Në Gjilan, deponi ilegale e mbetjeve të kafshëve

Periskopi.com Lajme

Në lagjen Zabel të Gjilanit, banorët po ankohen nga kundërmimi i një deponie ilegale me mbetje të kafshëve.

Sipas banorëve, eshtrat po i hedh një mishtore e lopëve. Por, kjo e fundit po mohon një gjë të tillë.

“Në shtëpinë time, e kam të pamundur të hapi dritaren si rezultat i kundërmimit”, tha një banor i kësaj lagje.

Një qytetar tjetër madje ka bërë publike edhe emrin e thertores.

“Thertorja ‘Malësia’, mishrat i len poshtë derisa lëkurat i bjen këtu”, ka thënë një banor tjetër.

E për këto deklarata, pronarët e thertores po thonë se të gjitha mbetjet i asgjësojnë brenda kompanisë.

“Nuk mundem me ditë për çfarë arsye na kanë përmend neve, por mund ta shihni sesi bëhet trajtimi i mbetjeve në fabrikën tonë”, ka thënë pronari i thertores.

Komuna e Gjilanit ka dërguar inspektorët e saj në vendin e ngjarjes dhe ka thënë se nëse vërtetohet se mbetjet janë si rezultat i kompanisë, atëherë kompania do të gjobitet.

Brenda një muaji e gjysmë eliminohen 350 deponi ilegale

Periskopi.com Lajme

Në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, gjatë ditës së sotme aksioni i pastrimit ka vazhduar në Janjevë të Komunës së Lipjanit, ku pjesëmarrës janë edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti dhe zyrtarë të tjerë komunalë, ekipi i “Let’s Do It Kosova” dhe banorë të këtij vendi.

Aksioni ka filluar nga shkolla fillore “Shtjefën Gjeqovi”.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se mesazhi kryesor për qytetarët e Kosovës në përgjithësi është që vëmendja të përqendrohet te ruajtja e ambientit, raporton EO.

“Mesazhi që tentohet ose pretendojmë me dhënë përmes këtij aksioni bashkë me organizatën te të gjithë qytetarët, jo vetëm të Janjevës në këtë rast, të Lipjanit, por të gjithë Kosovës, është që vëmendjen ta kemi më shumë nga ruajtja e ambientit dhe të kemi kujdes më të madh që vërtet ta kemi një ambient më të shëndetshëm”.

Sipas Ahmetit, për vitin e ardhshëm planifikohet rregullimi i shtratit të lumit të Janjevës dhe kyçjet e kanalizimit.

“Në agjendën tonë të Lipjanit, domosdoshmërisht mjedisi ka një trajtim të veçantë. Për buxhetin e aprovuar për vitin e ardhshëm mendojmë që shtratin e lumit Janjevë dhe kyçjet e kanalizimit do t’i zgjidhim detyrimisht vitin e ardhshëm”. Kemi hyrë në një agjendë të furnizimit me shporta të mbeturinave çdo familje, që do të fillojmë në pranverën e vitit të ardhshëm, por deri do të bëjmë kujdes të mos krijojmë deponi ilegale, t’i ruajmë aq sa kemi mundësi të gjitha lokalitetet tona dhe të mos ketë mbeturina të tilla”.

“Kemi nënshkruar marrëveshje me ndërmarrjen rajonale “Pastrimi”. Janë 3000 shporta për 300 mijë familje, jo vetëm në Janjeve, por në tërë fshatrat kryesore, më të mëdhaja të Lipjanit. Vitin që po e lëmë pas i kemi shpërnda 1000 shporta, dhe mendoj që të gjitha procedurat do të përfundojnë diku kah eventualisht maj – qershor do të shpërndahen”.

Besnik Shabiu nga organizata “Let’s Do It Kosova”, gjatë pastrimit përreth shkollës fillore “Shtjefën Gjeqovi” tha se ky ambient i bënë t’u rritet vullneti dhe atdhedashuria për të dhënë më tepër kontribut për vendin, raporton Ekonomia Online.

“Jemi këtu në një ambient në të cilin ka jetuar një veprimtar i shquar shqiptar at Shtjefen Gjeqovi dhe nga këtu patjetër se rritet edhe vullneti dhe atdhedashuria e secilit prej nesh për  të punu dhe për të dhënë më tepër kontribut për vendin, që të punojmë çdo ditë ta dërgojmë drejt proceseve të reja”.

Sipas Shabiut, qëkur ka filluar aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, më 15 shtator 2018, janë eliminuar më shumë se 350 deponi ilegale të mbeturinave.

“Fatkeqësisht numri i deponive ilegale në Kosovë është mjaft i madh, mirëpo në momentet që ne po flasim themi se mbi 350 deponi ilegale prejse ka fillu aksioni më 15 shtator janë eliminu në gjithë  territorin e Kosovës, dhe po shihet një interesim i madh i gjithë komunave që t’i qasen aksionit të pastrimit dhe kur të gjithë e marrin me përgjegjësi, si akterët institucionalë, ashtu edhe qytetarët, po besoj që deri më datën 15 dhjetor fundi i deponive ilegale do të vjen shumë shpejt, mirëpo në kohën kur po flasim ka fillu dhe po mbahet moduli i trajnimit të mësimdhënësve që është po ashtu edhe një mesazh tjetër që vlen mu potencu, i cili ka fillu që nga dje në Komunën e Istogut, modul ky i cili ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor. Nga Komuna e Istogut do të vazhdohet me Komunën e Klinës, Skenderaj, po ashtu Lipjani dhe komuna të tjera për ta forcu edhe komponentin e edukimit, sepse e dimë se nuk mjaftojnë vetëm aksionet e pastrimit”.

Shabiu tha se 20% e kosovarëve u janë bashkuar aksioneve që i ka organizuar “Let’s Do It Kosova” deri tash.

Behxhet Kongjeli, kryetar i fshatit Janjevë të Lipjanit, përshëndeti pjesëmarrësit në këtë aksion pastrimi.

“Edhe ne në Janjevë kemi marrë këtë aksion që sadopak të pastrojmë. Në Janjevë përfshihen rreth 30 % me korpa pastrimi. Vitin e ardhshëm do të përfshihen të gjitha lagjet në qytetin e Janjevës. Dashtë Zoti që të vetëdijesohemi edhe ne, edhe çdo qytetar që të mos gjuajmë mbeturina vend e pa vend”.

Gjatë ditës së sotme, pastrimi do të vazhdojë edhe në qendrën e fshatit të Janjevës, pastaj do të pastrohet edhe lumi i fshatit, edhe deponia ilegale e mbeturinave.