Kosnett: SHBA-ja, në partneritet me BE-në, është e përfshirë në dialog

Periskopi.com Lajme

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të përfshira në procesin e dialogut në partneritet me Bashkimin Evropian dhe me Qeverinë e Serbisë dhe me Qeverinë e Kosovës. Presidenti Trump u ka shkruar Vuçiqit e Thaçit për të theksuar rëndësinë e procesit të dialogut dhe përkushtimin e SHBA-së që të ecet përpara”, ka thënë ambasador amerikan në Kosovë Fhilip Kosnett.

Ai në një intervistë për radio Gorazhdevcin ka theksuar se është me rëndësi që njerëzit të mos dekurajohen lidhur me procesin e dialogut.

“Natyrisht, është frustuese kur negociatat ndeshen në pengesa dhe ngecin, prandaj duhet menduar për mënyrën se si të ecet përpara. Qëndrimi i Qeverisë së SHBA-së është se heqja e taksës është hap i rëndësishëm për kthimin e ritmit. Janë disa hapa që dëshirojmë t’i shohim t’i ketë marrë Qeveria e Serbisë. Do të donim të shihnim që të dy palët t’iu qasen bisedimeve në frymën e fleksibilitetit dhe kompromisit. Mendojmë se është në interes për të dy vendet dhe për të gjithë qytetarët të shohim marrëveshjen gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës e Serbisë që do të rezultonte me marrëdhënie normale e me mundësi të reja ekonomike e politike për të dy vendet”, citon b92 të ketë thënë Kosnett, transmeton koha.net.

Ai ka deklaruar se SHBA-ja nuk e di si do të zhvillohen e përfundojnë negociatat në dialog, por ajo ka dëshirë të shohë arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Kështu që jemi larg pohimit se zgjidhja duhet të jetë e tillë ose e atillë. Mendojmë se, nëse njerëzit kthehen në tryezë dhe fillojnë të bisedojnë për shumë çështje ashtu që të gjendet mënyra për të ecur përpara. Do të doja të shtoja se mendojmë se pos rolit që i kanë dy qeveritë rreth përparimit e këtij procesi, është shumë e rëndësishme të dëgjohet edhe zëri i shoqërisë civile, organizatave joqeveritare dhe i qytetarëve të thjeshtë si pjesë e këtij procesi”, ka thënë ndër të tjera Kosnett.

Rama: Dialogu Kosovë-Serbi do vazhdojë pa kushte

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Edi Rama ka theksuar sot se Shqipëria nuk do të dështojë dhe dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë pa kushte e as paragjykime nga askush.

Kryeministri është shprehur i mahnitur nga kazanët e nga ligësitë e të dëshpëruarve që duan me patjetër dështimin e Shqipërisë dhe dështimin me çdo kusht të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

“I mahnitur nga kazanët e nga ligësitë e të dëshpëruarve që duan me patjetër dështimin e Shqipërisë dhe dështimin me çdo kusht të procesit të dialogut Kosovë/Serbi gjithashtu! Por Shqipëria s’do të dështojë kurrsesi dhe dialogu do vazhdojë pa kushte e as paragjykime nga askush”, shkroi Rama në Twitter.

E vetmja që e thotë/Edita Tahiri: Nuk është koha e duhur që të vazhdojë dialogu

Periskopi.com Lajme

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, beson se tani nuk është koha e duhur për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Ajo ka thënë se për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet dy shteteve duhet pritur udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian (BE).

Sipas saj, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ka tradhtuar parimet evropiane.

Ish-ministrja Tahiri ka thënë se taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë tani është mekanizmi i vetëm që vret idenë e ndryshimit të kufijve.

