U dënua me 2 vjet e gjysmë burg, Ferid Agani reagon me një letër të gjatë për procesin ndaj tij

Periskopi.com Lajme

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pas shpalljes fajtor dhe dënimit me 2 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, i është drejtuar qytetarëve me një letër të gjatë.

Ndër të tjera ka thënë se është shumë e rëndë shkalla e mospërfilljes së dispozitave ligjore në fuqi të cilën sot me Vendimin e saj e ka bërë Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Shkelja e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë e bërë sot me këtë Vendim ishte e rëndë dhe eklatante”, ka thënë Agani.

Ka shprehur në disa pika ato që i ka quajtur anomali gjatë procesit gjyqësor ndaj tij, të cilat i ka quajtur “fakte të cilat sqarojnë padrejtësinë e bërë ndaj tij me vendimin e sotëm gjyqësor”.

Lexojeni të plotë letrën e Aganit:

Të nderuar qytetar të Republikës së Kosovës,

Ju drejtohem në këto momente të vështira për mua, familjen time, anëtarët dhe simpatizantët e Partisë së Drejtësisë si dhe miqtë e shumtë në vend dhe jashtë tij me ndjenjën e detyrimit që të ndajë me Ju të vërtetën përkitazi me këtë proces gjyqësor që tash po shihet qartë se ka pasur që nga fillimi prapavijë të rëndë politike. Momente të vështira, jo për shkak të llojit dhe përmasave të dënimit të shqiptuar sot ndaj meje në Gjykatën Themelore të Prishtinës sepse nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën, por për shkak të zhgënjimit të rëndë që përjetova sot në këtë Gjykatë e cila pa fije turpi me Vendimin e saj mohoi në tërësi të gjitha deklaratat e dëshmitarëve, ekspertëve dhe të gjitha provat materiale të paraqitura gjatë këtij procesi tre vjeçar gjyqësor.

Konsideroj se jam ballafaquar në mënyrë dinjitoze me akuzat plotësisht të pabazuara të Prokurorisë që nga dita e parë e ngritjes së tyre zyrtare duke dhënë dorëheqje nga posti i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të mundësuar proces të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor, si dhe duke u përmbajt nga çfarëdo intervenimi dhe interpretimi politik si kryetar i Partisë së Drejtësisë gjatë gjithë këtij procesi të stërzgjatur juridik. Besoj se me këtë kam vendos standard politik i cili po shihet qartë është vështirë i arritshëm për shumicën e zyrtarëve të lartë politik të shtetit. Mirëpo, sot u dëshmua se për ngritjen cilësore të sistemit juridik të vendit nuk mjaftojnë në këtë fazë të tranzicionit vetëm shembujt personalë.

Është shumë e rëndë shkalla e mospërfilljes së dispozitave ligjore në fuqi të cilën sot me Vendimin e saj e ka bërë Gjykata Themelore e Prishtinës. Shkelja e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë e bërë sot me këtë Vendim ishte e rëndë dhe eklatante. Shkurtimisht dëshiroj të theksoj se jam shpallur fajtor për:

  • Mos ndalim të nënshkrimit të marrëveshjes me spitalet private përderisa me dispozitë konkrete ligjore ka qenë obligim nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla.
  • Mos shpallje të tenderit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore përderisa Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Rregulla financiare e nxjerrë nga Ministria e Financave përcakton se për mjetet nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve nuk zbatohet prokurimi publik dhe nuk shpallet tender. Pra për çështje e cila është rregulluar me Ligj si e tillë, unë shpallem fajtor për zbatim të ligjit.
  • Jam shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare për periudhën deri në dhjetor të vitit 2015 në të cilën nuk kam qenë fare Ministër i Shëndetësisë. Si mund të kuptohet kjo të nderuar qytetarë, si mund të jem fajtor kur në periudhën pas dhjetorit të vitit 2014 nuk kam qenë Ministër i Shëndetësisë?
  • Jam dënuar për mos ndalim të marrëveshjes e cila ka qenë në fuqi edhe para se të emërohem Ministër i Shëndetësisë dhe për procedurë e cila vazhdon të zbatohet edhe sot e kësaj dite përkundër se janë ndërruar disa Ministra të Shëndetësisë. Procedura vazhdon në mënyrë identike, ndërsa në krejt këtë proces unë shpallem fajtor. Si mund të ketë arsyeshmëri ligjore e gjithë kjo?
  • Jam dënuar për shkaktim të dëmit buxhetit të shtetit në vlerë prej 4.5 milionë euro, ndërsa vetë Avokatura Shtetërore si përfaqësuese e Republikës së Kosovës për asnjë moment nuk ka prezantuar në proces gjyqësor dhe nuk ka dhënë asnjë argument për dëmin gjoja të shkaktuar. Pra si ka dënim për dëmtim të buxhetit të shtetit ndërsa nuk ka dëm të shkaktuar.
  • Jam dënuar gjoja për dëmin e shkaktuar në vlerë prej 4.5 milion euro, ndërsa për dëmin e njëjtë në vlerë të njëjtë janë duke vazhduar edhe 2 procese të ndara gjyqësore të njohura si STENTA 2 dhe STENTA 3. Pra si ka mundësi që për dëmin prej 4.5 milionë euro i cili fillimisht pretendohej se është shkaktuar nga të gjithë të akuzuarit, jemi dënuar unë dhe z. Gani Shabani ndërsa dy proceset tjera ende nuk kanë përfunduar dhe në ato procese Prokuroria pretendon se në secilin proces ka dëm nga 4.5 milion euro. Pra dëmi gjatë procedurës është trefishuar nga Prokuroria dhe Gjykata respektivisht.

