Ministri Gashi uron qytetarët dhe bashkatdhetarët për Vitin e Ri

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri në detyrë i Diasporës dhe Investimeve Strategjike Dardan Gashi me rastin e Vitit të Ri, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët me dëshirat më të mira që vitin që po hyjmë të kenë suksese dhe më tepër bashkëpunim për zhvillimin e vendit tonë.

“Uroj që te secili prej jush, arritjet e sukseset ta kenë dominuar këtë vit. Jam i lumtur që gjatë këtij viti kemi arritur që si Ministri ta kalojmë në lexim të parë, projektligjin për Diasporën.  Jam i lumtur që kemi takuar e kemi vënë themele bashkëpunimi me shumë bashkatdhetarë e investitorë nga diaspora, që në vitin që po hyjmë e ne ato që do vijnë, do kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës.

E gjithashtu i kemi sjelle për herë të parë në Kosovë një grup të arbëreshëve të Italisë, që paraqesin kulturën dhe traditën shqiptare që ka rezistuar ndër shekuj.

Duke falënderuar secilin qytetarë që ka kontribuar e kontribuon në të mirën e Kosovës, shtetit që të gjithë duam, uroj që në vitin 2020 të keni shëndet në radhë të parë dhe të keni mundësi që të realizoni qëllimet tuaja”, thuhet në urim./Periskopi/

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të martën publikon rezultatet e regjistrimit të Diasporës

Periskopi.com Lajme

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike do të publikoj rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës nëpër shtete sipas ndarjes territoriale e administrative.

I pranishëm do të jetë edhe zëvendëskryeministri/ministri i Diasporës Dardan Gashi.

Publikimi do të bëhet të martën me 26.11.2019 me fillim nga ora 10:00.

Vendi: Hotel Sirius

Gashi: Kushtetuesja ta kthejë ligjshmërinë e procesit zgjedhor

Periskopi.com Lajme

Shef i shtabit të koalicionit Nisma-AKR-PD, Dardan Gashi, ka treguar se dy dite më parë është dorëzuar zyrtarisht lënda në Gjykatën Kushtetuese për sa i takon votave të diaspores, të cilat kanë ardhur pas ditës së votimit.

“E kemi dorëzuar një ankesë që lidhet me vendimin e Gjykatës Supreme rreth votave të diasporës që kanë arritur pas afatit të ligjshmërisë”.

“Gjykata Supreme në këtë rast sipas mendimit të gjykimit tonë ka marrë vendim të jashtëligjshëm sepse rregullat e kanë përcaktuar që votat nga diaspora të arrijnë deri më 5 tetor, ndërsa votat nga diaspora kanë arritur mbi një javë pas afatit, dhe kështu janë të kundërligjshme”.

“Kemi kërkuar që ligjshmëria të mbrohet. Kjo është betejë e Nismës për ligjshmërinë e procesit zgjedhor dhe jo për Nismën sa i përket pragut sepse atë e kemi kaluar”.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të reflektonte në numrin e deputetëve në përgjithësi. Komisioni zgjedhor ka pritur gjithmonë që të përfundojnë ankesat ligjore dhe duhet të pritet edhe në këtë rast”.

“Ky vendim i Gjykatës Supreme e ka humbur ligjshmërinë e zgjedhjeve duke i futur në numërim votat që kanë ardhur pas afatit ligjor”, ka deklaruar Gashi në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Dardan Gashi tregon a do të hyjnë Nisma në koalicion me Vetëvendosjen

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Dardan Gashi ka deklaruar se sjelljet e VV-së e kanë dëmtuar mundësinë për një partneritet në qeverinë e ardhshme. Gashi nuk e ka përjashtuar mundësinë që AKR-ja e Behgjet Pacollit të votojë qeverinë e Kurtit, duke thënë se janë dy parti të ndryshme. Gashi ka thënë se kanë pasur takime me LDK-në më herët por jo edhe me Vetëvendosjen.

Koalicioni parazgjedhor mes Fatmir Limajt dhe Behgjet Pacollit pas përpjekjeve të shumta ka arritur që të kalojë pragun dhe të ketë gjashtë ulëse në Kuvend.

Dy nga ulëset do t’i takojnë AKR-së, e cila është e hapur për bisedime me VV-në e Albin Kurtit që të jenë pjesë e qeverisë.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri në detyrë i Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka thënë për Gazetën Express se nuk kanë pasur takime me VV-në rreth futjes në qeverinë e ardhshme.

“Hala jemi larg prej koalicionit, në kuptim formal ne kemi pasur takime edhe më herët në nivel më të lartë me LDK-në, por jo me VV-në”, është shprehur Dardan Gashi.

Ai ka thënë se sjelljet e fundit të VV-së janë të papranueshme, pasi njëherë kanë tentuar t’ua grabisin votat e pastaj të shajnë e ofendojnë.

“Tash i presim certifikimet e rezultateve por natyrisht sjelljet e VV-së nuk lënë hapësire optimiste, janë të papranueshme sepse njëherë tentojnë me grabitë e pastaj ofendojnë e shajnë këto nuk janë shenja të mira për një partneritet të mundshëm”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se edhe pse janë në koalicion me AKR-në, prapëseprapë janë dy parti të ndryshme.

“Mos harroni që ne jemi dy parti të ndryshme në këtë koalicion, sigurisht se partia e Pacollit ka të drejtë dhe mund të kenë kontakte me kë të donë, edhe mund të kenë pasur kontakte me VV por ne si koalicioni nuk kemi pasur kontakte”, është shprehur ai.

Anëtari i Nismës, tha se shpreson që vendimet për veprimet e mëtutjeshme t’i marrin bashkë me AKR-në.

“Në koalicion kemi hy që të qëndrojmë bashkë edhe pas zgjedhjeve por nëse njëri nga partnerët dëshiron me ndryshu kurs askush nuk mundet me ndalë edhe me dashtë, unë shpresoj që do të rrimë bashkë dhe vendimi në fund do të jetë kolektiv ose të vendosim të rrimë në opozitë ose në qeveri. ”, është shprehur zëvendëskryeministri në detyrë.

Ai po ashtu ka thënë se do të shohin sa vota ka koalicioni që pretendon të formojë qeverinë për të vendosur nëse do të hyjnë në qeveri ose jo.

