Edhe bordin e AUV’it Qeveria e Kurtit e mbush me familjarë të zyrtarëve të VV’së

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pavarësisht thirrjeve për çkapje të bordeve ka vazhduar avazin e para disa javëve ku emëroi disa anëtarë nga partia e tij në borde të ndërmarrjeve publike.

Në mbledhjen e radhës të qeverisë në detyrë, Kurti ka emëruar në Bordin Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë persona të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Periskopi merr vesh se Dafina Gexha që është nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), e emëruar në këtë bord është gruaja e udhëheqësit të sekretariatit të IT’së në Vetëvendosje, Fatban Bunjakut.

Gjithashtu Kurti shokut të tij të studimeve, Fatban Bunjakut, në këtë bord ia ka emëruar edhe dhëndrin Selatin Kaçanikun anëtar të bordit të AVU’it nga Shoqata për mbrojtjen e Konsumatorëve (SHMK)

Ajo që vlen të theksohet është se të gjithë të emëruarit në këtë bord do të kenë mandat tre vjeçarë, pavarësisht thirrjeve të Kurti që të gjithë të emëruarit në borde do të jenë me mandat të përkohëshëm.

Kujtojmë që Kurti dhe partia e tij VV kishin deklaruar vazhdimisht se do të bëhet çkapja e bordeve të ndërmarrjeve publike, por që në praktikë nuk u realizua nga ta./Periskopi/

 

Skenari i Kurtit: Ja cilat borde pritet të shkarkohen pas atij të Telekomit

Periskopi.com Lajme

Fati i njëjta i Bordit të Telekomit të Kosovës i pret edhe një numër të madh të ndërmarrjeve tjera. Kryeministri, Albin Kurti, sikurse edhe zëvendës kryeministri nga LDK, Avdulla Hoti kanë paralajmëruar qe ditët në vazhdim do të marrin vendim edhe për shkarkimet të tjera të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike.

Shkarkimi i Bordit të Telekomit të Kosovës në mbledhjen e fundit të Qeverisë u arsyetua duke ju referuar raporteve të performance së ndërmarrjeve publike në dy vitet e fundit.

Këto raporte që po i shqyrton qeveria Kurti e të cilat i ka siguruar Gazeta Infokus.

Nëse do të vazhdojnë shkarkimet, siç është paralajmëruar duke ju referuar këtyre dokumenteve me të njëjtat arsyetime, fati i Telekomit i pret edhe 5 Ndërmarrje tjera Publike.

Përveç këtyre 5 NP-ve të cilat janë zhytur në humbje financiare, gjendje të mirë menaxhim dhe performance sipas raporteve të vitit 2017 dhe 2018 nuk kanë edhe një pjese e ndërmarrjeve të tjera.

Nga 18 ndërmarrje Publike, vetëm KEK ka performancë pozitive financiare dhe të njëjtën kohë nuk ka vërejtje për keq menaxhim dhe mbipunësime, dukuri kjo qe është e shfaqur të 17 ndërmarrjet tjera.

Prej tyre gjashtë Ndërmarrjet Publike, në dy vitet për të cilat po ‘hetohen’ nga Qeveria Kurti, së bashku kanë shënuar një humbje rekord prej rreth 42 milion euro.

Këto humbje të madhe të Ndërmarrjeve Publike i ka zbutur vetëm KEK-u me fitimin rekord prej rreth 36 milion euro.

Kjo shihet në tabelën e fundit të raporteve të cilat i ka siguruar Gazeta Infokus, ku i është bërë bilanci i fitimit dhe humbjeve të të gjitha ndërmarrjeve qe janë në pronësi të shtetit.

Paradoksale është edhe dallimi i kësaj ndërmarrje me të tjera tek numri i të punësuarve. Përderisa të tjerat kanë rritur në mënyre abuzive numrin e të punësuarve KEK përkundër profitit të lartë ka zvogëluar numrin e të punësuarve.

Bordet që do të kenë fatin e Telekomit

Nëse qeveria Kurti do të vazhdoj me të njëjtën “fshisë” të pastrojë Bordet që keqmenaxhuan ndërmarrjet publike, dhe operuan me humbje në vitet e fundit, janë edhe 5 të tjera qe kanë gjendjen e njëjte me telekomin vetëm dallojnë të shifrat milionëshe në humbje.

Me të njëjtat arsye në radhë do të jetë bordi i Postës së Kosovës. Kjo ndërmarrje ka shënuar një humbje prej 2 milion e 334 mijë euro gjatë vitit 2018, apo 4 milionë e 277 mijë euro së bashku me vitin 2017.

Përveç Postës së Kosovës, në radhë do të jetë edhe NP “Iber Lepenci” që sipas raportit të siguruar nga Gazeta Infokus ka shënuar një humbje neto financiare në dy vitet e fundit të audituara (2017 dhe 2018) në vlerë prej 7 milion e 122 mijë euro. Vetëm në vitin 2018 kjo kompani sipas auditorit ka një humbje neto prej rreth 3 milion euro.

Shkarkimeve nuk do t’i shpëtoj as NP “Infrakos” e cila figuron me rreth 1 milion euro humbje në vitin 2018.

Kurse NP “Trainkos” po ashtu ka operuar me humbje qe kapin shifrën rreth gjysmë milioni euro vetëm në vitin 2018.

Pas saj me humbje është e radhitur edhe KUR Prishtina. Kjo ndërmarrje ka shkaktuar humbje pre 751 mijë euro vetëm në vitin 2018. Përkundër humbjeve financiare kjo ndërmarrje sikur edhe të tjerat kanë abuzuar me numrin e të punësuarve duke e rritur dukshëm gjatë dy viteve të fundit, siç shihet në grafikonat e raportit të cilin e ka siguruar Gazeta Infokus.

