Diplomati amerikan deklarohet rreth ndryshimit të kufijve, apelon për kujdes

Periskopi.com Lajme

Diplomati amerikan, ish ambasadori i ShBA-së në disa shtete të rajonit, Christopher Hill nuk është shprehur kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, por ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me kujdes pasi mund të prodhojë pasoja afatgjate.

Ambasadori Hill i cili po qëndron në Tiranë për Samitin e paqes të Evropës Juglindore, foli edhe për sigurinë në Ballkan, ndikimin rus dhe pretendimet për themelimin e një minishengeni Ballkanik.

Hill: Nuk jam kundër ndryshimit të kufijve, por duhet të bëhet me kujdes

“Rregullimet e kufijve janë një lëndë shumë e rëndësishme dhe me goxha peshë. Nuk mund të bëhen pa një njohuri shumë të madhe dhe të mirë sa i përket këtyre kufijve dhe për të parë si ndihen njerëzit për këtë. Këto janë tema që nuk lidhen me rishikimin ose hartimin e një buxheti vjetor, por për një të ardhme shumë më afatgjate… Duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm për këto gjëra. Mund të duken se gjëja e duhur, por asnjëherë unë nuk do të nxitohesha për gjëra të tilla. Një gjë tjetër është që ka dallime midis vendeve që njerëzit besojnë që do të zgjidhen me shkëmbim kufijsh. Këto dallime shkojnë më thellë se kaq…nuk jam kundër, e kuptoj pse po diskutohet, por duhet të bëhet me më shumë kujdes”, tha ai.

Diplomati Hill foli edhe për gjendjen e sigurisë në Ballkan, teksa tha se është stabile, por duhet të punohet çdo ditë për t’u përmirësuar. Për mos hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë, Hill u shpreh se ka një zhgënjim për një gjë të tillë.

Hill:Zhgënjim mos hapja e negociatave

“Gjendja e sigurisë ka nevojë të përmirësohet, por krahasuar me 20 vite më parë, situata është me mirë. Është një situatë që duhet të punohet çdo ditë në zbatimin e ligjit…ka një zhgënjimi për mos hapjen e negociatave në këtë moment”, tha ai.

Për minishengenin Ballkanik, ambasadori Hill u shpreh i hapur, teksa u shpreh i shqetësuar për ndikimin rus në Ballkan, por theksoi se e ardhmja e shteteve të këtij rajoni është në NATO dhe BE.

Hill: Ballkani do të jetë i integruar në BE dhe NATO

“Unë do të doja të shihja marrëveshje që rrisin lëvizshmërinë, do të doja  të shihja një marrëveshje që rritë lëvizshmërinë por ndalon marrëveshje më të gjera dhe më të mëdha…kam shqetësime, duhet të jeni shumë të kujdesshëm, kam disa shqetësime për atë qe po ndodh në Ballkan për këtë pikëpamje, por nuk kam shqetësime për atë qe do te jetë e ardhmja. Ballkani do të jetë i integruar në BE dhe NATO”, tha ai.

Loja e tepruar e Putinit

Christopher Hill Op-Ed

Liderët e Greqisë dhe Maqedonisë (së Veriut) e kryen mirë detyrën e tyre, duke iu përgjigjur agresionit rus me ndershmëri dhe guxim. Çështja është nëse edhe të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë!

Politika e jashtme e Kremlinit duket se mbështetet gjithnjë e më tepër në supozimin se të gjitha vendet janë po aq të korruptueshme sa Rusia e Vladimir Putin. Së fundmi, kjo ishte e dukshme në përpjekjet e dyshuara të Rusisë për të minuar një marrëveshje mes Greqisë dhe fqinjit të saj të vogël verior, Republikës së Maqedonisë për çështjen e emrit.  Duke e marrë të mirëqenë se maqedonasit do ta miratojnë referendumin e 30 Shtatorit, vendi i tyre do të njihet tani e tutje si Republika e Maqedonisë Veriore.

Marrëveshja nuk ishte e thjeshtë për t’u arritur. Në thelb, mosmarrëveshja ballkanike mes Greqisë dhe Maqedonisë daton prej vitit 1991, kur Maqedonia, atëherë një nga republikat më të varfra të ish-Jugosllavisë shpalli pavarësinë e saj dhe adoptoi emrin Republika e Maqedonisë. Ky emërtim do të vazhdojë të ketë pasoja reale për vendin me 2.1 milion banorë.

Ndërsa rajoni verior i Greqisë është formalisht i njohur si Maqedonia, dy vendet përfunduan në një mosmarrëveshje shumëvjeçare. Greqia vuri veton ndaj kërkesave të Republikës së Maqedonisë për t’iu bashkuar aleancave perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare, ndërkohë që fqinjët e saj, Shqipëria dhe Bullgaria u pranuan në NATO dhe në rastin e Bullgarisë, edhe në Bashkimin Europian. Ajo u pranua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 nën emrin provizor “ish-republika Jugosllave e Maqedonisë”.

