droga Archives - Periskopi

​Kapet 5 ton drogë, trafikantët ndërtuan nëndetëse për ta transportuar

Periskopi.com Lajme

Një sasi rekord droge është kapur në Panama në një nëndetëse të ndërtuar nga vetë trafikantët. Sasia e drogës së kapur është 5 tonë.

Oficerët në bashkëpunim me Shërbimet e Forcave Detare dhe Ajrore arritën të identifikonin mjetin lundrues në brigjet e Panamasë gjatë mbrëmjes të së mërkurës (19 shkurt). Katër persona me origjinë kolumbiane ranë në prangat e policisë dhe mbi 5 ton drogë u sekuestruan.

Në një deklaratë për mediat, ministri i rendit publik të vendit nuk ka dhënë detaje për identitetin e të arrestuarve si dhe për llojin e lëndës narkotike të sekuestruar. Ai shprehet se nëndetëse të tilla janë kapur edhe më parë në ShBA dhe në Evropë.

Deri më tani nuk dihet as destinacioni se për ku ishte nisur droga. Mjete të tilla janë shumë të vështira për tu identifikuar në det të hapur dhe kërkon bashkëpunimin e disa forcave të sigurisë për t’i kapur ato.

Arrestohet i dënuari me burg për shitje të drogës

Periskopi.com Lajme

Drejtoria Rajonale e Policisë Pejë ka arrestuar personin e kërkuar me urdhëresë nga Gjykatat Themelore në Pejë dhe Mitrovicë për veprat penale blerje, posedim, shpërndarje, apo shitje e paautorizuar e narkotikëve dhe të substancave psikotropike dhe analoge, dhe vjedhje.

Njësitet relevante të Stacionit Policor Pejë, pas një pune operativo-hetimore kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin F.R. (1985), m/k/sh, i dënuar me dy vjet e pesëmbëdhjetë ditë burg.

I njëjti pas arrestimit është dërguar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, për vuajtje të dënimit.

Kapet në Tiranë ‘Escobari’ turk: Pjesëmarrës në trafikimin e 14 miliardë eurove drogë

Periskopi.com Lajme

Një 53 vjeçar nga Turqia u kap në Shqipëri si i shumëkërkuar nga drejtësia franceze, si një nga trafikantët e familjes kriminale Baybesin, që si drejtues të vetin kishte Hysein Baybesin, i konsideruar disa vite më parë si Eskobari i Evropës.

Faruk Baybesin, i dënuar me 30 vite burgim për çështje të trafikut të heroinës kërkohet nga gjykata e Loire Atlantique, që e ka shpallur fajtor për pjesëtar të organizatës kriminale që trafikonte ne Evropë heroinë. Drejtësia franceze përmes dokumenteve që i ka përcjellë me urgjencë kërkon dorëzimin e Baybesin me argumentin se përgjatë viteve 1994 -1995 Baybesin ishte aktiv në trafikun e drogës edhe në Francë si anëtar i një bande që vepronte jo vetëm në Turqi, por edhe në Francë.

Gjykata e Tiranës në funksion të kërkesës së Francës ka vendosur arrest me burg 40 ditë për Faruk Baybesin, i cili tentoi të hynte në Shqipëri për t’u fshehur, por u zbulua nga autoritetet. Ai ka prtanuar që është djali i një tjetër trafikanti të dënuar Mahmut Baybesin, i cili gjithashtu rezulton të jetë pjesë e familjes së narkotrafikut të etiketuar.

Madje ky grup mori etiketimin “Eskobarët e Evropës”, pasi kryesori i grupi Husein Baybaşin mori emrin Eskobari i Evropës. Për aktivitetin e këtij grupi në atë kohe mediat raportonin se Hüseyin Baybaşin, Mehmet Emin Baybaşin, Mehmet Şerif Baybaşin, Mehmet Şirin Baybaşin, Mahmut Baybaşin janë anëtarë të familjes që përfundoi në burg për drogë. Të ardhurat e grupit nga heroina janë vlerësuar në 10 miliardë paund./TCh/

14 mijë persona vdiqën nga mbidoza për katër vjet në Kanada

Periskopi.com Lajme

Gati 14 mijë njerëz kanë vdekur në Kanada për shkak të mbidozës së drogës në katër vjetët e fundit dhe më shumë se 17 mijë janë shtrirë në spitale në atë që zyrtarët po e quajnë krizë në rritje e sipër, e cila nuk po shfaq shenja të përmirësimit.

