Eskalon debati: Këshilltari i Kurtit pretendon se Latifi po gënjen, paralajmëron padi

Periskopi.com Lajme

Ka reaguar edhe Driton Tali, këshilltari politik i kryeministrit Kurti, në lidhje me akuzat që i ka bërë profesori universitar Blerim Latifi në lidhje me “servilizmin e tij ndaj presidentit Thaçi”. 

Tali nuk ka mohuar se është takuar me Thaçin, por ka thënë se këtë e ka bërë vetëm në vitin 2010 për herë të fundit. Madje, ai nuk është marrë as me pretendimin e Latifit se Tali ka pritur me orë të tëra duke pritur për një takim pesë minutësh me kryeministrin e atëhershëm.

Tali ka thënë se kjo është gënjeshtër ndërkohë që ka kërcënuar Latifin duke i thënë “Shihemi në gjyq” duke paralajmëruar kështu padi ndaj tij, shkruan Periskopi.

Këshilltari i Kurtit më herët kishte qenë pjesë e Parlamentit të Kosovës në cilësinë e deputetit të AKR-së.

Statusi i plotë: 

Se sa rrenca të paftyrë janë këta “filozofat e Hashimit” qe ja një shembull tipik.

Shihne se si rren pa fije turpi!

E keqja është se ky rrenc edhe ligjëron në fakultet?!

Nuk dua të flas për Naim Rustemin, besoj se ai vet do t’i pergjigjet.

Por unë Driton Tali, herën e fundit kur kam pasur takim me Hashim Thaçin apo dike nga afër tij, ka qenë sa isha deputet me 2010.

Zakonisht bëhej te byfeja e Kuvendin ku ne deputet pinim kafe.

Kurrë, ama kurrë hiç më pastaj, qoftë me 2012 apo me 2013 ose 2014…, as nuk kam pasur takim me Hashim Thaçin e as tentim për t’u takuar!!!

Prandaj, shihemi në gjyq, ku ti “filozof” i sjell faktet.

Ja për korrektësi statusi tij.

…..
Driton Tali më paska përmendur në një shkrim të tij, në të cilin qenka marrë me Hashim Thaçin dhe familjen e tij. Që në fillim e dezinformon publikun duke më quajtur këshilltar i Hashimit, gjë që është krejtësisht e pavërtetë. Këshilltaria ime në zyrën e Thaçit ka mbaruar në vitin 2013. Nga ajo kohë më kujtohet një gjë, e cila, me siguri, i kujtohet edhe Driton Talit. E kam parë me sy se si qëndronte me orë duke pritur para zyrës së Hashimit, për t’u takuar pesë minuta me të. Bashkë me të qëndronte edhe Naim Rrustemi, i cili ia kishte aranzhuar takimin. Hashimi, me talentin e tij për t’i poshtëruar servilët, e detyronte të priste edhe më shumë. E kam parë me sy Driton Talin si i shkonte pas Hashimit derisa ky hynte në veturën e kryeministrit në oborrin e qeverisë. Derisa qeshnim me servilizmin e tij, duke e parë nga dritarja, Dukagjin Gorani tha: E ardhmja e ndritur është privilegj i servilëve të tillë! Sidoqoftë parashikimi i Dugit nuk u përmbush, sepse Driton Tali ishte servil shumë i patalentuar. I patakt në sjellje, politikisht i papjekur, konfuz në ato që mendonte se dinte, ai nuk arriti t’i bëj përshtypje askujt. Madje, ia patën ndërruar edhe mbiemrin: nuk i referoheshin më si Driton Tali, por si Driton Kali. Statusi i tij i fundit më jep të kuptoj se ai vazhdoka ta mbaj këtë epitet me plot meritë. Nuk kam dyshim se një ditë këtë do ta kuptoj edhe Albin Kurti, sepse sharlatanizmi i Driton Talit është konstantë psikologjike e karakterit të tij.

Latifi: Agim Bahtiri ka probleme gramatikore, morfologjike, sintaksore dhe semantike në të shprehur – s’e kontrollon gjuhën që flet

Periskopi.com Lajme

Filozofi Blerim Latifi thotë se duhet të frikësohemi nga ata që votojnë politikanë si Agim Bahtiri, e që sipas tij, janë të shumtë.

Ai shkruan në FB:

Agim Bahtiri, siç dihet prej kohësh, ka probleme kronike gramatikore, morfologjike, sintaksore dhe semantike në të shprehurit e tij. Ai nuk e kontrollon gjuhën që flet ; gjuha e kontrollon atë! Prandaj nuk duhet ta marrim seriozisht e të frikësohemi nga deklaratat e tij. Duhet të frikësohemi nga ata që votojnë politikanë si ai, e që janë të shumtë.

Blerim Latifi thotë se Kushtetuta nuk vlen kur rrezikohet “jeta e njerëzve”

Periskopi.com Lajme

Kandidati i PDK-së për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Blerim Latifi, ka dhënë mendimin e tij në profilin në Facebook në lidhje me zhvillimet e fundit politike që pasojnë vendimin e qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve – e i cili po konsiderohet si anti-kushtetues nga disa operatorë politikë.