Çështja e Maqedonisë ka një histori të gjatë dhe të ngarkuar. Pas tërheqjes së Perandorisë Osmane dhe ringjalljes së identiteteve historike dhe ento-nacionaliste në Ballkan, Maqedonia u nda mes Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë dhe identiteti i njerëzve të saj të inkorporuar u shtyp. Gjatë luftërave të Bosnjes dhe Kosovës në vitet 1990, diktatori serb, Slobodan Milosheviç i përshkroi njerëzit e Maqedonisë si “vëllezërit e vegjël” që e kishin humbur rrugën.
Ndërkohë, shqiptarët që kanë jetuar për mijëvjeçarë në pjesën perëndimore të Maqedonisë e përbuzën pretendimin kushtetues të Republikës së Maqedonisë për t’u bërë shtëpi e “maqedonasve”. Siç njëri prej liderëve shqiptarë e pa atë, maqedonasit ishin thjesht një “klon sllav”. Ngjashëm, disa bullgarë, të cilët janë ende të plagosur nga fitoret e grekëve dhe serbëve mbi vendin e tyre gjatë Luftës Ballkanike të 1913-s, i konsideruan maqedonasit asgjë më shumë se bullgarë të hutuar, të cilët ishin bllokuar në anën e gabuar të konfliktit.
Duke pasur parasysh mungesën e arritjeve diplomatike në ditët e sotme, marrëveshja Greqi-Maqedoni e arritur në liqenin e Prespës (që kufizohet me Republikën e Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë) mori përgjigje dërrmuese pozitive nga komuniteti ndërkombëtar, kur u njoftua më 12 Qershor. Qeveritë e vendeve të Europës dhe gjetkë lëshuan deklarata mbështetjeje dhe inkurajuan kundërshtarët grekë dhe maqedonas të marrëveshjes që ta përkrahnin atë.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Kremlinin. Më 6 Qershor, Greqia njoftoi se kishte “prova të pakundërshtueshme” se Rusia po përpiqej të minonte marrëveshjen e Prespës, duke u përpjekur të blinte zyrtarë dhe kësisoj duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të Greqisë. Në një deklaratë të theksuar, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias akuzoi gjithashtu Rusinë për financimin e protestave brenda Greqisë dhe deklaroi se vendi i tij nuk do të intimidohet. Greqia ka dëbuar tashmë dy diplomatë rusë, duke e shtyrë Rusinë drejt anulimit të vizitës në Athinë të ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, si dhe të deklarojë përjashtimin e diplomatëve grekë nga Moska.
Pa asnjë surprizë, dinakëria ruse është diktuar edhe në veri të kufirit grek. Sipas kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, Rusia ka financuar protestat antiqeveritare dhe ka shtyrë bizneset maqedonase të orientuara nga Rusia që të nxisin dhunë në prag të referendumit të 30 shtatorit.

Rusia nuk e ka mbajtur sekret dëshirën e saj për të dobësuar NATO-n. Duke kundërshtuar marrëveshjen e Prespës, ajo është duke shpresuar të pengojë Maqedoninë nga bashkimi me Aleancën. Por edhe nën presion, Rusia e Putinit nuk do të pranojë se kundërshton afrimin mes Greqisë dhe Maqedonisë, dhe jo më të kërkojë falje për masat aktive të ndërmarra për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Greqisë dhe Maqedonisë.

Kundërshtimi i Rusisë për zgjerimin e NATO-s shpjegohet shpesh si një përpjekje për të penguar vendet që dikur ishin aleate të Bashkimit Sovjetik për t’u afruar me partnerin e ri strategjik. Por Maqedonia nuk ka qenë asnjëherë një anëtar i Traktatit të Varshavës, dhe as nuk është veçanërisht e rëndësishme për interesat ruse.

Në kontrast, Greqia- një anëtare e NATO-s prej vitit 1952 ka mbajtur megjithatë një marrëdhënie pozitive me Rusinë e Putinit, madje duke hedhur poshtë një deklaratë të Bashkimit Europian kundër vendit për sulmet e supozuara me agjentë nervorë në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar.

Kremlini po sulmon tani me arrogancë interesat e Greqisë, ndoshta duke nënvlerësuar rëndësinë e marrëveshjes së Prespës për qeverinë greke. Ironia qëndron në faktin se Putini ka kritikuar gjatë Shtetet e Bashkuara për tejkalime dhe përpjekje që imponojnë vlerat e saj tek të tjerët. Në Ballkan dhe gjetkë, Putini është përpjekur ta prezantojë veten si një partner i arsyeshëm, i cili nuk do të ngrejë pyetje mbi të drejtat e njeriut dhe as nuk do të këmbëngulë për respektimin e ndonjë grupi të caktuar vlerash.

