Mbi 60 punëtorë shëndetësorë nga sektori publik të prekur nga COVID-19, 135 të tjerë të izoluar

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për RTV Dukagjinin se numri i punëtorëve shëndetësor të sistemit publik ka shkuar mbi 60.

“Me rastet e ditës së sotme numri i punëtorëve shëndetësorë të izoluar ka shkuar mbi 135”, tha Syla, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës thotë se duhet urgjentisht të behën trajnime për punëtorët shëndetësorë në mënyrë që të mbrohet jeta e tyre dhe e qytetarëve.

“Fokusimi ka qenë vetëm në Klinikën Infektive dhe në Institutin e Shëndetit Publik, ndërsa nëpër institucionet tjera mbështetja ka munguar”.

Syla thotë se ka sugjeruar që në vendet ku bëhen operacione të merren më shumë mostra dhe të procesohen më shpejt.

“Shumica e rasteve të fundit janë duke u paraqitur në Emergjencë e Gjinekologji. Pra kemi situata të papritura. Duhet të kryhen testimet dhe të shohim gjendjen ku jemi. Nuk duhet të mashtrohemi me situatën aktuale”.

Ai thotë se nuk ka pasur koordinim të mirë mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve tjera shëndetësore.

“Janë bërë gabime qysh në fillim kur nuk janë mbrojtur mjekët qysh nga dogana deri tek aeroporti. Pastaj nuk janë mbrojtur punëtorët shëndetësorë në mjekësinë primare”, deklaroi ndër të tjera Blerim Syla.

Syla: Qeveria goboi rëndë me vendimin politik për shkarkimin e bordit të SHSKUK

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Federatës së Sindikatave në Shëndetësi, Blerim Syla, ka kritikuar adhpër vendimin politik të ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia dhe të Qeverisë Kurti për shkarkimin e Bordit të ShSKUK-së në mes të pandemisë me të cilën po luftojnë mjekët kosovarë.

Ai ka thënë në një intervistë për RTK se Qeveria në këtë kohë, në vend që ti ndihmojë mjekët në luftën me coronavirus, po merret me vendime të pambështetura.

Ai tha se arsyetimet e Qeverisë për shkarkimet e bordit të SHSKUK nuk janë të vërteta dhe janë paradoksale.

Më poshtë mund të ndiqni deklaratën e plotë të Blerim Sylës:

“Ikni asfaltit, investoni në shëndetësi”, FSSHK-ja thotë se mungojnë edhe 5 mijë mjekë e infermierë në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Premtimet e partive politike për rregullimin e gjendjes në shëndetësi, po shihen me skepticizëm nga përfaqësues të punonjësve shëndetësorë. Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla në një intervistë për EO thotë se për t’u realizuar premtimet e politikanëve për shërbime efikase karshi qytetarëve të vendit, sistemit shëndetësor i duhen edhe 5 mijë mjekë e infermierë.

Ai thotë se një dëshirë e tillë do të mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar, teksa alarmon se mjekët dhe infermierët kosovarë po largohen në heshtje nga Kosovë drejt Gjermanisë, e vendeve të tjera të Evropës.

“Për me i dhënë një shërbim çfarë po thonë  politikanët tonë popullit na duhen edhe 5 mijë punëtorë, që ëndërr ka me qenë, sepse ju po e shihni që as nuk po duan me punësuar. Nevojat e Gjermanisë  e shteteve të Evropës janë në rritje  e sipër sepse atje kemi trend të plakjes dhe nuk kemi profesionistë shëndetësorë të mirëfilltë dhe këtu nuk kemi çfarë të fshehim. Nëse Gjermania brenda vitit kërkon afër 120 mijë punëtorë shëndetësorë duke përfshirë mjekë, infermierë sidomos për përkujdesje për pleq, ata kanë gjetur një teren shumë të përshtatshëm që quhet Kosovë dhe Shqipëri. Shqipëria veç është duke u zbrazur, ky fenomen veç ka filluar edhe në Kosovë. Vetëm përreth janë 2, 3 agjencione të cilat i rekrutojnë këta njerëz të ri të cilët ne i shkollojmë dhe shkojnë atje dhe i shërbejnë atyre, paguajmë tatime për ta”, thotë ai.

Kreu i FSShK-së, thotë se në bazë të një studimi të realizuar vitin e kaluar del se 75 për qind e studentëve të mjekësisë, janë shprehur se pas përfundimit të studimeve do të largohen nga Kosova.

Kjo sipas tij është shqetësuese, pasi që po investohet shumë në shkollimin e rinisë dhe më pas shteti po dështon t’u krijojë kushte për punësim.