Latifi në një mënyrë ka arsyetuar vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së lirë si masë parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit. Por, ai ka arsyetuar po ashtu edhe Gjendjen e Jashtëzakonshme të kërkuar nga presidenti Thaçi, shkruan Periskopi.

Këto arsyetime ai i bën sipas mendimit të tij se “jeta njerëzore” është mbi “kushtetutën”. Ai këtë gjë e bazon në një paraqitje të vagullt të filozofit britanik, Xhon Llok (John Locke), sipas së cilit e drejta e parë ishte ajo e jetës.

Ai ka përmendur edhe intervenimin e forcave të NATO-s në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999 dhe e cila pretendohej se kishte shkelur parimin e sovranitetit të Jugosllavisë.

Sidoqoftë, ai nuk ka përmendur shumë regjime autoritare në botë të cilat shkelin të drejtat dhe liritë civile të qytetarëve pikërisht duke u thirrur në rreziqe të mëdha. I tillë ishte sistemi komunist jugosllav në Kosovë, e po ashtu edhe sistemi komunist shqiptar. /Periskopi

Më poshtë keni statusin e plotë të tij në Facebook:

Vërtet kushtetuta duhet të jetë mbi çdo gjë- ky është themel i demokracisë. Por, ka një gjë që është mbi kushtetutën: jeta njerëzore! Prandaj kur rrezikohet kolektivisht jeta njerëzore shpallen gjendje të jashtëzakonshme, merren masa që anashkalojnë ligjet e kufizojnë liritë e qytetarëve. Baba i konstitucionalizmit liberal, Xhon Loku, e thotë qartë: Në fillim e drejta për jetë, pastaj liria dhe prona!

Mos të harrojmë se, si sot, 21 vjet më parë, në emër të mbrojtjes së jetës njerëzore, NATO doli mbi “kushtetutën” e OKB-së dhe bombardoi Serbinë.

Latifi: Ne as tragjeditë nuk na bashkojnë

Periskopi.com Lajme

Analisti politik Blerim Latifi ka komentuar kundërshtimin  e qeverisë Kurti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ai ka shpjeguar se kur duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, ku siç thekson ai “Kur shteti nuk mund ta mbroj interesin publik apo nacional përmes rendit ligjor, atëherë shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, ka shkruar Latifi.

Ai theksoi se jemi në një situatë të rrezikshme ku kemi edhe koronavirus por edhe konflikt institucional.

Ja statusi i plotë:

Kur shteti nuk mund ta mbroj interesin publik apo nacional përmes rendit ligjor, atëherë shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Kjo gjendje, në thelbin e saj, paraqet suspendimin e rendit ligjor. Ajo vjen si nevojë për vendime e veprime të shpejta, të cilat pamundësohen në kushtet kur duhen respektuar procedurat e ngadalshme ligjore të vendimmarrjes dhe zbatimit të saj.
A jemi në situatën kur coronavirusin nuk mund ta luftojmë më me masa të zakonshme ligjore?
Presidenti thotë po, qeveria thotë jo.
Situatë e rrezikshme: coronavirus dhe konflikt institucional!
Ne as tragjeditë nuk na bashkojnë!

Latifi: Lubonja e Blerim Reka e bënë, dikush nga Shkupi le t’i numërojë tash gabimet e Amerikës që budallaku të marrë formë gjithëkombëtare

Periskopi.com Lajme

Filozofi Blerim Latifi ka komentuar deklaratat e Fatos Lubonjës dhe ministrit të Integrimit Evropiam, Blerim Rekës rreth ‘gabimeve’ të Amerikës, transmeton Periskopi.

Latifi me ironi shkruan në Facebook se tash ka mbetur të dalë edhe ndonjë kokë tjetër nga Shkupi e të numërojë  të ashtuquajturat gabime të SHBA’së.

‘’Fatos Lubonja në Tiranë del e thotë se “Intervenimi i NATO-s në Kosovë s’u bë për t’i shpëtuar shqiptarët, por për qëllime imperialiste të Amerikës”. Blerim Reka në Prishtinë, nga kolltuku i ministrit, numëron gabimet e Amerikës në Ballkan. Ka mbetur që edhe në Shkup të shfaqet ndonjë “kokë e ndritur” për të na treguar edhe mëkatet tjera të Amerikës dhe kështu budallakut t’i japim një formë gjithëkombëtare.’’/PERISKOPI/

 

Reagon ashpër Latifi pas çnjohjes nga Sierra Leone: Çka i duhej Kosovës kjo?

Periskopi.com Lajme

Edhe profesori i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi, ka reaguar pas tërheqjes së njohjes nga Sierra Leone – dhe e cila u njoftua sot në mëngjes nga shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Z.Latifi beson që shteti i Kosovës ka bërë gabim të madh “strategjik” në orientimin e politikës së njohjeve drejt shteteve të vogla. Në fakt, nuk ka asnjë evidencë se shteti ynë ka bërë një strategji të tillë, ndërkohë që dihet se për shumë prej njohjeve kontribut madhor kanë pasur shtetet tona aleate, e në veçanti ShBA-të.