“Ne si Nismë nuk kemi diskutuar ndonjë bashkëpunim me VV-në sepse deri tash kemi qenë në betejën e ruajtjes së mandatave dhe kjo tash u siguru, tash po presim sa vota i ka koalicioni që pretendon me formu qeverinë edhe cili do të jetë roli jonë nëse do të kemi negociata të tilla dhe cili jo, mirëpo nuk është që me çdo kusht të hyjmë në qeveri”, ka thënë Gashi.

Gashi: Nisma s’ka vija të kuqe për askënd

Periskopi.com Lajme

Shefi i Shtabit të koalicionit Nisma-AKR-PD, Dardan Gashi, ka treguar arsyen se pse emri i tij nuk figuron ndër 110 të tjerët në listën për deputet.

“Po jo të gjithë duhet të garojnë. Kam marrë rolin që të punoj për fushatë. Jam kyçur vonë në Nisma dhe nuk është e ndershme që paradite të futesh në një parti dhe pasdite në listë”, ka thënë Gashi, njofton Klan Kosova.

“Unë duhet të punojë. Nisma do të jetë në qeverisje sepse do të ketë suksese në zgjedhje. Është ekip e dinjitetshme. Ne nuk kemi pranuar të jemi në koalicion me parti që me çdo kusht duan që të dalin të parat. Kemi pasë oferta nga të gjitha partitë e mëdha dhe i kemi refuzuar”.

Por pas 6 tetorit, Gashi ka thënë se ata nuk kanë vija të kuqe për partitë politike.

“Ne nuk kemi vija të kuqe ndaj askujt”.

Dardan Gashi konfirmon për Periskopin: Jam anëtar i Nisma-s

Periskopi.com Lajme

Ministri në detyrë i Ministrisë së Diasporës, Dardan Gashi ka konfirmaur për Periskopin se tashmë është anëtar i partisë së Fatmir Limajt, raporton Periskopi.

Ai ka thënë po ashtu se ka qenë pjesë e negociatave për koalicionin NISMA –AKR.

Dardan Gashi gjatë këtij mandati qeverisës ka qenë në krye të Ministrisë së Diasporës. /Periskopi

 

Reagon Dardan Gashi: Posti i nënkryetarit në Nisma nuk ekziston, s’kam asgjë kundër Ukë Rugovës në LDK

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i Kosovës njëherit ministër i Diasporës Dardan Gashi ka reaguar pas lajmit të publikuar në media për kalimin e tij në Nismën Social Demokrate.

Gashi përmes një njoftimi për media, ka sqaruar se lajmi është i pa vërtetë.

Më poshtë lexoni reagimin e plotë të tij.

Me dijen time Nisma nuk ka fare nenkryetar, pra pozita si e tille nuk ekziston! 2. Angazhimin e Uke Rugoves ne LDK e pershendes dhe e pergezoj per kontributin ne partine e themeluar e udhehequr per dy dekada nga babai i tij! Pra jo qe nuk jam pajtuar por edhe e kam inkurajuar e perkrahur! 3. Lista Rugova ka qene vetem nje here ne qeveri, ne qeverine Thaci 2! Perfshirja ime ne qeverine Haradinaj ka qene si jo partiak, pra si i pavarur! Lista Rugova ka qene nje frakcion i LDK i cili ka pushuar se ekzistuari qysh ne vitin 2014! Pra nuk e kam “braktisur” Listen Rugova, sepse nuk ka pasur liste per ta braktisur! 4. Kryetari Mustafa as qe ka pasur nevoje te merret me temen e rikthimit tim ne LDK sepse as qe eshte shtruar ndojhere para tij ose dikuj tjeter ne LDK! 5. Eshte mire qe kur shkruhen tekste te tilla kreative te kontaktohet edhe personi per te cilin shkruhet e jo te qendisen gjera nga imagjinata!

 

A kaloi në NISMA? Flet Dardan Gashi

Periskopi.com Lajme

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi pas lajmeve se ka dalë në partinë Nisma SocialDemokrate të Fatmir Limaj ka folur për Gazetën Express.

Gashi po thotë se ka bashkëpunuar ngushtë më Limajn, e që do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen.
Sa i përket lajmeve që ka dalë në partinë Nisma, e që iu është ofruar pozita e nënkryetarit në një përgjigje zëvendëskryeministri e ministri, Dardan Gashi po e mohon një gjë të tillë.

“Unë kam bashkëpunuar ngushtë me zotin Limaj dhe Nismën dhe besoj që do të bahskëpunojmë po aq ngushtë edhe në të ardhmën! Për detaje tjera do të ju informoj me kohë”, ka thënë Gashi.

Se nuk e ka braktistur ende Lisën Rugova, të paktën jo zyrtarisht po e mohojnë edhe në partinë e Fatmir Limajt.

Dardan Gashi i bashkohet Nismës, ia ofrojnë pozitën e nënkryetarit

Periskopi.com Lajme

Zëvendës-kryeministri i katërt në detyrë i Kosovës dhe njëherit ministri i Diasporës, Dardan Gashi, ka braktisur ‘Listën Rugova’ pas disa viteve.

Dardan Gashi ka kaluar në partinë NISMA të Fatmir Limajt, parti kjo që ati i ka ofruar pozitën e nënkryetarit të partisë.

Metro mëson se Gashi ka kaluar në NISMA pasi që ‘Lista Rugova’ e udhëhequr nga djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova janë pajtuar që të ritkthehen në LDK, ky vendim nuk i ka pëlqyer Gashit.

Gashi përndryshe nuk ka marrëdhënie të mira dhe të besueshme me Isa Mustafën, ky i fundit nuk ka pranuar që ai të rikthehet në LDK.

Ukë Rugovës tani në LDK është zgjedhur si anëtar në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie i cili do të voton më vonë për anëtarët e tjerë të partisë.

Lista Rugova është themeluar 2009 e udhëhequr nga Ukë Rugova, ajo fillimisht kishte garuar me AAK’në, pastaj me LDK’në përmes Teuta Rugovës. Kjo listë ka qenë dy herë pjesë e koalicionit qeverisës duke u përfaqësuar me ministra dhe zëvendësministra.

 

 

Dardan Gashi paralajmëron padi për Lëvizjen FOL

Periskopi.com Lajme

Lëvizja FOL ka publikuar sot një raport rreth pasurisë së zëvendëskryeministrit/ministrit të Diasporës, Dardan Gashit.

Sipas Gashit, në platformën e krahasimit të pasurisë për zyrtarë publikë për vitet 2010-2019 kjo organizatë qëllimisht ose jo, ka shtuar më shumë se një milionë euro në pasurinë e tij.

