Bislimi: Nuk e di sa do të jetë buxheti

Periskopi.com Lajme

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislmi nuk ka dhënë detaje se kur do të mbërrijë në qeveri projektbuxheti për vitin 2020.

Bislimi në një prononcim për Ekonomia Online tha se projektbuxheti do të shkojë në qeveri sapo të përfundohet. Megjithatë, ai pohoi se do të ketë ndryshime.

Ndryshime, sipas Bislmit do të ketë në shumë ministri, për të cilat thotë se kanë pasur 1 javë kohë për të paraqitur prioritetet e reja.

“Jemi duke mbledh kërkesat buxhetore të agjensioneve shpenzuese kur të konsolidohen të gjitha e dimë sa do të jetë buxheti. Mirëpo do të jetë në linjë me të gjitha rregullat cilat i kemi vendosur ne si Qeveri”, tha Bislimi.

“Ka ndryshime më shumë nëpër ministritë të cilat kanë pasur 1 javë hapësirë me i reflektua prioritetet e reja, me i pastrua prej projekteve fiktive që kanë ekzistuar në të kaluarën, do të ketë korrigjime të vogla nëpër komuna, mirëpo jo që prekin kufirin buxhetor të komunave”, tha ai.

Bislimi tha se do të ketë rritje të buxhetit edhe në sektorë të caktuar, por që nuk bëri me dije se ku saktësisht.

Kryeministri Kurti kishte premtuar se Buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë mandatit të tij qeverisës, duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë dhe duke ruajtur pjesëmarrjen e shpenzimeve publike në Bruto Produktin e Brendshëm.

Ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka anuluar tenderin 110 milionësh për autostradën e Gjilanit, të shpallur pa miratim buxhetor në kohën e tranzicionit qeveritar.

Se çfarë do të bëhet me paratë nga autostrada e Gjilanit dhe asaj të Dukagjinit, Bislmi thotë se për këtë vendos Ministria e Infrastrukturës.

Bislimi thotë se autostradat nuk janë ndërprerë, por vetëm procedurat e tenderimit.

“Atë e vendos ministria e Infrastrukturës kur del buxheti. Nuk i kemi ndërpre autostradat, kemi ndërpre procedurat e tenderimit për arsye se kemi konstatuar qe nuk janë ne linje me rregullativën ligjore. P.sh autostrada për Gjilan- Kamenice është tenderuar pa qenë i aprovuar buxheti. Dmth nuk ka pasur as zotim te mjeteve, ka shkelje dhe kemi qenë te detyruar me intervenuar. Përndryshe projektet infrastrukturore nuk është se qeveria do i hedh poshtë mirëpo në liste të prioritizimeve ndoshta del diçka tjetër me lartë se këto”, u shpreh ai.

Besnik Bislmi këto i beri të ditur gjatë vizitës se parë që bëri në Doganën e Kosovës.

“Sot kemi vendos qysh nga mëngjesi me vizitua disa prej pjesëve të ministrisë qe janë shumë me rëndësi për performancën e suksesshme  të ministrisë. Tetë e gjysmë kemi qenë në Administratën Tatimore të Kosovës tash kemi vizitu doganat është dashur me i vizituar edhe më herët, por kemi një fluks të madh të punëve qe kanë nivel pak më të lartë te urgjencës”, tha ai.

Bislmi tha se do të ndihmojë Doganën e Kosovës që mos të ketë probleme derisa kryen misionin e vet.

“Ka qenë kënaqësi për mua edhe në Dogana edhe ATK me pa të arriturat e këtyre dy institucioneve qe janë burimi kryesor që na mundëson pastaj implementimin e prioriteteve të qeverisë. I diskutuam këto  të arritura po u morëm shumë specifikisht me disa prej sfidave të cilat janë ballafaquar këto dy institucione dhe u treguam qe ministria është shumë e interesime dhe e gatshme me ju ndihmuar qe ATK dhe Dogana mos me pas probleme të natyrës së tillë kur e kryejnë misionin e vet”, tha ai.

