Të shtëna me armë zjarri dhe therje me thikë në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Në Prishtinë mbrëmë ka pasur të shtëna me armë dhe therje me thikë në afërsi të klubit të natës “Duplex”.

Në anën tjetër nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për Periskopin se në afërsi të “Duplex”, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, por që edhe është plagosur një person si pasojë e lëndimeve të marra nga therja me thikë.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka bërë të ditur, se policia është në kërkim të tre personave të dyshuar për këtë rast.

“Sot rreth orës 02:00, në stacionin policor Qendra në Prishtinë është iniciuar një rast vrasje në tentativë. Rasti ka ndodhur në rrugën “Rinia”, ku pas një zënke (ku dyshohet se ka pasur edhe të shtëna me armë), në mes të disa personave, lëndime nga arma e ftohtë (thike) ka pësuar viktima R. A. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia ka identifikuar tre persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre”, ka treguar Ahmeti për Periskopin.

Përleshja “Duplex”, suspendohen policët për mos-veprim

Periskopi.com Lajme

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve lidhur me incidentin që ka ndodhur më 09 nëntor në diskotekën “Duplex” në Prishtinë, ka kërkuar informacione nga Policia Kosovës lidhur me veprimet dhe reagimet apo mos veprimet eventuale nga zyrtarët policorë që janë ndodhur afër vendit të ngjarjes sipas detyrës zyrtare apo edhe jashtë detyrës zyrtare.

Hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë analizuar këto informacione si dhe disa video-incizime që janë siguruar nga kamerat e sigurisë në vendin e incidentit.

Ky rast, bazuar edhe në  ligjin të IPK-së është iniciuar sipas detyrës zyrtare.

Më 18 nëntor nga IPK është rekomanduar suspendimi i dy zyrtarëve policorë të Njësive të Specializuara (NJSO – Njësitit Special Operativ) me inicialet G.P dhe I.H deri në përfundim të hetimeve.

Në koordinim me prokurorinë kompetente lënda është duke u hetuar në procedurë të rregullt me dyshimin se është kryer vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sherri në “Duplex”, lajmërohet anëtari i grupit të “Llepotës”

Periskopi.com Lajme

Të shtënat me armë zjarri pranë hyrjes së klubit të natës “Duplex”, nga të cilat mbetën të plagosur katër persona dyshohet se erdhën nga Astrit Mehmeti i njohur me nofkën Llepota dhe dy shoqëruesit e tij që ishin Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti. Pas më shumë se dy ditë në arrati, sot në një telefonatë që ka pranuar Gazeta Insajderi, është lajmëruar Andi Pajaziti i njohur me nofkën Italiani.Ai ka treguar se cilat ishin motivet deri te eskalimi i situatës dhe ka thënë që do të paraqiten vet në polici, pasi që, ata që nga e shtuna e 9 nëntorit, dita kur ndodhi përleshja janë në arrati.

“Ata nuk na kanë lejuar të hyjmë brenda. Ka qenë veprim i keq ai i joni por ata kanë gabuar sepse ne nuk kemi shkuar që të luftojmë atje”, ka thënë Andi Pajaziti, i cili ka treguar emrin e tij pas insistimit të gazetares.

“Si krejt bota që donë me hy brenda edhe ne kemi dashtë, por nuk na kanë lejuar, andaj ka ndodhur ky keqkuptim. Nuk ka pas të bëjë as femrat as asgjë tjetër, vetëm kanë thënë që neve nuk na lënë të hyjmë brenda”, është shprehur tutje ai.

Në lidhje me atë se çfarë veprimesh do të ndërmarrin ky grup tutje, Pajaziti ka pohuar se do të dorëzohen në Policinë e Kosovës.

“S’jemi në arrati se s’kemi bërë asgjë na, shkojmë paraqitemi, kismet nesër”, ka përfunduar bisedën Andi Pajaziti i njohur me nofkën Italiani.

Përleshja nisi me fyerje e më pas eskaloi edhe në gjuajtje me armë, shqelma dhe grushte.

Në pamjet që kanë dalë nga kamerat e sigurisë së “Duplexit”, shihet se i dyshuari Astrit Mehmeti me shoqëruesit e tij, njëherë janë fjalosur me sigurimin. Pas disa sekondash që ata shtyhen ndërmjet vete, i dyshuari Mehmeti, me revole gjuan drejt këmbëve të sigurimit. Pastaj njërit nga ta, Mehmeti, i afrohet edhe e godet me shqelma dhe grushte. Pas kësaj, afrohen edhe të tjerët të cilët shtyhen mes vete, derisa grupi i Llapotës, largohen nga vendi i ngjarjes, pasi që edhe sigurimi i “Duplexit” nis të gjuaj me armë zjarri.

Brenda disa sekondave janë dëgjuar të krisura armësh, të cilat kanë krijuar panik tek qytetarët e pranishëm.

Përleshjen me armë mes dy grupeve e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Në një përgjigje për Insajderin, zyrtari i Policisë për Informim, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se katër persona kanë mbetur të lënduar nga gjuajtjet me armë. Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë me dije se rasti është duke u hetuar.

 

Plagosen katër persona me armë zjarri para klubit “Duplex” në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Katër persona  janë  plagosur në një përleshje të armatosur në qendër të Prishtinës. Më saktësisht janë gjuajtur me armë në hyrje të klubit të natës “Duplex”. 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës orës 02:00 të mëngjesit.

Rastin e ka konfirmuar për Periskopin Flora Ahmeti zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

Ahmeti tregoj se personat e plagosur janë dërguar për tretman mjekësor.

Ajo tha se janë sekuestruar edhe tri armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur

“Sot rreth  orës 02:00, policia  ka marrë informacionin se në rrugën Rinia në Prishtinë,  ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Ne këtë rast katër persona kane marre plage nga arma e zjarrit dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Ndërkohë qe policia ka identifikuar personat e dyshuar dhe është ne kërkim te tyre. Nga njësitet policore ne vendngjarje janë sekuestruar tri arme zjarri qe dyshohet të jenë përdorur në këtë  rast.”, tha Ahmeti për Periskopin/Periskopi.

Më poshtë mund të shihni një video që ka siguar Insajderi.