Ai më tej shton se rritja e numrit formal të njohjeve nuk përmirësoi statusin tynë në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve, përcjell Periskopi.

“Nuk është dashur shumë mend për të kuptuar naivitetin e këtij mendimi, sepse dihet fare qartë se edhe nëse do të na njihnin të gjitha shtetet e vogla në Afrikë, Azi, e Amerikë Latine, gjëndja jonë nuk do të ndryshonte për të mirë.” – thotë ish këshilltari i Kadri Veselit.

Në fakt, dihet gjerësisht se qëndrimi i shteteve të mëdha e të fuqishme që nuk njihnin Kosovën ishte më i palëkundshëm se sa ai i shteteve të vogla, ndërsa nuk dihet nëse z.Latifi po sugjeron që Kosova thjesht të dorëzohej në luftën diplomatike me Serbinë.

Ai e quan përpjekjen kosovare për njohje si “vetëmashtrim” duke mos propozuar asnjë alternativë se si do të duhej të bëhej strategjia diplomatike.

Më poshtë e keni statusin e plotë të tij në Facebook:

Shteti ynë ka bërë një gabim të madh strategjik duke e orientuar politikën e njohjeve drejt shteteve të vogla. Kemi menduar se duke e rritur numrin formal të njohjeve, vetvetiu do të përmirësohet edhe statusi ynë në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve. Nuk është dashur shumë mend për të kuptuar naivitetin e këtij mendimi, sepse dihet fare qartë se edhe nëse do të na njihnin të gjitha shtetet e vogla në Afrikë, Azi, e Amerikë Latine, gjëndja jonë nuk do të ndryshonte për të mirë. Barrierat tona qëndrojnë diku tjetër : tek fuqitë e mëdha, si Rusia, Kina, India, Brazili dhe pesë shtetet e Bashkimit Europian të cilat vazhdojnë të këmbëngulin në mosnjohjen e Kosovës. Prandaj, është dashur qëmoti të hiqnim dorë nga vetmashtrimi me njohjet e vogla, të cilat, për më tepër, na janë kthyer bumerang nga interferimi diplomatik i Serbisë. Çnjohja nga Sierra Leone është më e fundit në këtë histori të gabimeve trashanike të diplomacisë kosovare.

Filozofi kosovar sulmon kritikët e ShBA-ve në Kosovë: Nuk mund ta konsumojmë gjithë atë budallallëk

Periskopi.com Lajme

Filozofi i njohur kosovar, Blerim Latifi, ka bërë një shkrim në profilin e tij në Facebook pas sulmeve të ndryshme të bëra nga eksponentë të Vetëvendosjes ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – pas kërkesës për heqjen së plotë të tarifës 100 për qind.

Latifi shërbehet për shkrimin në fjalë me publicistikën e të çuditshmit Gjergj Fishta, i cili para rreth 100 vitesh shkruante “Pa ditë asnji gja nga politika, çdo kopuk do me dalë Bismark; pa kuptue asnji gja nga arti i luftës, flasin si me qenë Velington a Napoleon”, ishin disa prej fjalëve të tij.

“Kjo pjesë nga publicistika e Fishtës mu kujtua dje, derisa në rrjetet sociale kishin vërshuar komentet mbi politikën amerikane dhe mbi atë se kush çfarë është e çfarë përfaqëson brenda saj, si dhe mbi ndikimin e Rusisë në proceset e vendimmarrjes në Shtëpinë e Bardhë dhe Kongres.” – shkruan ndërkohë z.Latifi.

Së fundi, kryetari i Vetëvendosjes në pikën e Mitrovicës, Faruk Mujka, kishte bërë një status në të cilin fyente rëndë presidentin amerikan Donald Trump dhe politikën e këtij vendi në përgjithësi. Madje, Mujka përmendte edhe miliarderin George Soros – një personazh i keq në konspiracionet e shumë ekstremistëve të djathtë evropianë, shkruan Periskopi.

Ish kandidati i PDK-së për deputet përfundon se “Ballkani prodhon më shumë budallallëk se sa që mund të konsumojë!” pasi citon edhe ish kryeministrin britanik Winston Churchill.

Më poshtë e keni statusin e plotë të tij:

Në vitin 1913 Fishta i përshkruante kafehanet e Shkodrës, si vende ku mblidheshin llojlloj njerëzish, pjesa dërmuese e tyre analfabetë, dhe diskutonin për problemet e mëdha politike botërore. “Pa ditë asnji gja nga politika, çdo kopuk do më dalë Bismark ; pa kuptue asnji gja nga arti i luftës, flasin si me qenë Velington a Napoleon”, shkruante Fishta. Kjo pjesë nga publicistika e Fishtës mu kujtua dje, derisa në rrjetet sociale kishin vërshuar komentet mbi politikën amerikane dhe mbi atë se kush çfarë është e çfarë përfaqëson brenda saj, si dhe mbi ndikimin e Rusisë në proceset e vendimmarrjes në Shtëpinë e Bardhë dhe Kongres. Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë, ka thënë njëherë kryministri britanik Churchill. Mbase është koha ta themi në një formë tjetër këtë mendim : Ballkani prodhon më shumë budallak sesa mund të konsumojë!

