Alarmon njohësi i Emergjencave: Zjarret po rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve

Periskopi.com Lajme

Njohësi i çështjeve emergjente, Tahir Ahmeti përmes një postimi në facebook ka thënë se ndezja e zjarreve nga ana e fermerëve është mjaft e rrezikshme, përcjellë Periskopi.

Sipas tij, fermerët me këtë traditë të keqe të djegies së tokave po rrezikojnë pyjet e në disa raste edhe jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Fermerët assesi nuk po vetëdijesohen se në bazë të hulumtimeve të bëra të ekspertëve bujqësorë në Kosovë, është konstatuar se djegia e hamulloreve ka efekte negative për tokën, duke shkatërruar masën bimore që gjendet në ara. Por për pasojë, këto zjarre pastaj po përhapen edhe në pyje (edhe ashtu mjaft të thata në këtë kohë) duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në to, dëme ekologjike duke ndotur ambientin nga emetimi i mbetjeve të këtyre zjarreve si dhe po shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm të të mirave materiale, por po rrezikojnë dhe vet jetën e qytetarëve”, shkruan Tahiri.

Ai gjithashtu ua kujtoi fermerëve se me këto veprime po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm gjë që është vepër penale dhe mund të sanksionohet me burg.

“Inicimi i qëllimshëm i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm, është vepër penale dhe sanksionohet me burgim, organet e rendit në Kosovë, duhet të veprojnë në mënyrë që personat e papërgjegjshëm që shkaktojnë zjarre të qëllimshme të marrin ndëshkimet e duhura ligjore”, shkruan ndër të tjera Tahiri. /Periskopi