Ekonomisti serb paralajmëron ditë të vështira për Serbinë nëse Kosova s’e heq taksën

Periskopi.com Lajme

Nëse Prishtina zyrtare do të vazhdojë të mbajë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, atëherë Serbinë e pret një ndërprerje totale e dërgimit të mallrave serbe në Kosovë.

Kështu tha ekonomisti Stojan Stamenkoviq gjatë prezantimit të revistës Analizat Makroekonomike dhe Trendet (MAT).

Sipas tij, shifra prej 409 milionë euro e mallrave të shitura nga Serbia në Kosovë është e saktë dhe e mundur, pavarësisht se bëhet fjalë për një treg relativisht të vogël, transmeton KosovaPress.

“Pritjet në lidhje me zgjerimin e investimeve në vendet e tjera janë të mira, por mund të jetë shumë e dyshimtë. Ekspertët e Bankës Botërore dhe FMN-së konsiderojnë se mund të vijë deri te recesionet tendencioze,” tha Stamenkoviq, një nga autorët e revistës MAT.

Ndryshe, pala serbe kërkon heqjen e taksës si kushte për vazhdimin e dialogut në Bruksel.

Një kërkesë të ngjashme palës kosovare në takimin e fundit në Bruksel ia ka përcjellë edhe kryediplomatja evropiane Federica Mogherini.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të qartë se Kosova mund të heqë taksën e vendosur vitin e kaluar ndaj mallrave serbe, nëse Serbia do të njehë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.