​Blerim Latifi me rrëfim prekës për të vrarin mizorisht Qerim Kelmendin: Së fundi u bëmë shokë në Facebook, kishim mospajtime

Periskopi.com Lajme

Filozofi i njohur kosovar, Blerim Latifi, ka bërë një postim në Facebook pas lajmit se Qerim Kelmendi ishte vrarë mizorisht në Pejë.

Kelmendi – siç raportoi Policia e Kosovës – kishte qenë viktimë e të shtënave, e më pas trupi i tij ishte djegur në makinën me të cilën po qarkullonte.

Blerim Latifi së fundi e ka përkujtuar ish luftëtarin e UÇK-së, duke treguar për pjesëmarrjen e tij në aksionet e luftës.

“Dhe, një ditë, ishin shfaqur disa djem të cilët e kishin mposhtur këtë frikë tipike të skllavërisë. Ata kishin rrëmbyer armët për t’i sulmuar këto stacione, qendra të terrorit shtetëror serb. Në mesin e atyre djemëve ishte edhe Qerim Kelmendi. Kështu nisi të shembej miti për paprekshmërinë e policit serb.” – shkruan z.Latifi, përcjell Periskopi.

Ai shtoi se së fundi ishte bërë shok në Facebook, e me të cilin nuk pajtohej për tema të ndryshme politike, por që nuk i hidhërohej për shkak të sinqeritetit me të cilin kritikohej prej të ndjerit.

Statusin e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Nuk e kam pasur rastin ta takoj asnjëherë Qerim Kelmendin, por, nga të tjerët, kam dëgjuar shumë rrëfime për të. Luftëtar i hershëm i UÇK-së, pjesëmarrës në aksionet e para të saj në Rrafshin e Dukagjinit, në mesin e të cilave spikatë aksioni i armatosur kundër stacionit famëkeq të policisë në Kliçinë, gjatë të cilit ishte vrarë Adrian Krasniqi. Ishte një kohë kur stacionet e policisë serbe ishin shndërruar në vende të tmerrit për shqiptarët e Kosovës. Njerëzit kishin frikë të kalonin afër tyre, dhe nëse u duhej gjithsesi të kalonin, atëherë këtë duhej ta bënin duke ulur kokën dhe pa guxuar të hedhin shikimin mbi to. Dhe, një ditë, ishin shfaqur disa djem të cilët e kishin mposhtur këtë frikë tipike të skllavërisë. Ata kishin rrëmbyer armët për t’i sulmuar këto stacione, qendra të terrorit shtetëror serb. Në mesin e atyre djemëve ishte edhe Qerim Kelmendi. Kështu nisi të shembej miti për paprekshmërinë e policit serb. Një muaj e pak ditë pas sulmit në Kliçinë, një përballje tjetër e UÇK–së do të ndodhte me policinë serbe: beteja në Rezallë të re të Skenderajt, e udhëhequr nga Adem Jashari. Kur lajmi u përhap, djemtë e UÇK-së nga Rrafshi i Dukagjinit u ngritën për t’u shkuar në ndihmë bashkëluftëtarëve të tyre në Drenicë. Në mesin e tyre ishte edhe Qerim Kelmendi. Atë e gjeje kudo ku e kërkonte lufta çlirimtare. Një burrë trim që të kujton luftëtarët e moçëm të Kelmendit, për të cilët, siç na tregojnë kronikat e vjetra, nuk ekzistonte fjala frikë. Më kanë thanë se pas luftës kishte bërë jetë modeste, i patunduar që namin e tij në luftë ta shndërronte në kapital politik e ekonomik. Së fundi ishim bërë miq në facebook. Ma thoshte hapur sa herë që nuk pajtohej me pikëpamjet e mia dhe sinqeriteti më të cilin më kritikonte, nuk më linte hapësirë të kisha ndjenja hidhërimi. Vrasja e tij mizore përbën një lajm tronditës, jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë njerëzit e këtij vendi që duket se ende nuk është çliruar krejtësisht nga kthetrat e forcave të errta të së shkuarës.

Latifi: Nexhmije dhe Enver Hoxha, duke e mbrojtur Shqipërinë nga NATO ua bënë jetën ferr shqiptarëve

Periskopi.com Lajme

Analisti politik Blerim Latifi ka komentuar situatën e sotme të krijuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti lidhur me çështjen e NATO’s.

Latifi thotë se pikërisht sot në ditën kur doli ky problemi i shpifur siç e quan ai i sovranitetit të shtetit që na u paska marrë nga NATO në vitin 2013, paska vdekë Nexhmije Hoxha, gruaja e Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë.

Latifi thotë se Nexhmije Hoxha bashkë me Enver Hoxhën në emër të mbrojtjes së sovranitetit të Shqipërisë nga NATO, për gati gjysmë shekulli ia patën bërë ferr jetën një populli të tërë.

