Naftë me cilësi të dobët, bllokohet një pompë e derivateve në Lipjan

Periskopi.com Lajme

 Pas hetimeve të vazhdueshme policore dhe inspektimit nga inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është konstatuar se në një pompë të derivateve në Lipjan, nafta e cila shitet aty është në kundërshtim me parametrat e lejuar të shitjes, andaj janë bllokuar pikat e shitjes se naftës.

Policia njofton se ka arrestuar një person  pasi i njëjti dyshohet se ka ndërruar derivatet me qellim qe mostrat e radhës të dalin në rregull, me urdhër të prokurorit i njëjti  është dërguar në mbajtje.

 

Cilësia e ajrit në Kosovë, problem ekzistencial për shëndetin publik

Periskopi.com Lajme

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Kosovë, mbajti tryezën diskutuese me titull ‘Cilësia e ajrit në Kosovë: Drejt standardeve evropiane’.

Pjesëmarrës në këtë takim diskutues ishin përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadës franceze, si dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e tij hyrëse, Dardan Abazi nga INDEP, theksoi rëndësinë e mbajtjes së diskutimeve të tilla edhe gjatë muajve të verës kur ndotja e ajrit nuk është edhe aq e dukshme si gjatë muajve të tjerë.

Joseph Giustiniani, Atashe për Bashkëpunim në Ambasadën Franceze, përmendi një sërë aktivitetesh që ambasada ka ndërmarrë për të rritur vetëdijesimin rreth ndotjes së ajrit. Ndër të tjera, Giustiniani tha që shpreson shumë që nga rekomandimet e dala nga ky hulumtim dhe ky takim në veçanti të ketë rezultate konkrete.

Mathilde Tchounikine para të pranishmëve prezantoi gjetjet e punimit të INDEP me titull ‘Cilësia e ajrit në Kosovë: Drejt standardeve evropiane’.

Ky hulumtim ofron një vlerësim të asaj se ku qëndron Kosova Standardet e Bashkimit Europian mbi cilësinë e ajrit, i cili plotësohet me një grup të rekomandime konkrete se cilat veprime duhet të ndërmerren për të përmbushur kriteret e BE-së dhe të lehtësojë procesin e pranimit në BE.

Diskutimi vijoj me fjalën e panelistëve dhe u karakterizua me debat të ndërsjellë me audiencën. Nga MMPH, Sabit Restelica, prezantoi të dhënat e niveleve të ndotjes së ajrit në Kosovë.

“Në një pjesë të konsiderueshme të vitit kemi tejkalime shqetësuese të niveleve të lejuara të ndotjes. Kjo tregon se me të vërtetë kemi mjaftë punë për të bërë për të arritur standardet evropiane.”

Për fjalë rasti ishte edhe prezente edhe Vjosa Beqaj nga MIE, e cila theksoi rëndësinë e implementimit të bazës aktuale ligjore dhe rritjes së dinamikës në përafrimin më të shpejtë të legjislacionit vendor me atë evropian.

Pjesë e panelit ishte edhe Gazmend Selimi nga zyra e BE-së në Kosovë. Selimi foli se si duhet së bashku edhe niveli institucional edhe ai i shoqërisë civile të punojnë për vetëdijesimin e publikut mbi ndotjen e mjedisit në përgjithësi. Kjo në mënyrë që të kemi një politikbërje më proaktive në vend të masave reaktive.

Përfaqësuesja e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Antigona Ukëhaxhaj, prezantoi në detaje të dhëna mbi dëmet shëndetësore që vijnë si pasojë e ndotjes së ajrit. Diskutimin e panelit e përmbylli Besfort Kosova nga Balkan Green Foundation.

Ai prezantoi fletushkën me 13 masat e menjëhershme të hartuara nga BGF dhe INDEP që Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë për të adresuar ndotjen e ajrit.

Tryeza u organizua në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Kosovë, si pjesë e programit të INDEP për zhvillim të qëndrueshëm dhe përkushtimit të organizatës për të ndërtuar një shoqëri të zhvilluar që gëzon një mjedis të pastër dhe shëndet të plotë.

