Ministria e Punëve të Jashtme për vdekjen e Agon Musliut: Nuk kishte ndonjë dokument shëndetësor

Periskopi.com Lajme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh) përmes një komunikate të përbashkët  janë deklaruar rreth rastit të Agon Musliut, i cili u vetëvra tek Qendra e Konvikteve.

MPJ riperserit se Musliu s’kishte dokument shendetesor, prandaj edhe nuk u lejua në shtëpi të kryejë izolimin.

Ja komunikata:

Pas rastit tragjik, MSh, ka kërkuar raporte me shkrim nga zyrtarë, profesionistë dhe ekipe përgjegjëse që janë nën menaxhimin e kësaj Ministrie

Gjithashtu, pas informimit për rastin, MPJD ka filluar kontaktet ndërinstitucionale për t’uinformuar për detajet e tij. Njëkohësisht, MPJD ka kërkuar raporte të detajuara zyrtare nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe nga Qendra Operative e MPJD-së, e cila është përgjegjëse për koordinimin e kthimit të qytetarëve në Republikën e Kosovës.

Pas shqyrtimit të raporteve, kemi kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si “prob. shen. – posedonvertetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor. Duhet ta sqarojmë, që listat e tilla dërgohen rregullisht nga misionet diplomatike dhe ato nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin apo mosqëndrimin e dikujt në karantinë, sepse ato përgatiten nga shefat e misioneve diplomatike, e jo nga organet shëndetësore.

Gjithashtu, Qendra Operative Emergjente, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk i janë dërguar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, në asnjërën nga tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor, siç ka ndodhur me rastet e tjera të cilat janë liruar.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë bëjnë thirrje që organet e hetuesisë të punojnë për zbardhjen e rastit në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe njëkohësisht shprehin gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me organet përkatëse.

Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe transparent me organet e hetimit dhe vetëm duke e mbajtu rrastin larg nga politika, do të mund të kuptohet e vërteta dhe të vihet drejtësia në vend.

Tërhiqet nga konsultimi publik dokumenti që parasheh ndërtimin e “Kosovës së Re” deri më 2023

Periskopi.com Lajme

Moskonsultimi i ministres së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, para se Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2019-2021, të dilte në konsultim publik ka bërë që ky dokument tërhiqet nga Platforma e Konsultimeve publike. Plani ka dalë në konsultim të mërkurën e kësaj jave dhe ishte paraparë të jetë i hapur për komente deri më 3 mars të këtij viti.

Gazeta të enjten ka shkruar për këtë dokument. Bazuar në këtë dokument, Termocentrali “Kosova A” do të çaktivizohej dhe zëvendësohej me Termocentralin “Kosova e Re” në periudhë 2020-2023. Nga partnerët qeverisës aktualë – LVV-ja e ka kundërshtuar ndërtimin e këtij Termocentrali, ndërsa LDK-ja ka thënë se nuk e përkrah marrëveshjen e Qeverisë së kaluar me kompaninë “Contour Global” për ndërtimin e tij, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Koha Ditore” të mërkurën ishte përpjekur të marrë përgjigje lidhur me këtë plan nga ministrja e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, por ajo nuk është përgjigjur. Njësoj ajo nuk është përgjigjur as pas tërheqjes së Planit nga konsultimi publik.

Por, një përgjigje të shkurtër lidhur me arsyen e tërheqjes e ka dhënë Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të energjisë, Arsim Kuliqi. Sipas tij, dokumenti ishte lëshuar në konsultim publik pa miratimin e ministres Hajdari.

Presidenca përgatit dokumentin që do ta bëjë regjistrin e dëmeve të luftës

Periskopi.com Lajme

Hulumtimin dhe dokumentimin e humbjeve njerëzore, personave të zhdukur, shkeljeve masive të të drejtave të njeriut, shkeljes së të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe dëmeve ekonomike dhe kategoritë e këtyre dëmeve, brenda periudhës në shqyrtim që përfshin intervalin kohor prej 23 mars 1989 deri më 17 shkurt 2008, është njëra nga detyrat dhe përgjegjësitë që parashihet të ketë Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Kjo detyrë, këtij komisioni i është përshkruar në nenin 21 të Projektaktit normativ për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, të cilin Zyra e presidentit të Republikës së Kosovës e ka vënë në konsultim publik këtë javë, shkruan sot Koha Ditore.