Në raportin e titulluar “Dëmet e lidhura me drogën në Kanada”, të publikuar këtë javë, agjencia publike e shëndetit në shtetin më të madh të Amerikës Veriore, vihet në pah shkalla e kësaj krize shqetësuese sa i përket përdorimit të substancave narkotike nga popullsia.

“Kriza e mbidozës së drogës po vazhdon t’i shkatërrojë shumë kanadezë, familjet dhe komunitetin e tyre në të gjitha pjesët e vendit”, tha Dr.Saqib Shahab, në një deklaratë të përbashkët të autorëve të këtij raporti.

Droga që e ka shkaktuar më së shumti këtë krizë besohet të jetë fentanili, drogë e fuqishme sintetike, e cila shpesh përzihet me heroinë për ta forcuar efektin e saj.

Ndonëse pak rajone në Kanada kanë mbetur pa u goditur nga kjo krizë, gjendja më e rëndë është në pjesën perëndimore, më saktësisht në rajonin British Columbia. Numri prej 22 vdekjeve për çdo 100 mijë banorë është dyshim më i lartë se shifra mesatare në nivel kombëtar. Në vendin e dytë është rajoni Alberta me 16 vdekje për çdo 100 mijë banorë për shkak të mbidozës.

Partia Liberale, e cila është aktualisht në pushtet, ka premtuar se do t’i shtojë fondet për luftimin e kësaj krize, duke thënë se për zgjidhjen e këtij problem do t’i ndajë 100 milionë dollarë kanadezë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Qeni i policisë zbulon sasi rekord të drogës

Periskopi.com Lajme

Policia dhe doganierët sllovenë kapën 730 kilogramë heroinë në portin Kopër, e cila është sasia më e lartë e heroinës së sekuestruar në historinë e vendit.

Dërgesa, e vlerësuar deri në 87 milionë në vlerë rrugë, iu drejtua një kompanie në Budapest dhe u zbulua nga një qen policie, tha policia.

Prania e drogës në ngarkesë, e cila u vlerësua si e dyshimtë në Kopër pas skanimit, u zbulua nga një qen policie.

Policia gjeti 1.421 pako me heroinë ose 730 kilogramë, që është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Slloveni.

Autoritetet sllovene njoftuan homologët e tyre hungarezë dhe më pas u zbulua se një grup kriminal nga Hungaria kishte organizuar transportimin e drogës nga Irani, e cila ishte e destinuar për një kompani hungareze.

Tri nëna dhe gjashtë fëmijë u vranë nga kartelet e drogës derisa po shkonin në një dasmë

Periskopi.com Lajme

Pesë fëmijët të cilët u plagosën kur të armatosurit e kartelit meksikan qëlluan në drejtim të tyre janë bartur për në spitalet në ShBA, pas sulmit të ashpër.

Tre nëna dhe gjashtë fëmijët e tyre, të cilët i përkasin familjes LeBaron, u vranë nga personat e armatosur ndërsa udhëtonin në një kolonë prej tre veturash në shtetin kufitar meksikan të Sonora të hënën.

Sipas DailyMail, përcjell Telegrafi, gjashtë fëmijë u plagosën në sulm dhe pesë prej tyre janë bartur në spitalet në Phoenix, Arizona për trajtim.

Tre fëmijë të tjerë nuk ishin të plagosur dhe mbetën me familjen në Meksikë.

Ndërkohë të afërmit kishin postuar foto në mediat sociale të fëmijëve me gjak, të cilët ngushëlloheshin nga të afërmit në një spital meksikan para se të transferoheshin.

Autoritetet lëshuan gjithashtu imazhe të fëmijëve që u transmetuan nga ajri me ndihmën e Forcave Ajrore të Meksikës.

Njëri nga djemtë që nuk mbeti i lënduar në sulm besohet të ketë shpëtuar të afërmit e tij të plagosur, pasi 13-vjeçari i mbuloi me degë për t’i fshehur nga kartelet e armatosur para se të kthehej në shtëpi për ndihmë.

Nënat e vrara po vozitnin në automjete të ndara me fëmijët e tyre nga komuniteti fetar La Mora, ku ata jetojnë, që është një vendbanim në Sonora.

