Ikjet e të burgosurve nga spitalet, nga SHSKUK thonë se i kanë shtuar masat e sigurisë

Periskopi.com Lajme

Ditë më parë, një i burgosur po merrte shërbim shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të gjendjes së tij të rëndë.

Mirëpo, teksa ndodhej në të ashtuquajturat dhomat e sigurta, ai kërceu nga dritarja dhe u largua, raporton KTV.

E për këto probleme, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë që nuk është shumë i informuar.

Ndërkaq, Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, thotë se janë marrë masat për ta shtuar sigurinë në dhomat ku trajtohen të burgosurit.

Siguria në këto dhoma në QKUK ku trajtohen të burgosurit, ka paraqitur shqetësim për KMLDNJ-në, të cilët thonë se mundësia e arratisjes është shumë e madhe.

E si zgjidhje për këtë, KMLDNJ-ja po e sheh ndërtimin e një spitali të veçantë për trajtimin e të burgosurve.

“Spitalet Rajonale dhe QKUK-ja mundësitë për arratisje janë 100% më të mëdha se nga një spital brenda hapësirës së Shërbimit Korrektues të Kosovës e që nuk po ndërtohet, por se po eksperimentohet me dhoma të sigurta. Brenda Burgut për Siguri të Lartë në Gërdoc, ka hapësirë të mjaftueshme për ndërtimin e një Spitali për të Burgosur, nuk do të kushtonte shumë dhe mjafton të bëhen disa renovime dhe përshtatje”, thuhet nga KMDLNJ-ja.

Por, Sejdiu thotë se ndërtimi i një spitali për të burgosurit nuk është i nevojshëm.

2 javë më parë, ambasadori amerikan, Philip Kossnet, kërkoi që të ndalen abuzimet me pushime mjekësore nga ana e të burgosurve.

Reagimi i tij kishte ardhur pas lirimit të Sabit Gecit.

Vetëm gjatë këtij viti, 5 persona kanë vdekur nëpër qendra korrektuese.

 

Të hënën, përpjekje të reja për burgosjen e Gruevskit

Periskopi.com Lajme

Nikolla Gruevski nuk u paraqit në Shutkë. Gjykata, ditën e premte, pati një përpjekje të pasuksesshme që t’ia dorëzojë vendimin për dënimin 2-vjet burg për rastin Tanku.

Korrierët gjyqësorë dje nuk e gjetën Gruevskin në shtëpi, dhe gruaja e tij Borkica iu tha atyre se ai nuk ishte aty. Me këtë, ish kryeministri përfitoi dy ditë lirie. Deri vonë në mbrëmje, një numër i madh i ekipeve të gazetarëve e pritën kryeministrin që të mbërrijë në Shutkë. Të hënën, vendimi ose do t’i dorëzohet në dorë në Gjykatën Penale ku duhet të paraqitet në seancën gjyqësore “Titanik” ose do ti dërgohet në adresën e shtëpisë. Nëse gjykata vendos se Gruevski shmang marrjen e vendimit, hapat e ardhshëm janë shoqërimi i tij me polici ose lëshimi i një urdhër arresti.

Udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, shkroi në Tvitter se “gjyqësori Kacarska kurdoherë do të përfundojë”. Nga partia amë e ish-kryeministrit akuzuan se gjyqësori është partizuar dhe punon nën diktimin e Zoran Zaevit.

“Gjyqësori Kacarska në Maqedoni funksionon nën diktatin e plotë të Zoran Zaevit. Nuk vlejnë dëshmitë, nuk vlen asnjë argument, zbatohen verbërisht vetëm urdhrat politike të politikanit të vetëm të falur, Zoran Zaev. Por Zaevi dhe Kacarska dhe prokurori i fshehur pas Zaevit duhet ta dinë se asnjë proces nuk do ta heqë njollën nga Zaevi.”

Maqedonia është shtet ligjor, ligjet zbatohen njësoj për të gjithë, dhe askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësinë”, u kundërpërgjigjën nga partia qeverisëse. – theksoi Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO DPMNE-së

“Gjykatat janë institucione të pavarura që veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre ligjore dhe vendimet e tyre duhet të respektohen nga të gjithë qytetarët. Duhet të ketë drejtësi. Për këdo që është dëshmuar në një procedurë gjyqësore të ligjshme dhe transparente se ai ka shkelur ligjet në bazë të të cilëve ka një vendim gjyqësor të formës së prerë, patjetër të bartë përgjegjësi.” – theksuan nga LSDM

Megjithatë, Gruevski do të mbetet deputet në Kuvend, edhe pse ai do të vuajë dënimin me burg. Parlamenti dje nuk ia mori mandatin e tij të deputetit, sepse nuk votuan dy të tretat e deputetëve.

 

Skuadër e posaçme për “gjuajtjen” dhe burgosjen e homoseksualëve

Periskopi.com Lajme

Tanzania ka krijuar një skuadër të posaçme për të “gjuajtur” njerëzit homoseksualë në mënyrë që ata të mund të arrestohen dhe të burgosen.

Paul Makonda, komisioneri rajonal për Dar es Salaam, tha se ekipi i mbikëqyrjes do të përdorte mediat sociale për të ndjekur çifte të të njëjtit seks në rrethin e tij.

Ai gjithashtu i inkurajoi njerëzit që të dorëzonin emrat e kujtdo që dyshohej se ishin homoseksual, kështu që autoritetet mund ta hetonin.

Homoseksualiteti është ende një krim në Tanzani dhe retorika homofobike është në rritje që nga zgjedhja e Presidentit John Magufuli në vitin 2015.

Makonda, i cili është një aleat i ngushtë i Magufuli, tha: “Kam marrë raporte se ka kaq shumë homoseksualë në qytetin tonë dhe këta homoseksualë reklamojnë dhe shesin shërbimet e tyre në internet.

Prandaj, u bëj thirrje qytetarëve të Dar es Salaam, që nëse njihni homoseksualët … më njoftoni mua, më jepni emrat e tyre “.

Ekipi i mbikëqyrjes kundër homoseksualëve do të përbëhet nga 17 vetë, duke përfshirë zyrtarët e shtetit, policinë dhe njerëzit e përfshirë në media, tha ai.

Makonda u zotua se arrestimet do të fillojnë të hënën e javës së ardhshme.

Ai shtoi se sjellja homoseksuale ‘ngërthen mbi vlerat morale të Tanzanisë dhe dy feve tona të krishtera dhe myslimane’.