Këto janë vetëm disa nga anomalitë e shumta të gjithë këtij procesi gjyqësor dhe fakte të cilat sqarojnë padrejtësinë e bërë ndaj meje me vendimin e sotëm gjyqësor.

Si të shpjegohet fakti se jam dënuar në bazë të një Aktakuze e cila është ngritë në mënyrë të kundërligjshme nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kur e njëjta nuk kishte kompetencë për një gjë të tillë. Lënda i ishte marrë në mënyrë arbitrare Prokurorisë Speciale për të kaluar në zyrën e Kryeprokurorit, ndërsa pas ngritjes së aktakuzës lënda është përfaqësuar nga Prokuroria Speciale e cila më sipas vendimit të parë nuk ishte kompetente.

Unë do të ndërmarr të gjitha masat e duhura ligjore në të gjitha instancat juridike të vendit që vendimi i tillë assesi të mos kaloj në Gjykatën e Apelit. Kam shpresën se së paku Gjykata e Apelit do të trajtoj në mënyrë profesionale të gjitha argumentet e prezantuara gjatë këtij procesi gjyqësor nga ana ime dhe se këto gabime të palejueshme do të sanksionohen dhe eliminohen nga ana e saj.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dëshiroj tu siguroj se vendimi i sotëm jo që nuk do të më luhat në përkushtimin tim politik dhe shtetëror për ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit prosperues të Kosovës i cili nuk do të zbrazet çdo ditë nga të rinjtë dhe qytetarët e tjerë ashtu siç po ndodhë këto ditë, por përkundrazi do të më forcojë edhe më shumë në betejën historike të cilën të gjithë së bashku duhet domosdo ta fitojmë kundër paditurisë, diletantizmit profesional, padrejtësisë, intrigave dhe shantazhimeve në politikë dhe në shtet, që janë bërë përditshmëri e vrazhdë dhe e rëndë, sot e konkretizuar edhe një herë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

 

Karaxhiqi lutet që t’ia heqin burgimin e përjetshëm

Periskopi.com Lajme

Radovan Karaxhiq iu ka drejtuar sërish Gjykatës së Apelit të Kombeve të Bashkuara, ku po e kundërshdon vendimin për burgim të përjetshëm.

Kjo gjykatë mori vendim më 20 mars për Karaxhiqin, figurë kyçe në luftërat e Ballkanit, duke ia shqiptuar dënimin e përjetshëm.

Ish-kreu serb boshnjak edhe më parë kishte apeluar kundër dënimit të tij prej 40 vjet burgim, të cilin e mori në vitin 2016 për krime lufte dhe gjenocid.

Karaxhiq, 73 vjeç, u dënua për masakrën e Srebrenicës në korrik të 1995’ës ku u vranë më shumë se tetë mijë burra dhe djem muslimanë nga forcat serbe boshnjake.

Ai u gjet gjithashtu fajtor për udhëheqjen e një fushate spastrimi etnik që zhvendosi kroatët dhe muslimanët nga zonat e Bosnjës të pretenduara nga serbët.

 

RrGK: Dënimi me burg të përjetshëm, mesazh i fortë kundër dhunës ndaj grave

Periskopi.com Lajme

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mirëpret vendimin e Gjykatës së Apelit për të dënuar me burgim të përjetshëm Pjetër Nrecajn, për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Me datë 19 nëntor 2018, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte dënuar Nrecajn me vetëm 24 vite burgim.

“Para vrasjes së bashkëshortes dhe vajzës së tij, Nrecaj kishte ushtruar vazhdimisht dhunë ndaj ish bashkëshortes së tij, siç raportohet në polici. Më parë, në një seancë të veçantë gjyqësore, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte dënuar me një vjet burgim për dhunë kundër saj. Pesë orë para vrasjes, viktima kishte raportuar në polici në Gjakovë se kishte marrë kërcënime nga Nrecaj”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore me vetëm 24 vjet burgim, aktivistët e të drejtave të grave dhe disa qytetarë shprehën shqetësim përmes mediave lidhur me dënimin e lehtë, të cilin ata nuk e konsideronin të duhur marrë parasysh këto rrethana rënduese.

Këto reagime mundësuan një seri protestash rreth Kosovës, gjatë së cilave qindra burra, gra dhe të rinj e të reja u ngritën në zemërim lidhur me rastin, duke kërkuar drejtësi. RrGK ishte një prej organizatorëve dhe përkrahësve të këtyre demonstratave, gjithashtu RrGK ka bashkëpunuar ngushtë me mediat për të kërkuar drejtësi në këtë rast.