Rhonita Maria LeBaron dhe katër fëmijët e saj – binjakët e saj gjashtë muajsh, Titus dhe Tiana, vajza e saj 10-vjeçare Krystal dhe djali 12-vjeçar Howard – u vranë të gjithë.

Dy nëna të tjera, Dawna Langford dhe Christina Langford Johnson, si dhe djemtë e Dawna, të moshës 11 dhe tre vjeç, gjithashtu u vranë të gjithë.

Katër nga pesë fëmijët e Dawna që i mbijetuan sulmit pësuan plagë me armë zjarri. Vajza e saj 14-vjeçare Kylie u qëllua në këmbë, Cody-vjeçari u qëllua në nofull dhe këmbë dhe Xander katër vjeçar u qëllua në shpinë.

Gjithashtu një video e postuar në mediat sociale tregonte mbetjet e automjetit të tyre të mbushur me vrima plumbash.

Pas marrjes së informatës, një reagim i ashpër ka ardhur edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Ai, duke konfirmuar ngjarjen, ka thënë se familja “u kap midis dy kartelave të drogës, të cilët po qëllonin njëri-tjetrin”.

“Nëse Meksika ka nevojë ose kërkon ndihmë për të pastruar këto monstra, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme dhe të aftë të përfshihen dhe të bëjnë punën shpejt dhe në mënyrë të efektshme”, ka thënë Trump. “Kjo është koha që Meksika, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, të fitojnë luftën mbi kartelet e drogës dhe t’i fshijë ata nga faqja e dheut. Ne thjesht presim një thirrje nga presidenti juaj i ri i ri!”.

Konsumonte dhe shpërndante drogë në lokalet e natës

Periskopi.com Lajme

Një 25 vjeçar me inicialet E.K., është arrestuar në Durrës, pasi i njëjti dyshohet se ka konsumuar dhe shitur lëndëve narkotike në lokalet e natës, tallava.

Sipas Policisë,  po ashtu është proceduar në gjendje të lirë pronari i lokalit, shtetasi S.M., 27 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale ” Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit S.M., i cili kishte përshtatur ambientet për konsumim të lëndëve narkotike, në tavolinën e shtetasit E.K., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale doza lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë, një kapak metalik me mbetje të lëndës narkotike dhe kartëmonedha në formë tubi, me anë të cilave ishin konsumuar lëndë narkotike”, thuhet në njoftim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

Tahiri: Gabimi im më i madh, tregova se në ç’masë mbillej kanabisi

Periskopi.com Lajme

Duke mohuar me forcë se nuk ka bërë asnjë veprim për të cilin mund të dënohet për shpërdorim detyre, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tregoi në konferencën e sotme gabimin që, sipas tij, ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës.

“Bëra gabimin e madh që thashë se në çfarë mase mbillej kanabisi në Shqipëri. E dija se sa më shumë ta luftoja në çdo cep të Shqipërisë, aq më shumë do të ishin akuzat. Ata që e zhytën vendin në krim, sot më akuzojnë mua”, u shpreh Tahiri.

Sipas Tahirit, edhe përpara se PS të vinte në pushtet në 2013-ën, kanabisi mbillej në të gjithë vendin dhe jo vetëm në Lazarat.

Tahiri akuzoi edhe ish-ministrat e Partisë Demokratike: “Një ministri të Brendshëm ju vranë katër qytetarë dhe nuk u akuzua për shpërdorim detyre. As kryeministri kur tha se e kishte lejuar Lazaratin, as ministri i Brendshëm kur ju vranë 28 njerëz në Gërdec.”

Sa i përket dënimit për shpërdorim detyre, Tahiri tha: “Dua të shoh kë ligj kam shkelur duke shpërdoruar detyrën. Në kulturën time një vendim gjykate vetëm ankimohet. Do ta ankimojë vendimin sapo të zbardhet dhe të më jepet e drejta. Jam i bindur se nuk e kam shpërdoruar asnjëherë detyrën.”/top channel

DW: Tahiri i pari zyrtar i lartë i gjykuar për trafik droge

Periskopi.com Lajme

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mbrëmjen e së enjtes ( 19.09.2019) që ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është fajtor për shpërdorim detyre dhe i pafajshëm për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Ajo e dënoi atë me 5 vjet burg, të kthyera në 3 vite shërbim prove për mosmarrjen e masave që do të shmangnin kanabizimin e Shqipërisë dhe përfshirjen e punonjësve të policisë.

