29 vjet nga Deklarata e 2 Korrikut: Muharrem Shabani që e lexoi deklaratën, flet për Periskopi

Periskopi.com Lajme

Në 29 vjetorit e shënimit të Deklaratës Kushtetuese apo siç njihet si Deklarata e 2 korrikut, protagonisti i cili kishte lexuar këtë deklaratë, ka treguar momente interesante nga ajo kohë, shkruan Periskopi.

Muharrem Shabani kishte lexuar deklaratën e cila ishte e përpiluar bashkërisht nga Akademia e Shkencave dhe Arteve te Kosovës. Ai në një prononcim për Perskopin ka treguar procesin e kësaj deklaratë

“Deklaratën kushtetuese të 2 Korrikut e përpiluan bashkërisht Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe delegatët e Kuvendit të Kosovës të vitit 1990, të mbështetur nga ekspertët dhe intelektualët eminent të kohës dhe kjo deklaratë sublimonte aspiratat historike të popullit shqiptar të Kosovës, për liri e pavarësi”, ka thënë Shabani për Periskopi.

Shabani ka folur për vështirësitë që janë ballafaquar ata gjatë asaj kohe, si dhe sfidat në të cilat ka kaluar ai.

“Sigurisht që kanë qenë momente të vështira dhe me plotë sfida, për secilin nga ne delegatet që aso kohe bëmë detyrën tonë përballë interesave kombëtare dhe nga ky moment ka filluar përndjekja në bazë të urdhërarresit në nivel federativ për delegatët e Kuvendit. Një kohë kaluam në ekzil, unë në Slloveni, dhe u shpërndamë në vende të ndryshme, mirëpo kjo nuk e zmbrapsi vullnetin dhe angazhimin tonë për vazhdimin e kauzës që proklamone vet Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut. U nxor edhe Kushtetuta e Kaçanikut dhe u vazhdua me veprimet e tjera të njohura politike dhe kushtetuese”, u shpreh Shabani.

Ai tha se kjo ditë në kalendarin e historisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme që i dha drejtim çështjes së Kosovës./Periskopi/

 

29 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut

Periskopi.com Lajme

Sot bëhen 29 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave.