Zviceranët dorëzojnë armët

Periskopi.com Lajme

Disponimi i zviceranëve kundër armëmbajtjes, i treguar në referendumin e mbajtur javën e kaluar, ka filluar të dëshmohet edhe në praktikë.

Kështu, vetëm një javë pas votimit me shumicë dërmuese për ashpërsimin e rregullave të armëmbajtjes, duke iu përshtatur kështu legjislacionit të BE-së në këtë fushë, policia në kantonet: Lucern, Nidwalden dhe Obwalden ka organizuar sot mbledhjen e armëve nga qytetarët.

Në kuadër të këtij aksioni është arritur që në këto tri kantone të grumbullohen 670 armë zjarri, bën të ditur Policia e Kantonit të Lucernit, shkruan srf.ch.

Nga ky numër, 540 armë janë dorëzuar vetëm në Kantonin e Lucernit.

Në këtë aksion është mundësuar të dorëzohen po ashtu edhe armët e zjarrit të cilat sipas ligjit të ashpërsuar të armëmbajtjes nuk janë më legale, transmeton albinfo.ch.

Përveç numrit të përmendur të armëve të zjarrit, gjatë aksionit në fjalë janë dorëzuar edhe municione, si tetë kilogramë materie eksplozive dhe rreth 200 kapsula shpërthyese.

Armët dhe materiali tjetër i grumbulluar do të shkatërrohen, bën të ditur policia më tutje.