Ja statusi i plotë:

Pikërisht sot, kur na doli ky problemi i shpifur i sovranitetit të shtetit që na u paska marrë nga NATO në vitin 2013, paska vdekë Nexhmije Hoxha, gruaja e Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë. Ajo, bashkë me burrin e saj, në emër të mbrojtjes së sovranitetit të Shqipërisë nga NATO, për gati gjysmë shekulli ia patën bërë ferr jetën një populli të tërë.

Latifi zbulon një tjetër ‘sekret’ të NATO-s kundër Kosovës

Periskopi.com Fun

Filozofi Blerim Latifi ka bërë një tjetër status në profilin e tij në Facebook e në të cilin e ka tallur veprimin e fundit të kryeministrit Kurti për të kërkuar analizë për një letërkëmbim të ish kryeministrit Thaçi me ish Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Kujtojmë që zyra ligjore e kryeministrit Kurti e interpretoi si kundër-kushtetues dhe si marrëveshje letërkëmbimin privat në fjalë. Në fakt, vetë zyrtari i NATO-s që e kishte nxjerrë dokumentin kishte deklaruar se ky letërkëmbim ishte privat dhe nuk përbënte marrëveshje, me arsyen e thjeshtë, se asgjë nuk ishte nënshkruar.

Latifi është tallur me kryeministrin që e kishte cilësuar letërkëmbimin si “marrëveshje sekrete”.

“Qe edhe një “sekret” tjetër” e ka filluar statusin e tij z.Latifi.

Ai thotë se në rast të një sulmi nga Serbia, Kosova e vetme ka kapacitete për t’i rezistuar sulmit tri deri në pesë orë maksimumi! Në fakt, ndoshta Kosova ka kapacitete edhe më të mëdha për t’i bërë ballë një sulmi eventual nga Serbia.

“Me bo hajgare me shtetin në rrugë hahet diqysh, veç me bo hajgare me shtetin duke qenë në krye të tij, kjo vërtet është budallaki me shkallë të lartë rreziku.” – ka deklaruar z.Latifi më tej me një qëndrim më serioz. /Periskopi

Dy parimet: Ish këshilltari i Kadri Veselit tash këshillon Albin Kurtin

Periskopi.com Lajme

Ish këshilltari i ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Blerim Latifi, ka bërë një postim të shkurtër për ditën e Pavarësisë së Kosovës. 

Latifi, që ishte edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, duket se porosinë e tij e ka për kreun e ri të qeverisë së Kosovës, z.Albin Kurti.

“Në politikën e jashtme me dëgju Amerikën! Në politikën e brendshme mos me vjedhë shtetin! Pa këto dy parime nuk do mundemi ta bëjmë asnjë hap përpara.
GËZUAR DITA E PAVARËSISË!” – shkruan ai, përcjell Periskopi.

Nuk dihet se çka ka frymëzuar z.Latifi që të japë një këshillë të tillë. Mund të aludohet se kjo vjen pas Konferencës së Sigurisë që u mbajt në Mynih, e ku Albin Kurti nuk u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, z.Mike Pompeo, dhe as me ambasadorin amerikan në Berlin, z.Richard Grenell.

Në fakt, mos-vjedhja e shtetit nuk do të mjaftonte si një parim për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Kurti do të duhej të hartonte tashmë programin e ri qeverisës për t’u përkujdesur më shumë për kategoritë e margjinalizuara, me në veçanti sektorin privat dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme, ashtu siç edhe ka premtuar.

Blerim Latifi ‘del cullak në qytet dhe bërtet “eureka” pasi gjen thënien e shekullit nga Fatmir Limaj

Periskopi.com Lajme

Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, pretendon se ka gjetur “thënien e shekullit” në seancën e sotme në të cilën u votua qeveria e re e Kosovës dhe kryetarja e re e Kuvendit.

Gjatë seancës, duket që z.Fatmir Limaj i është drejtuar Albin Kurtit duke i thënë që “me libra nuk bohet shteti” për të kritikuar si duket mosnjohjen e plotë të realitetit politik në vend, shkruan Periskopi.

“Eureka” kishte bërtitur Arkimedi i lashtë grek një herë e dikur, dhe “eureka” (shq.e gjeta) ka thënë Blerim Latifi pas shpalljes së kësaj thënieje si “thënia e shekullit.

Ai madje në mënyrë cinike propozon që të mbyllen shkollat dhe universitetet – pasi që kjo është formula e shtetndërtimit.

Kujtojmë që Blerim Latifi gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit kandidoi nga radhët e PDK-së për të fituar një mandat si deputet në Legjislaturën e VI por pa ia arritur qëllimit. /Periskopi/

Latifi numëron koincidencat historike me 2 shkurtin: A përfunduan me sot hasmëritë politike në Kosovë?

Periskopi.com Lajme

Kandidati i PDK-së për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit dhe profesori i filozofisë në UP, Blerim Latifi, ka bërë një status të shkurtër pas arritjes së marrëveshjes për koalicion qeveritar mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. 

