Në futbollin kosovar po zhvillohet “Zhegrova i ri”, njihuni me talentin Drin Zhegrova

Periskopi.com Sporti

Kosova vazhdon të jetë “vatër” e talenteve të futbolllit. Shumë të rinjë e kanë nisur karrierën në “lloçin” e vendit tonë, por me punë dhe përkushtim kanë arritur majat e futbollit ndërkombëtar.

Njëri prej futbollistëve të talentuar që po bën karrierë në futbollin kosovar është edhe Drin Zhegrova, i cili momentalisht është pjesë e klubit lipjanas, Arbëria e Dobrajës, sipas”Zeri.info”, transmeton Periskopi.

Sulmuesi i talentuar që është i afërm me Edon Zhegrovën, yllin e Baselit dhe Përfaqësueses së Kosovës, falë paraqitjeve mbresëlënëse me grupmoshat e reja, është ftuar nga kryetrajneri Arbnor Morina për t’u inkuadruar në skuadrën e parë.

Përveç stërvitjeve nën urdhrat e Morinës, Zhegrova ka angazhuar edhe trajnerin zviceran, Mirco Martin për t’u stërvitur me të në baza individuale në mënyrë që ta zhvillojë potencialin e tij të plotë.

Image

Falë paraqitjeve të mira, ai është duke u përcjellur edhe nga klube të huaja, derisa ofertat për të nuk mungojnë. Ka interesime nga klubet portugeze dhe zvicerane.

Në një bisedë me “Zeri.info”, Drin Zhegrova është rrëfyer gjerë e gjatë për aventurën e tij te Arbëria e Dobrajës si dhe për synimet e tij në karrierën sportive.

“Ka qenë shumë e vështirë në fillim. Por, mua më kanë pëlqyer sfidat e vështira sepse janë shumë motivuese dhe kushtet janë shumë të mira tani. Në klubin e Arbërisë, kushtet janë të mira, trajnerët janë profesionistë dhe unë si futbollist i ri mësoj shumë nga ta”, e nis bisedën Drin Zhegrova.

Image

E ardhmja

Duke folur për të ardhmen e tij, Drini thotë se ka klube të huaja të interesuara për të, derisa potencon se atij i mbetet të punojë edhe më shumë në vazhdimësi.

“Ka pasur klube të huaja të interesuara për mua, si nga Portugalia dhe Zvicra, por e imja mbetet të vazhdoj me punën”, thotë Zhegrova, i cili tregon më tutje për punën me trajnerin zviceran Mirco Martini: “Kam dëgjuar se një trajner zviceran ka ardhur në Kosovë dhe jam takuar me të. Ai është Mirco Martin, jam duke punuar me të prej më shumë se një vit. Ai më motivon për gjithçka, më përgatit mentalisht shumë mirë. I besoj shumë atij”.

Si çdo futbollist tjetër i ri, Drini shpreson që një ditë të luajë në klubet më të mira në Evropë.

Image

“Më pëlqen të luaj në klubet më të mira në Evropë. Poashtu, dua t’i zhvilloj aftësitë e mia pa kufi. E di që është e mundur ta arrij këtë sepse trajnerët e mi, Arbnor Morina dhe Mirco Martin më tregojnë shumë gjëra për ta rritur nivelin e lartë”, theksoi 17-vjeçari.

Për fund, ai tregon se mbështetësit e tij më të mëdhenj janë familja, sidomos prindërit.

“Mbështetësit e mi janë familja ime, sidomos babai dhe nëna ime. Ata më ndihmojnë për çdo gjë, po ashtu edhe trajneri im, Mirco”, përfundoi Drin Zhegrova.

Image