Javën e kaluar, më 10 shtator, prokurorët e ҫështjes Tahiri dhanë pretencën dhe kërkuan 12 vjet burg për akuzat e korrupsionit, trafikut të drogës dhe pjesëmarrjes në një grup kriminal. Këto akuza u rrëzuan nga Gjykata për mungesë provash. Tahiri mori pafajësinë për to dhe nuk do të bëjë asnjë ditë burg në përputhje me Kodin Penal të Shqipërisë, Gykata e ktheu dënimin nga 5 vite në 3 vite shërbim prove ose punë vullnetare, meqënëse Tahiri pranoi gjykim të shkurtuar.

Gjykata e Krimeve të Rënda mori vendimin e saj, pas hetimesh dhe një procesi gjyqësor prej më shumë se dy vitesh, gjyqtarët dhanë vendimin pas konsultimesh të gjata, rreth orës 22.00, ndonesë e kishin paralajmëruar për 6 orë më parë.

Vendimi vjen disa javë para samitit të Këshillit Europian të vendeve anëtare të BE, për hapjen ose jot ë negociatave të pranimit me Shqiperinë ku rritja dhe qëndrueshmëria e rezultateve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë në krye të kushteve për një vendim pozitiv.

Tahiri: “Vendim qesharak, jam i pafajshëm”

Ish-ministri Brendshëm Tahiri e quajti “të papritur, qesharak dhe absurd” vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shkallës së parë. Ai deklaroi para gazetarëve se do ta apelojë atë dhe do të japë hollësi të premten,( 20.09) se “ҫfarë ka ndodhur me procesin gjyqësor dhe akuzat ndaj tij gjatë dy viteve”.

” Për dy vjet u hetova si pjesë e një grupi kriminal që ka bërë trafik droge. Sot Gjykata thotë që nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por meqë kam përdorur të njëjtën makinë me kushërinjtrë e mi jam fajtor për shpërdorim detyre. “Jam pa fjalë. Është njëlloj si të hysh në një provim, të thotë mësuesja shumë mirë je përgatitur, por do marrësh 5”, tha Tahiri pas shpalljes së vendimit.

Opozita: Vendim i turpshëm, drejtësia peng i kryeministrit Rama

Opozita nuk e quan as qesharak, as absurd por “të turpshëm” vendimn e Gjykatë për ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri. Kryetari i Partisë Demokratike, (PD) Lulzim Basha, në një status në median sociale shkruan se ” është një vendim i turpshëm për të mos bërë drejtësi me krahun e djathtë të Edi Ramës, një vendim që tregon se drejtësia është marrë peng nga kryeministri Rama”.

Tahiri: Beteja ime sapo ka filluar

Ish-ministri i Brendshëm Tahiri, në mandatin e parë qeverisës të kryemnistrit Rama, 2013-2017, ka qënë një nga bashkëpunërorët e tij më të afërt.

Hetimet ndaj tij prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda nisën në nëntor 2017 me akuzën e kryerjes së veprës penale „ të trafikimit të narkotikëve Cannabis Sativa në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal, në sasira të mëdha nga Shqipëria në drejtim të Italisë.”

Ato u bazuan në përgjimet telefonike të Prokurorisë së Katanias (Itali) për grupin kriminal të vëllezërve Habilaj, kushërinj të largët të ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, ngaqë në bisedat mes dy trafikantëve përmendej emri i tij dhe kishte përdorur në një rast të njëjtën makinë me kushërinjtë e tij trafikantë.

Pas 7 muaj hetimesh, më maj 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda mori masën me arrest shtëpie ndaj Tahirit në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrest me burg. Por Gjykata e Apelit lejoi hetimin e Tahirit në gjendje të lirë, hetim që përfundoi në shkurt të këtij viti.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë kërkuar pafajësi, mbështetur në mungesën e provave.

Ish-ministri i Brendshëm Tahiri është i pari zyrtar i lartë në Shqipëri, i hetuar dhe gjykuar për trafik droge dhe lidhje me krimin e organizuar që dënohet për shpërdorim detyre.

