa implikime për vlerësimin kreditor të huamarrësve. Është larguar tarifa për import të lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, dhe është nënshkruar vendimi që liron grurin dhe miellin nga tarifat doganore dhe TVSH.

2. Të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton, Qeveria përmes Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe në bashkëpunim me ministritë tjera e sidomos me përfaqësuesit e pothuaj të gjitha odave e klubeve ekonomike në vend është në proces të përpilimit të një pakoje emergjente që fokus ka trinomin: qytetari, punëmarrësi dhe punëdhënësi. Secila nga këto kategori është goditur dhe secila ka nevojë për mbështetje. Natyrisht se për të gjithë të involvuarit në këtë proces të draftimit të pakos emergjente fiskale, dy gjëra janë të ditura: A) Shëndeti i buxhetit të shtetit është goditur rëndë nga qeveritë paraprake, dhe kapaciteti intervenues i vendit është shumë i kufizuar (deri diku edhe falë masave për shtyrjen e obligimeve tatimore, por edhe problemeve me gjendjen në llogaritë qeveritare. Dhe B) Nga kjo krizë, niveli i mirëqenies do shënojë rënie si në Kosovë ashtu edhe në nivel global, rrjedhimisht intervenimi i qeverisë nuk mund të synojë kompensimin e dëmeve por vetëm të sigurojë që në fund, humbjet të jenë minimale dhe të shpërndara sa më drejt mes gjithë nesh. Masat që do ndërmerren në këtë kontekst synojnë mbrojtje shtesë për shtresat më të lëndueshme të shoqërisë; likuiditet shtesë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë goditur nga situata, ndihmesë për ndërmarrjet në vështirësi për të mbuluar koston e qerase dhe një pjese të kompensimit për paga për kompanitë që janë detyruar të mbyllen nga vendimet imponuese të Qeverisë.

3. Me shpresë që kjo periudhë e kufizimeve të mëdha në liri të lëvizjes dhe në ushtrim të aktivitetit ekonomik do të përfundojë relativisht shpejtë, Qeveria poashtu në bashkëpunim me partnerët që përfaqësojnë edhe biznesin, është zotuat në përpilimin e një plani për intervenim fiskal në mënyrë që ekonomia e vendit të ringjallet sa më shpejt. Për Qeverinë nuk ka asnjë dyshim qe shëndeti i sektorit privat është parakusht për shëndetin e financave publike. Përmes këtij plani do të synohet pajisja e tregut financiar me likuiditet të mjaftueshëm dhe poashtu insentiva të politikave monetarë për bizneset që situatën e ndërlikuar të këtyre javëve e shndërrojnë në sfidë për shtim të kapaciteteve prodhuese apo hyrje në tregje e produkte të reja. Masat që mendohet të ndërmerren do të targetojnë sektorë të caktuar, dhe brenda sektorëve kryesisht bizneset që janë të formalizuara dhe garantojnë ruajtjen e fuqisë punëtore të tyre.

Krejt në fund, këto dhjetë ditët e fundit kanë prodhuar shumë vështirësi për shumicën prej nesh. Por në të njëjtën kohë kanë prodhuar edhe shumë konfuzion dhe poashtu tepricë të ideve e recetave për dalje nga situata. Nuk ka program intervenimi që nuk është sugjeruar edhe publikisht (në shumicën e rasteve me qëllim të mirë), por secili prej tyre pa asnjë kostim as edhe bazik, pa ndërlidhje me kompleksitetin makroekonomik dhe pa korrelacion me kapacitetin fiskal të vendit. Poashtu është rekomanduar në vazhdimësi edhe hyrja në kredi në masën e qindra miliona eurove, edhe atë pa bërë as përpjekjen minimale për kuantifikimin e kostos së bizneseve nga masat kufizuese të qeverisë, pa pasë njohuri të mjaftueshme për specifikat e qasjes së vendit tonë në tregun ndërkombëtarë të kapitalit dhe pa njohur kufizimet ligjore në këtë drejtim.