Dokumenti do të jetë në konsultim publik deri më 13 mars të këtij viti dhe gjatë kësaj kohe palët e interesuara mund të dërgojnë komente për ndryshime eventuale në të.

Ky akt normativ thuhet se ka për qëllim themelimin, përcaktimin e mandatit, organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ndërkohë që është institucioni themelues, në këtë rast Presidenca, ai i cili siguron kushte për punë dhe funksionim të Komisionit.

Këtë projekt-akt e ka hartuar Ekipi përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, i emëruar nga presidenti Thaçi më 27 prill të vitit 2018.

Detyra shtesë të Komisionit, të të përcaktuara në këtë dokument, thuhet se janë për të hulumtuar rrethanat politike dhe shoqërore, të cilat në mënyrë vendimtare kanë ndikuar në armiqësi, shpërthimin e luftërave ose formave të tjera të konfliktit të armatosur, si dhe kryerjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut, si dhe për të hulumtuar rolin e akterëve kyç në konflikt.

Gjithashtu thuhet se komisioni ka për detyrë të marrë deklarata, të grumbullojë të dhëna për rastet e krimeve të luftës , krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve tjera të masive të të drejtave të njeriut, të ofrojë përshkrim të detajuar për to, dhe të pasqyrojë shkeljet e të drejtave dhe pasojat e tyre.

 

Eqrem Kryeziu ia kujton Isa Mustafës postin e ministrit pas heqjes së autonomisë (Dok.)

Periskopi.com Lajme

Ish-Kryetari i Prizrenit, Eqrem Kryeziu, e ka publikuar një dokument me të cilin dëshmohet se Isa Mustafa kishte pozitë ekzekutive në Qeverinë e themeluar nga Jusuf Zejnullahu. Kryeziu e ka bërë publikuar këtë dokument duke ironizuar me “kandidatin e Baton Haxhiut për President”.

Kur Eqrem Kryeziu mbante pozitën e Nënkryetarit të LDK’së dhe formalisht edhe të Shefit të Partisë dikush tjetër po ngjitej me shpejtësi në krye të institucioneve shtetërore dhe partiake në Kosovë.

Isa Mustafa po e këshillonte për ekonomi Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, i cili kishte ngrirë pozitën e Shefit të LDK’së.

Fatmir Sejdiu u shpall shkelës i Kushtetutës duke mbajtur dy pozita – një në shteti e tjetrën në parti –  kurse Eqrem Kryeziu u largua nga politika.

Isa Mustafa me shpejtësi u ngjit në krye të Lidhjes Demokratike, mori edhe pozitën e Kryeministrit. Ndërsa, tash, po synon të bëhet edhe Shef i Shtetit.

Ish-Kryetari i Prizrenit është treguar ironik sa herë ka folur për Isa Mustafën, duke thënë se ai ka përvojë shumë të gjatë në politikë.

E, sot, Kryziu ka publikuar një dokument me të cilin vërtetohet se Kryetari aktual i LDK’së, Isa Mustafa, ishte pjesë e Qeverisë së Jusuf Zejnullahut. Mbante pozitë ekuivalente me të Ministrit.

Ishte sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor – teknik me botën.

Qeveria e Jusuf Zejnullahit ishte betuar para Rrahman Morinës që ishte Kryetarit të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës.

Në Komitet të Gazetës Express, më 2015, Mustafa kishte thënë se ishte pjesë e Qeverisë së asaj kohe, por, vetëm si zyrtar për çështje zhvillimore dhe ekonomike e jo për tema të tjera.