Ai ka përmendur se pikërisht më 2 shkurt të vitit 2007, Marti Ahtisaari kishte paraqitur Planin e tij për statusin final të Kosovës e i cili do të çonte në Pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Por, Vetëvendosje vetëm tetë ditë më vonë në atë kohë do të organizonte një protestë masive nga e cila do të mbesnin të vdekur dy qytetarë pas përdorimit të dhunës së tepruar me plumba gome nga policia rumune e Unmik-ut. Vetëvendosje tash ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me Ahtisaarin dhe Pavarësinë e Kosovës. Deputeti i zgjedhur nga kjo parti, Jahja Kokaj, vetëm disa ditë më parë e quajti z.Ahtisaari një person gjenial, shkruan Periskopi.

Latifi ka përmendur edhe 2 shkurtin e vitit 1990 kur kishte nisur Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë – një sfidim ndaj praktikave primitive të gjakmarrjes që rridhnin nga Kanuni.

Nisur nga kjo, ai pyet se a do të jetë kjo ditë fundi i hasmërive në skenën tonë politike.

Më poshtë e keni statusin e plotë: 

Koincidencat historike

Me 2 Shkurt 2007 Ahtisari paraqiti planin e tij për statusin final të Kosovës. Me 2 Shkurt 2020 u arrit marrëveshja VV – LDK, e cila e bën kryeministër njeriun që emrin e organizatës së tij politike dhe gjithë karrierën e tij politike e ka të mbështetur mbi kundërshtimin e Ahtisarit.
Me 2 Shkurt 1990 nisi pajtimi i gjaqeve në Kosovë. A do të jetë 2 Shkurti 2020 fillimi i fundit të hasmërive politike në Kosovë, kjo mbetet të shihet!

Latifi thotë se Rugova ishte si profeti i hebrenjve

Periskopi.com Lajme

Në 14- vjetorin e vdekjes së ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, ka disa fjalë edhe profesori njëherësh ish- kandidati për deputet nga PDK-ja Blerim Latifi.

Përmes një postimi në Facebook, Latifi e ka krahasuar Rugovën me Moisiun, profetin e hebrenjve, duke thënë se të dy e kishin fatin e njëjtë që nuk arritën të hynin në ‘tokën e premtuar’.

“Rugova e kishte një fat disi si të Moisiut, profetit të hebrenjve! E pa nga larg tokën e premtuar ( Shtetin e Kosovës), por nuk arriti të hynte në të”, ka shkruar Latifi në Facebook./Periskopi/

Ish-këshilltari i Kadri Veselit Blerim Latifi ironizon me takimin Kurti-Mustafa

Periskopi.com Lajme

Profesori i filozofisë Blerim Latifi ka komentuar takimin e sotshëm midis kryetarit te LDK-së Isa Mustafa dhe kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurtit.

Duke ironizuar këtë takim të dy liderëve, Latifi thotë se subjekt për temën e takimit midis Kurtit e Mustafës do të jenë zhvillimet në Lindjen e Mesme. Ky reagim vjen pas sulmeve me raketa balistike që e zhvilloi mbrëmë Irani ndaj ShBA-ve, përcjell Periskopi.

Më poshtë e keni të plotë reagimin e z. Latifi

“Sipas burimeve të mirëinformuara në takimin e sotëm të Kurtit dhe Mustafës temë qendrore e negociatave do të jenë pikëpamjet e ndryshme që kanë VV dhe LDK mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Dallimet janë substanciale: LDK, si parti rugoviste, insiston në formulat pacifiste të tejkalimit të krizës, ndërsa VV, si parti me bindje të majta, insiston se thelbi i problemit qëndron tek politika imperialiste e superfuqive që kanë për qëllim eksploatimin e popujve të vegjël të rajonit”, ka thënë Latifi.

Ish filozofi i PDK-së që e quajti Surroin ”racist të pavetëdijshëm”, flirton me “racën superiore”

Periskopi.com Lajme

Albin Kurti dje para se të shkonte në takim me Presidentin Hashim Thaçi, publikoi një video ku veç tjerash, prezantoi emrat për ministra në qeverinë e tij. Mes tyre, ishte edhe emri i Blerim Rekës, si ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë.

Ky emër befasoi jo pak njerëz, për shkak se për këtë pozitë, ishte përfolur shumë emri i gazetarit dhe publicistit Veton Surroi. Madje edhe vetë Surroi, një përkrahës i madh i ‘Koalicionit të Shpresës’ (VV-LDK) në një debat në TV Dukagjini, pati deklaruar veç tjerash se ‘do të ishte i gatshëm të merrte përgjegjësi në Qeverinë Kurti’ nëse do t’i kërkohej kjo.

Me t’u publikuar emrat për ministra nga Kurti, nisën edhe reagimet lidhur me pozitën e Ministrit të jashtëm. Në rrjete sociale madje filluan edhe shakatë se si Surroi ‘nuk po arrin ta marrë postin që pretendon gjithmonë’.

Mirëpo në mes reagimesh, kishte edhe aso që nuk ishin hajgare. Njëri nga to vjen nga Blerim Latifi, filozofi dhe profesori universitar, ish-këshilltar i Hashim Thaçit në kohën sa ishte kryeministër dhe ish-këshilltar i Kadri Veselit si kryeparlamentar si dhe kandidat nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Latifi lavdëron Surroin, për ‘zhanrin e analizës politike’ duke thënë se punën si ministër i jashtëm – sipas bindjes së tij (Latifit) – Surroi do ta bënte shumë më mirë sesa Blerim Reka.