Gjeni më poshtë reagimin e plotë të ministrit Gashi:

“Lëvizja FOL në publikimin që ka lansuar sot, paska rritur pasurinë time në më shumë se një milion euro, gjë e cila nuk është aspak e vërtet. Përkundrazi më lejoni të ju njoftoj se pasuria ime vetëm se është zvogëluar në tre vitet e fundit”.

“FOL qëllimshëm ose jo, paska rritur vlerën e letrave me vlerë që unë posedoj. Por siç mund ta shihni edhe ju, në deklarimin tim të pasurisë të bërë në vitin 2015, vlera e letrave është krejt tjetër”.

“Unë kam deklaruar dy lloj letra me vlerë në Agjencinë Anti-Korrupsion në vitin 2015 me këto vlera: Njëra 15.00 dhe tjetra 145.00. Ndërsa Lëvizja FOL në publikim e saj këtyre letrave ua ka rritur vlerën për më shumë se një milion. Vlerat te ky publikim figurojnë 1.576.007.00″.

“Personalisht do marr të gjitha masat e nevojshme, përfshirë edhe padi, për pavërtetësinë e këtij dokumenti”.

Sofra e Dardan Gashit kushton 10 mijë euro? (Dokument)

Periskopi.com Lajme

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, e udhëhequr nga Dardan Gashi, ka planifikuar t’i shpenzoj afro 10 mijë euro për organizimin e panairit dhe sofrës tradicionale për Ditët e Diasporës në Kosovë.

Në bazë të tenderit të publikuar për “Shërbime të vendosjes së tendave, organizimi i Panairit dhe sofrës tradicional 2019,të publikuar nga ky institucion me 9,500 euro planifikohen të organizohen 5 aktivitete në lokacione të ndryshme të Kosovës.

Për katër ditë me radhë Ministria e Diasporës dhe Investime Strategjike, do të organizoi aktivitete në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, Manifestim me 1 gusht në Prekaz dhe manifestimi qendror do ët mbahet me 2 gusht në Prishtinë, shkruan gazeta inFokus.

Në dosjen e tenderit kërkohet që Operatori Ekonomik, i cili dëshiron të fitoi këtë tender duhet të ketë të realizuara  minimumi një kontratë për shërbime të ngjashme, gjatë 3 viteve të shkuara para datës së publikimit te këtij njoftimit për kontratë.

Si u bë që të arrihet deri te vizita e Arbëreshëve të Italisë në Kosovë dhe bashkëpunimi me ta

Periskopi.com Lajme

“Ditët e Arbëreshëve në Kosovë”, është aktiviteti më i madh që Kosova e ka ndërmarrë ndaj komunitetit Arbëresh që jetojnë në shtetin e Italisë.

Ky aktivitet kulturor që ka filluar nga 3 dhe do të zgjatë deri më 6 maj, është organizuar nën patronatin e Ministrisë se Diasporës dhe Investimeve Strategjike, që udhëhiqet nga Dardan Gashi.

Organizime të shumta, si vizita, aktivitete kulturore dhe takime të ndryshme, janë paraparë që të bëhen gjatë këtyre tri ditëve sa do të zgjasë ky aktivitet, më i madhi i bërë ndonjëherë për Arbëreshët nga shteti i Kosovës. Madje, edhe Kuvendi i Kosovës mbajti dje seancë të veçantë në nderim të tyre.

Por, nga lindi ideja për këtë organizim?

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, teksa foli dje në seancën e Kuvendit, për nder të Arbëreshëve, tregoi se si lindi ideja për këtë organizim.

Ai tha se ideja për një organizim të tillë i kishte ardhur pas një vizite të vitit të kaluar atje, së bashku me zv/kryeministrin Fatmir Limaj dhe ministrin e qeverisë shqiptare, Pandeli Majko.

Gashi, u shpreh se Arbëreshët e Italisë janë dëshmia më e mirë se nuk ka pushtues të mirë, teksa potencoi, se ata edhe sot e kësaj dite mbeten urë lidhëse mes shqiptarëve dhe civilizimit evropian.

“Jam shumë i nderuar dhe i emocionuar, që t’ju uroj mirëseardhje sot këtu, juve miq dhe bashkëkombës nga Italia, në emër të Qeverisë së Kosovës. Gjate vizitës që kishim vitin e kaluar bashkë me zëvendëskryeministrin Limaj dhe ministrin Majko, lindi ideja që t’i ftonim kryetarët e komunave arbëreshe të Italisë, për vizitë në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Gashi u shpreh se më herët mendonin se në Itali janë vetëm 15 komuna arbëreshe, por kur filluan përgatitjet që ata të vinin në Kosovë, doli që ai numër të jetë trefish më i lartë.

“Atëherë ne mendonim se janë gjithsej jo më shumë se 15 komuna arbëreshe në Itali. Por kur filluam përgatitjet bashkë me Rosarijon, doli që ky numër të jetë trefish më i madh dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur e krenar, që kaq shumë komuna banohen dhe qeverisen nga motrat dhe vëllezërit tanë arbëresh. Po aq i lumtur jam, që takimin e parë të këtij lloji, pothuajse të gjithë kryetarëve arbëresh, të organizohet nga ministria ime dhe këtu në Prishtinë, në kuvendin e Kosovës”, shtoi ministri Gashi.

Ministri i Diasporës, para Arbëreshëve e kujtoi eksodin e 1 milion shqiptarëve gjatë vitit 1999, duke thënë se edhe para 500 vjetësh, stërgjyshërit e tyre, kishin qenë të detyruar që t’i lëshojnë tokat e tyre.

Me këtë rast Gashi tha se Arbëreshët e Italisë, janë shembulli më i mirë se nuk ka pushtues të mirë, teksa i kritikoi të gjithë ata që thonë  se “Perandoria Osmane ka qenë pushtetuese e mire”.

“Sot ka të atillë që tentojnë ta rishkruajnë historinë duke pretenduar se pushtimi otoman nuk ishte pushtim, por një bashkëqeverisje me një pushtues të cilin këta pretendojnë që ishte një “pushtues i mirë”. Ju jeni shembulli më i mirë dhe i gjallë se nuk ka pushtues të mirë. Se sigurisht paraardhësit tuaj nuk ikën nga të mirat që solli ky pushtues, por nga dhuna, shtypja e terrori që u ushtrua mbi ta”, ka thënë Gashi. “Pushtimi osman shkëputi shpirtërisht e fizikisht shqiptarët nga Evropa. Ju arbëresh të Italisë, duke qenë pjesë e civilizimit evropian, ishit pishtarët e rilindjes kombëtare duke u bashkuar me bashkëmendimtarët pro-evropian në Shqipëri, për të çliruar toka shqiptare dhe rikthyer popullin tonë në familjen evropiane”.