Sipas një njoftimi për shtyp të qarkulluar nga mediat sot, Gjykata e Apelit ndryshoi Aktgjykimin, duke ri-kualifikuar krimin si “Vrasje e Rëndë” dhe duke vërejtur se Gjykata Themelore nuk ka marrë parasysh rrethanat rënduese.

RrGK beson se ky vendim dërgon një mesazh të fortë dhe të rëndësishëm për personat që do të konsideronin ushtrimin e dhunës ndaj grave. Një dhunë e tillë nuk do të tolerohet nga shoqëria kosovare dhe ata do të marrin drejtësi për krimet e tyre.

“Është një shenjë se kriminelët më në fund po marrin drejtësinë që ata meritojnë”, tha Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e RrGK-së.

“Dënimi është në përputhje me atë që RrGK e ka theksuar gjatë, duke përfshirë edhe disa raporte: të rëndohen dënimet për autorët e dhunës ndaj grave. RrGK rikujton që çdo formë dhune e kryer ndaj grave përbën një vepër penale, në përputhje me Kodin Penal të Kosovës. RrGK qëndron përkrahë të gjitha grave që kanë pësuar një krim të tillë të tmerrshëm”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, RrGK dënon fuqishëm aktet e tilla të dhunshme si shkelje të të drejtave të grave dhe bën thirrje për dënime të vazhdueshme të rënda për kryerësit e këtyre akteve

Sulmoi xhaminë në Kanada, dënohet me 40 vjet burgim

Periskopi.com Lajme

Një burrë kanadez, i cili kishte vrarë besimtarët në një xhami të Kuebekut të Kanadasë, është dënuar me 40 vjet burgim nga një gjykatë kanadeze.

Prokurorët kishin kërkuar që i akuzuari të dënohet me 150 vjet burgim, që do të ishte dënimi më i rëndë i dhënë ndonjëherë nga gjykatat kanadeze. Sidoqoftë, gjykatësi Francois Huot vendosi që i dënuari ta ketë të drejtën e lirimit me kusht pas 40 vjetëve, nëse dallohet për sjellje të mira në burg gjatë kësaj periudhe.

Më 29 janar 2017, Alexandre Bissonnette kishte hyrë në xhaminë e Kuebekut dhe i kishte qëlluar me armë zjarri besimtarët e mbledhur, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur pesë të tjerë, përfshirë Aymen Derbalin, i cili tashmë ka mbetur i paralizuar.

I dënuari e kishte pranuar kryerjen e krimit si dhe akuzën për tentim vrasje të 35 personave të pranishëm në xhami në kohën e sulmit. “Ndihem i turpëruar nga ajo që kam bërë. Unë nuk jam terrorist dhe nuk jam islamofob”, deklaroi ai në gjykatë, shkruan “BBC’’.

 

Ja me sa vite burgim mund të dënohen veteranët e rremë

Periskopi.com Lajme

Mbi 22 milionë euro vlerësohet se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës veteranët e rrejshëm vetëm gjatë periudhës janar – korrik të këtij viti nëse konfirmohen pretendimet e prokurorit të dorëhequr Blakaj se në listat e veteranëve janë mbi 19 mijë veteranë të rrejshëm.

Analisti politik Ramush Tahiri ka treguar se nëse konsiderohet se ka veteranë të rrejshëm dhe veprën që kanë bërë ata është penale, atëherë ata mund të dënohen me një ose dy vjet burgim.

“Kriteret për veteran janë të caktuar në bazë të ligjit dhe duhet të shikohen a janë plotësuar ato. Gjyqi e përcakton çfarë masa ligjore duhet të merren dhe nëse duhet të dënohet dikush, nëse ka bërë vepër penale ose kundërvajtëse. Nëse është vepër kundërvajtëse dënohet deri në gjashtë muaj, nëse është vepër penale mund të dënohet një vit, dy vjet, varet dhe po ashtu a përcillet masa me kompensim, pra kthim të parave që kanë fituar në mënyrë të paligjshme”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, momentalisht nuk është mbajtur asnjë proces ligjor ndaj askujt, as ndaj atyre që i kanë bërë listat dhe as ndaj atyre që kanë fituar.

Tahiri ka shtuar se lloji i veprës përcaktohet nga gjykata, e cila pastaj vendos se çfarë mase merret ndaj veteranëve.

 

Lata lirohet nga burgu (Foto)

Është liruar nga burgu ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Latif Gashi.

Periskopi.com Lajme

Indeksonline ka siguruar fotografinë e parë pas lirimit ku Lata shihet në përqafim të familjes së tij.

Ndryshe, në vitin 2009, EULEX-i shpalli fajtor Latif Gashin “për krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur”.

Ai qe dënuar me 6 vite burg.

Ndërsa, që nga muaji mars ai kishte shkuar në burg për të mbajtur dënimin e mbetur, kur edhe kishte dhënë dorëheqje si deputet./ Periskopi