​McAllister: Refuzimi i negociatave për Shqipërinë, ditë e keqe për Evropën

Periskopi.com Lajme

Pas shtyrjes së fillimit të negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister deklaroi se kjo është një ditë e keqe për Evropën, që është ndërtuar mbi tejkalimin e ndarjeve të brendshme dhe të jashtme.

”Bashkimi Evropian nuk ishte në gjendje të tregonte lidership, kurajë dhe vizion strategjik. Mos marrja e vendimeve të guximshme dëmton stabilitetin, parashikueshmërinë dhe besueshmërinë e BE-së në sytë e partnerëve dhe miqve tanë”, deklaroi McAllister.

McAllister shtoi se BE ka dështuar në një provë të aftësisë së saj për të përmbushur angazhimet e saj.

“Duke dështuar në njohjen e udhëheqjes vizionare dhe të reformave të dhimbshme e të thella si dhe në mbajtjen e premtimeve tona, BE rrezikon të humbasë ndikimin e  saj dhe jep sinjalin që aktorë të tjerë janë të lirë të ndjekin axhendën e tyre në rajon”, theksoi McAllister.

“Mosvendimet tona kanë bërë të dështojnë miqtë dhe aleatët tanë europianë. Dritarja e mundësive e hapur nga Marrëveshja historike e Prespës dhe reforma gjyqësore në Shqipëri po mbyllet”, shtoi ai.

McAllister theksoi se ”një pakicë e vogël në Këshill është përgjegjëse për faktin që Europa rezulton e ndarë, në vend që të përparojë drejt unitetit dhe pajtimit në Ballkanin Perëndimor. Këto shtete anëtare kanë diskredituar gjithashtu qëndrimin e Parlamentit Evropian, i cili mbështet hapjen e pakushtëzuar të negociatave”./ATSH/

McAllister takon Vuçiqin, diskutojnë për Kosovën

Periskopi.com Lajme

David McAllister, president i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropiando të qëndrojë për vizitë në Serbi.

McAllister do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në ditën e parë të vizitës së tij në Beograd.

Ky takim pritet të ndodhë në orën 11:00.

Sipas mediave serbe, Kosova dhe integrimi evropian pritet të jenë temat kryesore të diskutimit.

 

McAllister: Po punohet shumë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Raportuesi aktual për Serbinë i cili u rizgjodh kryetar i Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister deklaroi se pavarësisht ndryshimeve të mëdha në përbërjen e PE-së, partitë udhëheqëse të konservatorëve dhe socialdemokratëve do të fokusohen në zgjerimin e BE-së.

“Dy grupe të mëdha, Partia Popullore Evropiane dhe ajo e socialistëve dhe demokratëve, do të ketë qasje të ngjashme ndaj zgjerimit, e kjo politikë bazohet në plotësimin e kushteve. Nëse vendi përparon, besojmë se duhet të shpërblehet”, ka thënë ai.

McAllister përsëriti pikëpamjen e Brukselit se përparësia në rrugën e integrimit evropian mbetet një çështje thelbësore e sundimit të ligjit.

Ai foli edhe për rolin e ndërmjetësuesve të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se janë të interesuar që të dy vendet të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, e që sipas tij për këtë po punohet shumë.

Tutje ai theksoi se emërimet për raportuesit e rinj të Parlamentit Evropian për të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor do të finalizohen në shtator të këtij viti.

David Mcallister: Serbia të vazhdojë dialogun me Kosovën

Periskopi.com Lajme

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, David Mcallister, ka porositur Serbinë se duhet të vazhdojë sa më shpejt procesin e dialogut me Kosovën dhe arritjen e një marrëveshje ligjore.

Gjatë prezantimit të raportit të këtij viti, Mcallister i kërkoi Serbisë të vazhdojë reformat në “fushat kyçe” të gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirinë e shprehjes dhe medias.

Ai tha se Serbia po përparon në rrugën e saj drejt BE-së dhe se ritmi i përgjithshëm i negociatave varet nga përparimi në miratimin dhe zbatimin e reformave në fushat kyçe.

Mcallister shtoi se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një sfidë e madhe për Serbinë.