Gashi u shpreh se shumë shpejt ëndrra e Skënderbeut do bëhet realitet, “edhe me ndihmën tuaj, populli shqiptar dhe arbëreshët e Italisë, do të jenë pjese e një unioni shtetesh evropiane dhe do të jetojnë si një popull nën një kulm!”.

“Edhe sot, kur Kosova dhe Shqipëria kanë nisur rrugëtimin në Bashkimin Evropian, ju jeni ura lidhëse e popullit tonë me civilizimin evropian. E për këtë falënderojmë popullin mik italian dhe institucionet e këtij vendit, që mundësuan që me shekuj ju ta ruani gjuhën, kulturën dhe kishën tuaj të pavarur arbëreshe. Shumë shpejt, ëndrra e Skënderbeut do të bëhet realitet e edhe me ndihmën tuaj, populli shqiptar dhe arbëreshët e Italisë, do të jenë pjese e një unioni shtetesh evropiane dhe do të jetojnë si një popull nën një kulm!”, ka përfunduar Gashi.

E për nder të pritjes madhështore që iu bë nga Kuvendi i Kosovës, Arbëreshët kishin vendosur që të vishen me veshje kombëtare.

E para se të merrnin pjesë në seancën e Kuvendit, delegacioni i Arbëreshëve, në përcjellje të vetë Gashit, ishin për vizitë në Ministrinë e Mbrojtjes. Aty u takuan me ministrin Rrustem Berisha dhe drekuan me ushtarët e Forcës se Sigurisë së Kosovës.

Pas përfundimit të vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe seancës së Kuvendit, delegacioni i Arbëreshëve, darkuan në njërin nga restaurantet e Prishtinës. Të pranishëm përveç Gashit, ishin kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ambasadorë të shteteve të ndryshme në Kosovë dhe shumë figura publike të artit dhe kulturës shqiptare.

Ata thanë se Arbëreshët e Italisë, janë gurthemel i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke iu dhënë kështu merita të mëdha për kontributin e tyre ndër vite në kulturën shqiptare.

Arbëreshët e Italisë, u shprehën të lumtur me faktin që ka filluar një bashkëpunim mes institucioneve të Kosovës dhe atyre, duke thënë se ky bashkëpunim në të ardhmen do të thellohet.

Ata u shprehën gjithashtu të gëzuar me faktin se tashmë kanë filluar që të njohën edhe më shumë me kulturën shqiptare, përmes vizitave të ndryshme që i kanë bërë këto ditë nëpër monumente kulturore në Kosovë.

Teksa, ditëve ne vazhdim pritet të bëhen aktivitete të ndryshme për nder të tyre, Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, premtoi se tashmë përkrahje dhe mbështetja për këtë komunitet do të jetë shumë më e madhe në të ardhmen.

 

Gashi: Arbëreshët dëshmi e gjallë se nuk ka pushtues të mirë

Periskopi.com Lajme

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, mbajti një fjalim në seancën e veçantë të Kuvendit, për nder të Arbëreshëve të Italisë.

Gashi në emër të Qeverisë së Kosovës, u uroi mirëseardhje miqve bashkëkombës nga Italia.

Zv.kryeministri Gashi, fjalimin e nisi me faktin se si erdhi ideja për t’i ftuar Arbëreshët e Italisë, për ta vizituar Kosovën.

Tha se këtë e kishte bërë pas një vizite të vitit të kaluar, së bashku me zv.kryeministrin Fatmir Limaj dhe ministrin e qeverisë shqiptare, Pandeli Majko.

“Jam shumë i nderuar dhe i emocionuar, që t’ju uroj mirëseardhje sot këtu, juve miq dhe bashkëkombës nga Italia, në emër të Qeverisë së Kosovës. Gjate vizitës që kishim vitin e kaluar bashkë me zëvendëskryeministrin Limaj dhe ministrin Majko, lindi ideja që t’i ftonim kryetarët e komunave arbëreshe të Italisë, në vizitë në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Ministri Gashi u shpreh se më herët mendonin se në Itali janë vetëm 15 komuna arbëreshe, por kur filluan përgatitjet që ata të vinin në Kosovë, doli që ai numër të jetë trefish më i lartë.

Dhe për këtë fakt, Gashi tha se ndihet i lumtur dhe krenar, por më i lumtur është treguar me faktin që ministria që ai drejton arriti ta organizojë vizitën e Arbëreshëve në Kosovë.

“Atëherë ne mendonim se janë gjithsej jo më shumë se 15 komuna arbëreshe në Itali. Por kur filluam përgatitjet bashkë me Rosarijon, doli që ky numër të jetë trefish më i madh dhe për ktë jemi jashtëzakonisht të lumtur e krenar, që kaq shumë komuna banohen dhe qeverisen nga motrat dhe vëllezërit tanë arbëresh. Po aq i lumtur jam, që takimin e parë të këtij lloji, pothuajse të gjithë kryetarve arbëresh, të organizohet nga ministria ime dhe këtu në Prishtinë, në kuvendin e Kosovës”, shtoi ministri Gashi.

Ministri i Diasporës, para Arbëreshëve e kujtoi eksodin e 1 milion shqiptarëve gjatë vitit 1999, duke thënë se edhe para 500 vjetësh, stërgjyshërit e tyre, kishin qenë të detyruar që t’i lëshojnë tokat e tyre.

Me këtë rast Gashi tha se Arbëreshët e Italisë, janë shembulli më i mirë se nuk ka pushtues të mirë, teksa i kritikoi të gjithë ata që thonë  se “Perandoria Osmane ka qenë pushtuese e mirë”.

“Të dashur bashkëkombës, ne sivjet shënuan 20 vjetorin e eksodit të mese 1 milion kosovarëve në vitin 1999. Ky kujtim medoemos na kthen mbrapa në eksodin që e përjetuan stërgjyshërit e juaj, mbi 500 vjet më parë, kur ata u detyruan të braktisnin tokat e tyre, të ballafaquar me një pushtues po aq brutal e i pamëshirshëm, siç u ballafaquam ne 20 vite më parë.

“Sot ka të atillë që tentojnë ta rishkruajnë historinë duke pretenduar se pushtimi otoman nuk ishte pushtim, por një bashkëqeverisje me një pushtues të cilin këta pretendojnë që ishte një “pushtues i mirë”. Ju jeni shembulli më i mirë dhe i gjallë se nuk ka pushtues të mirë. Se sigurisht paraardhërsit tuaj nuk ikën nga të mirat që solli ky pushtues, por nga dhuna, shtypja e terrori që u ushtrua mbi ta”, ka thënë Gashi.