Tani është e qartë megjithatë se as miqtë dhe as armiqtë nuk duhet ta tolerojnë politikën e jashtme të Rusisë. Kremlini e ka rritur politikën e vet të ndërhyrjeve sekrete në proceset politike të vendeve të tjera. Ai ka gjurmuar dhe tentuar të vrasë ish-anëtarë të shërbimeve të saj sekrete në vendet anëtare të NATO-s. Dhe mesa duket, është përpjekur të minojë një marrëveshje të arritur me vështirësi mes dy fqinjëve në Ballkan, të cilët po përpiqen të tejkalojnë dekada të tëra mosbesimi.

Duke parë përpara, do të jetë e rëndësishme të kujtojmë se politika e jashtmë e Rusisë është e motivuar jo vetëm nga mëria dhe hidhërimi, por edhe nga një vetëdije e bezdisshme për rënien e saj. Liderët e Greqisë dhe Maqedonisë (së Veriut) e kryen mirë detyrën e tyre, duke iu përgjigjur agresionit rus me ndershmëri dhe guxim. Çështja është nëse edhe të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë!

/ Project Syndicate

 

Despoti dhe diplomati

Christopher Hill Op-Ed

Me vlerësimet e tij për lidershipin e Kim Jong Un dhe potencialin ekonomik të Koresë së Veriut, Donald Trump ka braktisur çdo pretendim se SHBA ka vlera më të larta për të promovuar. Nëse qasja e tij për të sjellë paqe do të funksionojë këtë do ta tregojë vetëm diplomacia që do ta pasojë

Në vitin 2005, kur isha kryenegociator i SHBA në bisedimet gjashtëpalëshe mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut, pashë instruksionet për takimin tim të parë, një banket i organizuar nga kinezët që përfshinte një delegacion Koreanoverior. Nëse do të kishte dolli (jo të padëgjuara në banketet kineze), nuk duhej t’i bashkohesha. Mesa duket pritej që unë të rrija ulur, pa prekur gotën, duke parë i ngrysur me duart e kryqëzuara duke pritur që të tjerët të ulnin gotat. Më vonë, kur vizitova Korenë e Veriut për herë të parë, u udhëzova të mos i buzëqeshja mikpritësve të mi. Mesa duket pritej që unë të ofroja vetëm shikime të zemëruara.

Donald Trump qartazi i ka modifikuar ato udhëzime. Në fakt, me vlerësimet e tij të pafundme për lidershipin e Kim Jong-un, përshëndetjen e tij të improvizuar dhe të ngathët ndaj një prej gjeneralëve të Kim dhe përqafimit të tij ndaj gjërave që koreanoveriorët bëjnë (veçanërisht potenciali për ndërtime në plazh), Trump ka hequr dorë nga çdo pretendim se SHBA promovon një grup vlerash më të gjera. Por ndërsa Trump mund ta ketë tepruar, ideja që delegacioni amerikan duhet të rrijë i ulur me gotat e paprekura gjatë një dollie gjithashtu paraqet një ton të gabuar.

Në shtator 1995, gjatë muajit të fundit të luftës së Bosnjes, delegacioni amerikan për bisedimet e paqes, kryesuar nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, Richard Holbrooke, mbërriti në Beograd për bisedime me diktatorin e Serbisë, Sllobodan Milosheviç. Sipas Millosheviç ai nuk mund t’i detyronte serbët e Bosnjës të tërhiqnin armatimet e rënda dhe të braktisnin rrethimin e përgjakshëm katër-vjeçar të Sarajevës. Ai i kërkoi Holbrooke të takohej me liderët serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të dy më pas të dënuar për krime lufte. Holbrooke e pyeti atë ku ishin. “Atje në atë vilë,” u përgjigj Millosheviç. “T’i thërras?”

Holbrooke na mblodhi të gjithëve me ngut për ta diskutuar. “Duhet t’i takojmë?” më pyeti ai. “Nëse po, a duhet t’u jap dorën?” Duke menduar për qindra mijëra qytetarët e Sarajevës – shumë prej të cilëve të vrarë dhe ata që përballeshin me urinë si rezultat i rrethimit – iu përgjigja, “Jepja dorën dhe ta mbyllim këtë gjë e të shkojmë në shtëpi”. Kështu bëmë. Rrethimi i Sarajevës u hoq të nesërmen.
Sado të ndihmojë ose jo, dhënia e dorës, nga ana tjetër negocimi duke i treguar dikujt grushtin ka rezultuar jo shumë i suksesshëm. Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang në Korenë e Jugut, zv.Presidenti Mike Pence pritej të takohej me delegacionin Koreanoverior. Ndoshta për të mbuluar kurrizin në atdhe, Pence foli disi ashpër para takimit. Koreanoveriorët e anuluan, si për të thënë se ç’kuptim do të kishte takimi?