Qëllimi ynë është që të implementohen masat që janë të përballueshme për ekonominë në afat të mesëm dhe të gjatë, në mënyrë që të minimizohen dëmtimet e secilës kategori të afektuar. Në këtë kontekst kemi kontaktuar dhe po vazhdojmë të kontaktojmë secilin institucion financiar multilateral e bilateral në kërkim të opsioneve më të përshtatshme për sigurim të mjeteve të mjaftueshme financiare për të adresuar nevojat e qytetarëve dhe të biznesit. Natyrisht se për secilën iniciativë dhe për secilin vendim do ju mbajmë të informuar në kohë reale.

 

Besnik Bislimi tha se nuk do ta rikthejnë në postin e ministrit, reagon Agim Veliu

Periskopi.com Lajme

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë sot ta çojë përpara iniciativën për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, Veliu është shprehur se arsyeja e rrëzimit të qeverisë nuk është shkarkimi i tij nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, por, siç ka deklaruar ai, “problemi është më i madh”.

“Nuk kisha dashur të merrem me deklarata të Bislimit, e as të kujtdo. Ne tash jemi në proces të një mocioni, kështu që, ai është një proces që ecën. Besoj që zhvillimet do të denifinohen brenda ditës”, ka thënë Veliu.

I pyetur se kur do të vazhdojnë procedurat për rrëzimin e qeverisë, Veliu ka thënë se “sot, patjetër” do të vazhdohet me mocionin e mosbesimit.

“Sigurisht [LDK do të vazhdojë me iniciativën për rrëzimin e qeverisë]. Jo gjatë kësaj jave, por sot do të vazhdohet me mocionin, patjetër”, ka thënë ai.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, edhe nëse ai vetë-tërhiqet nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe LDK-ja e cakton një figurë tjetër për këtë pozitë, “problemet nuk do të zvogëlohen”.

“Edhe nëse LDK-ja e cakton dikënd tjetër në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme. Problemi është më i madh; problemi i tarifës, problemi i virusit. Këto janë problemet me të cilat duhet të merret Kurti, e jo me gjëra të kota. Me gjëra që nuk çojnë peshë”, ka thënë Veliu.

“Nuk jam idhëtar i afatave, kushtëzimeve të tilla: ‘bëje këtë, bëje atë’. Vetëm një mund ta them: këtu nuk është problem vetëm Agim Veliu, apo shkarkimi im. Nuk është këtu problemi. Problemi është shumë më i madh”, është shprehur ai.

Kryeministri Albin Kurti shkarkoi të mërkurën Agim Veliun nga pozita e ministrit të punëve të Brendshme dhe Administratës.

Si kundër-reagim ndaj këtij vendimi të shefit të ekzekutivit, Lidhja Demokratike e Kosovës, partneri i koalicionit qeverisës, paralajmëroi rrëzimin e qeverisë në qoftë se kryeministri Kurti nuk i përgjigjet pozitivisht tri kërkesave të saj: kërkim-faljen ndaj LDK-së, rikthimin në pozitë të Veliut dhe heqjen e tarifës.

Por, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministri aktual i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka deklaruar se nuk do të kthehet në qeveri.

Bislimi, u shpreh sot në një intervistë për EkonomiaOnline, se Veliu ka qenë kundërshtari më i madh i koalicionit, duke shtuar se më mirë është që ministria që ka udhëhequr Veliut të mos ketë fare ministër se ta udhëheq ky i fundit.

“Një person që ka qenë në vazhdimësi kundër koalicionit, minimumi i sinqeritetit ka qenë me thënë nuk do të behëm pjesë e Qeverisë. Edhe këtu s’ka me pas kthim mbrapa, është e palogjikshme me pas kthim mbrapa, një individ të tillë me kthyer”, u shpreh Bislimi.

Kryeministri Kurti ende nuk është deklaruar në lidhje me shkrimin dhe kërkesat e kryetarit të LDK-së. /Insajderi.com

 

 

Bislimi paraqet projektbuxhetin para Komisionit, kundërshtohet nga ish-ministri Hamza

Periskopi.com Lajme

Komisioni për Buxhet dhe Transfere, sot po shqyrton në parim i projektligji për ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Ndonëse për këtë procedurë të shqyrtimit pa u ngarkua Komisioni nga Kryesia e Kuvendit, anëtari i këtij Komisioni, Bedri Hamza tha se procedimi i buxhetit në këtë mënyrë nuk është në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Nuk po them që nuk ka ndodhur edhe në të kaluarën, por për këtë proceduat nuk ka vendim dhe Kryesia nuk ka marr vendim përcaktim e shqyrtimit të buxhetit. Ne si komision nuk jemi te ngarkuar ende nga Kryesia. Nëse unë kam problem për trajtimin e këtij buxheti në këtë mënyrë të shpejt, besoj që edhe kolegët tjerë kanë problem”, tha Hamza.