Ky është statusi i Latifit:

“Lidhur me Veton Surroin – Në zhanrin e analizës politike shkëlqen. Në eseistikë nuk kam parë ndonjë gjë të veçantë prej tij. Librat e tij letrar nuk kam arritur t’i lexoj deri në fund. Punën e ministrit të jashtëm kam bindjen se do ta bënte shumë herë më mirë se Blerim Reka”.

Në mesazhin e tij të shkurtër në Facebook, Latifi ka edhe një fjali se si librat e Surroit nuk i ka lexuar deri në fund. Problemi qëndron pikërisht këtu: te librat e Surroit.

Në librat e tij, ai shpreh haptaz racisëm ndaj vendit ku Latifi ka lindur, Drenicës. Ndërkaq, në njërin nga librat e tij më të njohur ‘Këmbët e gjarprit’, Surroi, mohon ekzistencën e UÇK-së.

Kujtojmë se pak kohë më parë Latifi e kishte quajtur Surroin “racist të pavetëdijshëm” në një polemikë të ashpër e të pakuptimtë që kishin zhvilluar.

Ka të ngjarë që Latifi po provon të distancohet nga e kaluara e tij si këshilltar i Veselit dhe i Thaçit dhe si ish kandidat i PDK-së për deputet. Së fundi, ai ka filluar të bëj sulme e kritika të përgjithshme ndaj skenës tonë politike.

Blerim Latifi- Agim Bahtirit: Edhe lopët në tregun e gjave e dijnë se bashkimi i Mitrovicës nuk varet nga ti

Periskopi.com Lajme

Filozofi Blerim Latifi i ka reaguar kreut të Mitrovicës, Agim Bahtirit  se bashkimi i Mitrovicës do të bëhet në vitin 2020.

Përmes një shkimi në Facebook, Latifi ka shkruar se krejt bota e dinë, përfshirë edhe lopët në tregun e gjave në Mitrovicë se bashkimi i komunës nuk varet nga Agim Bahtiri.

“Agimi Bahtiri paska premtu bashkimin e Mitrovicës në vitin 2020, edhe pse e gjithë bota, përfshirë edhe lopët në tregun e gjave në Mitrovicë, e dinë se kjo nuk varet prej tij. Bashkëvendasi i tij Nexh Spahiu e paska shpallë tradhtar Hashim Thaçin, se po e mbanë flamurin kuq e zi në zyrë. Një zyrtar i Nisma-s paska shtënë me automatik në mes të Gjermanisë, në minutat e parë të vitit të ri. Shenja këto që na paralajmërojnë se edhe gjatë vitit 2020, me gjasë, do të jemi të dënuar të jetojmë duke konsumuar budallaki të shumëanshme”, ka shkruar ai.

 

Latifi i PDK-së kundërshton Politikanin si Personalitet të Vitit: Nuk e meritojnë

Periskopi.com Lajme

Filozofit të PDK-së duket se nuk i ka pëlqyer lajmi i djeshëm nga Periskopi që shpalli “Personalitet të Vitit 2019”, profesorin e nderuar dhe kryetarin e LDK-së, z.Isa Mustafa.

Duke përmendur një mori arsyesh, Periskopi vendosi që të shpallte liderin e LDK-së si Personin e Vitit 2019, ani që kjo u kundërshtua nga një numër i madh lexuesish, shumica mbështetës të partive tjera.

Në fakt, zgjedhja e z.Mustafa nuk kishte të bënte me partinë të cilit ai i takonte, por me daljen nga një gjendje e pashpresë në të cilën ishte vendosur, si krejt i margjinalizuar dhe i shpërfillur. Në rrethanat aktuale, në mbarim të vitit, ai e gjen veten në rolin e politikanit më të fuqishëm në Kosovë.

Z.Kurti e ka përcaktuar Mustafën dhe LDK-në e tij si partinë e vetme me të cilën do të bashkëpunonte, dhe kjo e bën atë “mbret-bërës” [ang. Kingmaker] në politikën tonë, përcjell Periskopi.

Megjithatë, profesori i filozofisë që dështoi të bëhej deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, deklaron se “Askush nga politika [nuk e meriton epitetin e personalitetit të vitit].

“Për një arsye shumë të qartë: politikisht viti 2019 ishte një vit i humbur! Pjesën e parë të tij e çuam kot duke mos lënë gjë pa i thënë njëri tjetrit për korrigjimin e kufijve dhe taksën. Zbuluam tradhtarë e patriotë me bollëk, por nuk arritëm t’u japim një arsye të vetme qytetarëve për ta ruajtur besimin tek e nesërmja.” – ka shkruar z.Latifi.

Në fakt, ndoshta Latifi ka qenë i zënë duke shikuar vetëm rezultatet zgjedhore të deputetëve pasi që në zgjedhjet e 6 tetorit pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e lartë se asnjëherë më parë – gjë që reflekton megjithatë shpresën qytetare për ndryshime.