“Dialogu duhet të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, por ne e dimë se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme”, tha ai, transmeton KosovaPress.

Ndryshe, Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e procesit të dialogut me heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, të cilën Prishtina zyrtare e vendosi në nëntor të vitit të kaluar, e për të cilën kryeministri Ramush Haradinaj ka këmbëngulur se do të hiqet vetëm kur Beogradi zyrtar të njohë shtetin e pavarur të Kosovës.

McAllister: Kemi ardhur t’ju themi se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur në takim delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian – raporton Periskopi.

Pas përfundimit të takimit, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të BE-së, David McAllister, ka thënë se në takim është diskutuar për çështjen e dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe liberalizimin e vizave.

Ai ka thënë se Parlamenti Evropian përkrah liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ne jemi delegacion i Parlamentit Evropian. Sapo zhvilluam një takim me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, me të cilin njihemi gjatë dhe diskutuam për situatën aktuale dhe atë se çfarë mund të bëjmë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Diskutuam edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. Njerëzit e Kosovës duhet ta dinë se ne përkrahim liberalizimin e vizave për kosovarët”, ka thënë ai./PERISKOPI

Edhe Isa Mustafa takon McAllister – Mësohet për çka biseduan

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është takuar me kryetarit e Komisionit për Punë të Jashtme të BE’së, David McAllister – raporton Periskopi.

Në një njoftim për media u bë e ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën politike në vend.

Aty thuhet se Mustafa e falënderoi McAllister për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë BE-ja Kosovës.

Njoftimi i plotë i LDK’së:

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është takuar sot me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të BE-së, David McAllister që vjen nga CDU e Gjermanisë dhe Partitë Popullore Evropiane (EPP), që është organizata politike më e madhe në Evropë, anëtare e të cilës është edhe LDK.

Gjatë takimit u diskutua për situatën politike në vend.

Kryetari Mustafa e falënderoi McAllister për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë BE-ja Kosovës dhe veçanërisht për mbështetjen e EPP-së për LDK-në.

Ndërsa, David McAllister e falënderoi kryetarin Mustafa për pritjen dhe vlerësoi lartë rolin e LDK-së në të gjitha proceset e shtetformimit të Kosovës.

McAllister ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të EPP-së për t’i qëndruar krah Kosovës dhe LDK-së, si parti anëtare e EPP-së.

Në takim, kryetari Mustafa u shoqërua nga kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së z. Avdullah Hoti, anëtarja e kryesisë znj. Vlora Dumoshi, deputetja znj. Vjosa Osmani dhe zëdhënësi i LDK-së z. Besian Mustafa.

McAllister me Listën Serbe: Prishtina urgjentisht ta heq taksën

Periskopi.com Lajme

Një delegacion i Parlamentit Evropian i kryesuar nga raportuesi për Serbinë, David McAlister,i cili po qëndron në Kosovë ka takuar një delegacion të Listës Serbe, përfaqësuesit e të cilëve u drejtuan parlamentarëve evropianë mbi siç njofton LS “problemet me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë”

Përfaqësuesit e kësaj partie dhe parlamentarët evropianë ranë dakord se është nevojë urgjente të hiqet urgjentisht taksa mbi mallrat nga Serbia dhe vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe për të arritur një zgjidhje kompromisi me qëllim që në fund të vendoset paqja në Ballkan,

Ky delegacion në orën 13:45 do të pritet në takim edhe nga kryeparlamentari, Kadri Veseli.

McAllister thotë se Thaçi dhe Vuçiq e çuan dialogun në nivel të ri

Periskopi.com Lajme

Bashkimi Evropian (BE) ka marrë parasysh debatin që po zhvillohet për demarkacionin dhe ndryshimin e kufijve si një zgjidhje e mundshme për Kosovën, por në këtë pikë nuk është i përfshirë në mënyrë aktive.

Kështu ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (RFE) David McAllister, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë i cili po qëndron për vizitë në Beograd.