“Vitin e kaluar e kemi bërë një studim dhe i kemi pyetur edhe studentët 75 % e studentëve kanë thënë ‘PO’, ne po e kryejmë fakultetin  e mjekësisë që të dalim jashtë, asnjëri edhe pse ne i shkollojmë këtu nuk mendon të qëndrojë, dhe këto janë për shkak të politikave të gabuara e që edhe një deklaratë e tillë ka me i nxit tash jo vetëm mjekët e rinj sepse nuk e shohin perspektivën. Duhet të mendohet mirë kur flitet për shëndetësi si do ta ndalim këtë rrugë, sepse normalisht që Evropa i pret me krah hapur, nëse i ke shkollua ke shpenzua si shtet si familje.  Po rrezikojmë shumë si Bullgaria, si Rumania si Serbia tash, si Shqipëria. Mirëpo këtu ende është duke shkuar në heshtje sepse nuk kemi marrëdhënie të mirëfillta  ndërshtetërore dhe kompanitë kanë filluar me ardhur duke i rekrutuar infermierët”, thotë ai.

Syla ka disa kërkesa për qeverinë e re që pritet të formohet nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Thotë se ato që i premtuan në fushatë zgjedhore duhet t’i realizojnë.

Ndërsa i këshillon që të lënë asfaltin anash dhe të investojnë në shëndetësi.

“Kërkesat janë të qarta duhet të mbahen premtimet të cilat janë dhënë para elektoratit. Kjo do të thotë rritja e buxhetit, federata insiston dhe kërkon që  buxheti të rrihet, LDK ka kërkuar 200 milionë, mirëpo le të i ikin asfaltit dhe të investojnë në shëndetësi. E dyta të rritet mirëqenia e punëtorëve shëndetësorë, këtu nuk kemi as siguri as shëndet në atë vend të punës. E treta sistematizimi i vendeve të punës dhe depolitizimi, kemi vende ku nuk kemi mjek ne duhet të i sistemojmë ata mjek, sa ma shpejt të rregullohet furnizimi dhe të ndryshohet sistemi i prokurimit në shëndetësi, kemi një udhëzim administrativ për nivelizim dhe atë duhet me shfrytëzua”.

“Kjo qeveri duhet me u marr edhe me specializime, që 3 vite nuk ka pasur specializime të jepen ato specializime ku kemi nevojë   sepse kemi mangësi enorme, dhe e fundit që mjekët stomatologët të punësohen. Sa i përket infermierëve duhet të bisedohet me Ministrinë e Arsimit. Kemi një problem këtu  kemi shumë kolegje private të cilat  po prodhojnë shumë infermierë dhe tregu nuk po i përballon. Qeveria e ardhshme ka shumë detyra të cilat do të ia paraqes në mënyrë shumë të thuktë, nëse dëshirojnë do të bashkëpunojmë si me të gjithë  nëse jo normalisht sindikata është për sy kritik”, thotë ai.

Edhe pse të gjitha qeveritë e mëparshme premtuan sigurime shëndetësore, Syla më në fund thotë se i mbetet kësaj qeverie që të finalizojë këtë proces të nisur vite më parë.

“Pres shumë nga qeveria në ardhje që ta marr atë draft ta rishqyrtojë t’i mbledh komisionit dhe sa ma shpejt ta procedoj në parlamentin e ri të  të Republikës së Kosovës. Mekanizmat që i kam kritiku vazhdimisht, kemi arrit me i zbut është sistemi informativ që diçka është bërë, është lista e barnave është çmimorja dhe lista  shërbimeve, këto komponentë e ruajnë paranë nëse përshpejtohet me këto punë dhe implementohet pilot projekti atëherë unë shpresoj që brenda 1 vit e gjysmë do të fillohet me implementimin e tyre. Krahas kësaj duhet të investohet në aparaturë në sistemin publik që të jemi konkurrent në treg”, përfundon ai.

Syla: Albin Kurti po tregohet hipokrit në raport me mjekët, ideja e tij është kundërkushtetuese

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti ditë më para deklaroi se gjatë qeverisjes së tij mjekët duhet të zgjedhin sektorin në të cilin duan të punojnë, pasi që do t’u pamundësohet punësimi i njëkohshëm në dy sektorët.

Por kjo deklaratë e tij ka zgjuar pakënaqësi te shumica e punëtorëve shëndetësorë.

Kryetari i Federatës Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, tha se deklarata të tilla, të pamenduara mirë, ndikojnë negativisht në komunitetin e mjekëve.

Ai thotë se përkitazi me këtë problem Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të tyre qysh në vitin 2013, teksa idenë e Kurtit për riaktualizimin e kësaj teme po e konsideron diskriminuese, por edhe kundërkushtetuese.

“Kjo deklaratë e Kurtit me të vërtetë ka ngritur një shqetësim, sepse nuk janë pjekur kushtet të dilet me një deklaratë të tillë. Nuk është analizuar si duhet situata në komunitetin mjekësor dhe ajo çka është më e rëndësishmja nuk është analizuar Kushtetuesja. Siç e dini në vitin 2013 unë kam qenë vet pjesëmarrës në seancë si palë e interesit dhe është fituar kjo lëndë sepse është konsideruar se po dëmtohet vetëm një komunitet. Prandaj e kam thënë edhe në Gjykatë se nëse ju doni ta shkelni Kushtetutën shkeleni por e di që komuniteti mjekësor është vet populli”, thotë ai.

Kreu i FSShK-së, thotë se një vendim i tillë do të ishte i pranueshëm, nëse do të vlente për të gjithë sektorët, por jo të vlejë vetëm për mjekët.

“Prandaj nuk mund të ndash vetëm një komunitet në këtë rast mjekët dhe të tjerët të vazhdojnë. Logjika e këtij veprimi kishte me qenë e mirë sikur këtu të përfshihen edhe profesorët, juristët, ekonomistët, kontabilistët. Pra marr në përgjithësi është diskriminues. Ndoshta ka qenë edhe premtim i Kurtit edhe në fushatë por nëse hyn në analizë më të thuktë do ta sheh se është një gabim dhe është shumë herët të bisedohet për këtë çështje”, thotë ai.

Syla thotë se sistemi shëndetësor po ballafaqohet me shumë probleme dhe se nuk është momenti i duhur të flitet për penalizmin e mjekëve.

Madje iniciativat e tilla të ndërmarra nga kandidati për kryeministër, po i konsideron edhe si hipokrite.

“Së pari të thuhet sot që duhet të ndahet sistemi publik prej privatit, kur ne po ballafaqohemi nëpër disa spitale me kriza të punëtorëve shëndetësorë të mjekëve, është hipokrizi e lloji të vet. Sepse të njëjtën kohë kanë premtuar se do t’i ofrojnë shërbime pacientit. E dyta duke e pasur parasysh gjendjen financiare në të cilën sot gjenden mjekët, sepse ata kanë qenë të detyruar të mbulojnë shpenzimet e familjes. Mjeku me vite me radhë, por edhe sot jeton me 600 euro. Edhe pse tash janë rrit me ligjin për pagat, nëse do që të futet ky sistem, atëherë mjekët duhet të deklarohen”, thotë ai.

Syla thotë se përkitazi me këtë çështje kanë mbajtur edhe mbledhjen e kryesisë, ku njëzëri është kundërshtuar ideja e plasuar nga Kurti.

Shprehet i bindur se nëse kjo ide realizohet në praktikë, shumica dërmuese e mjekëve specialistë do ta braktisin sistemin publik dhe do të krijohet një kaos i vërtetë.

“Edhe në kryesi e kemi diskutuar, por edhe me mjekët që kam biseduar këto dy ditë, besomini që shumica që kanë përvojë 15 vjeçare janë deklaruar se do ta lëshojnë sistemin publik. Fakti i tretë është ekonomik. Partitë politike kanë deklaruar se do ta rrisin numrin e punëtorëve. Me këtë vendim do ta zvogëlojnë numrin e punëtorëve. Konsiderohen se janë diku 2000 ordinanca, pa i fut spitalet private, ku të njëjtit mjekë punojnë pasdite dhe imagjinoni këto dy mijë paguajnë tatim dhe secili i ka minimumi 3 punëtorë. Automatikisht prej sistemit të tatimeve dhe pagave dalin rreth 6 mijë punëtorë dhe prodhohet një krizë”, thotë ai.

Para se të merret një vendim i tillë, Syla këshillon kryeministrin dhe qeverinë e ardhshme që të ndërmerr disa hapa për ngritjen e shërbimeve shëndetësore dhe kushteve të punës.

Kërkon paga të nivelit të deputetëve, si njëri ndër parakushtet për të ndarë sistemin publik nga ai privat.

“Vlera e një mjeku duhet me tejkalua së paku parlamentarët. Kjo është pika e parë. Pika e dytë, duhet të sigurohen kushtet të cilat u duhen për të punuar në sistemin publik. Nuk janë të vetëdijshëm politikanët, se kur të hyjë në fuqi sigurimet shëndetësore ne në sistemin publik duhet të kemi kushte të barabarta në treg. Dhe elementi i tretë që është shumë i rëndësishëm. Si t’i sistemojmë mjekët që t’i ofrohen pacientit. Pra që nesër sigurimi shëndetësor të lidhë kontratë me publik dhe jo privat. Këto janë parakushtet dhe kjo është zgjidhja. Nëse këto bëhen të jeni të bindur se shumica e mjekëve do të vendosë të qëndrojë në publik”, përfundon ai, raporton ekonomia online

Në vitin 2013 Gjykata Kushtetuese miratoi pretendimet se tri pika të nenit 41 të Ligjit për shëndetësi, që u kërkonin mjekëve të përcaktohen nëse duan të punojnë në sistemin privat ose publik shëndetësor, janë në mospërputhje me nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Neni 41 ka të bëjë me “Parandalimin e konfliktit të Interesit”, e pikat e hedhura poshtë  nga Gjykata janë 1, 5 dhe 6.