Ish-ministri i Financave ka kërkuar me u respektuar Rregullorja e Punës së Kuvendit.

Kundër shqyrtimit të projektit buxhetit ishte vetëm anëtari i këtij Komisioni nga PDK, Bedri Hazma, gjashtë anëtarë të tjerë dhe kryetari i këtij Komisioni Hekuran Murati ishin për.

 

Bislimi paralajmëron mbylljen e marketeve dhe farmacive në rast të ngritjes së çmimeve

Periskopi.com Lajme

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka mbajtur takim me stafin e ATK-së, për të ndërmarr masat kundër keqpërdorimeve të bizneseve pas përhapjes së Coronavirusit.

Bislimi, ka kërkuar që njëri prind të qëndroj më fëmijët në te gjitha institucionet.

Ministri Bislimi ka folur për panikun e krijuar nga qytetarët për blerjen e ushqimeve, kjo për shkak të ngritjes se çmimeve nga supermarketet dhe farmacitë.

Për këtë Bislimi potencoi se inspektorati do të dalë në teren për të identifikuar situatën, e në rast të keqpërdorimit do të mbyllen bizneset.

Besnik Bislimi flet pas shkarkimit të Bordit të Telekomit

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës nisi dje shkarkimin e Bordit të Telekomit të Kosovës, ndërsa ministri i Financave, Besnik Bislimi ka theksuar sot se Qeveria e re synon luftimin e bordeve in-kompetente në kompani publike, duke theksuar se këto ndërmarrje nga një barrë për buxhetin do të shndërrohen për rritjen ekonomike në Kosovës.

Po ashtu, Bislimi deklaroi se do të rishikohen edhe disa projektet kapitale që janë rrezik për vendin.

“Me qeverinë e re, disa projeksione tona janë të listuar si rreziqe, do të kthehen si mundësi. Kemi si një rrezik potencial performancën e keqe të ndërmarrjeve publike. Me masat që do të ndërmarrim, ne synojmë uljen e nepotizmit, por edhe luftimin e bordeve in-kompetente mbikëqyrëse. Mendojmë se ndër marrjet publike nga një barrë për buxhetin mund të shndërrohen në një instrument që promovon rritjen ekonomike në vend. Po ashtu, edhe problemet që kanë të bëjnë me ekzekutimin e ulët të projekteve kapitale që parashihet si rrezik”, tha Bislimi.

Këto komente ministri Bislimi i bëri gjatë një takimi me misionin e Komisionit Evropian për vlerësimin e programit për reforma në ekonomi dhe diskutimin mbi rekomandimet e politikave ekonomike për vendin.

Ministri Bislimi punëson ish-nxënësen si këshilltare

Periskopi.com Lajme

Një lexues i shqetësuar i ka shkruar Periskopit duke i thënë se “po vazhdon avazi i vjetër” duke i dërguar një fotografi të një vajze që së fundi ka publikuar se është punësuar në hiç më pak se “Ministrinë e Financave dhe Transfereve” që do të drejtohet nga z.Besnik Bislimi.

Ai ka ofruar edhe një fotografi ku vajza në fjalë me emrin Kaltrina Zeka shihet në një fotografi me z.Bislimi.

Lexuesi ka pretenduar se çështja në fjalë përbën nepotizëm, por Periskopi nuk ka arritur ta konfirmojë një gjë të tillë.

Krejt çka kemi mësuar është se znj.Zeka ka qenë studente në RIT Kosova, dhe se kishte marrë pjesë në një event të organizuar nga Besnik Bislimi i Vetëvendosjes i cili është edhe profesor i këtij institucioni shkollor.

Edhe pse shumë e re në moshë, Zeka në regjistrin e ARBK-së figuron të jetë drejtoreshë e një hoteli luksoz me vend-ndodhje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me emrin “Best Western Hotel Galla”. /Periskopi/

 

 

 

Ministria e Besnik Bislimit deklarohet për zhvendosjen e fotos së Presidentit Thaçi

Periskopi.com Lajme

Ministria e Financave dhe Transfereve ka arsyetuar largimin e fotografisë së presidentint të vendit, Hashim Thaçi duke thënë që është bërë riaranzhim i zyrës.