Zv.kryeministri shtoi se ishte pikërisht pushtimi osman që i shkëputi shqiptarët shpirtërisht dhe fizikisht nga Evropa.

“Pushtimi osman shkëputi shpirtërisht e fizikisht shqiptarët nga Evropa. Ju arbëresh të Italisë, duke qene pjesë e civilizimit evropian, ishit pishtarët e rilindjes kombëtare duke u bashkuar me bashkëmendimtarët pro-evropian në Shqipëri, për të shliruar toka shqiptare dhe rikthyer popullin tonë në familjen evropiane”.

Në fund të fjalimit, zv.kryeministri dhe njëherësh ministër i Diasporës dhe Planifikimeve Strategjike, nën organizimin e të cilit u zhvillua vizita e Arbëreshëve të Italisë në Kosovë, iu drejtua atyre, duke iu thënë se janë pikërisht ata që edhe sot janë ura lidhëse e popullit shqiptar me civilizimin evropian.

Gashi u shpreh se shumë shpejt ëndrra e Skënderbeut do bëhet realitet, “edhe me ndihmën tuaj, populli shqiptar dhe arbëreshët e Italisë, do të jenë pjese e një unioni shtetesh evropiane dhe do të jetojnë si një popull nën një kulm!”.

“Edhe sot, kur Kosova dhe Shqipëria kanë nisur rrugëtimin në Bashkimin Evropian, ju jeni ura lidhëse e popullit tonë me civilizimin evropian. E për këtë falënderojmë popullin mik italian dhe institucionet e këtij vendit, që mundësuan që me shekuj ju ta ruani gjuhën, kulturën dhe kishën tuaj të pavarur arbëreshe. Shumë shpejt, ëndrra e Skënderbeut do të bëhet realitet e edhe me ndihmën tuaj, populli shqiptar dhe arbëreshët e Italisë, do të jenë pjese e një unioni shtetesh evropiane dhe do të jetojnë si një popull nën një kulm!”, ka përfunduar Gashi.

Gashi: Jam i gatshëm të largohem nga ekipi negociator për t’ia lëshuar vendin LDK’së

Periskopi.com Lajme

Gjykatë Speciale, e njëjtë sikur ajo që është formuar për Kosovën do t’i kërkohet edhe Serbisë. Kjo parashihet në Platformën e Delegacionit Shtetëror të Kosovës për Bisedime me Serbinë. Një gjë të tillë e ka thënë zëvendëskryeministri njëherësh anëtar i këtij ekipi, Dardan Gashi.

Zëvendëskryeministri Gashi thotë se nëse për Kosovën është bërë një gjë e tillë, pse të mos formohet Specialja edhe për Serbinë, kur dihet se ka kryer gjenocid  në Kosovë. “Platforma i është dok atyre agresive për shkak se kërkon krijimin e një Tribunali ose Gjykata speciale për krimet e Serbisë, ashtu siç fatkeqësisht e kemi ne gjykatën për krimet e supozuara të UÇK-së.

Dhe nëse për ne bënë edhe pse është e padrejtë, atëherë pse mos ta pranojë Serbia për 11 mijë civilë që dihet që i ka vra. Vetëm gjatë luftës, nuk po flas për fazat e paraluftës, keqtrajtimet, burgosjet që i ka bërë me dekada e shekuj”, ka thënë Gashi.

Gashi e ka pranuar se dialogu ka mbetur i bllokuar për shkak të kërkesës së Serbisë për heqjen e taksës. Por ai shton se Serbia vazhdon të ketë kërkesa karshi Kosovës, sipas tij, edhe po të hiqet taksa do të kërkojnë të tjera kushte.

“Nuk është ndonjë sekret që dialogu është i bllokuar, është i bllokuar për shkak të kërkesës së Serbisë që ne fillimisht të largojmë taksën pastaj fillojmë bisedimet. Është kjo kërkesë e cila e kishim marrë seriozisht por të mos kishin qenë 100 kushte tjera që i kanë qit më herët dhe që presin me i qit edhe kur ta heqim taksën. Në momentin që është votuar atë ditë platforma për nja dy javë e harroi taksën Beogradi dhe filloi të merret me platformë sepse platforma e pamundëson tash dialogun. Po ju garantoj që edhe po të heqim taksën kanë me fillu me qit kushte të reja”, tha zëvendëskryeministri Gashi

Këtë vendim të Qeverisë së Kosovës për mallrat e Serbisë, Gashi nuk e sheh të nevojshme të ndryshohet, vetëm pse po kërkon Serbia. Sipas tij, Kosova është e gatshme për dialog dhe ka kusht njohjen ndërmjet dy shteteve.

“Ne mund të heqim taksën në çdo moment që vlerësojmë që është mirë. Mirëpo nuk mund të heqim taksën vetëm pse po kërkon Serbia, për të hyrë në dialog. Ne jemi të gatshëm për dialog, kemi Platformë, kemi Ekip Negociator, kemi vendim të tri dokumenteve të ndryshme të votuara në Kuvend edhe sa i përket dialogut nuk kemi asnjë hap të tillë prej Serbisë, përveç vendosjes së kushteve. Ne kushtin e vetëm e kemi që dialogu është politik dhe duhet të përfundojë me njohje”, u shpreh Gashi.

Anëtari i Ekipit Negociator, Dardan Gashi, deklarimet e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve, i ka quajtur mendime private të tij, për të cilat thotë se nuk mund t’i ndalohen askujt. Gashi ka thënë se duhet dallohen mendimet private nga ajo çfarë është e përcaktuar në Platformën për Dialogun. Sipas tij, përmbajtja e saj nuk ka pasur kritika as nga opozita.

“Nuk ka asnjë divergjencë mes Ekipit Negociator dhe presidentit. Mendimet private gjithkujt na s’mund t’ja ndalojmë. Dikush mund të thotë se është zgjidhja më e mirë ndryshimi i kufijve, dikush mundet me pas idenë që zgjidhja më e mirë është po supozoj asociacioni mirëpo tjetër send janë mendimet private, tjetër send është platforma e votuar në Kuvend e cila i qet idetë e qarta se në çfarë orientimi duhet të ketë Kosova në këtë dialog dhe atë e kanë votuar gjitha partitë e koalicionit plus një parti e opozitës, dhe nuk ka pasur kritika në kuptim të përmbytjes. Ata kanë pasur kritika në kuptim të delegacionit, të Qeverisë. Sa i përket përmbajtjes nuk ka pasur kritika serioze sepse përmbajtja është ajo që besoj e përfaqëson gjithë spektrin politik duke përfshirë edhe opozitën”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës në procesin e dialogun, sipas Gashit, mund të përfshihet kur të fillojë dialogu. Madje ai thotë se është i gatshëm t’ia lirojë vendin e tij përfaqësuesve të LDK-së.