“Sa i përket debatit për një shkëmbim të mundshëm të territoreve, të demarkacionit, ne si Parlament Evropian me shumicë dërrmuese kemi miratuar qëndrimin dhe në ketë formulimin identik në raportin tim mbi Serbinë, si dhe raportin e kolegut tim  (Igor) Šoltés për Kosovën – ne kemi marrë parasysh  këtë debat se çdo lloj marrëveshje duhet të rregullohet reciprokisht midis të dyja palëve, se duhet të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe se duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas tij, rreth çështjes së taksës së Kosovës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia ,SHBA dhe BE-ja kanë shfaqur qëndrim të qartë, por se siç tha ai “në Prishtinë ende nuk e marrim një përgjigje, të cilat ne shpresojmë”.

“Ishim shumë të qartë. Unë do ta përsëris këtë mesazh kur të shkoj në Prishtinë dhe të takoj, ndër të tjera, me Kryeministrin (Ramush) Haradinaj. Ajo që kam dëgjuar në Beograd është se përderisa këto taksanuk tërhiqen, pala serbe nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve në Bruksel .

Eurodeputeti  thotë se duhet të përdoret momenti historik për shkak se “Presidenti (Serbi, Aleksandar Vuçiq) dhe Presidenti (i Kosovës, Hashim) Thaçi e kanë çuar dialogun në një nivel të ri.”

McAllister bashkë me gjashtë eurodeputetë pas Serbisë do ta vizitojnë Kosovën ku do të zhvillojnë takime me lidershipin politik, deputetë, përfaqësues të opozitës dhe ata të shoqërisë civile

Qëllimi i vizitës është vlerësimi i situatës politike në terren dhe vlerësimi i marrëdhënieve të tanishme të Serbisë dhe Kosovës me BE-në, duke përfshirë reformat e dakorduara në mënyrë reciproke dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kjo vizitë pritet të trajtojë disa nga temat e theksuara në rezolutat e PE-së të miratuara në nëntor të vitit 2018, si dhe zhvillimet më të fundit në rajon./

 

 

Edhe njeriu i Angela Merkel kërkon heqjen e taksës

Periskopi.com Lajme

Njeri ndër njerëzit më të besueshëm të kancelares gjermane Angela Merkel, eurodeputeti dhe raportuesi për Serbinë, David McAllister , ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës anulimin e vendimit për taksën kundër mallrave të Serbisë dhe Bosnja dhe Hercegovinës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të aplikuar taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është një shkelje e qartë e CEFTA-s dhe e marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit. Unë i bëj thirrje Qeverisë në Prishtinë që ta anulojnë këtë vendim në mënyrë që, shpresoj, që dialogu të vazhdojë”, ka thënë McAllister.

Ai shtoi gjithashtu se tashmë BE-ja e ka bërë të qartë se nuk mund të ketë arritje të një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa largimin e taksës.

“Unë e kuptoj se të dyja palët kanë shqetësime, e kuptoj se nuk është e lehtë, por gjithashtu dua të theksoj se dy presidentët Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi e kanë ngritur dialogun në nivelin e ri”, ka thënë McAllister, i cili konsiderohet si njeri i besueshëm i Merkelit në Parlamentin Evropian.

McAllister shpreson që shtetet e BE-së së shpejti do të dalin me vendim për vizat

Periskopi.com Lajme

Asnjë përfaqësues i institucioneve të Bashkimit Evropian apo vendeve anëtare nuk kanë dhënë afate kohore për liberalizimin e vizave. Ndërsa përfaqësues të ndryshëm në Kosovë po e bëjnë këtë vazhdimisht.

Procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën është në vazhdim e sipër në Këshillin e BE-së, e në Kosovë, qytetarët po ‘mashtrohen’ se liberalizimi mund të ndodhë në këtë fundvit.

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, në një përgjigje për Kohën, tha se është i vetëdijshëm që pritjet në Kosovë janë të larta.