Gjatë periudhës që jam marrë me bisedimet gjashtë-palëshe, kam shmangur përfshirjen në kritikat ndaj Koresë së Veriut. E dija se së shpejti – çdo javë – do të më duhej t’i takoja sërish dhe ndërsa një shfaqje kritike do të më ndihmonte në Uashington, në terren nuk do të ofronte aspak bashkëpunim, duke rrezikuar kështu punën për të negociuar fundin e programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ka një dallim të madh mes të folurit ashpër në televizion dhe takimit përballë me Koreanoveriorët. Diplomacia direkte është një mjet serioz për një qëllim serioz. Mbajtja e pozicionit nga distanca nuk është pjesë e tij.

Ndonjëherë gjuha e trupit është e vështirë për t’u kuptuar. Si ambasador i SHBA në Irak, udhëzimet që merrja nga Uashingtoni rrallë vinin me ndonjë kuptim paraprak të përgjegjësisë për rezultatin. Më ishte thënë se puna ime përfshinte ndihmimin e opozitës irakiane të hiqnin kryeministrin e atëhershëm Nuri al-Maliki. Zyrtarët amerikanë në takimet në Uashington silleshin ashpër, si atletët e gjimnazit në dhomat e zhveshjes që i binin dollapëve përpara një ndeshje të madhe. Por kur vinin në terren dhe takoheshin me Maliki, ata nuk i jepnin atij arsye për të besuar se ia donin të keqen.
Rrija në takime të tilla duke parë Malikin që më shihte, duke pyetur përse më parë e kisha paralajmëruar për uljen e durimit të qeverisë së SHBA me sundimin e tij autokratik dhe për pasoja të ashpra. Ndërkohë, vizitorët nga Uashingtoni mbanin një qëndrim delikat, nuancat e të cili Maliki do t’i kuptonte vetëm përmes ndonjë pajisje ç’kodimi.
Çdo diplomat duhet të ketë qëllime në një negociatë në emër të vendit të tij apo saj, që do të thotë se duhet të jetë i qartë rreth rezultatit përfundimtar dhe mënyrës më të mirë për ta arritur atë. Në Singapor, çështja ishte programi bërthamor i Koresë së Veriut. Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi.

Koha do ta tregojë nëse Koreanoveriorët kanë të njëjtin afeksion për Trump si ai ndaj tyre. Kim dha shumë pak dhe me gjasa ishte i shtangur kur, për herë të parë, një president Amerikan mori për të mirëqenë ankthin e supozuar të Koresë së Veriut rreth stërvitjeve të përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut (që Koreanoveriorët dinë të mbrohen). Ishte një lëshim shumë i madh që në një mënyrë apo në një tjetër duhej marrë me rezervë. Më gjerësisht, një kornizë për paqen dhe sigurinë që përfshin të gjitha palët e prekura direkt – Korenë e Jugut, Japoninë, Rusinë dhe Kinën – duhet projektuar.

Ngjashmërisht, historia e të drejtave të njeriut të Koresë së Veriut, një nga më të këqijat, duhet të trajtohet në të ardhmen – mbase, siç sinjalizova dhe unë në bisedimet gjashtë-palëshe, si një përbërës i marrëdhënieve diplomatike në vazhdimësi. Por, për tani, programi bërthamor i Koresë së Veriut duhet të jenë në krye të axhendës.
Nëse qasja e Trump do të funksionojë me Korenë e Veriut kjo do të varet nga diplomacia që pason samitin e Singaporit. Topi është i yti, sekretari i shtetit Mike Pompeo.

 

Hill: Shqipëria nuk donte të ishte një me Kosovën

Ambasadori Christopher Hill ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i SHBA në Shqipëri, pas 45 vjet izolimi të diktaturës komuniste.

Periskopi.com Lajme

Ai ndodhet në Shqipëri me rastin e ceremonisë së 25 vjetorit të rikthimit të personalit të Ambasadës amerikane në godinën që kishte shërbyer si seli diplomatike në vitet 1930.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Hill kujton kohët e shërbimit të tij në Shqipërinë e porsadalë nga diktatura, ndërsa duke folur për zhvillimet në Ballkan thotë se “është një proces ende papërfunduar”.

Ai ka qenë pjesëmarrës kryesor në disa ngjarje me rëndësi në Ballkan. Për atë se si e sheh Ballkanin sot, Hill shprehet: “Padyshim që Ballkani është një proces i papërfunduar, por mendoj se është bërë përparim”.

Kur përmend punën e tij në Shqipëri dhe më vonë në çështjen e Kosovës, thotë se ka kuptuar një gjë “më mirë se të tjerët”:

“Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën; e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së Madhe”, tha ai. /VoA/ Telegrafi