Nga zyra e ministrit Besnik Bislimi, zyrtarët e MFT-së thanë se kjo ka ndodhur për shkak të riaranzhimit të zyrës. Me këtë rast është bërë edhe zhvendosja e fotografisë së kreut të shtetit.

“Ju njoftojmë se në Zyrën e Ministrit të Financave dhe Transfereve është bërë një riaranzhim i zyrës dhe në këtë rast është zhvendosur fotoja e Presidentit Hashim Thaçi në një pjesë tjetër të zyrës”- thuhet në përgjigjen e MFT-së për Klan Kosova, transmeton Periskopi.

Kutjojmë që edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka bërë veprimin e njejtë duke larguar fotografinë e Thaçit nga vendi ku qëndronte para se ajo të merrte këtë pozitë./Periskopi/

 

Luajnë “fshehtas”: Bislimi i VV-së e mposht Osmanin, e fsheh fotografinë e Thaçit në stub të zyres

Periskopi.com Lajme

Vendimi i kryeparlamentares, Vjosa Osmani, për ta zhvendosur foton e Presidentit të Republikës, Hashim Thaçi, shkaktoi zhurmë të madhe, jo veç nga opozita, por edhe nga shoqëria civile.

Por rrugën e saj e ka ndjekur edhe ministri i Financave, Besnik Bislimi.

Ky i fundit që është ministër nga radhët e Vetëvendosjes, e ka vendosur foton e presidentin në një kënd ku nuk e sheh fare kur ulet në karrigen e tij.

Foto është vendosur tek ulëset ku do të priten mysafirët, dhe jo në vendin ku ishte më parë.

Kujtojmë se PDK e ka bojkotuar Kryesinë e Kuvendit, çka e ka quajtur të jashtëligjshme veprimin e kryetarës së Kuvendit, Vjosa Osmani.

Partia e parë opozitare (PDK) ka kërkuar që foto e presidentit Thaçi të kthehet në vendin që e parasheh ligji, në të kundërtën do të vazhdojnë bojkotin ndaj mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit.

 

 

Besnik Bislimi pranon zyrtarisht detyrën e Ministrit të Financave dhe Transfereve

Periskopi.com Lajme

“Pranimi i detyrës së Ministrit të Financave dhe Transfereve për mua është nder dhe përgjegjësi e madhe dhe jam i bindur që së bashku me ju do ta japim maksimumin në mënyrë që gjërat të ecin në drejtim të duhur në implementimin e programit të Qeverisë Kurti” u shpreh gjatë pranimit të detyrës ministri Besnik Bislimi.

Me këtë rast ministri Besnik Bislimi e falënderoi ministrin në largim Lulzim Rafuna për punën dhe kontributin e dhënë deri më tani dhe shtoi se duke pasur parasysh se e njeh një pjesë të stafit të Ministrisë kjo e bën që të ndihet më i sigurt në hapat në vazhdim pasi që në kuadër të MF-së gjithherë ka pasur dhe ka njerëz të përgatitur dhe të përgjegjshëm për punë.

Ai gjithashtu theksoi se duke pasur parasysh programin e Qeverisë neve na presin punë të mëdha dhe për këtë jam i sigurt që së bashku do ta arrijmë realizimin e tij.

Ndërsa ministri i deritanishëm Lulzim Rafuna gjatë pranim-dorëzimit të detyrës së ministrit e uroi ministrin e ri Besnik Bislimi për pozitën e re dhe theksoi se ka kënaqësinë që po e dorëzon sot detyrën e ministrit dhe se ky pranim-dorëzim po ndodh në kohën kur bilanci bankar është mbi 494 milionë euro, po ashtu edhe afër 500 milionë euro shtesë të cilat janë për projektet e kontraktuara, deficiti është 0,7% dhe është nën normën e planifikuar.

“Kjo është një siguri e madhe sa i përket gjendjes financiare të shtetit të Kosovës”, tha Lulzim Rafuna gjatë dorëzimit të detyrës së ministrit.