Bislimi i VV-së tregon se çka do të bëjnë me projektligjet që mbetën në gjysmë

Periskopi.com Lajme

Një numër i madh i projektligjeve mbetën në gjysmë në legjislaturën e kaluar, pasi që, Kuvendi u shpërnda dhe vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Me formimin e legjislaturës së re të gjitha këto projektligje pritet të kthehen në pikën zero, pasi që kështu e parasheh rregullorja e Kuvendit të Kosovës.

Kështu thonë edhe njohës të punës së Kuvendit, por ndryshe mendojnë nga partia që fitoi në zgjedhjet e 6 tetorit.

Nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi në një mënyrë e mohon atë që e thotë rregullorja, duke thënë që do të shikojnë se a kanë nevojë ligjet për rishikim të plotë, apo vetëm për plotësim përmes amendamentimeve.

“Ka qenë e palogjikshme në të kaluarën që për hapat në parlament janë pyetur subjektet politike ose Qeveria. Nën qeverisjen e Vetëvendosjes Parlamenti do të gëzojë pavarësinë e plotë. Do të jetë e palogjikshme dikush nga subjektet politike me iu tregu atyre se si me vepru me projektligje. Ata janë të gjithë ekspertë, të paktën të LVV-së dhe do të trajtojnë a ka nevojë ligjet për rishikim të plotë”, tha Bislimi.

Por ndryshe nga nënkryetari i Vetëvendosjes, mendon Arton Demhasaj nga organizata Çohu, i cili thotë se kthimi në pikën zero i ligjeve që kanë qenë në procedurë është i rregulluar me ligjet e Kosovës.

“Të gjitha projektligjet që kanë qenë në proces deri në momentin që kanë qenë në proces, në bazë të legjislacionin aktual që është në fuqi duhet të kthehen në pikën zero sepse kështu është e rregulluar me ligjet tona. Pra kthehen në pikën zero dhe duhet të fillohen nga fillimi, të trajtohen qoftë në nivel ministror, qeveritar dhe pas saj të kthehen në kuvend për shqyrtimin e parë dhe të dytë”, thotë Demhasaj.

Njëjtë shprehet edhe profesori universitar Mazllum Baraliu. Sipas tij, projektligjet kthehen në pikën zero, pasi që, secila Qeveri i ka politikat e saja duke i përfshirë e dhe ato për ligje.

“Të gjitha çështjet e filluara dhe të mbetura në proces, ose gjysmë në proces duhet të kthehen përsëri në zero. Për arsye se çdo politike e re qeverisëse, ka politikat e saj edhe në frymën e nxjerrjes së ligjeve, përgatitjes së saj. Çdo legjislaturë mund të ketë konfiguracion tjetër, siç mund të ketë edhe ky”, thotë ai.

Në nenin 86 të rregullores së Kuvendit sqarohet edhe për punët e pambaruara të Kuvendit.

Punët e pambaruara

“Në fund të mandatit të Kuvendit, të gjitha punët që i janë besuar atij konsiderohen të përfunduara. Kjo nuk gjen zbatim në rastin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi e të proceduara për shpallje, si dhe të peticioneve dhe të atyre punëve, që nuk kërkojnë të merret një vendim nga Kuvendi”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.

Në legjislaturën e kaluar njëra ndër projektligjet që u diskutua më shumë për shkak të pakënaqësive ishte ai për financimin e partive politike.

Bislimi për LDK-në: Në asnjë sondazh nuk jeni të parët

Periskopi.com Lajme

Pas konfirmimit se nuk do të ketë koalicion parazgjedhor mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, kanë filluar akuzat mes dy partive.

Fillimisht, ishte ish-deputetja Arbërie Nagavci ajo që ia përmendi LDK-së zgjedhjet e vitit 2017, bllokun VLAN dhe “tradhtinë” që partia e Isa Mustafës ia bëri VV-së aso kohe.

