Artistet kosovare dhe britanike nesër shfaqin punën përmes ekspozitës “Burrneshat”

Periskopi.com Lajme

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, nesër do të hapet ekspozita “Burrneshat”, që mëton të paraqesë guximin e grave artiste.

Kjo ekspozitë, e kuruar nga Arta Agani, vjen si rezultat i bashkëpunimit mes Këshillit Britanik dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Duke përdorur një titull ironik, organizatorët kanë njoftuar se kanë dashur ta vënë në pah edhe diskriminimin ndaj grave.

“Gratë gjithashtu historikisht kanë kaluar nëpër proceset e ndryshimit, përgjatë së cilës forma dhe funksioni janë zhvendosur periodikisht. Në një mjedis beteje, kjo ekspozitë synon të tregojë këto ndërrime midis roleve kur një grua nuk është vetëm një formë dhe një mashkull nuk është vetëm një funksion”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Eskpozita “Burrneshat” është realizuar në kuadër të projektit Përceptime, përmes të cilit do të shfaqen edhe katër ekspozita të ngjashme në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo ekspozitë me vepra të artisteve kosovare dhe atyre britaneze do të jetë e hapur për publikun deri më 24 shkurt 2019. /Periskopi/