 

Vetëvendosja i çon mesazh LDK-së nëpërmjet një sondazhi

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka konfirmuar se LDK nuk është sprapsur nga kërkesa për pozitën e presidentit, edhe pas takimit të sotëm, që po i lë edhe më tutje dy partitë pa arritur marrëveshjen.

Nga VV-ja pas këtij takimi iu kanë dërguar mesazh LDK-së një sondazh të kryer së fundmi që e nxjerrë me mbi 40% VV-në.

Përmes një shkrimi në Facebook, Besnik Bislimi ka thënë se para se të hynin në garën e  gjashtë tetorit, e kishin pasur të qartë se nuk do të kishte një fitues me 51 deputetë, e se gara ishte e ngushtë.

“Para se të hynin në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, secili subjekt politik e ka patur të qartë prej fillimit se gara nuk do të prodhojë ndonjë fitues absolut që siguron shumicën prej 51 deputetësh. Njësoj siç e kanë ditur që gara do jetë tepër e ngushtë, mbase më e ngushta në historinë e shkurtër të demokracisë parlamentare në vend. E vetmja paqartësi ka mundur të ekzistojë rreth renditjes së subjekteve politike, sipas numrit të votave dhe fuqisë relative të secilës prej tyre. Në këtë garë të ngushtë, synimi i vetëm i subjekteve garuese ka qenë që të bëjë gjithçka të mundshme për të dalë qoftë edhe me 0.1% përpara të tjerave. Dhe për të arritur këtë synim, secili subjekt politik është fokusuar në tre elementë të ofertës elektorale: kandidatin për kryeministër, programin qeverisës dhe kualitetin e listës së deputetëve. Kjo nënkupton se secila parti politike e ka patur të qartë se kjo garë politike edhe pse ka qenë për kuvendin e Kosovës, në fakt fokusin primar e ka patur te implementimi i programit qeverisës që i bie tek ekzekutivi i vendit”, thotë ai.

Ai shton se diferenca në mes të subjekteve ka implikime edhe në formimin e institucioneve, por, radhitja e tyre, kushdo që del më i votuar, duhet të ketë qenë parësore.

“Në një mjedis të tillë, doemos që diferenca mes subjekteve pjesëmarrëse ka implikime në formimin e institucioneve, por radhitja e tyre (pa marrë parasysh diferencat) duket të ketë qenë parësore. Fituesi relativ është fitues, qoftë edhe nëse ka vetëm një votë më shumë. Dhe meqë e gjithë gara është sjellë rreth arritjes së pozitës së këtij fituesi relativ, është mëse e logjikshme, që ky status implikon pastaj konsekuenca me rëndësi në alokimin e fuqisë politike. Me vendimin e gjykatës kushtetuese të vitit 2014, është precizuar që benefiti i të qenurit fitues relativ, në radhë të parë manifetohet në dy pozita kyçe që i takojnë partisë fituese: pozita e kryeministrit dhe ajo e kryetarit të parlamentit”, shton tutje ai.

Nënkryetari i parë i VV-së, thotë se votuesit kishin qenë të qartë për subjektet që donin t’i përfaqësonin duke e shpallë fituese VVnë, me një diferencë 15 mijë vota me LDK-në.

Bislimi derisa ka përmendur progresin e bërë për të koordinuar programin qeverisës, ka konfirmuar se pozita e presidentit është pjesa ku nuk janë duke u pajtuar dy liderët.

“Për momentin, duket se negociatat kanë ngecur, për arsye se në tavolinë kanë dalë kërkesa pa mbulesë, por jam shumë optimist që edhe kjo do të tejkalohet me maturi, dhe vendi do të bëhet shumë shpejt me institucionet që i ka votuar dhe kërkuar”, shton tutje.

Në fund, ai iu ka përcjellë edhe një sondazh LDK-së, në rast se opsioni i zgjedhjeve vihet në tavolinë të diskutimit, ku thuhet se në rast se ndodh ky skenar, Vetëvendosje mund të dalë me mbi 40%.

Kurti e Bislimi u takuan mbrëmë me gjermanët, folën për koalicionin

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se bashkë me Albin Kurti, mbrëmë kanë zhvilluar takim me deputetët e Bundestagut Gjerman dhe anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag,. Peter Bayer dhe Christian Shmidt si dhe me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Siç njofton Bislimi në Facebook, gjatë takimit, deputetët u interesuan për mbarëvajtjen e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës, elementet kryesore të dakorduara në programin qeverisës si dhe për arsyet dhe pasojat eventuale nga ngecjet momentale në këtë proces.