Ky nen ishte më i debatueshmi dhe kundërshtohej kryesisht nga mjekët, sindikata e tyre  dhe një grup deputetësh, prej nga  u iniciua edhe procedura për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Parashtrues të kërkesës ishin 12 deputetë të Kuvendit të Kosovës të prirë nga Shaip Muja (PDK) të cilët me 20 dhjetor 2012 iu drejtuan kësaj Gjykate.

Me vendimin e vet, Gjykata Kushtetuese pjesërisht në disa pika i pat dhënë të drejtë edhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), duke kundërshtuar pretendimet e grupit të deputetëve./ekonomiaonline/

 

Infermierët e Psikiatrisë – Sylës: Mos tu dhimbsemi ty, edhe pleqtë në Gjermani kanë nevojë për përkujdesje shëndetësore

Periskopi.com Lajme

Nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë për punësimin e infermierëve kosovarë në Gjermani ka përplasur Shoqatën e Infermierëve të Psikiatrisë së Kosovës me kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në një prononcim për “Kohën Ditore”, lidhur me ikjen e infermierëve në Gjermani, Syla pati thënë se “infermierët që do të shkojnë në vendet e jashtme për punë do të përfundojnë duke u përkujdesur për pleq”. E për këtë deklaratë të tij, Shoqata e Infermierëve Psikiatrikë të Kosovës, të martën përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se Syla nuk e ka më të drejtën të flasë në emër të infermierëve.

“Tanimë e ke humbur të drejtën të flasësh për infermierët, jo pse infermierët ta ndaluan, por ti kurrë nuk fole për ta dhe për interesat e tyre, ishe tepër i zënë t’u dilje krahë anëtarëve infermierë të sindikatës që udhëheq. Tani ke filluar të brengosesh për infermierët jo se do t’i ruash interesat e tyre, por kryekëput interesin tënd. Nuk të dhimbsemi edhe nëse përkujdesemi për pleq, sepse ashtu edhe kjo kategori ka nevojë për përkujdesje shëndetësore”, thuhet në shkrimin e tyre.

Sipas kësaj shoqate, “kryesindikalisti” po flet “përçart”, sepse ai kurrë nuk i përfaqësoi këta profesionistë të shëndetësisë, ngase për të dhe udhëheqësin e Sindikatës së tij infermierët ishin vetëm për të plotësuar numrin e anëtarësisë, por jo edhe profesionistë të shëndetësisë.

‘Kosovës i nevojiten edhe pesë mijë punëtorë shëndetësorë për të pasur shëndetësi të mirëfilltë’

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla në emisionin ‘Përballje ditore’,  ka thënë së Kosovës i nevojiten edhe 5000 punëtore shëndetësorë.

Syla theksoi se numri i mjekëve për kokë banori në Kosovë, është shumë i vogël.

Siç tha ai të gjithë punën në sektorin e shëndetësisë e kryejnë 14.700 punëtorë shëndetësorë, i cili numër sipas tij, nuk është i mjaftueshëm.

“I kemi mangët 5000 punëtor shëndetësorë. Numri për kokë të banorëve për mjek në Kosovë është shumë i vogël. Këto janë fakte. E punën e të gjithëve e kryejnë 4070 punëtorë shëndetësorë”, ka thënë Syla.

Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin që t’i lëshoj punëtorët shëndetësorë të punojnë jashtë vendit.

“Duke u nisur nga ky numër i mangësisë se punëtoreve, Kosova nuk e ka luksin që t’i lëshoj ata dhe  punojnë jashtë vendit”, u shpreh Syla.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, potencoi se urgjentisht ky problem duhet të kthehet në një problem nacional.

“Ne urgjentisht duket ta kthejmë këtë në problem nacional. Këta dalin e  thonë që ka shëndetësi pa pare, por kjo nuk është e vërtetë. Financimi duhet të jetë i qëndrueshëm. Le t’i heqin disa kilometër asfalt e të kontribuojmë në shëndetësi”, tha ai

Çdo i treti punëtor shëndetësorë, sipas Sylës është në stres shëndetësor.

“Si mund të prihet punë e mirë në shëndetësi kur nuk e kemi mirë gjendjen e mirë të punëtorëve, psiko-fizike”, u shpreh ndër të tjera, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.