 

Ja çfarë ajri po thithin sonte qytetarët në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Cilësia e ajrit në këto momente është jo e shëndetshme.

Bazuar në matjet e Ambasadës Amerikane , cilësia e ajrit është e pashëndetshm

Niveli i grimcave pmm, grimca këto të rrezikshme për ajrin është 164.

Përqendrimi i tyre në këtë masë në ajër është i rrezikshëm pasi ka tejkaluar standardët e lejuara.

Kujtojmë që këto ditë, kryeqytetasit janë përballur me ajër të pashëndetshëm, ku niveli i grimcave të rrezikshme pm kanë shkuar mbi 200.

 

 

Ministri i Drejtësisë i pakënaqur me cilësinë e përgatitjes së juristëve në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim rektorët e universiteteve dhe të kolegjeve të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për nevojën e modernizimit të kurrikulave në përgatitjen e juristëve për nevojat e tregut të punës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Edukimi ligjor dhe arsimi juridik, sipas Tahirit, është jetik në konsolidimin e sundimit të Ligjit në Kosovë, meqë kuadrot për këtë sistem përgatiten nga institucionet arsimore.

Tahiri ka kërkuar përmirësimin e cilësisë së mësimit praktik dhe mësimdhënies e mësim-nxënies aplikative në fushën juridike përmes qasjes teorike dhe praktike të mësimit, si dhe vlerësimin e nevojave të tregut të punës, në rishikimin e programeve studimore, me theks në shkathtësi dhe kompetenca, me qëllim të modernizimit të kurrikulave për përgatitje të juristëve.

“Siç vërehet, adresimi i këtyre sfidave, tejkalon përgjegjësitë e një institucioni të vetëm prandaj, është e rëndësishme që të vazhdohet dhe zgjerohet puna dhe bashkëpunimi ndër-institucional për promovimin e politikave që orientojnë dhe stimulojnë studentët e fushës së drejtësisë të përvetësojnë shkathtësitë e nevojshme të tregut të punës” ka thënë Tahiri, transmeton Koha.net.

Ai gjithashtu ka kërkuar që propozimet e programeve të reja mësimore, para se të dërgohen në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, të përfshijnë edhe konsultimin me institucionet e sektorit të sundimit të ligjit dhe punëdhënës tjerë potencial në mënyrë që të merret harmonizimi me nevojat e tregut të punës.

Në këtë kontekst, Tahiri ka theksuar rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjeve të Bashkëpunimit për ofrimin e praktikës profesionale për studentë në të gjitha institucionet dhe punëdhënësit tjerë potencial, por ka kërkuar edhe ndërtimin e Qendrave apo Klinikave Juridike, që do të mundësojnë dije praktike edhe brenda vetë institucioneve arsimore.

Cilësia e arsimit në Kosovë vazhdon të jetë e ulët

Periskopi.com Lajme

Sipas studimeve të ndryshme që janë bërë, thuhet se sistemi i edukimit është treguar jo shumë efikas që të krijojë burime njerëzore të nevojshme, për të cilat ka kërkesa tregu i punës.

Ndërkohë, vlerësimet ndërkombëtare që janë bërë për arsimin në Kosovë e kanë nxjerrë vendin tonë pothuajse të fundit për nga cilësia. Megjithatë, qeveritarët thonë se janë ndërmarrë hapa për të dalë nga kjo gjendje.

Së fundmi, Banka Botërore në analizën e raportit krahasues, ka nxjerrë se fëmijët në Kosovë deri në moshën 18-vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vjet të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vjet.

Sipas raportit, një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim të plotë.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se sa i përket cilësisë në arsim, nuk mund të mburremi me asgjë. Ai ka thënë për Radio Kosovën se raporti i fundit i Bankës Botërore thirret në rezultatet e testit PISA dhe se diferenca të tilla ka edhe në vende të tjera.

“Është rreth 4 vjet në Maqedoni, Malin e Zi, pastaj Serbia e Shqipëria qëndrojnë pak më mirë. Por, duhet të shikohet edhe faktori tjetër nga periudha e pasluftë, ai i pjesëmarrjes në arsim. Ne kemi pasur një pjesëmarrje jo të kënaqshme në arsim, si rezultat i situatës së viteve ’90, ku shumë fëmijë nuk kanë mundur të ndjekin shkollën.”