“Ne e kemi thënë dhe vazhdojmë të themi çdo moment që LDK-ja vjen që ne personalisht jemi të gatshëm të lëshojmë vendin nëse LDK-ja vjen. Edhe Limaj si bashkëkryesues edhe unë si anëtar, sigurisht edhe anëtarët tjerë, do të ishin të lumtur të lirojnë një vend ose dy ose tre për të përfshirë një parti si LDK-ja në dialog. Dialogu ende nuk ka filluar do të thotë gjitha këto që kanë ndodhur deri tash janë përgatitje. Unë besoj që kur të fillojë faza serioze e dialogut, LDK-ja do të jetë pjesë e këtij procesi”, pohoi zëvendëskryeministri Gashi.

Ekipi Negociator dhe Platforma për Dialogun nuk është mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Si parti opozitare, këtij ekipi i është bashkuar Partia Socialdemokrate, ku bashkëkryesues i delegacionit është kreu i kësaj partie, Shpend Ahmeti./eo

Kryeministri refuzon t’i kërkojë Listës Serbe pozicionim rreth krimeve të luftës në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Në mbledhjen e zakonshme të qeverisë që u mbajt sot, zv.kryeministri Dardan Gashi ka kërkuar nga Lista Serbe, që të distancohet nga deklaratat e zyrtarëve të kësaj partie, rreth Masakrës së Recakut.

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, propozoi që përvec aspektit penal që po synohet të futet në ligj dënimi i atyre që e mohojnë gjenocidin, duhet që qeveria e Kosovës të kërkojë nga Lista Serbe, që të distancohet nga fyerjet e zyrtarit të saj, Ivan Todosojeviq, që ia bëri ditë më parë, shqiptarëve dhe Masakrës së Recakut.

“Përveç që e përkrahi iniciativën e zv.kryeministrit Hoxhaj, në vendet si Gjermania dhe Austria, është vepër penale mohimi i gjenocidit. Ata që i kanë mohuar krimet që kanë ndodhur në Kosovë, i kemi kolegë këtu në qeveri. Duhet të ketë pra edhe një distancim të qartë i një partia politike që është në qeveri, ndaj këtyre deklaratave që i bëjnë eksponentët e tyre, përvec aspektit penal”, ka thënë zv.kryeministri, Dardan Gashi.

Mirëpo, çuditërisht kjo kërkesë e Gashit, është injoruar nga kryeministri, Ramush Haradinaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se distancimi i Listës Serbe nga deklaratat e ish zv.ministrit, Todosijeviq, i cili ishte vendosur në atë post pikërisht si anëtar i Listës Serbe, është temë tjetër, duke mos e proceduar kërkesën e zv.kryeministrit Gashi, shkruan Periskopi.

“Këto janë dy tema. Ju keni dalur pak prej teeme, se na mund të diskutojmë pastaj edhe për aktet tjera politike, por sa i përket propozimit të zv.kryeministrit Hoxhaj, që qeveria të merr vendim për të hartuar bazë ligjore, pra ta autorizojë ministrinë e drejtësisë. Nëse ka dikush me diskutu mujmë me diskutu, nëse jo kalojmë në votim”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Në 20 vjetorin e Masakrës së Recakut, Ivan Todosijeviq, fyeu dhe ofendoi publikisht shqiptarët, e vecmas luftën e fundit në Kosovë. Ai tha se shqiptarët janë terrorist dhe Masakra e Recakut, ka qenë trillim.

“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi për të cilat deri në ditën e sotme askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Prirjen e tyre përgjak e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte deklaruar ministri tashmë i shkarkuar i Qeverisë Haradinaj, Ivan Todosijeviq gjatë një tubimi në Zveçan për të shënuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

E, teksa nuk ka ardhur ende distancimi i Listës Serbe, nga kjo deklaratë, atë e përkrahu presidenti serb, Aleksandër Vuciq.

Ai gjatë ditës së djeshme, tha se Todosijeviq e ka thënë të vërtetën, teksa sërish mohoi krimet e kryer në Kosovë, duke thënë se “Masakra e Recakut, ishte trillim nga William Walker”.

Sipas tij, autoritetet kosovare po duan që serbëve t’ua ndalojnë edhe mendimin e lirë, duke shtuar se Todosjeviq, u shkarkua vetëm për shkak se i tha të vërtetën rreth Reçakut, megjithëse, siç thotë ai, sot të gjithë e dinë se masakra e Reçakut ishte fabrikimi nga William Walker.

“Është sikur të ishin djemtë e mirë që luftuan për liri, sikur Todosijeviq të kishte vrarë 19 dëshmitarë, e jo dikush tjetër. Ai ka thënë diçka që nuk i pëlqen lobi kriminal shqiptar …”, ka thënë ndër të tjerash Vuçiq.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të Listës Serbe – parti në pushtet në Kosovë dhe më e madhja e komunitetit serb, kanë fyer historinë e shqiptarëve, sidomos periudhën e fundit të luftës në vend.

Para Todosijeviqit, kishte qenë edhe Vesna Mikiq, e cila po ashtu mbante postin e zv.ministres, e cila fyeu sërish shqiptarët.

Si njëra nga zyrtaret më të larta të Listës Serbe, edhe Mikiq, i quajti shqiptarët terroristë.

Përveç këtyre, në qeverinë e kaluar, që udhëhiqej nga Mustafa, kishte qenë Oliver Jabllanoviq, i cili fyeu nënat gjakovare, që i kanë bijtë e tyre ende të zhdukur nga lufta e viteve ’98-99 në Kosovë.

Për të gjitha këto, Lista Serbe, asnjëherë nuk është distancuar nga deklaratat e zyrtarëve të partisë së tyre.

Meta dekoron Dardan Gashin me titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta sot ka dekoruar zëvendëskryeministrin e Kosovës njëherësh Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashin me titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”.

Presidenti Meta këtë urdhër e ndau me rastin e solemnitetit në 575 vjetorin e Kuvendit të Lezhës, po në këtë qytet “në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar për diasporën shqiptare në ruajtjen e traditave dhe identitetit kombëtar”.

