Reagojnë nga Sofja pasi Daçiq e kritikoi kryeministrin bullgar për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Ministria e Jashtme bullgare ka thënë sot se ambasadori serb është ftuar në një takim raportues në ministri të hënën në lidhje me reagimin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq ndaj deklaratave të kryeministrit bullgar, Boyko Borissov, rreth Kosovës dhe për të nominuarin për postin e shefit të politikës së jashtme të BE-së.

Daçiqi kritikoi Borissovin rreth komenteve të tij se i nominuari për të pasuar Federica Mogherinin në postin e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, ministri i jashtëm spanjoll, Josep Borrell, duhet të respektojë qëndrimin e BE-së për Kosovën e jo atë të Madridit, raporton “SofiaGlobe”.

Në një intervistë për televizionin publik serb (RTS), Daçiqi tha se “Borissovi duhet të respektojë qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës, i cili”, sipas Daçiqit, “është se Kosova nuk është e pavarur – e jo të tentojë t’i mbajë leksion Borrellit”, përcjell koha.net.

Duke folur për RTS-në, Daçiqi tha: “Boiko, më lejo të të tregoj një gjë, sjellja e BE-së nuk thotë se Kosova është shtet i pavarur. Ti, Boiko, duhet të respektosh sjelljen e BE-së, e jo t’i japësh leksion Borrellit”.

“Kjo ngjan në paturpësi. Jam ngopur me këto gjëra; e të mos flasim se para disa muajsh ai u nderua nga shteti ynë”, tha Daçiqi.

Shkurtin e këtij viti, Serbia e nderoi Borissovin me nderin më të lartë shtetëror “për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimin paqësor dhe marrëdhënieve miqësore mes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Bullgarisë”. Çmimi i nderit iu nda nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Daçiq: Ka mundësi të mos mbahet Samiti i Parisit, nëse Kosova nuk e heq taksën

Periskopi.com Lajme

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se nuk është i sigurt që do të mbahet Samiti i Parisit, kjo pasi sipas tij institucionet kosovare nuk janë duke dhënë sinjale se do të heqin taksën doganore ndaj mallrave serbe.

Sipas B92 kështu ka thënë Daçiq, në një konferencë për media.

“Nuk do të ketë takim në Paris, në qoftë se nuk ka gjasa që të vijë deri te përmirësimi i gjendjes, respektivisht në qoftë se nuk ka asnjë mënyrë për të hequr taksën”, u shpreh ai.

Daçiq tha se Serbia nuk do ta lejojë që ta tërheqin për hundë.

“Nëse tashmë po na tërheqin për veshë gjatë gjitha këtyre dekadave, të paktën të mos mendojmë se jemi marrë”, tha Daçiq.

Ai theksoi se Serbia do të vazhdojë dialogun në momentin kur autoritetet e Prishtinës e heqin taksën.

“Ne jemi të gatshëm për një kompromis, duam marrëveshje. Nëse pala tjetër nuk e dëshiron këtë, ne nuk mund të shkojmë kundër interesave kombëtare dhe shtetërore”, tha Daçiq, transmeton Klan Kosova.

I pyetur në lidhje me ftohjen e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Serbisë, Daçiq ka thënë se nuk ka ftohje raportesh, por Serbia nuk dëshiron që të vazhdojë dialogun derisa të shfuqizohet taksa.