Periskopi po ashtu ka shpallur edhe “Humbësin e Vitit” dje, z.Ramush Haradinaj. Një epitet të tillë i dha gjatë ditës së sotme edhe Grupi Koha.

Më poshtë e keni statusin e plotë z.Latifi:

Kush e meriton të marrë epitetin personaliteti i vitit? Sigurisht askush nga politika! Për një arsye shumë të qartë: politikisht viti 2019 ishte një vit i humbur! Pjesën e parë të tij e çuam kot duke mos lënë gjë pa i thënë njëri tjetrit për korigjimin e kufijve dhe taksën. Zbuluam tradhtarë e patriotë me bollëk, por nuk arritëm t’u japim një arsye të vetme qytetarëve për ta ruajtur besimin tek e nesermja.

Në fillim të pjesës së dytë të vitit mbetem pa qeveri, shkuam në zgjedhje dhe tani kur po hyjmë në vitin e ri ende nuk kemi qeveri të re. Ata që fituan zgjedhjet në emër të ndryshimit dhe qeverisjes ndryshe, tani po na tregojnë se janë thjesht vëllezër binjakë me qeveritarët e djeshëm. Prandaj askush prej tyre se meriton të quhet personalitet i vitit. Kraja e pat shkruar një libër për vitet ’90 të shekullit të kaluar, me titull “Vitet e humbura”. Mbase duhet shkruar një libër i ri, me të njëjtin titull, për vitet e fundit!

Latifi: Është falsifikim i historisë kjo që thotë Buxhovi se emri LDK u frymëzua nga emri Lidhja e Prizrenit

Periskopi.com Lajme

Profesori i filozofisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Blerim Latifi ka thënë se është falsifikim i historisë kjo që thotë Jusuf Buxhovi se emri LDK u frymëzua nga emri Lidhja e Prizrenit.

Ai ka thënë se kur e lexon programin themelues të LDK-së të vitit 1989, e sheh se ai program nuk ka asnjë lidhje me programin e Lidhjes së Prizrenit.

Latifi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se emri Lidhja Demokratike Kosovës (LDK) u krijua si transformim i emrit Lidhja Komuniste e Kosovës (LKK).

Postimi i plotë i tij:

Kur e lexon programin themelues të LDK-së të vitit 1989, e sheh se ai program nuk ka asnjë lidhje me programin e Lidhjes së Prizrenit. Prandaj është falsifikim i historisë kjo që thotë Buxhovi se emri LDK u frymëzua nga emri Lidhja e Prizrenit. Emri Lidhja Demokratike Kosovës (LDK) u krijua si transformim i emrit Lidhja Komuniste e Kosovës (LKK). Vetë fakti se ai program flet për një Jugosllavi të transformuar nga komuniste, në demokratike, e dëshmon këtë.

Blerim Latifi denoncon fantazmën e përçudshme

Periskopi.com Lajme

Profesori i filozofisë politike, Blerim Latifi, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit të Shqipërisë, z.Edi Rama, për takimin dhe shtrëngimin e duarve me z.Aleksandër Vuçiq gjatë samitit për të ashtuquajturin “Shengen Ballkanik”.

Sipas z.Latifi, problemi në konfliktin e krijuar mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi e para refuzoi ftesën e të dytës për të marrë pjesë në samit, ishte për shkak të “fantazmës së kombit kosovar”.

“Fantazma e kombit kosovar kërkon konfliktin midis Kosovës dhe Shqipërisë, ndarjen emocionale në Ne dhe Ata. Prandaj ideologët e kësaj fantazme nuk e lëshojnë asnjë rast që bartë elemente të kësaj ndarje.” – shkruan Latifi në Facebook-un e tij.

Nuk dihet se kush janë personalitetet të cilat z.Latifi i quan “ideologë të kombit kosovar”, përcjell Periskopi.

Ai beson që kosovarët që e duan “kombin kosovar” problemin nuk e kanë me Edi Ramën, por me Shqipërinë.

Ky reagim i çuditshëm vjen vetëm disa javë pas ndihmës së madhe që ofruan shumë kosovarë në drejtim të të prekurve nga tërmetet në Shqipëri.

Më poshtë e keni të plotë reagimin e z.Blerim Latifi:

Fantazma e kombit kosovar nuk mund të ushqehet nga konflikti i Kosovës me Serbinë, sepse ky është konflikti i nacionalizmit shqiptar me nacionalizmin serb. Fantazma e kombit kosovar kërkon konfliktin midis Kosovës dhe Shqipërisë, ndarjen emocionale në Ne dhe Ata. Prandaj ideologët e kësaj fantazme nuk e lëshojnë asnjë rast që bartë elemente të kësaj ndarje. Pasi të mbarojnë punë me Ramën, do t’i lëshohen gjithë Shqipërisë për të “zbuluar thelbin e saj antikosovar”. Ne e kemi specialitet kombëtar përçarjen dhe hasmërinë e brendshme! Ndryshe nuk shpjegohet fakti se edhe pse i kemi dy shtete, jemi më të dobët se gjithë të tjerët që i kemi rreth nesh.