Ai konsiderohej një nga ministrat më të sukseshëm në mandatin e parë qeverisës të kryemnisatrit Rama, që ia doli mbanë t’i japë fund kultivimit dhe përpunimit të Cannabis Sativa në jug të vendit , në Lazarat, fshat i paprekshëm nga ligji dhe ku policia e shtetit nuk mundi të hynte për më shumë se 10 vjet. Por pas suksesit absolut me Lazaratin, vendi u kanabizua dhe trafiku i drogës u rrit.

Ish ministri i brendshëm Tahiri kërkoi nga trupi gjykues të enjten pafajësi. “Beteja ime sapo ka filluar për të zbardhur të vërtetën”, deklaroi Tahiri pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Shqipëria është angazhuar që me një sistem të reformuar drejtësie, me gjykatës dhe prokurorëve që kanë kaluar vettingun të fillojë dhënien fund të pandëshkueshmërisë së ish-zyrtarëve të lartë apo aktualë, të akuzuar për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe abuzim me pushtetin.

Arrestohen katër persona për drogë në Prizren, konfiskohen edhe mbi 22 mijë euro

Periskopi.com Lajme

Katër persona janë arrestuar në Prizren për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë konfiskuar para 10.700 euro dhe gjatë bastisjes se në shtëpitë e të dyshuarve janë sekuestruar përkohësisht edhe 11.500 euro para të gatshme, një shkop bejsbolli dhe katër telefona.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Vushtrri: Daja i tha se droga e heqë mërzinë, 13-vjeçari përfundoi duke marrë heroinë

Periskopi.com Lajme

Ishte vetëm 13 vjeç kur provoi për herë të parë drogën e llojit heroinë. I riu nga Vushtrria gjithçka e nisi nga kurioziteti, teksa e kishte parë dajën e tij duke e konsumuar e që i kishte thënë se përdoret për ta larguar mërzinë.

Megjithëse herën e parë ia kishte marrë fshehurazi, ditët në vazhdim deri në gjashtë muaj, ai u bë vizitor i rregullt i dajës, të cilit nuk i pengonte as mosha e nipit.

Pas gjashtë muajsh, nevoja për konsum u rrit nga një herë në ditë në disa herë e deri në 5 gram. Kjo bëri që të bie në sy të familjes të cilët ia ndalën paratë që i jepnin, duke u detyruar B.K të merrej me shitblerjen e drogës.

Nga i gjithë rrethi i ngushtë që përbëhej nga 40 persona, 34 vdiqën, në mesin e tyre edhe daja i tij. Kjo e shtyu atë që pas 7 vjetësh e gjysmë, të marrë vendimin më të rëndësishëm në jetë, por që për t’ia arritur qëllimit përjetoi 7 ditët e ferrit.

Aktualisht në Kosovë janë 35 mijë përdorues të drogave prej tyre 5 mijë përdorues problematik. Por, shqetësuese po del të jetë grup mosha që nisin konsumin.

Numri i përdoruesve të heroinës ka rënë, por është rritur i kokainës dhe marijuanës./tch/

 

U kapën me 31 kg drogë në Gjakovë, paraburgim për dy të dyshuarit

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës me nga një muaj paraburgim ndaj dy shtetasve shqiptarë A. M. (1) dhe A. M. (2), pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Të pandehurit dyshohen se më 21 gusht 2019, pa autorizim kanë importuar substancë narkotike nga Shqipëria në Kosovë, me ç’rast njësia antidrogë gjatë kontrollit në bagazhin e njërën nga veturat e tyre kanë gjetur katër thasë me marihuanë, me peshë 31 kilogramë e 102 gramë.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Shokuese: Dy djem nga Klina mbështollën drogën me prezervativ

Periskopi.com Lajme

Në qytetin e Klinës janë arrestuar dy persona meshkuj për shkak se u është gjetur substancë narkotike të cilën ishin munduar të e fshehin duke e mbështjellur me prezervativ. 

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës për rajonin e Pejës në raportin 24-orësh.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë pasi që gjate kontrollit në veturën e tyre janë gjetur dhe konfiskuar dy pako substancë narkotike të mbështjella me prezervativ, një pako e mbështjellë me qese plastike, një qese me 100 copa tableta në formë zemre dhe një pako e letrës që dyshohet të jetë e mbushur me marihuanë”, thuhet në komunikatë.

“Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë  dërguar në mbajtje”.

