Gorani: Koalicioni PSD-AAK u krijua mbi parimet e korrektësisë reciproke

Periskopi.com Lajme

Dukagjin Gorani nga Partia Socialdemokrate (PSD), deklaroi se vendimi i kushtetutës e ka bërë që çdo parti synon vendin e parë.

“Koalicioni u ndërtua mbi parimet e korrektësisë reciproke të AAK-së dhe të PSD-së. Ky koalicion është ndërtuar në bazë të korrektësisë mes të dy partive, dinamika e partive përfundon nesër në mesnatë”, tha ai sonte në emisionin “Debat”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

“Taksa është instrumenti që do të mbetet dhe do të përdoret me shkathtësi, ndërkohë që dialogu lidhet edhe me gjërat tjera të brendshme”, tha ai.

“Nga marrëveshja për asociacionin për Kosovën ka filluar të diskutohet në kontekstin territorial, pra për të në botë tash flitet si diçka të kontestueshme. Subjekti i saj shtetëror është zbehur. Prandaj është dashur që procesi të rikthehet në normalitet, pra kthimi në idenë e procesit mes dy shteteve, shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, tha Gorani.

Gorani tha se nëse dy shtete nuk mund të krijojnë zgjidhje të kënaqshme, atëherë ndoshta iu kërcënohet mundësia e territorializimit.

‘Kur s’ka zgjidhje, kërcënohemi me shkëmbim ose territorializim. Dhe kështu mund të krijohet kauza si marifet politik. Kjo shkaktoi në të kaluarën polarizim dhe konflikt në shoqëri dhe ja jemi ku jemi”, tha ai.