Ndryshe, Isa Mustafa ka mbajtur edhe pozita tjera, në kohën e luftës, ishte pjesë e Qeverisë së Bujar Bukoshit në Ekzil, duke mbajtur funksionin e Ministrit të Financave. Ka qenë edhe Kryetar i Prishtinës pas luftës. Edhe pjese e bordeve të ndërmarrjeve publike, duke përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës.

Aktualisht, është Shef i LDK’së dhe po i udhëheq bisedimet për koalicion me Vetëvendosjen. S’ka garuar në dy palë zgjedhjet e fundit, duke vendosur Avdullah Hotin dhe Vjosa Osmanin në krye të listës, të cilët s’arritën të nxjerrin LDK’në të parën.

 

I dyshuari për spiunazh në AKI tregon pse e bëri falsifikimin e dokumentit

Periskopi.com Lajme

I dyshuari se me një dokument të përpiluar nga vetë ai u shtir si zyrtar i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, E.J., para Gjykatës Themelore të Prishtinës ka treguar se si e përgatiti dokumentin, sa kohë i mori dhe për çfarë e mbante me vete.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë aktvendimin e gjyqtari të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, në të cilin përshkruhet versioni i dhënë nga i dyshuari në lidhje me dyshimet për tri vepra penale.

E.J. që nga Prokuroria po dyshohet për falsifikim të dokumentit, prezantim të rremë si dhe për spiunazh, para gjykatësit ka thënë se ka pasur gjithnjë qejf të punojë për AKI-në, nuk ka dashur ta dëmtojë askënd dhe se dokumentin u mundua ta shfrytëzojë për të mos paguar një kundërvajtje trafiku.

“Gjithherë kam pasur qejf të punoj për AKI-në por jo për ta dëmtuar dikë. Kësi dokumenti mund të bëjë gjithkush për dy minuta sepse krejt këto janë në internet dhe asnjë mënyrë nuk e kam bërë për ta dëmtuar dikë apo shtetin”, tha E.J. para gjykatës.

I dyshuari para gjykatës ka thënë se e ka parë në internet si ta përgatis dokumentin ndërsa nuk e ka ditur për peshën që mund të ketë.

“E kam printuar këtë në internet për arsye jo me dëmtuar dikë tjetër. Unë nuk e kam ditur që mund të ketë këtë peshë sepse kurrë në jetë nuk do ta kisha bërë. Unë jam mbajtës i familjes dhe kur e kam bë këtë e kam lënë në sende tjera dhe nuk e kam përdorur asnjëherë por një natë kur jam kthyer prej Vushtrrie ka qenë shenja 60 dhe unë kam qenë duke vozitur 90 dhe pasi që më kanë ndalur policia më kanë pyetur për dokumentet dhe unë ju kam prezantuar këtë dokument pasi që jam kujtu që e kam”, citohet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

I dyshuari para gjykatës gjithashtu ka kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit të kërkuar nga prokurori duke kërkuar caktimin e ndonjë mase më të butë.

“Unë jam mbajtës i familjes dhe i kam edhe prindërit e moshuar andaj i propozoj gjykatës që nëse ka mundësi të më caktojë ndonjë masë tjetër sepse unë mund të paraqitem në polici kurdo që prokuroria apo gjykata kërkon këtë”, citohet në aktvendimin e gjykatës fjala e të dyshuarit.

Kërkesën e të dyshuarit e ka përkrahur edhe avokatja e tij, Sabrije Krasniqi e cila ka kërkuar një masë alternative.

Megjithatë, arsyetimi i të dyshuarit nuk e ka bindur prokurorin Kujtim Munishi.
“I dyshuari nuk ka dhënë ndonjë arsyetim me të cilin do të na bindte nëse se dokumenti të cilin e ka përpiluar vetë është dokument i thjeshtë të cilin çdokush mund të bëj përmes internetit. Andaj kjo edhe është arsyeja për një hetim të mirëfilltë dhe papengesa, ky i dyshuar duhet të qëndroj në paraburgim”, citohet fjala e prokurorit Munishi.