Konfiskohet lëndë narkotike në Prishtinë, dy të arrestuar

Periskopi.com Lajme

Dy persona janë arrestuar në Prishtinë, pasi që gjatë kontrollit iu janë gjetur dhe konfiskuar substancë narkotike.

Sipas policisë, një i dyshuar është arrestuar pasi që gjatë kontrollit i janë  gjetur dhe konfiskuar tri qese të vogla me substancë narkotike, një mulli për bluarje, tri cigare të gatshme, dy tabak me letër mbështjellëse dhe tre pako të vogël pika për sy.

Me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Kurse, në rrugën ‘Rinia’, në Prishtinë, është arrestuar i dyshuari, pasi që gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar një qese me substancë narkotike, një mulli për bluarje, dhe disa mbështjellëse.

Me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

 

Interneti si “droga”

Periskopi.com Lajme

Shkarkimi i aplikacioneve online edhe në rastet kur përdoren për qëllime argëtuese mes miqsh, mund t’ju kushtojë më shumë sesa marrja e të dhënave personale dhe keqpërdorimi i mundshëm i tyre.

Mjekët flasin për krijimin e varësisë dhe e krahasojnë me atë ndaj lëndëve narkotike. Shqetësimi vjen së pari për shëndetin mendor.

“Duke qenë se kjo gjë bëhet virale është tendenca që ti të vazhdosh në kërkimet e tua për të përdorur të tjera aplikacione. Dhe kjo jo vetëm që ha kohën që mund të ishte në rendimet të një gjëje tjetër më produktive, por edhe dëmton në përgjithësi sistemin nervor, pa u thelluar edhe sistemin e shikimit edhe përqendrimin”, ka thënë mjekia psikiatre Arjana Rreli.

Përkujdesja e prindërve ndaj kohës që fëmijët shpenzojnë për teknologjinë është forma e parë e parandalimit të sëmundjeve të shëndetit mendor.

“Me kujdesin dhe me kohën cilësore të harxhuar bashkë me ta, sigurisht shkurtojnë kohën të cilën adoleshentët përdorin për t’ju përkushtuar këtyre aplikacioneve”, tha Rreli.

Rreli bën me dije se varësia ndaj aplikacioneve është një rrezik edhe ndaj të rriturve, pasi shton ankthin. Të paktën në ditë në qendrën shëndetësore shkojnë për të marrë shërbim 20 persona për kurimin e ankthit.

“Këto gjendje të ankthit që ne sot i hasim rëndom kanë një precedent edhe ekzagjerimi për shkak të përdorimit të teknologjisë”, tha ajo.

Psikologët theksojë se shoqëria duhet të kthejë vëmendjen tek komunikimi i drejtpërdrejtë duke shmangur sa më shumë të jetë e mundur teknologjinë.

Demaliaj i AAK’së shihet duke pirë kafe me ‘bosin’ e drogës

Periskopi.com Lajme

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shkumbin Demaliaj këto ditë është parë nën shoqërinë e dilerit të drogës, Naser Kelmendi.

Periskopi ka siguruar një fotografi teksa deputeti i   Kuvendit të Kosovës shihet nën shoqërinë e Kelmendit, në një nga lokalet e Pejës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt të vitit të kaluar  e kishte dënuar me gjashtë vjet burgim  Naser Kelmendin, të akuzuarin për vrasje të rëndë dhe vepra që lidhen me narkotikë.

Mirëpo, Kelmendi më 2 gusht të vitit 2018, ishte  lëshuar në liri pasi  Gjykata e Apelit të Kosovës kishte  vendosur për rigjykimin për pikën e aktakuzës në të cilën ai ishte shpallur fajtor me vendim të shkallës së pare.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë shpalli në atë kohë Naser Kelmendin fajtor në pika 8 të aktakuzës që e akuzon atë me shitjen e 25 kilogramëve të substancës narkotike, heroinës së bardhë.

Kelmendi u lirua nga akuza për krim të organizuar, si dhe për organizimin e vrasjes së Ramiz Delaliq apo vrasjes së Delaliq, që thuhet se është kryer në vitin 2007 në Sarajevë.