Në korrik të vitit 2018, thotë ai, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i plotësoi dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave të cilat janë demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe forcimi i rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkaq, në gusht të vitit 2018, Komiteti i Bashkimit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), votoi për të hyrë në negociata ndërinstitucionale për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kujtoj se kjo u konfirmua nga një shumicë e madhe në Parlamentin Evropian më 13 shtator. Jam shumë i vetëdijshëm se pritjet në Kosovë janë të larta. Tani qëllimi është që Këshilli i BE-së të dalë me një pozicion, ata marrin vendim. Unë shpresoj se shtetet anëtare do të pozicionohen vet në një të ardhme të afërt”, tha McAllister.

Ai ditë më parë ka vlerësuar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim, por pret që vendet e BE-së të njohin këtë arritje dhe të japin dritën e gjelbër për lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.

Deri tani në BE thonë se nuk ka asnjë datë kur do të konfirmojnë lajmin për liberalizimin. Madje, në muajin maj të këtij viti, edhe zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, pati kërkuar nga drejtuesit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë që të mos japin afate kohore për liberalizimin e vizave.

“I rekomandoj të gjithë liderët në Kosovë që të mos bëjnë premtime për liberalizimin e vizave që mund të ndodhë shumë shpejt”, pati thënë ai.

Por kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, janë më të zëshmit që vendimi për liberalizim ndodh sivjet, e në mot qytetarët lëvizin lirshëm.

Vetëvendosja është partia që ka kërkuar dorëheqjen e krerëve shtetërorë për, siç thonë ata, mashtrimin që po ua bëjnë qytetarëve rreth afateve kohore për liberalizim të vizave. Ata kanë ngritur shqetësim se nuk do të ketë liberalizim vizash as në vitin 2019, e këtë thonë se e dinë edhe vet ata që po premtojnë.

E ndonëse në Kosovë vazhdojnë premtimet e shpeshta rreth liberalizimit të vizave, ata fajin ia hedhin BE-së, se kinse kjo duhet të marrë më shpejtë vendimin pasi Kosova i ka kryer obligimet e veta.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, së fundmi ka thënë se nëse BE-ja nuk jep ndonjë afat, Kosova do të ndryshojë raport ndaj tyre e do të shohë si të sillet me ta.

Koha.net është interesuar të marrë më shumë informacione rreth deklaratave të Hoxhajt, i cili gjithashtu thotë se deri në dhjetor BE-ja duhet të dalë me një përgjigje, por edhe pse ka pranuar të kthejë përgjigje, janë bërë katër ditë që ai nuk ka shfaqur interesim më.

Vendimmarrja nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian për heqjen ose jo të vizave mund të vështirësohet nëse kjo s’bëhet sivjet. Kjo për shkak se në vitin e ardhshëm do të ndryshohet udhëheqja e presidencës së BE-së si dhe do të intensifikohen përgatitjet për zgjedhje parlamentare. Kjo, mund të ndikojë në ngadalësimin e procesit të liberalizimit edhe për vitin tjetër.

Kujtojmë se deri tani në mesin e disa vendeve që po hezitojnë të votojnë pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës janë edhe Gjermania, Franca e Holanda.

Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane, tha për Koha.net se tani Kosova është duke hyrë në pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes që zhvillohet në kuadër të institucioneve të BE-së.

Këshilli i Evropës tani ka bërë propozimin për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 me qëllim të sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën në Zonën Schengen.

Por sipas Shashës, tani kanë mbetur edhe 6 hapa për lëvizjen e lirë të qytetarëve, respektivisht, siç thotë ai, përfundimi i negociatave dhe dakordimi mbi një marrëveshje të përkohshme jo-formale për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001. Pas kësaj, thotë ai, është votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 në LIBE (Parlamenti) dhe aprovimi në COREPER (Këshilli). Pastaj, sipas tij, votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 në seancë plenare të Parlamentit Evropian. Tjetra, siç thotë Shasha, është votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 nga Këshilli i BE-së, ceremonia e nënshkrimit nga Këshilli dhe Parlamenti, hyrja në fuqi e Rregullores 539/2001 dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës (20 ditë pas publikimit në gazetë zyrtare).

Pjesa kritike e këtyre hapave, thotë ai, është votimi i plotësim-ndryshimit të Rregullores 539/2001 nga ana e Këshillit të BE-së.