E.J dyshohet se më në shkurt të këtij viti ka përpiluar një dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal që kinse ka themeluar marrëdhënien e punës në Agjencinë Kosovarë të Inteligjencës, me pozitë, Udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit.

 

Dokumenti i Qeverisë që paralajmëron trazira sociale në vend

Periskopi.com Lajme

Mbi 20 skema sociale sa paguhen aktualisht nga buxheti i shtetit dhe kërkesat në rritje për skema të reja mund ta çojnë vendin drejt trazirave sociale, thuhet në një dokument të brendshëm të Ministrisë së Punës, i hartuar këtë muaj. Në dokument thuhet se mundësitë buxhetore janë të limituara për t’i akomoduar të gjitha këto skema pensionale, shkruan buletini ekonomik.

Kërkesat në rritje për skema të reja pensionale dhe mundësitë e vogla buxhetore për ti mbuluar ato, mund ta çojnë vendin drejt trazirave sociale, paralajmëron Ministria e Punës, në një dokument të sajin të hartuar këtë muaj. Këtë pretendim kjo ministri e mbështet në mbi 20 kategori sociale sa marrin aktualisht pension nga buxheti i shtetit dhe dhjetëra kërkesa të reja për përfshirje në sistemin pensional.

Sipas këtij dokumenti i cili quhet “Rregullimi dhe Menaxhimi i Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve nga Sigurimi Social”, mundësitë buxhetore për t’i akomoduar të gjitha këto kërkesa mund ta çojnë vendin drejt trazirave sociale.

Dokumenti, i cili ka për qëllim reformimin e sistemit pensional në Kosovë, është hartuar këtë muaj dhe ishte paralajmëruar ditë më parë edhe nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

“Vazhdimësia e këtij sistemi nuk lejon ngritjen e pensioneve pasi që miliona euro do të shkojnë në financimin e skemave të reja pensionale. Në një situatë të tillë polarizimet shoqërore do të jenë të pashmangshme dhe kjo situatë mund dhe do të dalë nga kontrolli ku do të kemi demostrata të grupeve të ndryshme për të perfituar skema të reja pensionale dhe të atyre të tanishmëve për t’i rritur pensionet”.

Në dokument thuhet se sistemi i tanishëm pensional lejon zgjerimin e skemave pensionale në mënyrë të pakontrolluar dhe është shumë e lehtë për tu keqpërdorur nga politika për qëllime elektorale duke favorizuar një grup të caktuar për të përfituar të drejtën në pension.

“Në rast të vazhdimit të gjendjes aktuale, problemet e diferencimit në mes të kategorive do të rriten, numri i ankesave do të vazhdojë të rritet, do të shtohet numri i skemave të reja.”

Për me tepër, dokumenti i Ministrisë së Punës tërheq vërejtjen se me implementimin e shumë skemave pensionale pa ndonjë kriter të mirëfilltë është “hapur rruga për kërkesa të reja për grupe të ndryshme të cilët bazuar në skemat e deritanishme mendojnë se i plotësojnë kushtet për të përfituar financiarisht”.

Ministria e Punës në dokument tregon për rrezikun që i kanoset buxhetit të shtetit për t’i akomoduar të gjitha këto kërkesa. Sipas saj, problem është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen financimi i të gjitha skemave aktuale, por sidomos skemave që priten të vijnë.

“Kur kemi parasysh që sot kemi mbi 22 skema pensonale, janë në pritje edhe disa projektligje si ligji per policinë, për arsimtarët dhe bazuar në këto kritere nuk duhet përjashtuar kërkest për pension të puntorëve shëndetësorë të viteve 90’, puntorëve të sportit të viteve 90’, puntorëve të tjerë të Republikës së Kosovës të viteve 90. Kështu, në periudhë afatshkurte dhe afatmesme do të shfaqen vështirësi financiare për t’i paguar të gjitha këto shpenzime pensionale”, thuhet në dokument.