Në prani të kryetarit të Komunës së Lezhës, dhe personaliteteve të shquara të Shqipërisë, Kosovës dhe diasporës, Gashi falënderoi autoritetin e presidentit për dekoratën e ndarë duke theksuar se kjo dekoratë nuk është për të si person, po për të gjithë ata që luftuan në arritjen e qëllimit përfundimtar pavarësinë e Kosovës, dhe ata që pareshtur po punojnë për zhvillimin e atdheut.

“Është nder i madh dhe e ndaj me gjithë diasporën, për sakrificat deri në atë të fundit që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, dhe shpresojmë se do ta mbajmë këtë çmim me nder dhe ta arsyetojmë atë”, tha Gashi.

Dardan Gashi bën apel pas dënimit: Mos festoni me armë

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore pas dënimit me gjobë të shqiptuar nga Gjykatës Themelore të Gjakovës, për gjuajtje me armë.

“Shfrytëzoj rastin të sqaroj opinionin publik, se përkundër raportimit jo-korrekt të disa mediave, nuk bëhet fjalë për “gjuajtje me armë zjarri”, por edhe sipas kualifikimit të Prokurorisë dhe Forenzikës së Republikës së Kosovës që ka ekzaminuar mjetet e përdorura, bëhet fjalë për “imitim arme me gaz”, e cila përveç zhurmës që krijon nuk prodhon predhë apo çfarëdo materiali tjetër me të cilin mund të shkaktohet ndonjë lëndim”, thuhet në reagim.

Megjithatë Gashi thotë se e pranon këtë vendim dhe se nuk do të ushtrojë ankesë.

“Unë jam përgjigjur nga fillimi të gjitha ftesave të organeve shtetërore ashtu sikurse edhe kërkon Ligji. Këshillat juridike që kam marr nga avokatët mbrojtës konfirmojnë se gjoba në fjalë nuk ndikon në ushtrimin e detyrës publike të cilën e kam. Me këtë konfirmoj se nuk do të ushtroj ankesë ndaj vendimit, ndërsa gjobën do ta paguaj sipas kërkesave të Gjykatës, ashtu që kjo temë të konsiderohet si e mbyllur”, thekson tutje Gashi.

Madje Gashi ka apeluar tek qytetarët që pavarësisht rastit të përmbahen nga veprimet e gjuajtjeve me armë zjarri gjatë festimeve familjare.

 

 

 

 

Gjykata dënon Lushtakun, Gashin e ministrin Shala për gjuajtjen me armë nga oda e Fatmir Limajt

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerët, janë dënuar me gjobë për gjuajtjet me armë në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limajt në Malishevë.

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi është dënuar me 1700 euro gjobë. Kurse, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala është dënuar me 2400 euro gjobë. Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku është dënuar me 1700 euro gjobë. Me nga 1700 euro gjobë janë dënuar edhe tre të akuzuarit e tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri si dhe Sherif Krasniqi.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, nga gjykatësi i çështjes, Njazi Morina. Gjithashtu, ndaj tyre është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i armëve me të cilat ishte kryer vepra penale. Ata janë të obliguar që pagesën ta kryejnë brenda afatit prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerët, në seancën fillestare të mbajtur më 27 shkurt, e kishin pranuar fajësinë për gjuajtjet me armë në odën e Fatmir Limajt në Malishevë.

Pasi që aktakuza me pajtimin e palëve ishte konsideruar e lexuar, të gjithë të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë.

Ministri Shala kishte thënë se nuk e ka ditur se me një veprim të tillë po kryente vepër penale, pasi sipas tij, arma ka qenë me gaz. Derisa, Lushtaku fillimisht kishte thënë se do të mbrohet në heshtje, pas pauzës ai e kishte pranuar fajësinë, pasi kishte thënë se këtë po e bënë për shkak që mos të zgjatet ky proces gjyqësor. Fajësinë e kishin pranuar edhe të akuzuarit, Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Krasniqi. Mbrojtësi i Dardan Gashit, avokati Arianit Koci, kishte thënë se klienti i tij nuk e ka ditur që nuk është i lejuar përdorimi i armës me gaz.

Ai kishte thënë se të mbrojturit të tij i vjen shumë keq për atë që ka ndodhur dhe se ka premtuar se ai më nuk do ta përsëris një vepër të tillë.

Aktakuza kundër Lushtakut, Gashit dhe Shalës ishte ngritur pas një video të publikuar në media në fund të vitit 2017.

Kjo video kishte të bënte me festën që Limaj kishte organizuar në Malishevë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tij në rastin e njohur si “MTPT”.

Në këtë video shihej Lushtaku, Gashi dhe Shala duke shtënë me armë nga dritarja e odës ku mbahej festa.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2018, të pandehurit Dardan Gashi, Endrit Shala, Sami Lushtaku, Behar Amerllahu, Fadil Demiri akuzohen se secili prej tyre ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “ nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dardan Gashi akuzohet se deri më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe të cilat armë me ligj kategorizohen si armë zjarri të ndaluara.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Gashi gjatë ahengut kishte hapur dritaren e odës dhe me armë me gaz të llojit “GAP” kal. 9 mm dhe një karikator, të pranuar nga i akuzuari Fadil Demiri, kishte shtënë në ajër disa herë dhe një armë e tillë ishte sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Për këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Gashi se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, të akuzuarin Endrit Shala, prokuroria e ngarkon se deri më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municion në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës, e të cilat armë me ligj kategorizohen si armë zjarri të ndaluara.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Shala akuzohet se gjatë ahengut familjar, pasi i ishte hapur dritarja e odës nga Durim Limaj, me armë gjysmë automatike të pranuar nga i akuzuari Sherif Kastrati, ka shtënë në ajër disa herë. Kjo armë pastaj ishte sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, Endrit Shala ka kryer veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në vazhdimësi, nga neni 374, par. 1 lidhur me nenin 81 të KPRK – së.

Prokuroria e ngarkon Sami Lushtakun me veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Kjo sepse, sipas prokurorisë, më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Lushtaku, gjatë ahengut familjar, e hap dritaren e odës dhe me armë me gaz, të pranuar nga i akuzuari Behar Amerllahu shtien në ajër disa herë. Kjo armë dhe karikatori janë sekuestruar dhe gjenden në Stacionin Policor në Malishevë.

