Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit është punë e kryer

Periskopi.com Lajme

Dukagjini nuk pranon më të heshtë ndaj padrejtësive, ka thënë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në një tubim me qytetarë të Pejës.

Ai ka thënë se Dukagjini do ta marr atë që e meriton.

“Dukagjini nuk pranon më, në emër të njerëzisë e nderës, me ulë krytë. Ky koalicion ka me i kry punët ashtu siç i vyen Dukagjinit”, theksoi Haradinaj para qytetarëve pejanë.

Ka folur edhe për projektin Borea, duke thënë se do të kryhet nga Qeveria e tij.

Ka thënë se ky nuk është projekt personal i kryetarit të Pejës, Gazmend Muaxhiri.

“Borea nuk është projekt i z. Muhaxhiri. Borea është projekt i Qeverisë. Borea ka me u bo. Nëse po çojmë kapacitete në Brezovicë, atëherë pse mos me i pru këtu”, ka thënë i nominuari për Kryeministër nga koaliconi AAK-PSD.

Për Autostradën e Dukagjinit, Haradinaj ka thënë se është punë e kryer.

“Autostrada e Dukagjinit, kjo tashmë është e kryme. Nuk ka kurgjë tjetër, pos me ndodh. Infrastruktura është hapi i parë për me ndodh zhvillimi. Ne këtë autostradë nuk e bëjmë veç pse është e kësaj ane. E kemi bo kah Dheu i Bardhë, e kemi bë për Mitrovicë, Merdare. Pse mos me bë për Dukagjin?”, ka thënë ai.

Zgjedhjeve të 6 tetorit Haradinaj ia ka thënë epitetin e referendumit.

“Më 6 tetor është referendum, nuk janë veç zgjedhje. Mandatin ia kam kthy popullit, jo Albinit, Kadriut, as kërkuj tjetër. A e dini pse? Sepse nuk iu besoj”, ka thënë në fund Haradinaj, përderisa ka kërkuar mbështetjen e Dukagjinit.