Ai ishte arrestuar në maj të vitit 2013 nga Policia e Kosovës pasi u kërkua me fletëarrest ndërkombëtar nga Bosnja./PERISKOPI/

 

I gjenden mbi 4 kg heroinë dhe dinarë të Serbisë në banesë, arrestohet në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Një person është arrestuar në Prishtinë, pasi që gjatë kontrollit në banesën e tij i janë gjetur dhe sekuestruar tetë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroin në peshë 4 kg e 101 gram, një makinë për paketim të substancës, disa pllaka metali, disa bulona (pjesë të makinës ) një telefon celular, 150 euro dhe 400 dinarë të Serbisë.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar.

 

Shkatërrohet banda e drogës në Uells, mes tyre edhe një kosovar

Periskopi.com Lajme

Policia e Uellsit ka shkatërruar dhe ka arrestuar një grup të drogës prej shtatë vetash në Uells të Jugut.

Pjesë e këtij grupi ishte edhe një kosovar, Qatip Puci.

Grupi ishte udhëhequr nga, Jamie Germaine, 46 vjeçar, i cili kishte transportuar mbi 100 kilogramë kanabis. Poashtu, pjesë e grupit të tij ishin edhe dy djemtë e tij, Tyrell(23) dhe Shaquille(21).

Policia që nga janari i vitit 2018-të ishte duke përcjellë udhëheqësin e grupit.

Ai ishte parë duke shkuar në Dubai, duke bërë shoping në dyqane luksoze si “Louis Vuitton” dhe po voziste një Mercedes.

Përveç ‘Germainesve’, të arrestuar ishin edhe Danny Yau (22), Qatip Puci (33) Justin Smith (45), dhe Ayman Nadeen (54).

Gjatë arrestimit, policia ka konfiskuar 600 mijë dollarë.

“Jamie Germaine gjatë kësaj periudhe ishte i papunë por voziste Mercedes ndërsa djemtë e tij po vozisnin BMË dhe Audi”, tha Ms Ferrier nga policia.

Në shtëpinë e shqiptarit, Qatip Puci policia kishte gjetur 7600 funta, po ashtu veshje të shtrenjta që kapnin çmimin e 710 funta që i kishte blerë në New York.

Avokati i Pucit tregoi se klienti i tij ishte rritur në Kosovë dhe gjatë luftës me Serbinë kishte pësuar trauma pasi e kishte parë babain e tij tek vritej. Në moshën 16 vjeçare kishte ardhur në Britani të Madhe si refugjat politikë.

 

Shkatërrohet banda shqiptare e drogës dhe prostitucionit në Itali

Periskopi.com Lajme

Finalizimi i operacionit të Milanos në bashkëpunim me policinë shqiptare çoi në arrestimin e 8 shtetasve shqiptarë me lidhje familjare dhe me origjinë nga qyteti i Lezhës, nën akuzën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit, në brendësi të Milanos dhe shesheve të Monzës.

Mediat fqinje bëjnë me dije se policia ka sekuestruar një apartament, dy llogari rrjedhëse dhe dy makina në pronësi të të dyshuarve.

Hetimi në lidhje me bandën kishte nisur që në vitin 2017.

Banda trafikonte sasi të mëdha droge, rreth 15 deri 20 kg kokainë për “rrugë”, ndërsa droga shpërndahej në tregun e Lombardinës.

Investimet e mëdha që të dyshuarit kryen për blerjen e kokainës, ishin përfitim i të ardhurave të paligjshme, që vinin nga kontrolli i zonave të prostitucionit.

Grupi përdorte për shfrytëzim prostitucioni 6-7 vajza, duke fituar kështu 3000 deri 4000 euro në natë.

Policët, duke hetuar sjelljen e shfrytëzimit të prostitucionit dhe trajtimin e drogës të kryer nga grupi i lartpërmendur kriminal, arritën të mbledhin prova të shumta kundër 8 shqiptarëve. Për ta lëshoi urdhëra të ndalimit Prokuroria e Monzës.

Shqetësuese: Nga droga vdiqën 97 kosovarë, mbi dy mijë të rinj janë të varur nga ajo

Periskopi.com Lajme

Si pasojë e përdorimit të drogave, nga paslufta në Kosovë kanë vdekur 97 persona. Numri i përdoruesve të drogave ka arritur në 25 mijë, ndërsa përdorues të rregullt të drogave të regjistruar vetëm në OJQ “Labyrinth” është 2370.

Këto të dhëna i ka bërë të ditur në një intervistë për EkonomiaOnline, Safet Bakaj, drejtor ekzekutiv dhe themelues i OJQ-së, “Labyrinth”,  i cili ka treguar për numrin e rasteve të vdekjeve, për llojet më të shpeshta të drogave të përdorura në Kosovë, si dhe për parandalimin e përdorimit të tyre.