“Siç kemi komunikuar së fundi publikisht, në këtë pikë kohore mund të konfirmojmë që lëvizja e lirë për qytetarët tanë nuk mund bëhet këtë vit. Skenari më pozitiv është që vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave të përfundojë këtë vit, ndërsa qytetarët të lëvizin lirshëm në vitin 2019”, tha ai për Koha.net.

Një situatë e tillë e krijuar së fundmi në Kosovë, sipas tij, e çon procesin e liberalizimit të vizave në një rrugë me shumë të panjohura, për shkak të së paku 3 arsyeve.

“Presidenca rumune fillon nga 1 janari i vitit 2019 – prandaj duke e ditur qëndrimin e shtetit rumun ndaj pavarësisë së Kosovës, mund të presim shumë pak lëvizje në drejtimin pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të preokupojnë vëmendjen e vendeve anëtare, dhe, zhvillimet rreth BREXIT-it do të kenë vëmendjen kyçe politike në kuadër të BE-së”, tha ai.

Shasha gjithashtu ka folur për premtimet e udhëheqësve institucionalë të Republikës së Kosovës për lëvizje të lirë deri në fund të vitit 2018.

“Dinamika që po e shohim ditëve të fundit është që kemi një kundërshtim apo hezitim prej vendeve anëtare, që hezitojnë të marrin vendimin pozitiv për t’i liberalizuar vizat për Kosovën. Në këtë kontekst, zyrtarët e lartë të institucioneve kanë përdorur një gjuhë fajësuese ndaj BE-së në rast të mos-liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti. Janë shqetësuese këto deklarata dhe rikujtojmë se asnjë përfaqësues i institucioneve të BE-së apo vendeve anëtare, asnjëherë, nuk ka dhënë afate kohore për liberalizimin e vizave. Janë vetë përfaqësuesit institucionalë të Kosovës të cilët kanë ofruar premtime të paqëndrueshme kohore për liberalizimin e vizave”, tha ai.

Shasha tha gjithashtu se tendencat e udhëheqësve institucionalë për të hedhur fajin nga institucionet e BE-së janë të papranueshme.

“Përgjegjësia për mos liberalizimin e vizave gjatë vitit 2018 bie mbi lidershipin politik të këtij koalicioni qeverisës i cili ka dhënë premtime të papërgjegjshme dhe joreale”, tha tutje ai.

Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane, thotë po ashtu se qëndrimi i institucioneve të BE-së është shumë i qartë dhe konsistent. “Kosova duhet të shënojë progres në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë tek profilet e larta dhe të krijojë mjedis pozitiv në sundimin e ligjit, duke siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor nga ndikimet politike. Çdo regres dhe çdo lajm negativ që ne e dërgojmë tek vendet anëtare të BE-së vetëm sa e thellon dyshimin dhe ngrit skepticizmin për një vendim pozitiv për procesin e liberalizimit vizave. I gjithë lidershipi politik duhet të kuptojë që pa drejtësi të pavarur, transparente, efikase dhe me njerëz me integritet, nuk mund të krijohet klima pozitive brenda vendeve anëtare për të siguruar një vendim pozitiv për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, përfundoi Shasha.

Ua rikujtojmë edhe njëherë se për procesin e liberalizimit, fillimisht, Komisioni Evropian e bën vlerësimin se a janë plotësuar të gjitha kushtet. Pastaj, Parlamenti Evropian mandatohet nga Komisioni Parlamentar kompetent (LIBE – Komisioni për të drejta civile, drejtësi dhe punë të brendshme).

Pas kësaj, Këshilli i Ministrave të BE-së miraton pozicionin negociues, që i hapë rrugë trialogut mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit, ku dakordohet për përmbajtjen e tekstit i cili më pas hidhet në votim. Pas dakordimit të tekstit, propozimi për liberalizim hidhet në votim në seancë plenare në Parlamentin Evropian, ku nevojitet shumica e kualifikuar. Në të njëjtën kohë, edhe Këshilli i Ministrave të BE-së duhet ta votojë propozimin me shumicë të kualifikuar (55% e vendeve të BE-së që përfaqësojnë 65% të popullsisë).