“U potencua nga të dy palët rëndësia që ka finalizimi i suksesshëm i negociatave, në mënyrë që vullneti i shumëpërmendur i qytetarëve për ndryshim rrënjësor, në asnjë rrethanë të mos vihet në pikëpyetje”, ka shkruar nënkryetari i LVV-së./Periskopi/

VV paralajmëron LDK-në që të mos ketë apetite të mëdha: Qeveria ndahet nga pesha politike që kemi

Periskopi.com Lajme

Megjithëse dje grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u pajtuan për çështjet programore, dallimet pritet të lindin në ndarjen e pozitave politike qeverisëse.

Deklaratat nga zyrtarë të LDK-së se ndarja e ministrive nuk mund të jetë e barabartë për nënkryetarin e VV-së Besnik Bislimi mund të stopojnë procesin, pasi ata nuk do të japin asgjë më shumë krahas peshës politike që kanë fituar në zgjedhjet e 6 tetorit.

Bislimi në një intervistë për KosovaPress jep detaje për mënyrën e ndarjes së ministrive, për alternativen në rast të dështimit të koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, si dhe për vendimet e fundit të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj.

“Nuk e di se çka ndodhë në atë moment kur negociatat kalojnë nga niveli teknik ku dizajnohet programi qeverisës, në nivelin politik ku folet për ndarje  të përgjegjësive. Në qoftë se aty lindë ndonjë kërkesë shtesë dhe ka apetite të pambuluara atëherë kjo mundet me prolonguar procesin. Por, ajo që është me rëndësi që për VV-në vullneti i qytetarit është i paprekshëm. Nëse qytetari e ka shpall VV fituese dhe e ka shpall Albin Kurtin si kryeministër atëherë ne nuk mundemi me negociuar këto dy elemente. E para, pozita e kryeministrit, nuk është në tavolinën e bisedimeve, nuk është se një subjekt po ia jep një subjekti tjetër kryeministrin, por është i zgjedhur direkt nga qytetarët. Ndërkaq pjesa tjetër e qeverisjes duhet me u nda konform  peshës politike në zgjedhje”, thotë Bislimi.

Në rast të dështimit të arritjes së marrëveshjes, Bislimi thotë se zgjedhjet e reja janë alternativë e vetme. Pasi, sipas tij LDK nuk e ka alternativë opozitën.

“ LDK dhe VV alternativë të vetme e kanë zgjedhjet e reja. E vetmja mënyrë që LDK me shkuar në opozitë është nëse Vetëvendosje pranon me qeverisë me PDK-në, çka nuk ndodhë. Që do të thotë LDK ose ka me qenë pjesë e qeverisjes, ose kena me shku në zgjedhje. VV ose ka me qenë pjesë e qeverisjes ose kemi me shkuar në zgjedhje. E tash kjo alternativë si do të përkthehen në fuqinë e negociatave tregon prapë sovrani. Sondazhi i parë që është bërë pas zgjedhjeve ka tregu se qysh janë forcat”, pohon ai.

Për formatin e Qeverisë me 12 ministri, nënkryetari i VV-së thotë se janë dy versione që i janë dërguar liderëve partiak me dallime të vogla për alokimin e ministrive, derisa jep detaje si cilat ministri do të shuhen dhe  do të riorganizohen.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të jetë ministri në veti, por ministri tjera do të bashkohen me të. Psh Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të bashkohen më të, sipas njërit prej versioneve. Ministra e Punës jo e Mirëqenies Sociale, por vetëm e Punës. Po ashtu edhe një pjesë e Ministrisë së Inovacionit, po ashtu një pjesë e Ministrisë së Diasporës që merret me investime strategjike. Do të thotë kjo Ministri do të bëhet një super ministri…Ministria e Inovacionit kalon tek Ministria e Arsimit dhe roli primar si Ministri nuk është, por si departament e ka për me mbështet hulumtimet shkencore”, thotë ai.

Për deklaratat e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj për mos largim të taksës, Bislimi i cilëson si të pa pesha, teksa thekson se do t’i spostojnë gjitha vendimet e fundit të qeverisë në dorëheqje.

“Çka thotë kryeministri në largim nuk çon peshë në negociatat tona me LDK-në. Kur është vendosur taksa, kryeministri në largim nuk është konsultuar me askënd.  Do të thotë ajo taksë është instrument kryekëput i koalicionit që ka qenë në qeveri në atë moment. Edhe pse kurrë nuk e kemi pas të qartë kujt brenda koalicionit. Kur ka dalë mirë secili i ka nxjerr meritat, kur ka dalë keq secili ka thanë se ne kemi qenë kundër. Politikat e tilla që janë të njëanshme unilaterale dhe të pakoordinuara me faktorin politik në vend nuk mund të sigurojnë jetëgjatësi pas rënies së atij koalicioni. Ramush Haradinaj nuk mund të thotë jeni qeveri e re, populli ka votuar për ndryshim, por ju vazhdoni me politika të vjetra. Ne mendojmë që kemi marrë mandatin se jemi më kreativ dhe kemi ide të reja dhe më të mira për me e zgjidhë këto probleme. Për neve  nuk qon peshë asgjë çka deklaron Haradinaj në këtë fushë”, th otë Bislimi

Javën e ardhshme pritët të takohen kryetari i VV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa për të tentuar të formalizojnë marrëveshjen politike për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Bislimi i VV’së: Do ta kemi një super Ministri në qeverinë me LDK’në

Periskopi.com Lajme

Një koalicion eventual në mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të tkurrë edhe numrin e Ministrive.

Nga 22 Ministri sa janë aktualisht, VV dhe LDK po mendojnë që Qeveria e re t’i ketë  vetëm 12.

Shumë nga to do të shuhen dhe do t’iu bashkohen Ministrive tjera. Njëra ndër to mund të quhet edhe super Ministri.

Detaje se si do të duket super Ministria i jep nënkryetari  i Vetëvendosjes Besnik Bislimi.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të jetë Ministri në veti, por Ministri të tjera do të bashkohen me të. Për shembhull, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të bashkohen më të, sipas njërit prej versioneve. Ministra e Punës jo e Mirëqenies Sociale, por vetëm e Punës. Po ashtu edhe një pjesë e Ministrisë së Inovacionit, po ashtu një pjesë e Ministrisë së Diasporës që merret me investime strategjike. Do të thotë kjo Ministri do të bëhet një super ministri…Ministria e Inovacionit kalon tek Ministria e Arsimit dhe roli primar si Ministri nuk është, por si departament e ka për me mbështet hulumtimet shkencore”, thotë ai.

Megjithatë Bislimi thotë se janë dy versione të formatit të Qeverisë por që sipas tij kanë dallime shumë të vogla

Haziri pas deklaratave të Bislimit në Periskop: Ai e di shumë mirë rolin tim

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka vendosur t’i kthejë deklaratë të zyrtarëve të Vetëvendosjes, shkruan Periskopi.

Nga deklaratat e fundit e nënkryetarit të VV’së, Besnik Bislimit dhënë Periskopit, ka thënë se Lutfi Haziri nuk çon peshë në bisedimet e tyre me LDK’në.

“Ai mund të thotë çkado mirëpo nuk luan rol të rëndësishëm, nuk çon peshë në bisedimet tona që po i zhvillojmë me LDK-në’’, ka thënë Bislimi për Periskopin

Rreth kësaj deklarate ka reaguar nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri i cili ka thënë se Besnik Bislimi, nënkryetar i VV’së dhe e gjithë partia e Albin Kurtit e di rolin që ai e ka në LDK dhe në negociatat për krijimin e Qeverisë.

“E di fortë mire rolin tim.z.Bislimi dhe VV po ashtu…tjerat shihen me kohë”, ka thënë Haziri për Gazetën Express.

Kjo përgjigje e Hazirit vjen në vazhdim të serisë të përplasjeve që ai ka nisur me zyrtarë të VV’së, përmes deklarimeve publike, kryesisht në rrjete sociale e në studio televizive.

Haziri, të shtunën në një postim në Facebook, shkroi se emri i kryeministrit të ri, gjithsesi se do të kalojë përmes zyrave të LDK’së.

’Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK’së!’’, kishte shkruar Haziri.