Një problem tjetër është edhe shumësia e ligjeve që e rregullojnë sistemin pensional. Kjo sipas Ministrisë së Punës ka shtyrë në konfuzion dhe paqartësi edhe organet ekzekutive ku, sipas tye, mbetet sfidë në vete për të kuptuar se kur dhe kujt i takojnë më shumë se një pension nëse i plotëson kushtet.

Qëllimi kryesor i këtij dokumenti është ta trajtojë sistemin e sigurimit social në Kosovë, përkatësisht, sistemin pensional dhe atë të invaliditetit.

Dokumenti sugjeron ridizajnimin e sisitemit të sigurimit social, kryesisht shtyllen e parë të sistemit e cila është e bazuar në kontributet e punëdhënësit dhe punëmarrësit, duke e ndarë atë nga shtylla zero ose skemat që financohen nga buxheti i shtetit.

 

 

 

Dokumenti sekret SHBA-BE, pa Gjermaninë, mbështet shkëmbimin territorial Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

SHBA-ja dhe liderët e Bashkimit Evropian po bashkërendohen drejt mbështetjes së një plani në bazë të të cilit dy vendet e Ballkanit do të rishkruajnë kufijtë e tyre të përbashkët të tensionuar në baza etnike, duke përjashtuar Gjermaninë, fuqinë më me ndikim të kontinentit të vjetër, e cila refuzon këtë qasje, thuhet në një dokument konfidencial.

Një memorandum i fundit i hartuar nga shërbimi i jashtëm i BE-së që ka të bëjë me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së vjetër mes Kosovës e Serbisë, e të cilin e ka parë “The Wall Street Journal”, tregon se organi ekzekutiv i BE-së në esencë ka miratuar argumentin e Washingtonit dhe ka refuzuar atë të Gjermanisë.

Ndërsa marrëveshja thotë se Evropa dhe SHBA-ja vazhdojnë të punojnë bashkë për së afërmi në iniciativat e politikës së jashtme që prekin rajonin, çarja me Gjermaninë tregon po ashtu gatishmërinë e Washingtonit për të injoruar kundërshtimet e fuqisë kryesore të kontinentit, transmeton Koha.net.

Në dokument, BE-ja shfaq mbështetjen për një plan të përbashkët Kosovë-Serbi, i mbështetur nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, për t’i rishkruar kufijtë në Evropën juglindore si mënyrë për të siguruar shtetësi të plotë për vendin e vogël e të bllokuar, Kosovën. Nëse kjo dështon, thotë memorandumi, vendi me 2 milionë banorë mund të hyjë në kriminalitet, konflikt e në ekstremizëm islamik.

Javëve të fundit, dy vendet kanë diskutuar një plan për të shkëmbyer territor përgjatë kufirit të tyre të përbashkët për të pasqyruar më mirë modelet e zgjidhjes së serbëve dhe shqiptarëve etnikë. Ndërsa presidentit Thaçi e Vuçiq janë në favor të shkëmbimit të territorit, përmes njerëzve të afërt me bisedimet thonë se ata nuk pajtohen në disa fusha, siç është qyteti i ndarë i Mitrovicës. Vuçiqi po ashtu përballet me kundërshti brenda Serbisë. “Serbët vetëm duan të humbin gjithçka”, tha Vuçiqi gjatë kësaj jave. “Ata dëshirojnë të qajnë për diçka që ka mbetur prapa sesa të mbajnë diçka në duart e tyre”.

Nga ana e tyre, liderët gjermanë kundërshtojnë shkëmbimin territorial nga frika se mund të nxisin separatizëm në baza etnike në Bosnje e Maqedoni dhe ta kthejnë rajonin prapa në konflikt.

Kufijtë e rajonit janë “të pandryshueshëm”, tha muajin e kaluar kancelarja gjermane, Merkel, qëndrim ky i fuqizuar nga zëdhënësi i saj të mërkurën që lamë pas.

“Qëndrimi ynë ka qenë konsistent dhe në pajtim me brengat e liderëve të të gjitha vendeve fqinje, që kanë shfaqur brengë se rishkrimi i kufijve mund të hapë kutinë e Pandorës në një rajon ende të paqëndrueshëm”, ka thënë ai. Luksemburgu dhe Britania po ashtu kanë shfaqur rezerva ndaj këtij plani, transmeton Koha.net.