“Taksa momentalisht është mekanizmi i vetëm që vret idenë e ndryshimit të kufijve. Me fjalë të tjera, i mbron kufijtë e shtetit të Kosovës sepse, siç e pamë të gjithë, Kuvendi i Kosovës dështoi që të krijojë një qëndrim të unifikuar të spektrit politik në një platformë. Pra, platforma u votua vetëm nga subjektet politike që janë në pushtet dhe PSD-ja”, është shprehur Tahiri.

Ajo u ka bërë thirrje partive politike që të bëhen bashkë për mbrojtje të interesit kombëtar të shtetit të Kosovës, në këtë rast të mbrojtjes së kufijve./Epoka e re/

Gjuriq: Shqiptarët janë në “iluzion”, imazhi i Kosovës te ndërkombëtarët nuk është i njëjtë

Periskopi.com Lajme

Shqiptarët janë në “iluzion” se imazhi i Kosovës te ndërkombëtarët nuk është i njëjtë si në vitin 1999, kur në qiellin mbi Serbi ishin avionët e NATO-s, ka thënë Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq.

Sipas tij sot as Beogradi nuk është në një pozicion kaq të dobët dhe as Prishtina nuk është më aq e fuqishme.

Gjuriq ka thënë poashtu se tashmë në Amerikë ka shumë pak dëgjime për idenë e kompromisit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Thaçi asnjë fjalë për vizat, flet veç për dialogun me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka njoftuar se në takim me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të BE’së, Federica Mogherini, kanë diskutuar për fazën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai njofton në Facebook:

Bashkë me udhëheqësit institucionalë dhe liderët politikë të partive politike parlamentare, që janë pjesë e koalicionit qeverisës, takuam përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Në këtë takim rikonfirmuam përkushtimin tonë për dinamizmin e fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.

Kjo do të t’i hapë rrugë njohjes së Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlanike. Kosova edhe në takimet e radhës do të jetë unike si në përfaqësim ashtu edhe në qëndrimet politike. HTH

Mashtrimi i LDK-së, Maloku: Hashim Thaçi e ka mbështetjen e saj në dialogun me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Për politologun Albinot Maloku, partitë opozitare, veçanërisht Lidhja Demokratike e Kosovës, janë hipokrite në kundërshtimin e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që ai ta udhëheq dialogun mes Kosovës e Serbisë, në fazën finale të saj.

Në një intervistë për Periskopin, Maloku tha se Thaçi tashmë e ka mbështetjen e Qeverisë dhe të LDK-së, dhe sipas tij presidenti po bën shfaqje teatrale gjatë përpjekjeve të tij kinse për të kërkuar një unitet që ai të jetë udhëheqës i procesit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka zgjedhë presidentin Thaçi në kohën e procesit. AAK i ka dhënë mbështetje këtij procesi. Të jeni të bindur, të gjitha subjektet politike janë në një formë, apo formën tjetër, suportuese që presidenti Thaçi ta marrë timonin dhe të vazhdojë me këtë proces. Jo drejtpërdrejt, mirëpo të gjitha proceset tregojnë se presidenti Thaçi e ka një përkrahje prej Qeverisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ai po bën vetëm pjesën e filmit, në kuptimin që po kërkohet unitet”, tha ai.

Tutje, Maloku tha se  opozita ka bërë përpjekje shumë më të mëdha për të penguar ose prolonguar procese të ndryshme, që janë konsideruar të rrezikshme ndaj vendit.

Sipas tij, në dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi nuk është kundërpeshë e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të cilin thotë se ka një mbështetje më të madhe se që e ka Thaçi.

“Ka njëfarë dyfytyrësie gjithashtu edhe nga subjektet opozitare, që nuk ka një impenjim shumë më të fuqishëm që t’i ndalohet kjo tentativë presidentit të shtetit një proces, që jo vetëm se është historik, mirëpo është edhe shumë i ndjeshëm. Shto pjesën që palët nuk janë të barabarta, ku presidenti Vuçiq ka një përkrahje të fuqishme. E njëjta gjë nuk vlen për presidentin Thaçi”, tha ai. /Periskopi/