Ndërron jetë ish-futbollisti i disa klubeve kosovare

Periskopi.com Sporti
Besnik Fejzullahu, ish-futbollist kosovar ka ndërruar jetë ditën e djeshme – pas një sëmundjeje të shkurtër.

Fejzullahu ishte futbollist në vitet e 80-ta tek disa skuadra kosovare (Flamurtari e Ramiz Sadiku), ndërsa në vitet e fundit ishte paraqitur edhe si analist i Superligës dhe futbollit ndërkombëtar.

Fejzullahu ndërroi jetë ditën e djeshme dhe këtë e ka konfirmuar djali i tij, Egzon Fejzullahu me një postim në rrjetin social, Facebook.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 14:45 në varret e Prishtinës në Arbëri.

Pas vdekjes së tij, telegram ngushëllimi ka dërguar edhe Federata e Futbollit e Kosovës:

E nderuara familje Fejzullahu!

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Besnik Fejzullahu, ndaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta.

Besniku ishte i njohur në komunitetin tonë si një ish-futbollist i shquar dhe si njeri i urtë. Ai e dha kontributin e tij ndër vite si futbollist në klubet e kryeqytetit Flamurtari, Besëlidhja dhe Ramiz Sadiku, duke lënë gjurmë të pashlyeshme, derisa ishte edhe njohës dhe analist i mirë i lojës së futbollit.

Familja humbi njeriun më të dashur, derisa komuniteti i futbollit humbi një veteranë të zellshëm të futbollit.

Prandaj, në këto momente të vështira për Ju, jemi pranë jush që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurin tuaj.

I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, thuhet në letrën e ngushëllimit nga kreu i FFK-së.