Me aktakuzë akuzohet edhe Behar Amerllahu, se më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar. Arma me karikator është sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Aktakuza e ngarkon Behar Amerllahun, me veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Sipas prokurorisë, Fadil Demiri, më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës. Kjo armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar, andaj dhe arma me karikator është sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Me këtë, sipas aktakuzës, Fadil Demiri, ka kryer veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Prokuroria njësoj e akuzon edhe Sherif Kastratin, për të cilin në aktakuzë thuhet se më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar.

Sipas aktakuzës, gjatë ahengut familjar, arma është përdorë nga i akuzuari Endrit Shala, duke shtënë në ajër. Ndërsa, pas publikimit të video-incizimit nga mediumi KTV, emisioni Interaktiv, arma është gjetur me një karikator dhe e njëjta është sekuestruar, e tani gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Gashi nuk e mohon se SHBA mund të heqë bazën e Bondstilit: Amerikanët na paralajmëruan për sanksione edhe më serioze

Periskopi.com Lajme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e vazhdojnë presionin e tyre ndaj Kosovës për pezullimin ose heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnjë Hercegovina. Së fundmi, një delegacion amerikan i kryesuar nga John Earth dhe Brad Berkley kanë kërkuar të shfuqizohet kjo masë,  përndryshe shteti mik i Kosovës do të vazhdojë me sanksione edhe më serioze.

Periskopi sot ka raportuar se zyrtarët e lartë amerikanë në një takim me liderët politikë u kanë kërkuar që të largojnë taksën ose Amerika do të tërheqë trupat amerikanë dhe të shuajë bazën e Bondstilit në Kosovë.

Një gjë të tillë nuk e ka mohuar as zv/kryeministri Dardan Gashi i cili ka qenë pjesë e takimit me amerikanët sot. Ai në një prononcim për Periskopin ka treguar se  John Earth dhe Brad Berkley kanë qenë shumë të ashpër dhe kanë paralajmëruar sanksione edhe më serioze ndaj shtetit kosovar.

‘’Ka pasë biseda shumë serioze dhe shumë të hapura. Ndër të tjerash është përmendur edhe mundësia e ndonjë sanksioni më serioz për Kosovën’’, ka thënë Gashi për Periskopin.

I pyetur drejtpërdrejt nëse heqja e bazës të Bondstilit do të jetë sanksioni i radhës, Gashi ka thënë se është vendim ekskluziv i Shteteve të Bashkuara, por ata natyrisht janë shumë të irrituar me qëndrimet tona që nuk po i dëgjojmë.

“Atë e kanë shprehur vazhdimisht, nuk është hera e parë. Edhe kanë ngjarë me paralajmëru se sanksionet që i kanë vendos deri më tani, sanksionet që vec e dini që kanë qenë publike. Mund të pasojnë me sanksione më serioze. Kanë qenë shumë serioze ato që i kanë paralajmëruar se mund të ndodhin. Nuk po e mohoj që kanë paralajmëru heqjen e kampit të Bondstilit, megjithatë kanë folur për sanksione shumë serioze që ndikojnë edhe për sigurinë e Kosovës por edhe që mund t’i dëmtojnë shumë seriozisht marrëdhëniet me shtetet e Bashkuara të Amerikës’’, ka theksuar Gashi.

John Earth dhe Brad Berkley, janë dy zyrtarët e lartë amerikanë, që dje kanë arritur për vizitë në Kosovë. Gjatë ditës së djeshme, ata janë takuar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj. Në këtë takim, dy zyrtarët e lartë amerikanë, kanë ripërsëritur mesazhin e qartë të Shtëpisë së Bardhë, atë se taksa ndaj Serbisë duhet të pezullohet dhe t’i hapet rrugë dialogut.

Kujtojmë se që nga vendosja e taksës, kryeminsitri Ramush Haradinaj në vazhdimësi po del kundër kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e taksës, si një kusht që të ecet tutje në dialog.

Kryeneçësia e Haradinajt, është një nga dëmet më të mëdha që po ndikon në raportet SHBA – Kosovës dhe në të ardhmen, këto dëme mund të bëhen të pariparueshme.

Kujtojmë edhe faktin se SHBA ka anuluar një sërë mbështetjesh për Kosovën, që kanë të bëjnë me pikë mjaft të ndjeshme, siç është ajo e FSK’së dhe kryesisht – programe që lidhen me trajnime të sigurisë.

Në prag të festës së Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ia patën ndaluar një prej gjeneralëve më të respektuar të Ajovas, Timothy Orr, vizitën që e kishte paralajmëruar në Kosovë, pikërisht shkaku i refuzimit të heqjes së taksës.

Ndryshe, Kampi Bondstil është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën komandën e KFOR-it në Kosovë. Ajo është e vendosur  afër Ferizajt dhe shërben si kryeqendër e NATO’s për Task Forcën Shumëkombëshe të Lindjes. /Periskopi/

 

Zv. Kryeministri Gashi në takim me të dërguarit amerikan: Të jemi unik në ruajtjen e miqësisë me ShBA-të

Periskopi.com Lajme

Anëtarët e delegacionit shtetëror për negociatat me Serbinë së bashku me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin kanë takuar të dërguarit e Shtëpisë së Bardhë, udhëhequr nga John Erath, drejtor kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA, si dhe me drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley.

Gjatë këtij takimi, zëvendës kryeministrat e Kosovës njëherësh anëtarë të delegacionit, Fatmir Limaj, Dardan Gashi, Enver Hoxhaj dhe Behgjet Pacolli kanë shprehur përkushtimin e Kosovës për vazhdimin e dialogut i cili do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve, dhe vazhdimin e rrugës drejt Integrimeve euro-atlantike.

“Ishte një takim i hapur dhe i sinqertë ku shprehëm nevojën për vazhdimin e dialogut si parametër esencial në ruajtjen e partneritetit dhe marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha pas takimit, zv. kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi. Ai po ashtu theksoi se është dakordim që në kuadër të gjendjes së imponuar nga sjelljet agresive të Serbisë të cilat tentojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës, është e nevojshme të ketë një qëndrim unik, shtetëror për të tejkaluar të gjitha situatat në frymën e ruajtjes së miqësisë dhe partneritetit strategjik mes të tjerëve në veçanti me aleatin tonë më të madh, ShBA-të. Sërbia duhet që të ndërpresë aktivitetet kundër sovranitetit të Kosovës ashtu që përkushtimi jonë për të rinisë dialogun të reflektojë në gjetjen e rrugës së pranueshme për të dyjat palët, dhe levizjes drejt njohjes së ndërsjellë.