Situata politike dhe burokracia e tepërt pengojnë investimet në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Investimet e huaja direkte në Kosovë vazhdimisht janë vlerësuar të nevojshme për një zhvillim ekonomik, marrë parasysh resurset e ndryshme të mjaftueshme që posedon Kosova dhe pamundësinë e investimeve nga vendorët. Por, pavarësisht kësaj, vlera e këtyre investimeve nga viti në vit edhe është zvogëluar.

Ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile shumë herë kanë shprehur shqetësimet se në këtë fushë po ndikon edhe burokracia e tepërt nëpër institucione.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës,për nëntë muajt e këtij viti, vlera e investimeve të huaja ka arritur në shifrën prej 164.4 milionë euro. Në vitin 2017, investimet kanë qenë 287 milionë euro, kurse në vitin 2016 – 220 milionë euro.

Vlera e investimeve ka qenë më e lartë para shpalljes se pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja kishte arritur në 440 milionë euro, vlerë kjo që asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka arritur në Republikën e Kosovës.

Ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se trendi i rënies së investimeve të huaja pas shpalljes së pavarësisë se Kosovës, karakterizohet me shumë faktorë.

Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, për Radion Evropa e Lirë, thotë se stabiliteti politik dhe veprimet aty për aty karshi investitorëve ndërkombëtar janë faktorët kryesorë të rënies së investimeve të huaja.

“Nëse i mirëpret investitorët, ata vijnë, por nëse i trajton mirë ata rrinë. Nuk mjafton vetëm ti ftojmë dhe të themi se Kosova është vendii bukur dhe eja investoni. Por, nevojitet që bizneset që kanë ardhur dhe kanë shtri kapitalin e tyre në Kosovë të kenë lehtësi të te bërit biznes, eliminim të barrierave. Të bëhet kjo e gjitha me një dinamikë më të përshpejtuar dhe në koordinim me të gjitha institucionet kompetente”, tha Balija.

Por, Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, shprehet se autoritetet e Kosovës duhet të krijojnë kushte për investitorët e huaj, në mënyrë që vlera e tyre të dyfishohet. Rritja e investimeve ndërkombëtare, sipas tij, ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

“Kjo tërheqje e investimeve të huaja në vlera dyfish apo tre fish më të larta se në vitin 2018, do të mundësonte dhe do të ndikonte që në masë të madhe të zvogëlohet edhe shkalla aktuale e papunësisë”, tha Bektashi.

Në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë funksionon Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), agjenci kjo që ka për të promovojë dhe mbështes investimet, eksportin dhe turizmin në Republikën e Kosovës.

Sipas kësaj agjencie në periudhën janar- nëntor të vitit 2018 në këtë ministri janë regjistruar 681 biznese të huaja. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj ministrie, thonë se KIESA vazhdimisht pranon kërkesa dhe interesime nga investitorët të cilët janë duke analizuar Kosovën për investime potenciale.

Vetëm në nëntë muaj të vitit 2018, kjo agjenci ka realizuar rreth 115 kontakte/vizita me investitorë vendorë dhe të huaj të cilët janë njoftuar mbi mundësitë dhe kushtet që i ofron Kosova për investitorët.

Por, Shpend Balija thotë se investitorëve ndërkombëtar në rend të parë u intereson stabiliteti politik dhe ekonomik dhe kushtet investimeve. Për këtë thotë ai, Qeveria e Kosovës duhet të përshpejtojë dinamikën e punës për të krijuar kushte edhe më të favorshme karshi vendeve të rajonit.

“Investitori nuk sheh kufij, nuk sheh kultura dhe religjione të ndryshme, investitori dëshiron mundësinë më të mirë kudo që e sheh. Prandaj, nuk është problem për investitorët të vendosin të largohen nga Kosova dhe të shkojnë në vende të rajonit, pasi investitori kërkon kushtet më të mira, stabilitetin më të madh dhe problem sa më pak. Prandaj, Kosova duhet gjithmonë ta vlerësojë veten karshi shteteve të rajonit sepse me këto shtete jemi në konkurrencë dhe ne gjithmonë duhet të jemi të parët që ofrojnë benificione apo inventiva”, thekson Balija

Sidoqoftë, viteve të fundit investime më së shumti janë bërë në patundshmëri, energjetikë, ndërtim dhe shërbime tregtare. Kurse, vendet që më së shumti kanë realizuar investime në Kosovë janë Gjermania, Zvicra dhe Austria të përcjella nga investimet e ardhura nga Amerika, Turqia dhe Britania e Madhe.