Bordet që nuk mund të shkarkohet me të njëjtin vendim

Qeveria Kurti nëse do të pretendon të shkarkoj edhe Bordet e Ndërmarrjeve tjera Publike, i duhet të shpikë një formulë tjetër të arsyetimit për shkak se në raportet të cilat i ka tashme në duar dhe po i shqyrton nuk mund të gjejë arsye të ngjashme.

Korporata Energjetike e Kosovës në dy vitet e fundit ka performuar pozitivisht me një profit prej rreth 36 milion euro.

Përderisa ndërmarrjet tjera që janë në llupen e shkarkimeve edhe për faktin se kanë stërmbushur ndërmarrjet me të punësuar, KEK ka zbritur numrin e të punësuarve.

Të njëjtin vendim për shkarkim nuk mund ta aplikoj as për KRU Hidromorava. Kjo ndërmarrje nuk ka fitimin sikurse KEK por të paktën ka performuar me një pozitivitet prej rreth 260 mijë euro neto profit, sikurse edhe KRU Gjakova që sipas raporteve të auditorit ka një profit në vitin 2018 prej rreth 140 mijë euro.

Në tabelat e raportit të siguruar nga gazeta Infokus ka edhe ndërmarrje të tjera që kanë performuar pozitivisht por që në raportet e auditorit kanë vërejtje të shumta të menagjimit.

Disa nga ndërmarrjet kanë futur në tabelat e tyre si të hyra edhe subvencionet e Qeverisë për t’i përmirësuar statistikat e tyre finaciare. Fatkeqësisht, përpos KEK që nuk kanë abuzuar me punësimet, të gjitha ndërmarrjet tjera që kanë performuar edhe me pozitivitet financiar, kanë të përbashkët abuzimin me numrin e të punësuarve e që në raportet e vitit 2019 humbjet financiare do të jenë evidente si pasoj e shpenzimeve për staf.
Isa Mustafa me bordet

Kryeministri takon drejtuesit e bordeve në Kosovë, që janë tejet të politizuar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e bordeve dhe shefat ekzekutiv të ndërmarrjeve publike në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, kryeministri Mustafa foli për problemet që po hasen në disa prej kompanive publike rreth afarizmit të tyre, për performancën dhe për aspektet tjera që lidhen me menaxhimin e ndërmarrjeve.

Kryeministri Mustafa shprehu brengosjen se një pjesë e kompanive publike po punojnë me humbje, si dhe për disa aspekte të menaxhimit financiar të ndërmarrjeve, duke theksuar mundësinë e ridefinimit të politikave të tyre.

“Duhet të vlerësojmë performancën e bordeve dhe të menaxhmentit të kompanive publike sepse nuk mund të lejojmë që të kemi kompani publike të cilat janë barrë e vazhdueshme e Buxhetit. Unë nuk mund të hyj tash dhe të shpalos problemet tek ambientet e të bërit biznes të kompanive publike ose efiçiencën e menaxhimit të kompanive publike, shpenzimet karakteristike të tyre. Por, është shumë e diskutueshme që ne të kemi kompani publike, të cilat punojnë me humbje, ndërkaq të kemi paga në kompani publike që janë dy apo tri herë më të mëdha sesa pagat e shërbyesve civil ose të Qeverisë ose të Parlamentit dhe pastaj të kërkohet prej Qeverisë që të mbulohen shpenzimet ose humbjet e këtyre kompanive publike, që flet se ne në pikëpamje të menaxhimit nuk jemi në një rrafsh të drejtë”, tha ndër të tjera kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa ka ftuar përfaqësuesit e bordeve dhe menaxhmenteve që të shpalosin gjendjen dhe të tregojnë alternativat që ata sugjerojnë për kapërcimin e problemeve, duke kërkuar përpjekje maksimale që të gjenden mënyra dhe të përmirësohet afarizmi dhe qeverisja korporative e kompanive.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi nevojën që ndërmarrjet publike, në mënyrë të vazhdueshme të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve që u ofrojnë qytetarëve.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, duke folur për pasqyrën e përgjithshme të ndërmarrjeve publike, theksoi problemet e disa prej ndërmarrjeve publike në aspektin financiar, qasjen në menaxhimin dhe qeverisjen e tyre si dhe sfidat që janë rezultat i faktorëve të jashtëm, e të tjera.

“Duhet të ulemi të shohim se cilat janë mundësitë që të bëhen disa përmirësime. Çështja e pagave dhe çështja e ristrukturimit do të mbetet objekt i Ligjit të ri për ndërmarrjet publike, konceptin e të cilit ne jemi duke e përgatitur dhe vitin e ardhshëm do të futet në tryezën legjislative. Te kompanitë e ujësjellësit kemi disa projekte, kemi marrëdhënie shumë të mira me donatorët sidomos me ata gjerman dhe zviceran. Andaj, mendoj që edhe ujësjellësi edhe mbeturinat nuk duhet ta humbin këtë mbështetje të donatorëve që e kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi. I kuptoj ato ndërmarrje publike që kanë probleme që i kanë trashëguar, mirëpo mendoj se tash është koha që bashkërisht të gjejmë zgjidhje për këto probleme”, tha ndër të tjera ministri Stavileci.

Kryeministri Isa Mustafa, gjatë takimit, ka dëgjuar përfaqësuesit e të gjitha bordeve dhe menaxhmenteve të ndërmarrjeve publike, të cilët kanë shpalosur gjendjen, sfidat dhe idetë e tyre lidhur me avancimin e performancës së tyre në të gjitha aspektet.