Blakaj thotë se numri i personave të vdekur nga përdorimi i drogave, ka lëvizur nga viti në vit, kurse shqetësues mbetet viti 2011 ku janë regjistruar 17 raste të vdekjeve.

“97 persona kanë vdekur nga përdorimi i drogave, këtë shifër e flas vetëm për  personat që janë të regjistruar në data bazën tonë. Ka qenë një shqetësim i madh tek viti  2009-2012 ka pas numër të madh të vdekshmërisë. Viti që më së shumti ka pas vdekje ka qenë viti 2011 me 17 raste, vitin 2016 kanë qenë pak raste 4 raste, në 2018 kanë qenë 7 raste”, thotë ai.

Vitet në vijim, sipas Blakajt do të jenë edhe më të vështirë, kjo për faktin se do të fillojë përdorimi i drogave më të rrezikshme.

“Rreziqet që na presin këto 3 vitet apo 5 vitet që janë drogat e reja që quhen ‘New desing drogs’ që pritet të përdoren në Kosovë poashtu edhe fenomeni i përdorimit të shumëfishtë të drogave këta janë posaçërisht të rrezikuar prej mbidozës edhe ato droga që përdoren në psikiatri paraqesin problem shumë”, ka thënë Blakaj.

Numri i përdoruesve të drogave, sipas tij, arrin në 25 mijë. Ndërsa, përdorues të rregullt të regjistruar në qendrën e tij janë 2370 persona.

“Numër të përafërt këtu në qendrën ‘Labyrinth’ që janë të regjistruar si përdorues të drogës pra ata të cilët kanë problem serioz me drogën, jo ata që përdorin kohë pas kohe. Të rregullt janë diku 2370 deri më sot prej vitit 2002”, thotë ai.

Sipas tij droga më e rrezikshme që shkakton varshmëri të fuqishme dhe të shpejtë është heroina.

“Prej vitit 2012 viti 2013 ka rënë dukshëm përdorimi i heroinës këtu në Kosovë, ky është një lajm shumë i mirë mirëpo është rritë përdorimi i marihuanës posaçërisht tek të rinjtë ose fëmijët edhe droga e dytë është kokaina që me shpejtësi është duke u rritë numri i përdoruesve të saj”.

Ndërsa ai thotë se është shqetësuese numri i përdoruesve të drogës nga gratë posaçërisht marihuanës dhe kokainës.

Ndërsa se kur fillon një person të përdor drogë sipas moshës Blakaj ka treguar se në krahasim më vitet e mëhershme tani grupmosha që e fillon përdorimin është 16.3 vjeç, kurse viteve më herët ka qenë 21.4 vjeç.

“Gjinia deri në vitin 2010-2011 ka qenë 7.6 % femërore, ndërsa 2-3 vitet e fundit është rritur me të madhe përdorimi i drogave tek femrat tek grat posaçërisht marihuana dhe Kokaina”.

Ndërsa mosha mesatare mbetet 16 vjeçare.

“Vitin e kaluar mosha mesatare kur kanë filluar përdorimin e drogave kanë qenë 16.2 vjeç, nëse e krahasojmë 10 vjet ma përpara që ka qenë  21.4 vjeç, pra dallim i madh në moshë dhe ka rënë dhe ne mendojnë mundet me ra edhe ma poashtu fillimi i përdorimit të drogave”, ka thënë Blakaj.

I pyetur nëse duhet të legalizohen disa lloje të drogave ai ka thënë se duhet të bëhet dekriminalizimi që do të thotë se ndaj përdoruesve të moshës së re të mos hapet rast penal.

“Dekriminalizimin e përkrahim, nuk duhet dikush që posedim për nevoja të veta të llojit marihuan që të hapet rast penal. Kjo dëmton shumë të ardhmen e të rinjve që zihen me këto lloje drogave mundet mi paraqit problem mas 10-15 viteve kur arrin diçka në jetën e tij atëherë dosjet mbeten”, tha ai.

Sipas Blakajt problemi më i madh është parandalimi  i përdorimit të drogave, sidomos tek të rinjtë, pasi që në Kosovë nuk ka program për menaxhimin dhe kontrollimin e këtyre raste.