SHBA-ja ka injoruar kundërshtimet e Gjermanisë, siç kanë bërë edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së për marrëdhënie me jashtë, me një memorandum që thotë se rishkrimi i kufijve do të ndihmonte më shumë në shuarjen sesa në ndezjen e paqëndrueshmërisë rajonale.

“Për herë të parë në historinë e tyre, Serbia dhe Kosova lirshëm do të pajtohen/zgjidhin dallimet e tyre përmes dialogut”, thotë dokumenti. Nëse këto bisedime dështojnë, shton ai, Kosova “do të bëhet një konflikt i ngrirë dhe kjo do të thoshte se në fund të fundit pashmangshëm do të shpërthente”.

Vendi me shumicë myslimane mund të bëhet “toka më pjellore për kriminalitet dhe radikalizëm”, thotë memoja, e cila është draftuar javën e kaluar për t’iu adresuar një kërkese nga Wess Mitchell, zëvendëssekretari amerikan i shtetit përgjegjës për çështjet evropiane, për të krahasuar qëndrimet e SHBA-së dhe të BE-së për këtë çështje.

Departamenti Amerikan dhe Ambasada Amerikane në Beograd nuk kanë pranuar të komentojnë për këtë memo. Muajin e kaluar, këshilltari i sigurisë kombëtare të Trumpit, John Bolton, tha se nuk asnjë shqetësim për shkëmbim territorial, transmeton Koha.net.

Kundërshtimi publik i Merkelit për rishkrimin e kufijve ka shkaktuar frustrim në Bruksel.

“Kush mendon qeveria gjermane se është, që kundërshton menjëherë negociatat mes dy vendeve sovrane?”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së i afërt me diskutimet. “Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm nga Kosova dhe Serbia, e jo nga përfshirja nga jashtë”.

Ndërsa Berlini tani insiston se kufijtë evropianë janë të shenjtë, Gjermania ka luajtur rol kyç në përshpejtimin e shpërbërjes së Jugosllavisë kur njohu pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë më 1991, para shumicës së fuqive tjera botërore.

Ndonëse, siç shkruan WSJ, përqendrimi amerikan ishte zhvendosur nga rajoni kohëve të fundit, tani SHBA-ja po rikthehet në rajon, sipas analistëve dhe zyrtarëve. Vitin e kaluar e futi Malin e Zi në NATO dhe po insiston fuqishëm që edhe shteti tjetër fqinj, Maqedonia, t’i bashkohet aleancës ushtarake.

Mbështetja aktive e Washingtonit për shkëmbim territorial Serbi-Kosovë “është thjeshtë edhe një dëshmi e përkushtimit të SHBA-së për të stabilizuar rajonin”, ka thënë Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit Thaçi. “Jam i sigurt se në fund do të jetë e mundshme të triumfohet” ndaj ngurrimit gjerman.

 

Kadri Veseli flet për dokumentin kornizë për dialogun me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Në takimin e liderëve të koalicionit qeverisës bashkë me presidentin Hashim Thaçi, të mbajtur sot, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka paraqitur një dokument-kornizë, me qëllim të arritjes së një konsensusi në dialogun Kosovë- Serbi.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kryeparlamentari Kadri Veseli thotë se beson se dokumenti i propozuar do të shërbejë si fillim i mbarë i ndërtimit të një konsensusi, duke përfshirë edhe opozitën, për fazën përfundimtare të Dialgout me Serbinë në Bruksel.
“Jemi duke e ndërtuar konsensusin. Ulësja në OKB për shtetin tonë të pavarur dhe sovran është një konsensus që na bashkon të gjithëve, opozitë dhe opozitë; integrimi në Bashkimin Europian, në NATO dhe reformat në sistemin tonë legjislativ dhe ekonomik”.