Të dhënat e viteve të fundit kanë nxjerr në pah mospërgatitjet e duhura të të rinjve për tregun e punës. Shumë kompani private, korporata dhe institucione publike, kanë theksuar se të rinjtë që punësohen apo kërkojnë punë, kanë njohuri të pakta për fushat specifike si dhe u mungojnë shkathtësitë e duhura. Sipas tyre, kjo vjen si pasojë e cilësisë së dobët nëpër shkolla. Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar pat miratuar edhe një rezolutë që arsimi të jetë prioritet kombëtar, rezolutë e cila nuk filloi të zbatohet asnjëherë. Pupovci thotë se kjo flet që arsimi nuk është prioritet.

“Është prioritet në atë moment kur subjektet politike duhet të tregohen se po bëjnë diçka dhe hajde tani të nxjerrim një rezolutë. Ajo mund të ketë vlerë deklarative, por vlerë praktike nuk ka. Vlera praktike është kur rezolutën e përkthen në buxhet, kur kërkon zbatimin, kur ministri i arsimit raporton para kuvendit, shihet nëse po arrihen rezultatet. Për ndryshe kjo është bërë një punë rutinore. Por, rezolutat nuk e zgjidhin problemin dhe përkundër faktit se Kosova ka një strategji me 240 masa strategjike të ndryshme, këto veprime nuk po shihen ose janë shumë të izoluara.”

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se buxheti i vitit 2019 do të jetë 12% më i lartë për fushën e arsimit, krahasuar me vitin e tanishëm. Buxheti parasheh 300 milionë euro të dedikuara për arsim.

 

Ministri Shala premton përkrahjen e prodhuesve vendor, kërkon rritjen e cilësisë

Periskopi.com Lajme

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala ka premtuar përkrahjen e prodhuesve vendor dhe njëkohësisht ka kërkuar nga prodhuesit kosovarë që të rrisin cilësinë e produkteve në mënyrë që të jenë të konkurrueshëm edhe në tregun ndërkombëtar.

Shala gjatë vizitës biznesin “Plus Centre” në Ferizaj, po ashtu ka bërë thirrje që të zbatohet ligji i Konsumatorit, i cili ndër të tjera parasheh edhe vendosjen e etiketave të origjinës afër çmimit të produktit, dispozit kjo e ligjit që hyn fuqi me 29 dhjetor të këtij viti.

“Unë do ta rris dinamikën dhe përkushtimin e ministrisë së tregtisë në përkrahjen dhe mbrojtjen e prodhimit vendor”

“Ju e dini që Parlamenti i Kosovës veç se ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ky ligj parasheh edhe obligative edhe vendosjen e etiketimit të vendosjes së origjinës s produktit për të cilin e përgëzoj Sylën i cili veç se ka filluar të vendos në të gjitha produktet etiketimin e origjinës”, tha ministri Shala.

Zbatimin e ligjit nga bizneset e kërkoi edhe kryetari i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha. Ai tha se është e drejtë e konsumatorit që të dijë se prej nga është produkti.

“Përgëzojmë edhe ministrin që e ka shty Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Iu bëjmë apel edhe pikave të tjera që të zbatojnë këtë ligj sepse është e drejtë e konsumatorit të dijë se nga është produkti a është nga Kosova nga vendet e rajonit apo i importuar nga vendete Bashkimit Evropian”.

Kurse Sylejman Neziri, pronar i “Plus Centre” përveç përkrahjes për prodhuesit kërkoi mbështetje edhe për bashkatdhetarët.

“Besoj se edhe qeveria tash e tutje do te ia jep një përkrahje shumë prodhuesve vendor por edhe bashkatdhetarëve që të vijnë pa hezitim të financojnë në Republikën e Kosovës dhe që rinia jonë të mos ikë nëpër ambasada, por ta forcojmë shtetin tonë siç është më mirë”.