Ndër të tjera, edhe zyrtari tjetër i VV-së, Besnik Bislimi nëpërmjet një postimi në Facebook ka sulmuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai ndër të tjera ka shkruar se në asnjë sondazh në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e para, dhe se në të gjitha sondazhet, Lëvizja Vetëvendosje është fituese.

Ai shtoi se kjo do të qartësonte idenë e bashkëpunimit midis partive, duke lënë të nënkuptohet se Vetëvendosje nuk heq dorë nga posti i kryeministrit.

Ky është postimi i tij i plotë:

Në këto momente shumë të rëndësishme për të ardhmen politike të vendit, një kontribut i madh në largimin e mjegullës dhe megamanipulimit të qytetarëve dhe akterëve politik do të mund të vinte edhe nga institutet që kanë aktivitet primar organizimin e sondazheve serioze me respodentë. Do të ndhmonte shumë nëse do të na tregonin nëse gjendet qoftë edhe një sondazh I vetëm aktual në Kosovë që e nxjerr LDK-në të parën apo qofte edhe një sondazh i vetëm që nuk e nxjerr Lëvizjen VETËVENDOSJE! fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. Kjo ka mundësi pak a shumë edhe e lehtëson arritjen e marrërveshjes aq të mirëpritur mes VV dhe LDK, sepse ua heq palëve nga dora një pseudoargument që po keqpërdoret pa mëshirë, mes tjerash edhe nga mediat që pozicionimin e kanë brendim dhe obligim. Do të ndihmonte shumë edhe nëse na tregojnë se a ka qoftë edhe vetëm një sondazh serioz që e nxjerrë qoftë PDK, qoftë koalicionin AAK-PSD si lojtar serioz për më lartë se vendin e tretë.

Bislimi i VV’së: Në takim me LDK’në folëm për koalicion parazgjedhor, në krye të të cilit duhet të jetë Albin Kurti

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka folur rreth takimit të sotëm me krerët e LDK-së, pas nominimit të Vjosa Osmanit për kryeministre nga kjo parti.

Ndonëse nuk thotë të jenë marrë vesh përfundimisht, Bislimi ka thënë se me zyrtarët e lartë të LDK-së “u dakorduan që qeveria në ardhje si prioritet kryesor duhet të ketë çkapjen e shtetit nga Klani Pronto duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

“Para pak orësh, bashkë më kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe shefin e grupit parlamentar, Glauk Konjufca, ishim në një takim të kërkuar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e në të cilin ishin prezent edhe Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri. Temë kryesore e bisedimeve ishte diskutimi i mundësive për krijimin e një koalicioni parazgjedhor i cili përfundimisht do të kthente shpresën tek qytetarët për një ndryshim thelbësor të modelit qeverisës në vend. U dakorduam që qeveria në ardhje si prioritet kryesor duhet të ketë çkapjen e shtetit nga Klani Pronto duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. E gjithë kjo si parakusht për fokusim në politika që krijojnë vende pune dhe rrisin mirëqenien”, ka thënë Bislimi.

Ai ka thënë tutje se Lëvizja Vetëvendosje ka mbi 10 muaj që ka dërguar një propozim konkret tek Mustafa për modalitetet e ndërtimit të qeverisjes së ardhshme si dhe prioritetet kyçe.

“Mund mund të themi që nga ajo ditë nuk ka ndryshuar as edhe një germë nga kjo. Kjo vlen edhe për bindjen tonë që ky opsion do të krijonte sinergjinë e duhur duke e vendosur në krye të saj Albin Kurtin, me mundësi të dakordimit për një periudhë prej dy mandateve dhe rotacion. E shoh si shumë të rëndësishëm faktin që si nga Lëvizja Vetëvendosje ashtu edhe nga LDK u zotuam se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk do ketë takime me cilindo nga subjektet tjera pjesëmarrëse në zgjedhje”, ka thënë Bislimi.

“Si LVV ashtu edhe për LDK ka vetëm një partner strategjik për ndërtimin e qeverisë së ardhshme. Na mbeten edhe tri ditë për të arritur marrëveshjen aq të pritur nga shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit”, ka thënë më tej ai.