Prokuroria Speciale: Kërcënuesi përmendi Gjykatën Speciale, nuk ishte direkt për ne

Periskopi.com Lajme

Një kërcënim me bombë u adresua sot ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, gjë që alarmoi Policinë e vendit për të zhvilluar kontrolle të detajuara brenda këtyre dy objekteve të gjendura në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu në një deklaratë për Periskopin ka treguar për mënyrën e kërcënimit që u është adresuar atyre.

Lutfiu tregon se kërcënimi ka qenë indirekt, pasi siç thotë ai, i dyshuari kishte përmendur Gjykatën Speciale.

‘’Mund ta konfirmoj se nuk kemi pranuar një kërcënim direkt. Por, kur është pranuar telefonata kërcënuese në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) aty është përmendur edhe Gjykata Speciale, dhe duke e pasur parasysh që në Kosovë nuk ka Gjykatë Speciale atëherë ka lënë të kuptohet që është fjala për Prokurorinë Speciale”, ka thënë Lutfiu.

Ndërsa i pyetur nga Periskopi, edhe prokurori Special, Sylë Hoxha ka thënë se personeli janë evakouar nga ndërtesa menjëherë.

‘’Po janë evakouar gjithë punëtorët, në mesin e tyre jam edhe une. Më shumë informacione s’mund të japë’, ka thënë Hoxha.

Ndërsa  Policia e Kosovës kishte thënë se kërcënimi me bombë i është bërë sot Këshillit Gjyqësor në Prishtinë dhe Prokurorisë Speciale.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë ka thënë për Periskopin se në dy objekte  në rrugën ‘Luan Haradinaj’ ka dyshime për mjete shpërthyese.

‘’Rreth orës 10 :30 kemi pranuar informatën se ne dy  objekte ne rrugën Luan Haradinaj në Prishtinë, ndodhen  mjete  te dyshuara shpërthyese.

Menjëherë pas marrjes së informatës në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat aktualisht janë duke u marr me rastin.Për detaje te tjera ju njoftojmë me kohë’’, ka thënë ajo.

Policia e Kosovës dhe njësitet e deminimit, me ndihmën e qenve kanë zhvilluar kontrolle brenda këtyre dy objekteve. I gjithë personeli ishte evakouar nga dy ndërtesat në fjalë./PERISKOPI/