​DS kërkon ndalimin e fishekzjarrëve brenda kampusit të UP’së

Periskopi.com Lajme

Organizata Demokracia Studentore (DS) nëpërmjet një komunikate ka kërkuar nga rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të ndalojë manifestimin jubilar dhe hedhjen e fishekzjarrëve brenda kampusit të UP-së.

Kjo organizatë Studentore ka fajësuar rektorin Marian Demaj, i cili për disa vjet me radhë po ia lejon kësaj banke realizimin e këtij manifestimi në mënyrë jo ligjore, sepse për një aktivitet të tillë kërkohej një leje e veçantë.

“Kërkojmë urgjentisht të ndalohet manifestimi me fishekzjarrë brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, manifestim ky i cili bëhet nga ‘Pro Credit Bank’ dhe jo nga studentët e këtij universiteti. Fajtori kryesor për këtë rast është pikërisht rektori i UP-së Marjan Dema, që po lejon këtë, i cili duhet të ketë përgjegjësi për raste të tilla. Ne nuk lejojmë që hapësirat e kampusit të Universitet të Prishtinës të përdoren për qëllime të tjera, përveç atyre që kanë të bëjnë me studentë”, thuhet në komunikatën e Demokracisë Studentore.

Mexhid Ramusa nga Demokracia Studentore, ka thënë se konform rregullave të universitetit, nuk lejohet të bëhen organizime që nuk kanë të bëjnë me universitetin, studentët apo të ngjashme, dhe pikërisht për këtë duhet të mbajë përgjegjësi rektori Dema që po lejon diçka të tillë.

Ai ka akuzuar rektorin, që sipas tij vazhdimisht po bën shkelje të statutit të UP-së, derisa po e lejon “ProCredit Bank” të realizojë planet e saj pa ndonjë leje përkatëse.

“Kërkojmë urgjentisht të ndalohet ky manifestim që është planifikuar brenda hapësirave të Universitetit të Prishtinës dhe të ndërrojnë destinacion, pra nëse realizohet ky manifestim nga kompanitë private, atëherë po i humb vlera fare këtij universiteti dhe ne do të merremi edhe më tutje me këtë rast, deri sa manifestime të tilla nuk do të lejohen më”, ka thënë Rmusa.

 

​DS kërkon hetime për dhënien e diplomave në UP

Periskopi.com Lajme

 

Organizata Demokracia Studentore (DS) ka reaguar ndaj siç thuhet parregullsive të vazhdueshme, të cilat po e degradojnë Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke thënë se organet përkatëse duhet t’i nisin hetimet se si është shndërruar në biznes dhënia e diplomave të UP-së.

Sipas udhëheqësve të kësaj organizate, degradimet më të mëdha të UP-së po i bën vetë rektori Marjan Dema.

Mexhid Ramusa, kryetar i Demokracisë Studentore, ka thënë se rektori Marjan Dema ka qenë pjesë e udhëheqjes së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe është pikërisht ky rektor që prej dy vitesh ka vazhduar degradimin e Universitetit më të madh në Kosovë.

“Rektori Dema po e degradon në masë mjaft të madhe UP-në e disa nga problemet kryesore, por jo të vetmet janë duke filluar nga përzgjedhja e personelit akademik në baza partiake, klanore, familjare e duke vazhduar me avancime të personave jomeritor, mos marrja parasysh e mungesave të profesorëve në ligjërata e të tjera janë probleme shumë shqetësuese për neve studentëve”, ka thënë Ramusa.

Sipas tij, edhe temat e diplomave janë kthyer në biznes prej kohësh të cilat po e degradojnë vazhdimisht këtë institucion.

“Këto janë probleme që rektori gjithnjë e më shumë po e degradon UP-në dhe studentët e këtij institucioni, prandaj kërkojmë nga organet përkatëse që t’i nisin hetimet se si është shndërruar në biznes dhënia e diplomave të UP-së”, ka thënë Ramusa.