Millosheviq rrah një të burgosur në Burgun e Dyzit

Periskopi.com Lajme

I shumëkërkuari nga INTERPOL-i dhe i arrestuari në korrik të vitit të kaluar në Kosovë, Mario Millosheviq është përfshirë në një rrahje në burgun ku po qëndron.

Mesditën e 29 dhjetorit të vitit të kaluar, i arrestuari për posedim të armëve dhe narkotikëve, Mario Millosheviq është rrahur me një të paraburgosur tjetër.

E gjithë ngjarja ka ndodhur brenda Burgut të Sigurisë së Lartë, ose siç njihet Burgu i “Dyzit”.

Mesditën e 29 dhjetorit të vitit të kaluar, Mario Millosheviq është rrahur me një të paraburgosur tjetër në sallën e rekreacionit brenda Burgut të Sigurisë së Lartë.

Rrahjen mes Millosheviqit dhe të burgosurit tjetër e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe drejtori i Burgut të Dyzit, Ilir Kelmendi.

“Rrahja  ka ndodhur me një tjetër person të paraburgosur për tjetër vepër. Personi në fjalë (Mario Millosheviq) gjatë rrahjes ka qenë duke luajtur shah me një tjetër të burgosur”, tha Kelemendi.

Sipas Kelmendit, i burgosuri tjetër ka marrë lëndime nga ana e Millosheviqit, ndërsa rasti është paraqitur edhe në polici.

“Rrahja ka qenë spontane ndërmjet dy të paraburgosurve. Gjatë shtyrjeve e kacafytjes, janë rrëzuar në dysheme dhe fatkeqësisht e ka dëmtuar, thyer  gjurin i paraburgosuri M.U. i cili është dërguar në ortopedi për tretman mjekësor”, tha Kelmendi për KALLXO.com.

Sipas drejtorit të Burgut të Dyzit, të shumëkërkuarit Millosheviq, sipas procedurave të brendshme në rastin e incidentit, kjo vepër i ka kushtuar me humbje të privilegjeve.

Sipas drejtorit të Burgut të Dyzit, Mario Millosheviq ka qenë ai që ka nxitur situatën dhe ka sulmuar i pari.

Drejtori Kelmendi për KALLXO.com, thotë se edhe Mario Millosheviq edhe i paraburgosuri tjetër M.U. kanë të kaluar të rënda kriminale në grupe mafioze.

“Për sqarim dy të paraburgosurit janë në kërkim nga Interpoli dhe janë persona me të kaluar të rëndë kriminale grupe mafioze,  ndërsa i paraburgosuri M.U, i dëmtuar në këtë rast, është me dy identitete. Rasti i tij është zbuluar, iniciuar nga SHKK që ka dy emra në Serbi me emër tjetër ndërsa ne Kosovë me emër tjetër”, tha Kelmendi për KALLXO.com.

Mario Millosheviq ishte arrestuar në korrik të këtij viti së bashku me tre persona të tjerë në një aksion në Prishtinë, si të dyshuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të substancave narkotike lidhur me kërkesën ndërkombëtare nga Interpol-i dhe armëmbajtje pa leje.

Muaj me parë, Millosheviq ishte përmendur edhe për një rast tjetër.

Një gardian i po të njëjtit burg, atij të Dyzit është akuzuar pasi dyshohet se premtoi se nga aty mund ta nxjerrë njërin prej personave më të kërkuar në Malin e Zi, Mario Millosheviqin.

I përfshirë në këtë rast ishte edhe një zyrtar i Ministrisë së Diasporës.