Studimi: 94% e investitorëve ikën nga Kosova, i përzunë korrupsioni e burokracia

Periskopi.com Lajme

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka zhvilluar një studim hulumtues në Kosovë ku në theks të veçantë ka pas investitorët e huaj e sidomos mes atyre që vinë te vizitojnë Kosovën për mundësinë e investimeve dhe atyre që ikën dhe ndalën për të investuar në vendin tonë.

Agim Shahini, Kryetar i AKB-së tha se një studim i tillë u zhvillua për herë të parë në Kosovë dhe AKB është e kënaqur që arriti të realizoj këtë projekt me sukses por është e shqetësuar me të gjeturat e këtij studimi hulumtues.

“Nga viti në vit ka pas përmirësime të dukshme në politika fiskale por jo të mjaftueshme dhe kjo me së miri dëshmohet me të gjeturat e këtij studimi për te cilat investitorët kanë paraqit vërejtjet e tyre në aspekt legjislativ dhe jo legjislativ. Si do që të jetë se a me shumë kanë të drejt investitorët qe ankohen apo institucione e vendit qe lavdërohen një gjë është e sigurt se Kosova ka pak investitorë të huaj, pak brende te njohura e me pak korporata të huaja te fuqishme që përmirëson imazhin ton në të gjitha fushat ekonomike, politike kulturore e sportive”, thuhet në njoftimin e tyre.

Njoftimi i plotë i hulumtimit të tyre:

Kosova ka shumë pasuri natyrore e potenciale humane individual dhe politik e që këto dy të para nuk mund të ecin me hapa të përshpejtuar nëse nuk kanë mbështetje apo interes politik gjë që kjo paraqitet si pengesë edhe për ecje drejt finalizimit të arritjes së suksesit investiv.

Nga viti 2016/17/18 Kosova është duke u përball me probleme politike siç janë Demarkacioni, Liberalizimi i Vizave, Ushtria e Kosovës, Asociacioni i Komunave serbe dhe Dialogu i drejt për drejt me Serbin duke mos i përmend problemet e brendshme të politikës që gjithë këto e kanë lën ekonomin si problem sekondar a në fakt problemi primar është zhvillimi ekonomik i vendit.

Gjithë kjo ka bërë që investitorët e huaj të vinë në Kosovë më shumë si turistë se sa si investitor kurse ne kemi nevojë për te gjithë por jo investitorët të vin ënjëherë e të ikin e mos të vinë më as si vizitor apo turistë.

Vitin e kaluar nga të gjithë ata që kanë ardhur për të vizituar Kosovën për mundësi të investimeve vetëm 2% kanë mbet këtu, 4% janë duke i shqyrtuar mundësin kurse 94% janë deklaruar që nuk vinë në Kosovë apo kanë gjete mundësi më të mira në vendet tjera.

Deklarimet e tyre pse nuk vinë në Kosovë janë të ndryshme por paraqiten në 10 pengesa:

Nuk ka siguri për investime,

Mungon mbështetja institucionale e parimeve biznisore,

Burokracia dhe korrupsioni administrativ,

Kyçja në infrastrukturën fizike të shtrenjta,

Lejet për ndërtim që zvarritjet e tyre një e më shume vite me korrupsion,

Ngarkesat fiskale të menjëhershme dhe jo të lira,

Mbështetja financiare e shtrenjtë,

Mos gjetja e partnerëve vendor të besueshëm,

Tregu i vogël

10. Parcela për të blerë të shtrenjta.

PO, ku kane shkuar këta investitor ata deklarohen ne Serbi 35%,Maqedoni 25% Shqipëri 15% Male te zi 10% BiH 5% kurse rreth 10% nuk janë deklaruar.

Të gjitha këto tash nuk janë më problem vetëm për investitorët e huaj por edhe atë të vendit ku disa nga këta po dalin jashtë për të zgjeruar aktivitete e tyre dhe mundësitë më të lira për investim.

Suat Berisha, Nënkryetarë i AKB-së tha se Kosova ka disa ligje të mira por jo te zbatueshme duke u referuar në Ligji për Investime Strategjike i cili Kosovës deri tash nuk i ka sjell asgjë dhe si pasoje e saj shumë investitor siç u ceken me lart kanë ikur ne vende te tjera te regjionit.

Ndërsa Bashkim Osmani, Nënkryetarë i AKB-së tha se Kosova duhet të ndryshoj qasjen ndaj të gjithë investitorëve dhe gjej mënyra ti josh ata për ndryshe gjërat mund të keqësohen edhe më shumë kurse mundësitë janë që Kosova të jetë Lider në Ballkan sepse disa vende të regjionit po ofrojnë subvencione për punëtorë e rinj deri në tri vite.