“Unë besoj shumë që ai dokument do të jetë vetëm një nismë e mbarë e ndërtimit të një konsensusi të përgjithshëm, të cilin e kam ofruar, në mënyrë që të gjithë bashkërisht, pozitë dhe opozitë të jemi në procesin e dialogut dhe në të njëjtën kohë në finalizimin e procesit për anëtarësim në OKB për shtetin tonë të pavarur dhe sovran. Kjo, tek e fundit, është arsyeja pse shkojmë në dialog”, thekson Veseli.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, në një takim ku merrnin pjesë dhe zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, sot në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini në Bruksel.

“Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i konfirmojnë znj. Mogherini përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për dialog me Serbinë dhe po ashtu përkushtimin dhe angazhimin tyre për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës”, thuhet në një komunikatë zyrtare të lëshuar pas takimit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i vetmi i cili foli pas këtij takim, deklaroi për EO se partnerët e koalicionit janë unikë në procesin e dialogut me Serbinë.

“Ne jemi duke ndërtuar bazat e një dialogimi me shtetin serb, ku ndërmjetësimi do të jetë i Bashkimit Europian në mënyrë të drejtpërdrejt, me prezencën e SHBA-së. Në të njëjtën kohë do t’i afrohemi edhe opozitës, në mënyrë që ta kemi konsensusin e përbashkët për çështjet madhore si ulësja në OKB, integrimi në BE”, theksoi Veseli.

“Kjo është ajo çka po bëjmë në takimet intensive dhe një nga pritjet e mia, dhe në të njëjtën kohë iniciativat që kam marrë; janë përpjekje me javë të tëra. Do të jemi bashkë në konsensus, të kenë besim edhe qytetarët tonë. Do ta përfaqësojmë vendin tonë në mënyrë të dinjitetshme, sovraniteti i shtetit tonë është i pacenueshëm”, ka theksuar Veseli.

 

Kurteshi: Mos e votoni ligjin për qasje në dokumente publike, janë disa çështje që janë fsheh aty

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës, ka shqyrtuar Projektligjin për Qasje në Dokumentet Publike. Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha se e drejta e qasjes në dokumente është e drejtë themelore dhe se projektligji në fjalë, përmban obligime për institucionet publike

“Projektligji përmban obligime për institucionet publike, që t’i mbajnë hapur të dhënat, të cilat mund të përdoren nga individët dhe nga bizneset. Hapja e të dhënave do t’i mundësoj bizneseve të reja sidomos ato të teknologjisë informative, të krijojë aplikacione me të dhënat e nevojshme për një treg të ri që do të ndihmonte ekonominë dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Bytyqi.

Por deputeti i Vetëvendosjes  Sami Kurteshi u bëri thirrje deputetëve që të mos e votojnë këtë projektligj.

“Pjesa e dytë është thelbi. Ka të bëjë pikërisht me qasjen në dokumentet publike, për nenet që i lexova pak më parë dhe sidomos për monopolin që mund ta kenë organizatat ndërkombëtare  si Bechtel Enka apo si ndonjë organizatë tjetër në Kosovë,  që nuk i jep kontratat të  bëhen publike.  Këto janë ato çështjet që janë  mshef në ligj dhe kanë karakter politik dhe nuk kanë karakter juridik, por janë norma juridike. Ne kemi dhe çështje tjera. Unë po e them krejt hapur për ta  treguar qëndrimin politik të VV. Në formën që është ofruar ligji me këto fshehje që janë shumë suptile, parimisht  kërkoj nga koleget të mos e miratojnë këtë ligj”, tha Kurteshi.

Edhe pse në rend dite ishin paraparë dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës,   shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-042 për gjak dhe përbërës të gjakut, shqyrtimi i dytë i  Projektligjit nr. 06/ L-009 për Ndërmjetësim dhe Shqyrtimi i dytë i  Projektligjit nr. 06/ L-010 për Noterinë, ato u  shtynë për shqyrtim në seancën e radhës, e cila do të caktohet nga Kryesia e Kuvendit në ditët në vijim.