Ndërkaq negociatat mes LDK’së e VV’së kishin filluar menjëherë pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilat – sipas atyre rezultateve – i fitoi partia e Kurtit.

Takimet nisën me dy kandidatët për kryeministër, Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, për të vazhduar më pas me grupe punuese që kryesisht përfshinin profesorë të fushave të caktuara./Periskopi/

 

LDK-ja e do postin e Presidentit, VV për Periskopin: “S’prishet koalicioni, veç nëse kanë hy me idenë me e prishë”

Zana Rugova Lajme

Deklarata e kreut të LDK-së, Isa Mustafa në lidhje me dëshirën e tij për t’u bërë President, ngriti shumë dyshime për jetëgjatësinë e koalicionit VV-LDK, shkruan Periskopi.

‘’Është një nder i veçantë që dikush me mbyll karrierën e vet politike me një përgjegjësi të tillë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, por as nuk jam unë ai që mundem me bë veten president as që do ta imponoj veten për president’’, kishte thënë Mustafa.

E ditë më parë, Lutfi Haziri i LDK’së, ka thënë se Isa Mustafa i plotëson kriteret për të qenë president, por sipas tij çështja e presidentit duhet të qartësohet me VV’në, shkruan Periskopi.

“Mund të na sjellin në zarf presidentin nëse nuk mirremi vesh tash me VV’në. Isa Mustafa i plotëson të gjitha kriteret për të qenë president”, ka thënë ai.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherish edhe anëtar i grupit punues, Besnik Bislimi në një prononcim për Periskopin tha se asgjë nuk do ta prish koalicionin mes këtyre dy partive, veç se nëse LDK ka hyrë me mendjen që ta prish marrëveshjen e tyre.

‘’Kurgjo nuk mund ta prishë koaliconin veç nëse ata (LDK) kanë hy me idenë që me prishë koalicionin’’, përfundon Bislimi.

Se diçka e tillë do të ndodhte muajve në vijim, Periskopi kishte raportuar qysh në muajin korrik të këtij viti.

Burime brenda LDK-së, kishin thënë se Kryeministria i takon VV-së me kusht që President i vendit të bëhet Isa Mustafa./Periskopi/

 

Bislimi i VV-së për Periskopin: Lutfi Haziri nuk ka peshë në bisedimet LDK-VV

Zana Rugova Lajme

Një postim i nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri për koalicionin me VV-në, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion

Haziri duke shkruar në Facebook kishte thënë se emri i kryeministrit të ri, gjithsesi se do të kalojë përmes zyrave të LDK-së, shkruan Periskopi.

‘’Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK’së!’’, kishte shkruar Haziri.

E për këtë deklaratë, Periskopi ka kontaktuar njërin nga anëtarët e grupit punues të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimin.

Bislimi tha se Haziri është i lirë ta japë mendimin e tij, mirëpo ai nuk ka peshë në bisedimet që po i zhvillojnë këto dy parti.

‘’Ai mund të thotë çkado mirëpo nuk luan rol të rëndësishëm, nuk çon peshë në bisedimet tona që po i zhvillojmë me LDK-në’’.

Kujtojmë se Haziri njihet si një prej figurave të LDK-së, që ka shfaqur më së shumti skepticizëm për një koalicionin me VV-në./Periskopi/

Hamza përplaset me Bislimin: Ju s’mund të bëheni me askënd, jeni prish edhe ndërmjet vete

Periskopi.com Lajme

Një debat i ashpër është  zhvilluar ndërmjet Bedri Hamzës të PDK-së  dhe Besnik Bislimit të VV-së

Hamza nga PDK-ja në këtë debat i është kundërvë Besnik Bislimit duke i thënë se për partinë e VV-së nuk ekziston ligji, përcjell Periskopi

Hamza tha se kjo parti edhe ndërmjet veti është prishur, dhe se kjo parti nuk mund të bëhet bashkë me askënd.

“Ju VV kur s’ju konvenon Ligji, s’ka ligj hiq. I thyeni kerret, qitni gaz, jeni të dënuar, prej Albin Kurtit e deri te të tjerët. S’keni as program, as ekip. Kqyreni Prizreni, ju s’bëheni me kërkan, edhe ndërmjet vete jeni prish”, tha Hamza në Pressing